Hemilton: Vetel? I trembem vetëm Alonsos

29 Mars 2011, 10:49Sport TEMA

Pavarësisht se gara e parë e Australisë në Formula 1 u fitua nga gjermani Sebastian Vetel, i cili është edhe kampioni në fuqi, piloti i Meklaren, Luis Hemilton, ka thënë se i trembet vetëm Fernando Alonsos. Sipas tij, spanjolli është pikërisht rivali kryesor për të gjatë këtij sezoni. Madje, Hemilton e ka quajtur rivalitetin e tij me Alonson, të ngjashëm me rivalitetin e famshëm gjatë viteve ’90 mes Airton Senës dhe Alan Prost. “Mendoj që rivali im i përhershëm është Fernando Alonso. Ka qenë rivali im që prej ditës kur kam nisur të garoj në formula 1. E shoh sikur ai është alan Prost dhe unë Airton Sena”, ka thënë piloti britanik për të përditshmen “Guardian”. Hemilton e ka injoruar tërësisht gjermanin Vetel, duke thënë se, “nuk mendoj se Sebastian është një kundërshtar i vërtetë. Nëse vazhdon që të ketë një makinë kaq të shpejtë mund të bëhet, por jam i sigurtë se kur të kemi kamina me fuqi të njëjtë, atëherë mund të shohim gara të vërteta”. Pavarësisht injorimit, Hemilton do ta ketë sërish shumë të vështirë gjatë këtij sezoni që të konkurrojë me Vetel, duke qenë se Red Bull vazhdon që të jetë superiore ndaj makinave të tjera.

Lini një Përgjigje