Shpërblimi politik po kalb drejtësinë

19 Mars 2011, 19:56Editorial TEMA

Nga Mero Baze

Një i kërkuar ndërkombëtar për trafik droge është lënë i lirë pa adresë konkrete nga një trupë gjykuese e Gjykatës së Apelit në Tiranë, përbërë nga Gjin Gjoni, Hysni Demiraj dhe Agron Papajani. I kërkuari nga shumë shtete perëndimore Abdulselam Turgut nuk është një emër i zakonshëm. Përveçse mbi të rëndojnë një sërë akuzash për linjat e trafikut të drogës nga Turqia drejt perëndimit, dhe sidomos Gjermanisë,  historia e tij lidhet edhe me qytetarë shqiptarë, të cilët kanë marrë në kohë të ndryshme dënime të ndryshme për trafik droge. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka ndërmarrë një hetim ndaj gjyqtarëve, por ka pak shpresa se do t’ia dalë, pasi vendimin për shkarkimin final të tyre e merr Ministri i Drejtësisë. Siç ndodh rëndom në këto raste, tipa të tillë i shpëtojnë ndëshkimit me shërbime politike. Edhe në këtë rast druaj se skema tradicionale do të përsëritet.

Ky është dhe problemi i madh që ka përpara drejtësia shqiptare. Nëse do të bënim një portret për modelin e gjyqtarit të korruptuar këto vite, nuk ka rëndësi t’ia vëmë emrin Gjin Gjoni apo Hysni Demiraj, nuk ka nevojë ta vizatojmë me flokë të rënë apo të mbjellë, nuk ka rëndësi t’i vëmë nofkën “malok” apo “lab”, por ka shumë rëndësi të shikojmë dinamikën e mbijetesës së tyre në këtë sistem të kalbur karriere në drejtësi. Ai është pak a shumë kështu. Në fillim përdoren politikisht. Sa herë shkonin në gjykatë kundërshtarë të pushtetit, qofshin këta politikanë apo gazetarë, tipa si këta dilnin vullnetarë për vendime absurde duke futur në burg politikanë dhe gazetarë, duke i dënuar ata pa asnjë argument ligjor, pastaj duke u shkelur syrin avokatëve të tyre se kishin urdhër nga lart… Kështu bëheshin heronj të përkohshëm të pushtetit duke eliminuar politikisht kundërshtarë të tyre. Pasi bënin këto shërbime, fillonin bënin kërdinë në çështje civile dhe penale, duke liruar trafikantë, duke tjetërsuar pasuri, duke dhënë vendime absurde që kushtonin miliona. Kështu dilnin lekët për jetë luksoze, për pasuri të patundshme dhe deri për operacione plastike për gjoksin dhe lifting kur janë femra mbi 40 vjeçe dhe deri mbjellje flokësh kur janë meshkuj. Ashtu qesharakë, gjysëm provincialë e gjysëm hileqarë, janë lëpirë pas çdo pushteti për t’i bërë shërbimin e radhës. Kur pushtetet ndërronin, fillonin paguanin një taksë për haremet e vjetra dhe korruptonin pushtetin e radhës. Herë shkarkoheshin e herë gradoheshin sipas faturave që paguajnë nga pisllëqet që kanë bërë. Gjahu i tyre i preferuar për tu ngjitur politikisht në karrierë janë gjithmonë opozitat dhe gazetarët. Sa herë i kanë punët keq me pushtetin, nxitojnë të marrin çështje politike në dorë, i bëjnë shërbime pushtetit dhe pastaj rehabilitohen duke filluar të kompensojnë paret e humbura nga traku politik. Kjo specie gjyqtarësh dhe prokurorësh, ku nuk kanë shumë rëndësi emrat konkretë, janë prototipat e figurave që kanë shkatërruar drejtësinë shqiptare.  Nëse sheh biografinë e tyre i gjen gjithmonë të paralajmëruar për shkarkime dhe të rigraduar, të keqpërdorur në ekstrem nga politika dhe të mbrojtur prej saj. Ata përfaqësojnë në një farë mënyre tumorin që po rritet në kokën e drejtësisë shqiptare dhe që e ka paralizuar atë. Modeli i këtij tumori është bërë Gjykata e Apelit në Tiranë, e cila me shërbimet politike që ka bërë dy- tri vitet fundit, ka marrë një lloj leje për të qenë të lirë të bëjnë ç’të duan me çështje të tilla të trafikut të drogës apo korrupsionit, edhe pse ato nxijnë imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Duke dashur t’i rikthehem rastit në fjalë, të një trafikanti të njohur ndërkombëtar me lidhje të frikshme në kupolën e policisë së shtetit shqiptar, dhe bashkëpunëtorë të tij në Tiranë që janë përfshirë dhe në ngjarje të rënda kriminale dhe deri në investime në media proqeveritare, kam frikë se jemi në rastin ekzemplar të bërjes së një shërbimi që përveç anës financiare ka dhe lejen politike brenda tij.

Nëse politika shqiptare ka ndërmend të çlirohet ndonjëherë nga ky tumor në drejtësi, është mirë të shkatërrojë pikërisht këtë linjë brenda saj, linjën e gjyqtarëve sharlatanë që bëjnë shërbime politike në momente të caktuara për të pasur pastaj leje për vendime dhe veprime kriminale në drejtësi në interes të pasurimit të tyre dhe shkatërrimit të besimit tek drejtësia shqiptare. Askënd të mos gënjejë mendja, as Berishën, as Ramën, as Topin, se tipa të tillë mund tu duhen në ndonjë rast politikisht, ndaj duhen mbajtur. Tipa të tillë janë të gatshëm të të shesin dhe të blejnë për 24 orë pasi nuk kanë parime gjyqtarësh dhe as kanë përkushtim tek drejtësia. Ata bëjnë padrejtësi për tu shpërblyer politikisht. Ndaj duhet të marrë fund mbështetja politike për ta.

8 komente në “Shpërblimi politik po kalb drejtësinë”

  1. Frederik says:

    Produkti i politikes shqiptare keto 20 vitet e fundit ka qene çorientimi i plote i shoqerise shqiptare duke çorientuar individin, qofte ky i thjeshte apo me ndonje lloj arsimi. Krijimi i hapesirave per te fituar ne menyre te paligjshme ne administraten shteterore dhe po ashtu dhe jashte asaj ka shkaktuar nje corientim ne nje mase te konsiderueshme ne popull , te cilit i ka humbur sensi i reagimit civil kunder kesaj masakre ndaj shoqerise shqiptare. Kulmi i korrupsionit qendron ne nivelet e larta qeveritare duke u permbyllur tek kryeministri. Drejtesia nuk eshte me drejtesi , por sherbim per padrejtesi duke iu bindur urdherave politike . Lenia e vendit ne nje varferi te madhe dhe me nje arsimim cilesor per te deshiruar , ben qe te diplomuarit e rinj te mos kene seder profesionale , por sensin e tregetarit pa marre parasysh pasojat. Te gjitha keto ndodhi e shume te tjera nese i analizojme jane bere dhe behen me nje qellim te caktuar , shitjen e interesave te kombit shqiptar ne favor te Greqise dhe Serbise. Vrasja e shpreses per te ardhmen nga vete qeveritaret shqiptare , si krimi me i madh njerezor i qeverive shqiptare te pasdiktatures ka detyruar nje pjese te shqiptareve te deformojne identitetin e tyre . Pikerisht mungesa totale e drejtesise ne Shqiperi, mungesa e nje ekonomie mbi baza te shendosha zhvillimi pa u mbeshtetur mbi parate e pista, mungesa e nje arsimimi cilesor , mungesa e nje politike per qytetarin sigurisht shpien ne nje shqiptar te deformuar ne karakter , tipik sot ky eshte gjykatesi shqiptar.

  2. hajduti says:

    Mire e ke ti mero,,me mire ta marrin e ta zhvendosin shqiperine per nje kohe e ti nderrojne emrin ta quajne ALBANISTAN, tiranistan,beratistan,tropojistan,elbanistan, e keshtu me rradhe

  3. beso says:

    Sistemi i Drejtesise eshte zanafilla e ketij informaliteti,qe fillon me te parin e shtetit dhe perfundon tek strukturat lokale,ku çdokush eshte ne amok per tu pasuruar shpejt,se vjen mongoli i rradhes.Cfare ti rregullosh ketij sistemi?Ai ka lindur i parregullt..Atje ku gjyqtari sheh veshtiresi ligjore,merr ne celular politiksin e interesuar,qe eshte dhe shtetar,dhe ky i dyti,ne kuvendin e Jozefines ben ndryshimet ligjore.Shume origjinale;i njejti ligj mund te behet prape siç ishte,sa te kaloje “halli” i rradhes.Jozefina(gallina vecchia fa buon brodo-pula plake ben per leng mishi)i jep dum me ato votat elektronike,ku shumica edhe kur ngaterron tastieren,eshte gje qe rregullohet-e kane bere dhe ate-nxjerr dhe ndonje batute te paperkthyer mire,dhe gjyqtaret as denojne dhe as çlirojne nga akuzat.Rasti Mediu dhe Basha jane ekzemplare;dy ministra qe nuk dolen te pafajshem,por dhe s’u denuan.Mendo se ç’eshte bere me poshte.Lexoja qe vrasesit shkodran ne Grude,i qenka vrare babai i dorezuar,e qe Pjetrushi qenka akuzuar per vrasje,por ne burg eshte vellai tjeter;une si lexues çuditem me kete amulli,por dikush vritet dhe dikush vuan burgun i pafaj.Me tregonte nje beratas,kur ishte nje gjyq i Altin Dardhes,dhe nje tjeter e kish goditur me saçma ne koke,aty para ’97.Ishin te dy brenda,dhe thirren ne gjyq nje ekspert armesh.Ne zyre,me vete dy gjyqtare i kerkuan mendje ekspetit,dhe kur ky pretendoi se duhej bere qitje prove me çiften dhe te mateshin distancat e pratenduara dhe fluksi i saçmave,gjyqtaret thane qe kete e dinin;dmth se kjo s’ishte gje e re…Po pse nuk e kerkuan kete ekspertize?Sepse duhej te skadonin afatet.Mu kujtua kjo historia e mikut tim,per te gjykuar sesa gjyqtaret bene dem me pas.Ata tipat dolen nga burgu,dhe A.Dardha vrau gjithe ata njerez.Pra,a nuk mund te quhen ata gjyqtare si bashkefajtore?Ne fakt gjyqtaret e shperblyer jane bashkefajtore,dhe mire e ka Mero;tani po merren me luksin e operacioneve plastike,se parate po u dalin nga veshet!

  4. mercedes benz says:

    Po pse nuk eshte kryetari KQZ nje person i tille? Ai ka histori te ndyra korrupsioni si ato qe permend shkrimi dhe me to Berisha ja ka zene koken me dere e i thote bej si te them une.
    Pa nje pa dy qeverisemi nganje bande kriminelesh ku kryekrimineli eshte vete Saliu dhe nga ta jane ne moralin e tyre te vrasin naten e te qajne diten, te vjeshin pa ju skuqur veshet, te genjejne pa ju dridhur syri, te mashtrojne pa kurrfare brejtje morali, te thone 1 dhe 1 bejne 1 se dua une, te tallin qytetarine tende e ta kane cmire ate, te hedhin balte mafioze per kedo qe del perpara, te shkaterrojne biznesin buken e kalamajve, te ngacmojne gruan vajzen.
    Dhe bejne keshtu se kane perpara nje popull qe i jane ftohur pordhet e me nje opozite qe harruar fare te pjerdhe si njerezit.

  5. bbb says:

    Drejtisia eshte themeli i nje shoqerie demokratike. Tek ne drejtesia eshte e kapur nga politika dhe kriminelet. Besoj se video Meta-Prifti eshte deshmi e gjalle sesi ben presion politika tek drejtesia. Ndersa vrasja e 4 personave tek dera e kryeministrise, vrasje te filmuar ne video televizive tregojne se edhe kur ke fakte vizive, drejtesia jone nuk denon.

    Sot gjendja e drejtesise eshte katastrofe e vertete. Pa nje revolucion ne drejtesi nuk ka ecje perpara. Se pari, duhet bere zgjedhja e gjykatesve te larte me votime popullore dhe jo me emereme politike. Se dyti, duhen larguar nje ore e me pare gjithe gjykatesit e korruptuar qe kane dhene vendime te gabuara me qellim, duke iu hequr pergjithmone e drejta profesionale e gjygjtarit( sic jane ata te Gerdecit psh). Se treti, te rithemelohet gjykatat ne kuadro ku te pranohen aty vetem djem e vazja te reja qe kane studiuar jashte( me se shumti ata qe kane lindur jashte ose kane ik te vegjel) dhe qe nuk kane lidhje realitetin e sotem ne Shqiperi, duke iu ofruar rroga te majme.

  6. Ndoc Sukaj says:

    Fatkeqsisht ne Drejtesine Shqiptare bejne karriere Gjykates me ,,standarte,,te nivelit ,,Turgut,, te cilet vendimet duket se i japin ne respektim te Ligjit por ne fakt respektojne interesa te tjera qe jane veshtire per tu deshifruar te pakten ne gjendjen reale ku ndodhet Drejtesia Politiko-Ekonomike Shqiptare.

  7. reformatori says:

    Shanset per nje sistem drejtesi profesional dhe te ndershem jane zero me kete lloj politike qe kemi ne!

  8. reformatori says:

    Problemi i zgjedhjeve fillon me KQZ-ne, vazhdon tek komisioneret dhe mbaron tek numeruesit. Pas ketyre kukullave qendron nje shtet i tere fallsifikatoresh, nje polici e korruptuar, turma militantesh te indoktrinuara, nje qeveri qe tenton pa pushim ti manipuloje, bleje dhe vjedhe zgjedhjet dhe me se fundi nje gjykate e telekomanduar.
    Sistemi me i perkryer i fallsifikimit eshte kthyer ne nje strukture te hatashme mafioze. Ne keto kushte zgjedhjet jane vetem nje farse. Komisioneret e opozites jane te kercenuar me jete dhe disa prej tyre edhe te blere. Zgjedhjet ne Shqiperi jane nje kancer i pasherueshem dhe kjo nuk ka te beje me standartet o Prec, kjo ka te beje me vullnetin e nje “shumice” (qe ne fakt eshte pakice, per te mos njohur vullnetin e popullit.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje