Kapen 200 kilogram kokainë, sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në vend

22 Mars 2011, 18:28Politika TEMA

UPDATE- Para pak ditësh OKB me anë të një raporti ngriti alarmin se Shqipëria po bëhej një qendër e trafikut të kokainës. Vendi ynë është njohur si rrugë kryesore e trafikut të heroinës, por tashmë kokaina është pjesë e trafikut në vendin tonë. Për më tepër OKB paralajmëroi se në vendin tonë ka laboratorë për përpunimin e kokainës.

Si për të ilustruar këtë fakt, policia dhe prokuroria e krimeve të rënda kanë sekuestruar 200 kilogram kokainë, që vinte nga Kolumbia. Kjo është sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në vendin tonë.

Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim mes policisë së Gjirokastrës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke bërë të mundur sekuestrimin e sasisë më të madhe të kokainës të kapur ndonjëhere. Mësohet se është arrestuar pronari i firmës që tregton kroasant “Merentino” dhe disa bashkëpunëtorë të tjerë. Droga futej në fuçi të vajit të palmës, vaj që përdoret për prodhimin e kroasantëve. Më pas nëpërmjet një solucioni bëhej dhe ndarja e kokainës nga vaji i palmës.

Prokuroria e Përgjithshme ka dalë me një deklaratë për këto arrestime.

“Zhvillimi i operacionit për bllokimin e lëndës narkotike është bërë në bazë të autorizimit të Prokurorit të Përgjithshëm, për lejimin e metodave të posaçme të dorëzimit të kontrolluar, bazuar dhe në kërkesën e institucioneve të tjera të huaja homologe. Në bazë të informacioneve të marra, ekzistonin të dhëna për transportimin në territorin shqiptar të një sasie lënde narkotike e llojit kokainë, e nisur nga Kolumbia. Itinerari që ka ndjekur kjo dërgesë ka qenë Kolumbi- Spanjë- Belgjikë- Austri- Slloveni- Kroaci_-Serbi- Maqedoni- Shqipëri. Pas kryerjes së këtij operacioni të koordinuar, u bë e mundur të bllokohet në qytetin e Gjirokastrës një kamion me targa maqedonase, ( KU 190 CF dhe KU 590 CE), në kontenierin e të cilit ka qenë e ngarkuar një sasi vaji palmash ku dyshohet se është tretur një sasi lënde narkotike e llojit kokainë. Sipas informacioneve paraprake sasia e kokainës së tretur llogaritet të jetë 200 kilogram. Në këtë operacion janë shoqëruar disa persona të dyshuar, ndër të cilët edhe dy shtetas maqedonas, si dhe është ndaluar shtetasi shqiptar Dh. H. Njëkohësisht po vijon puna për zbulimin dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të këtij rrjeti kriminal,” thuhet në njoftim.

1 komente në “Kapen 200 kilogram kokainë, sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në vend”

  1. Epirioti says:

    Sipas statistikave te interpolit dhe DEA-s amerikane, sasia e kapur e droges ne tregun boteror eshte vetem 10% e asaj qe arrin te tregetohet. Pra, i bie se 200 kg u kapen, 1800 kg tregetohet vetem per kokainen, pra 144 milione euro duhet te jene te dikush ketu ne Shqiperi vetem nga kokaina. Bejini hesapet vet per hashashi, herouinen, marjuahanen, etj

Comments are closed.

Lini një Përgjigje