Në një kohë kur lëvizja “Zgjohu” bën reklama shumëmilionëshe pa sqaruar se nga i vijnë paratë, tatimorët shkojnë në zyrat e lëvizjes “Mjaft”, e cila i ka cilësuar këto kontrolle presion të hapur mbi ta. Reprezalja ka nisur në prag të fushatës së 8 majit. Drejtoria Rajonale Tatimore e Tiranës ka filluar kontrolli mbi subjektet e shoqërisë civile e kryesisht atyre me karakter anti-qeveritar dhe Mjaft duket se është viktima e parë. Lëvizja “MJAFT!”, nëpërmjet një deklarate për shtyp ka denoncuar se janë kryer kontrolle intensive mbi financat e këtij subjekti jo-fitimprurës duke kryer kështu veç mungesës së profesionalizmit, edhe një terror tek aktivistët e kësaj lëvizje. MJAFT! njihet si një lëvizje qytetare opozitare që prej kohës kur kryeministër i vendit ishte Fatos Nano. MJAFT ka qenë gjithashtu monitorues i pasurive të deputetëve, ministrave si dhe prezencës së tyre në seancat plenare dhe efikasitetin në mbajtjen e premtimeve.
Nga ana tjetër lëvizja “Zgjohu” që bën reklama televizive anti-Rama duke i shërbyer kështu pushtetit, nuk ka shqetësuar asnjë tatimor për burimet e financimit që përdor në këto fushata antiopozitare. Kjo lëvizje vazhdon të jetë e paprekur dhe pse Partia Socialiste ka dërguar një padi penale në prokurori ndaj saj.
Në deklaratën e Lëvizjes MJAFT! thuhet se: “MJAFT sulmohet nga qeveria! Pak para fillimit të fushatës zgjedhore, në zyrën e Lëvizjes MJAFT ka mbërritur një njoftimi Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë për kryerjen e një kontrolli tatimor. Përtej eksperiencës tonë me këtë institucion, kur edhe në zgjedhjet e shkuara ka qenë objekt i një kontrolli të ngjashëm, duke mënjanuar çdo paragjykim dhe duke i qëndruar parimit për respektimin e ligjit, u shprehëm të gatshëm për t’iu nënshtruar kontrollit dhe për t’i vënë në dispozicion, inspektorëve tatimor, të gjithë informacionin e nevojshëm, në bazë dhe konform legjislacionit tatimor vendas, si dhe objektit të kontrollit tatimor sigluar nga drejtuesi i këtij institucioni, z. Artim Biraçi. Dyshimet për llojin dhe seriozitetin e këtij kontrolli lindën qysh në gjenezën e tij, kur në njoftimin e kontrollit, bërë me dije përmes shkresës se datës 15 mars 2011, me nr.protokolli 15521, përcaktohej objekti i kontrollit “…për vetëdeklarimet dhe llogaritjen e derdhjes së detyrimeve nga tatimpaguesit që ndërtojnë e tregtojnë ambiente banimi, shërbimi dhe tregtie, në rolin e kontraktonit, nënkontraktorit, investitorit”. Nga vetë objekti i kontrollit, një njoftim i tillë ngjason më shumë me një kërkesë drejtuar një biznesi të fushës së ndërtimit se sa një organizate të shoqërisë civile”.
Më tej drejtues të kësaj lëvizje thonë se: “njoftimi zyrtar parashikonte vetëm 24 orë pune për kontrollin në fjalë, ndërkohë që ne i lejuam këta punonjës të shtetit të qëndronin për më shumë se 2 javë në ambientet tona, duke i lejuar në të njëjtën kohë të shkelnin afatin kohorë si dhe objektin e kontrollit, me vënien në dispozicion të më shumë informacioneve nga ç’parashikohej në njoftim. Lëvizja MJAFT! zgjodhi këtë mënyrë komunikimi për të qenë sa më transparent me ligjin dhe me institucionet shtetërore. Fatkeqësisht, dyshimet filluan të konkretizohen kur përfaqësuesit e shtetit u rikthyen me kërkesa të tjera, të pautorizuara, jashtë çdo afati kohor dhe krejtësisht informale, në kundërshtim të plotë me çdo procedurë administrative. Në këtë moment Lëvizja MJAFT! gjen të drejtën të mbroj integritetin e saj dhe mbi të gjitha të përmbushë marrëdhëniet kontraktuale me donatorët për sa i përket implementimit të projekteve të saja, të cilat po bëheshin pothuajse të pamundura, me prezencwn fizike të përditshme të inspektorëve që rikthehen dita ditës duke zëvendësuar njeri-tjetrin”.
Nga ana tjetër Mjaft bën një denoncim tjetër lidhur me sjelljen e tatimorëve. “Duam të denoncojmë publikisht faktin se Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë po ushtron presion të paligjshëm mbi bankën tek e cila Lëvizja MJAFT! kryen veprimet e saj bankare konform ligjit, “Intesa Sanpaolo Bank” për të përvetësuar në mënyrë informale (nëndorë) informacione jashtë çdo tagri ligjor, duke u shndërruar në një bandë matrapazësh dhe shantazhuesish. Është e pafalshme dhe mbi të gjitha e turpshme që një institucion publik mobilizohet për të sulmuar politikisht dhe në mënyrë të jashtëligjshme një organizatë të shoqwrisë civile, e cila prej vitesh jep kontributin e saj në sferën publike të vendit. Ky është sulmi i hapur ndaj kujtdo që guxon të jetë kritik ndaj keq-qeverisjes dhe padrejtësive politike, është një mesazh i hapur për këdo që guxon të denoncoj apo të kundërshtoj korrupsionin si standard qeverisës. Qartazi disa nga iniciativat që Lëvizja MJAFT! ka ndërmarrë, shpesh herë të mbështetura nga gazetarë, opinionistw dhe aktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare, që kanë kundërshtuar nisma apo demaskuar afera korruptive kanë ngjallur agresivitetin e klasës politike, i cili ka shndërruar edhe institucionet publike në vegla të shantazhit politik, që tashmë po përpiqen të paralizojnë veprimtarinë tonë civile”, thuhet në reagimin e kësaj lëvizjeje.
Comments are closed.
“MJAFT ka qenë gjithashtu monitorues i pasurive të deputetëve, ministrave si dhe prezencës së tyre në seancat plenare dhe efikasitetin në mbajtjen e premtimeve.”
Nese Mjaft ka monitoruar pasurite e deputeteve, jemi ne rregul, pasi te gjithe i kemi te varfer…