Cana: Një ditë do të marrim pjesë në Botëror ose Europian

28 Mars 2011, 12:00Sport TEMA

Përpara se Shqipëria të ndeshej me Bjellorusinë, Lorik Cana dha një intervistë për gazetën prestigjioze sportive franceze, “L’Equipe”.

Në shkrimin e botuar në versionin online të L’Equipe, Lorik Cana zbuloi edhe ambiciet e Shqipërisë. Zëvendëskapiteni i Shqipërisë “ëndërron” të luajë në finalet e një Kampionati Europian apo një Kampionati Botëror deri në fund të karrierës së tij.

“Kjo ndeshje kthimi (kundër Bjellorusisë) është vërtet një pikë kthese. Qoftë për të kapur një vend në playof, qoftë për të vazhduar betejën për të mos e mbyllur të parafundit”, – citohet Cana, pak orë përpara se të luhej ndeshja.

ENDRRA

Sipas “L’Equipe”, ish-lojtari i Marseille shprehu besimin se pas viteve të gjata të vegjetimit duke qenë të fundit në kualifikuese, përfaqësuesja e tij shpreson të ndjekë kursin e saj në ngjitje në hierarkinë europiane.

“Dikur, ne ishim në vazon e fundit, sot, jemi në atë parafundit, nëse do të marrim 12 pikë në këto kualifikuese, atëherë kemi shanse të jemi në vazon e katërt. Kjo do të ishte e mrekullueshme”, – citohet Cana.

“Sa më shumë të ngjitemi te vazot, aq më shumë shanse do të kemi që një ditë të kualifikohemi për një kompeticion të madh. Është ëndrra ime”. Një ëndërr që duket më pranë, tani me fitoren kundër Bjellorusisë.

MESAZHI

Tashmë 27 vjeç, Lorik Cana dëshiron të besojë për mundësinë që përfaqësuesja e vendit të tij të jetë e pranishme në skenën e madhe. “Një dite do të jemi atje!”, – deklaron me zë të lartë Cana.

Ai shpreson që shumë të tjerë të bëjnë si ai, të zgjedhin për të mbrojtur ngjyrat e Shqipërisë, me gjithë apelin e kombeve më të fuqishme. “Lojtarët te ne, pikërisht ata që kanë lindur në Kosovë, zgjedhin shpesh kombëtare të tjera: Behrami (Fiorentina) ose Shaqiri (Bazel) mund të kishin luajtur me Shqipërinë, por ata preferuan Zvicrën.
“Duhet që këta lloj lojtarësh, të formuar në vend të huaj, të na bashkohen. “Ashtu si unë, që zgjodha Shqipërinë, pasi është vendi im”.

Lini një Përgjigje