Pastore, blerja e madhe e Romës

6 Prill 2011, 09:19Sport TEMA

Blerja e Romës nga ana e italo-amerikanit DiBenedetto e ka kthyer ekipin kryeqytetas në qendër të zërave për merkaton. Duke qenë se presidenti i ri i romës kërkon që të krijojë një ekip shumë cilësor dhe me lojtarë të mëdhenj, në media tashmë kanë filluar të qarkullojnë edhe emrat e parë të lojtarëve që mund të mbërrijnë në ekipin verdhekuq. Emri i parë dhe më i rëndësishmi duket se është ai i argjentinasit të Palermos, Havier Pastore. Kalimi i tij tek Roma mund të bëhet më i lehtë edhe prej faktit se një prej drejtuesve kryesorë tek kryeqytetasit do të jetë Sabatini, ish-drejtor i Palermos. Ky i fundit pritet që të ndikojë mjaft për transferimin e Pastores dhe kjo mund të arrihet për një shifër rreth 30 milionë euro. Një pjesë e kësaj shifre pritet që të plotësohet edhe nga shitja e francezit Menez, largimi i të cilit tashmë duket i sigurtë. Nga ana tjetër, romanistët janë duke menduar edhe për trajnerin e ardhshëm. Objektivi kryesor vazhdon të mbetet Karlo Ançeloti, por së fundmi flitet edhe për Pep Guardiolën, i cili duket se në fund të sezonit do të largohet nga drejtimi i Barcelonës.

Lini një Përgjigje