Budallallëku i radhës i sulmuesit italian të Mançester Sitit, ka bër që mediat britanike të tregohen të ashpra. “Budalla”, “idiot”, “i çmendur”, kanë qenë disa nga epitetet që mediat e vendit ishullor kanë vendosur ndaj sulmuesit të Sitit, i cili doli me karton të kuq gjatë ndeshjes me Dinamon e Kievit për Ligën e Europës. Baloteli bëri një ndërhyrje kung-fu ndaj mbrojtësit të dinamos, Popov, njësoj si ndërhyrja e De Jong në finalen e botërorit mes Spanjës dhe Holandës ndaj Ksabi Alonsos. Veprimi i Balotelit duket se tashmë ka çuar në limite edhe durimin e mbështetësit kryesor të tij tek Siti, trajnerit Roberto Mançini, i cili ka thënë se “Baloteli do të ishte një lojtar fantastik, nëse do të mendonte”. Dalja me karton të kuq e Balotelit i kushtoi Sitit eliminimin nga Liga e Europës, pasi ekipi mbeti me 10 vetë për pothuajse 70 minuta dhe nuk arriti dot të përmbyste rezultatin e ndeshjes së parë, kur dinamo kishte fituar 2-0. Siti arriti të shënonte vetëm një herë me anë të mbrojtësit serb, Kolarov. Sipas Mançinit, nëse ekipi do të luante me 11 lojtarë, do të kishte mundësi të shënonte të paktën edhe një gol tjetër.