Basha në rrugë për të fituar PD

24 Mars 2011, 22:10Editorial TEMA

Nga Mero Baze

Kryeministri Sali Berisha nuk u tërhoq nga vendimi për të kandiduar Lulëzim Bashën për kryetar të Bashkisë së Tiranës edhe pas vendimit të Edi Ramës për të qëndruar në krye të Bashkisë edhe një mandat. Kandidimi përballë Ramës është kthyer në një shkollë politike brenda PD-së, dhe figurat që kanë konkurruar me të, edhe pse kanë humbur, kanë formuar më shumë personalitet dhe individualitet në PD se ata që janë mbajtur në krahët e Berishës. I pari prej tyre, Besnik Mustafaj, është një nga figurat më popullore të PD-së edhe pse në armiqësi me Berishën; i dyti, Ngjela, është larguar nga Berisha, por ka dëshmuar kurajo politike për tu përballur me të qysh muajt e parë të pushtetit; ndërsa i treti, Olldashi, edhe pse e ka tejkaluar luftën e ftohtë ndaj tij nga grupe të lidhura me familjen Berisha brenda PD-së, sërish mbetet më i aftë në debatin publik në raport me figurat e tjera të PD-së. Lulëzim Basha, i katërti në radhë, deri më sot nuk ka bërë asnjë betejë politike. Ai erdhi me rekomandim dhe mbështetje të vajzës së Sali Berishës, hyri në qeveri dhe s’ka ikur më asnjë ditë prej pushtetit. Kjo është beteja e tij e parë politike dhe ndoshta do të jetë më e forta e jetës së tij. Edhe pse optimistët më të mëdhenj flasin për një rezultat pak më të mirë si Olldashit, askush, përfshi dhe Berishën, nuk mendon më për fitoren e tij, por për mënyrën se si ai do të përballojë betejën dhe ç’do bëhet me të në të ardhmen.

Ata që mendojnë se humbja e Bashës është heqje qafe e tij, gabojnë. Nëse ka një rast që Berisha do të ketë të drejtë morale dhe politike të rimbështesë Lulëzim Bashën, është rasti kur ai të humbasë këto zgjedhje. I mbetur pa imunitet, me dy çështje penale të rënda, një për vrasje dhe tjetra për vjedhje, Basha rrezikon të përfundojë në qeli nëse nuk ka mbështetje politike. Ndaj grupet e përfolura kundër tij me në krye zonjën Topalli kanë më shumë leverdi ta shohin Bashën fitues se sa një humbës te heroizuar që do të rimarrë më shumë përfitime politike nga sa ka.

Edhe ata që mendojnë se Basha ka shans të fitojë nëse në fushatë krijon distancë nga Berisha, gabojnë. Në tri garat e mëparshme, dy prej kandidatëve kanë krijuar një distancë nga Berisha. Edhe Mustafaj edhe Ngjela, sidomos ky i fundit, krijoi një profil tërësisht personal në fushatë dhe bëri fushatë shumë të bukur. Bile media e shpalli atë fitues të fushatës, por Rama ishte prapë fitues i zgjedhjeve. Mbajtja larg e Berishës nga fushata e Bashës nuk i shton asnjë pikë Bashës. Kjo pikësëpari se Basha nuk ka asnjë tezë politike ndryshe nga Berisha. Por mbi të gjitha, Basha ka prioritet kryesor tu thotë qytetarëve të Tiranës se epërsia e tij është mbështetja nga pushteti qendror i Berishës dhe jo distanca nga ai. Kur kanë kandiduar Mustafaj dhe Ngjela, Berisha ka qenë në opozitë dhe i izoluar, dhe distanca nga ai ishte pozitivitet. Me Olldashin dhe Bashën është absurditet.

Kandidimi dhe humbja e Lulëzim Bashës do të vlejnë për Lulëzim Bashën më shumë se recetat skolastike të një fitoreje me ide qesharake për “Bashë ndryshe nga Berisha”. Basha është në provë për të menaxhuar një betejë elektorale. Kjo është betejë e tij  jo për të fituar Bashkinë, por për të fituar PD. Nëse ai ia del të dëshmojë fuqi për të konkurruar me liderin e opozitës, ka një pasaportë për të vazhduar garën për lidership brenda PD-së, dhe në raport me Olldashin, i cili mbetet i vetmi që ka bërë beteja elektorale brenda asaj partie, ky ka më shumë shanse të ngjitet në krye pasi ka dhe bekimin e Familjes. Dhe kaq nuk është pak për të. Po të mendosh që deri më sot gjithçka e ka bërë vetëm duke e konsideruar Berishën “babin e Argitës”, kjo është beteja që noterizon ambicien e tij për të qenë pasardhës i merituar. Për më tepër kur mendon se në Shqipëri rruga drejt pushtetit kalon nga kërcënimi i prangave.

7 komente në “Basha në rrugë për të fituar PD”

  1. Spiro Cobo says:

    Holle po e tjerr, zoti Baze. Basha nuk eshte gje tjeter, vec nje politikan i tipit “bebe ne epruvete”, qe e ka krijuar Berisha. Ne rast se per nje moment mendojme “larg e tutje”, qe Berisha nuk do jete kryetar i PD-se, do e shikosh si do e katandisin Bashen keta metonjesit e tjere te babezitur te postit te kryetarit te PD-se. Dokisha deshire te shihja enderr sikur Prokurorja e Pergjitheshme, tani, qe Basha nuk ka imunitet (pas dorezimit te mandatit), te rikerkoje hapjen e dhe rigjykimin e akuzes se KLSH-se per shperdorimin e fondeve te rruges se Kombit. (Ka fakte te reja dhe indicje per ta rihapur kete ceshtje.). Por kjo do ishte enderr dhe dihet qe rralle dalin endrrat. Sot, ne zhgjendrren ku jetojme, e kemi te qarte se Basha do mare rezultat me pak se Mustafaj, Ngjela apo Olldashi. Mbi te rendojne disa krime. Nuk ka shpatulla ky djalosh qe vetem di te qesh dhe te mbaj duart te kryqezuara per te mbajtur tere kete peshe qe ka kjo fushate zgjedhore ne Tirane. Si pasoje, do futet si kapiten i ekipit te “fitores” se bashkise se Tiranes. Pra votat do hidhen per saliun dhe jo per Bashen. Po te hidheshin vetem per Bashen, do ishin shume me te vogla. Basha, sido qe te vene punet, e ka vendin para drejtesise.

  2. Dino USA says:

    Basha shpreson per fitoren ne tri kollona betoni:
    1)Te ushtroje dhune me policat e shtetit
    2)Te vjedh votat me ndihme te makines vjedhese qe ka krijuar Berisha per 20 vjet
    3)Te mbeshtetet nga Berisha per te krijuar zhurmen hitleriane te fushates dhe propogandes.
    Ne se opozita ja thermon keto tre kollona betoni Basha do bjere ne toke si zog i ngordhur ne acar….

  3. beso says:

    Nuk me binden arsyet pse Rama rikandidoi;kjo eshte nje dobesi e tij.Te pakten duhet te kete guximin te kerkoje ndryshime ne drejtuesit e larte te PS,duke filluar nga posti i kryetarit.Normalisht ai do fitoje,pasi Basha eshte nje skuader pa portier;jam kurioz sesi do beje gare elektorale,nqs brenda javes tjeter PS dergon ne prokurori dy akuzat e renda per Bashen,tani qe ky eshte pa imunitet.Ne Perendim asqe do provohej nje lapsus kaq trashanik;te kandidosh per kryetar bashkie nje person te akuzuar publikisht;vetem nese po kerkon humbjen me çdo çmim…Rasti me normal ne bote do te ishte qe kater familjet e viktimave(sugjeroje z.Mero,se Rama nuk eshte aq i zgjuar te mbeshtese kete kauze) te bejne akuze publike dhe te çojne ne prokurori materialet ndaj Bashes;familjet e kater viktimave duhet dhe duhet patjeter,ne kujtim te te dashurve te tyre,te kerkojne ne prokurori proçedimin e Bashes,dhe opozita mund te ofronte ne ndihme te tyre nje team avokatesh nga ata qe e lene Bashen dhe maestron e tij tropojan ne lluce.Eshte ky motivi pse une besoja qe çdo kandidat tjeter i PS per kryetar bashkie mundej te ofrohej,pas tre mandatesh te fituara nga Rama.Analiza e z.Mero eshte ekspresive,dmth kete gjelle po me sjellin,une po i hedh ca vaj,por ne fakt opozita ka motive me shume te godase dy zogj me nje gur;pra nga kandidati te arrije ne demaskimin e pushtetit autoritar(te paparanueshem per demokracine tone)dhe zgjedhjet e parakohshme politike,sesa te perleshet me Bashen ne llogje elektorale,ku njeri premton se Tiranen do ta beje me rrota dhe tjetri me pupla…Sikur te kishte halla atribute do ti thoshim xhaje.

  4. lira says:

    Doja te beja nje koment lidhur me shkrimin por sapo lexova “beso” Komenti shume i sakte e mbeshtes.

  5. england says:

    Qe lul-i e ka te humbur kete beteje,nuk eshte se po themi dicka te re!
    kete gje edhe ai vete e di
    por cfare e shtyu Lulin te kandidonte per bashkine e tiranes?
    Ai(kur them ai nenkuptoj Berishen se ne PD edhe ne se te shpeton,po qe se nuk te jep viston Saliu mund ta besh ne breke)
    pra Luli me te tijet i bejne yzmet vjedhjes se votave,sic bene ne qershor te 2009
    Kjo parti eshte ndertuar e tille,mbi baza mashtrimesh,genjeshtrash,vjedhjesh
    po nuk di te besh keto nuk te pranojne aty!
    po shohim cdo dite se si mbushen listat me te ardhur nga cdo ane e shqiperise
    me shpresen se mund tia dalin mbane,Ed Rama ka nje kontrate me votusit e tij ne tirane
    ka gjithashtu disa projekte te nisura ne kete qytet,por mbi te gjitha ka perballe vrasesin
    e 4 protestueseve te 21 janarit,dhe i duhet ta fitoje kete gare,per ta lene zbuluar Lulin
    per perballjen me drejtesineve,mjaftojne keto motive qe Rama te rikandidoje.
    Nuk besoj se kur fiton duhet te gjykohesh,aq me pak te konsiderohesh i dobet
    Tirona si perhere,edhe kesaj rradhe do votoje njeriun qe ja nderroi pamjen ketij qyteti
    nga nje mizeri kjoskash,honesh,e pislleku,ne kryeqytetin ineresant sic dhe disa miqte e mi
    e quajten kur e vizituan per here te pare…

  6. bbb says:

    Nqs Basha do te humbe, sic pritet afer mendjes, Berisha e ka gati prasin e “Tritanit” per tja futur Bashes

  7. reformatori says:

    Sipas meje humbja e Bashes eshte fitore per Berishen! Berisha provon keshtu se askush pervec tij nuk eshte i afte ta munde Ramen! Te gjitha supozimet e tjera jane me pak te rendesishme. Ne kete menyre Berishen zhvlefteson nje rival brenda partise duke afirmuar hegjemonine e tij te padiskutueshme!
    Ne fakt shembulli i Mustafajt, Ngjeles dhe Olldashit provojne pikerisht kete. Olldashi eshte perjashtimi nga rregulli, qe e provon ate!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje