Tymi del nga reaktori 3
Duket si një makth që nuk ka të sosur kurrë. Në centralin atomik Fukushima janë evakuuar sërish të gjithë punonjësit për shkak se ka pasur një tjetër shpërthim. Tym i zi ka dalë nga reaktori numër tre. Për më tepër në rajonin e Fukushimës gjatë natës ka pasur dy tërmete të forta. Ndërkohë reja radioaktive e Fukushimës ka mbërritur në Europë, por pa ndonjë ndikim në jetën e njerëzve. Ushqimi në Japoni është i ndotur me radioaktivitet, madje ekspertët thonë se ndotja është më e madhe nga sa ishte menduar. Ekspertët kanë këshilluar që fëmijët e vegjël të mos pinë ujë për shkak se është i rrezikshëm për shëndetin e tyre. SHBA ka ndaluar importin e ushqimit nga zonat e kontaminuara në Japoni. Mendohet se kjo është katastrofa më e kushtueshme në historinë moderne.