Duhet të ketë qenë e lodhshme për Bashën të lexonte gjithë atë fjalim në Pallatin e Sporteve. Ndalonte, ngatërronte fjalët, ngecte, më pas ngrinte zërin, çirrej më shumë se bërtiste. Një gjë ishte e qartë. Nuk ia kishte idenë se çfarë po lexonte. Ia kishin shkruar dhe ai po lexonte kuturu. Njëherë të dukej sikur ishte kandidat për kryeministër ndërsa premtonte ulje çmimesh e dhjetëra mijëra të punësuar, më pas dukej si kandidat minibashkie kur fliste për skuta ku do mbilleshin lule. Nuk kishte thelb ky fjalim i Bashës. Është e qartë që nuk ka asnjë vizion për Tiranën si metropol e kryeqytet i shqiptarëve. Të ishte ndryshe, do mbante një fjalim të përqendruar, me pak fjalë, ku të shpaloste atë që mendonte për Tiranën metropol.
Merrni për shembull çështjen e punësimit. Nuk ka tallje më të madhe në fushata se kjo që bëhet me punësimin, që duket se është plaga më e madhe e shqiptarëve. Ndonjëherë të duket si një garë ku kandidatët duhet të thonë nga një shifër, sa më të lartë, sa më hiperbolike. Po si mendon kandidati demokrat se do punësohen ata njerëz? Duke hapur zyra informimi e duke i drejtuar studentët tek biznesi se kanë humbur rrugën? Nuk ka institucion tjetër në Shqipëri që e bën më mirë se bashkia e Tiranës këtë punën e zyrave dhe marifeteve me rrënjë nga seminarët e OJQ-ve. Por kjo nuk është zgjidhje. E shumta Basha mund të punësojë ata votuesit- banues në universitetin privat, po për ata 100 mijë studentët e tjerë, ta harrojë.
Problemet e Tiranës nuk zgjidhen me premtime për tramvaj e për shtim parkingjesh. Tirana kërkon vizion dhe Basha nuk ua jep dot këtë. Tirana është si një vullkan që është gati për të shpërthyer.
Ky qytet vjen gjithmonë e më shumë duke u mbledhur rreth qendrës. Një metropol që vjen në mënyrë rrethore dhe të gjitha rrugët e hallet të çojnë në një qendër të superngarkuar. Një vend i rrethuar dhe mbytur nga presioni i disa komunave barbare, që po i marrin shpirtin dhe nuk e lënë të shtrijë krahët e trupin. Tirana ka nevojë të shtrihet, nuk ka nevojë për grim e as për korrigjime milimetrike. Nuk zgjidhen çështjet e Tiranës siç bëhet me urën tek Shkolla Teknologjike duke marrë disa centimetra rrugë nga ajo pak tokë e ngelur e lirë. Tirana kërkon të ketë kufij më të largët, kërkon një kryebashkiak që merr hartën e heq vija, që ka guximin ta bëjë atë qytet me disa qendra.
Po si mund ta bëjë Basha një gjë të tillë? Shihni për një moment se si duan të fusin në bulevard një godinë tjetër, atë të parlamentit, një oktapod që do zërë gjithë atë hapësirë. Shihni maketin e prezantuar ku spikasin nja dy- tre pemë. Pastaj mendoni për stadiumin e ri të Tiranës, që do bëhet aty ku është, por më i madh e më pompoz. Po a nuk mund të bëheshin këto godina më larg, në një vend më të hapur e me më shumë gjelbërim? Po sikur Basha të vijë në pushtet, mendoni çdo bëhet me atë qyqarin Parku Rinia, apo me ato pak pemë tek Kodrat e Liqenit.
Vizioni i Tiranës ka nevojë të përputhet me atë të qeverisë dhe kjo e fundit ta ndihmojë fuqishëm atë. Po mendojeni për një moment se sa vuan ky qytet për një terminal autobusësh, të cilët, së bashku me një ushtri të frikshme furgonësh, vërdallosen nëpër qytet. Cila qeveri në botë pengon ndërtimin e terminalit siç bën qeveria shqiptare?
Tirana ka nevojë të zgjerohet, të ketë disa qendra. Tirana ka nevojë për një laps që e hap vijën e verdhë edhe më shumë dhe na zhduk nga harta disa komuna bajate, me kryetarë të babëzitur, që po shkatërrojnë ato pak mundësi që ka Tirana- metropol.
Tirana ka nevojë për një kryebashkiak, por më shumë për një kryeministër që e do. Dhe deri më tani kryeministri ynë ka treguar se nuk e do këtë qytet. Pa vizion e dashuri nuk mund të drejtosh kryeqendrën e shqiptarëve.
Comments are closed.
E si mund te flitet e pritet vizion per Tiranen,nga ai qe nga “dashuria e madhe”per te e gjakosi bulevardin e saj historik ne 21 janar?Eshte nje mengene e madhe,per Lul-in,te diskutosh per hic-vizionin e tij.
Une mendoj qe te sillet Babrruja nga Rrapi i Treshit,pastaj me nje tynel,drejt e tek uzina Traktori(qe eshte hinterland i “metropolit”qe mbaron ne Yzberisht,dhe Laprake)e keshtu mbushet dhe Lana me uje,qe ta quajme lume,dhe ta shetisim me gondola si ne Venezia.Eshte e vertete se siç eshte Athina nuk eshte Patra,por sa del nga kullat binjake per çerek ore me fugon(e thene shqip) mberrin ne Bathore;Tirana eshte Absurdi me i madh i politikes se çmendur shqiptare.Rama per inat te Berishes ben nje mbikalim tek Zogu i Zi,ku sipas ca statistikave idiote na thenkan qe banojne maloket;Saliu per inat te Rames prish mbikalimin,qe maloket te bejne “rrethrrotullim” me furgonat e Dibres.Harrova stadiumin,ai duhet te jete aq modern,sa pa gjuajtur njeri topin,tifozet te bertasin “Gooooooooooool….”.Stadiumin me duket Berisha e premtoi ti beje qejfin Topit(atij rrumbullakut te Adidas dhe atij qe hap dhe mbyll dyqanin tek pallati i Brigadave).
Me pelqen ky shkrim.Eshte vertet per te ardhur keq qe s`ka dhe s`ka per te pasur asnje vizion per Tiranen, per sa kohe do te kemi keto lloj politikanesh me kete lloj politike qe ndjekin vetem vendet e botes se trete.Por me teper eshte per te te ardhur keq qe populli i Tiranes nuk reflekton ndaj kesaj gjeje,nuk kundershton te dyja keto kanditatura per kryetar bashkie qe jo vetem nuk kane nje vizion per Tiranen ,por mendojne vetem per te fryre me para xhepat e tyre dhe te partive qe perfaqesojne. SA KEQ ME VJEN ,PER ATE CPO NDODH ME NE ,NE CDO ASPEKT.