Lulëzim Basha: Jam kundër prishjes së Piramidës

8 Prill 2011, 19:42Politika TEMA

Kandidati demokrat flet në emisionin “Opinion” në TV Klan

Jeni i sigurt që janë unifikuar të gjitha strukturat e PD-së për kandidaturën tuaj?

 

Absolutisht po.

 

Ka pasur zëra që disa grupime të caktuara nuk janë të kënaqur nga përzgjedhja juaj?

 

Se nga vijnë këto komente dhe çfarë motivesh kanë nuk është detyra ime t’i komentoj është detyra juaj dhe kolegëve tuaj. Unë mund t’ju them se jam i kënaqur i nderuar i privilegjuar, me shansin që më jep PD-ja, për të realizuar kandidimin në Tiranë…

 

Shans apo detyrim zoti Basha?

 

Është një shans për mua

 

Është shans për ty të përballesh me kryetarin e opozitës i cili ka fituar tre herë në Tiranë?

 

Për mua është një shans, dhe këtu vjen aspekti personal, është një shans pasi unë kam një lidhje organike me këtë qytet, ky është qyteti ku kam hapur sytë, ku kam mësuar germat e para, ku kam hedhur hapin e parë, ku kam jetuar, jam shkolluar, kam mësuar abc, ku kam pasur përjetimet më të forta të jetës time. Në një farë mënyre kjo është një ëndërr për mua të bësh diçka për qytetin i cili është shtëpia jote, ku çdo banor nuk është thjesht një banor, por është një mik, është fqinj, ku ke një vizion, një dëshirë për të parë gjithçka më mirë. Duke filluar nga lagja, apo rrugica ku banon apo më gjerë. Mendoj se nuk është vetëm rasti im por është rasti i çdo kujt. Sa herë jemi ulur bashkë se dhe ju jeni qytetar i vjetër i Tiranës apo dhe miqtë e tjerë dhe kemi diskutuar si mund të ishin gjërat më mirë. Dhe në këtë kontekst më jepet shansi që jo vetëm të flas, por edhe të bëj diçka.

 

Zoti Basha, kjo është një analizë?

 

Jo, nuk është analizë. Kjo ka të bëjë me ndjenjën, nga kjo pikëpamje, nga pikëpamja e ndjenjës është një shans.

 

Por është emocionale, ka dhe një anë racionale të jesh kandidat i një koalicioni përballë një kandidati që është shef i opozitës dhe ka fituar tre herë në Tiranë do të thotë që të hysh në një betejë që ka shumë të panjohura. Dhe kur një ministër, siç është ministri i Brendshëm, i cili ka shëtitur tre ministri, le postin e tij për tu përballur, nuk e di sa është zgjedhja juaj apo ka qenë një detyrim?

 

Të jeni i bindur se ka qenë plotësisht vullneti im, dëshira ime dhe shansi im për të pranuar këtë privilegj, këtë përgjegjësi, detyrë të cilët ma besuan jo rastësisht. Përsa i përket përballjes janë dy gjëra, e para për mua nuk është rivali im, por është me problemet e jashtëzakonshme të akumuluara nga ky qytet është me hallet e qytetarëve, është me vizionin tim për të ndryshuar Tiranën. Për sa i përket kandidatit tjetër mendoj se është rivali më i dobët që mund të kisha përballë nga Partia Socialiste. Për tre arsye. E para mendoj se është vendi i gabuar, koha e gabuar dhe njeriu i gabuar për qytetin e Tiranës. Siç e ka thënë dhe vetë, nuk garon se e shikon të domosdoshme projektin e tij të mëtejshëm në qytet, por për postin e kryeministrit.

 

Ju ka mundur tre herë…

 

Së dyti vjen në garë pa asnjë bilanc, pa asnjë projekt, për çka bërë për këto katër vite, pa asnjë plan se çdo të bëjë në të ardhmen sepse ai vetë është shprehur se nuk garon në këtë garë për kryeqytetin, por garon në këtë garë për të kapur një karrige tjetër atë të kryeministrit. Në këtë kudër ka shumë rëndësi se si e shohim ne këtë garë, e shohim si një garë përplasjesh në llogore politike për të promovuar ideologjitë për të promovuar gjuhën politike, sloganet politike, apo e shohim në të vërtetë ashtu siç duhet të jetë dhe siç është edhe në qytetet e tjera evropiane, si një garë për administrimin e suksesshëm të kësaj kryenjësie urbane të kryeqytetit.

 

E shihni ju, apo edhe z.Berisha? A ka një dallim se si e shihni ju dhe zoti Berisha nga ju zoti Basha?

 

E para punës, unë në këtë fushatë jam futur me emrin tim dhe me kredencialet e mia. Në qoftë se ju do flisnit për pikëpamjet e zotit Berisha, thërriteni përsëri në këtë studio dhe pyeteni cila është pikëpamja e tij. Përsa më përket pikëpamjes sime, unë jam futur në këtë garë sepse mendoj se është shumë e rëndësishme, se në situatën ku ndodhet Tirana, që është kryeqyteti i vendit me problemet aktuale, por edhe të akumuluar në vite, që për këtë qytet, siç e thashë në fillim, për këtë qytet që unë ndjej pra, nuk jam thjesht racionalisht, por emocionalisht i lidhur për shkak të historisë sime personale, për shkak të prindërve të mi, që kanë lindur në këtë qytet.

 

Z.Basha, ju ripyes edhe njëherë, pse nuk e përqafuat këtë kandidim në vitin 2007, megjithëse emri juaj ishte përfolur që pas zgjedhjeve të 2005-ës?

 

Për arsyen e thjeshtë sepse u përzgjodh kandidatura e shkëlqyer e z.Olldashi.

 

A ishte e vështirë të linit postin e ministrit të Brendshëm?

 

Jo, nuk ishte fare e vështirë, sepse sigurisht gjatë gjithë periudhës në shërbim të publikut, unë kam vënë jo vetëm kohën, energjinë, por edhe zemrën time. Vendimi për të kandiduar për Tiranën ishte hapi më madhor që unë kam ndërmarrë në këto vite, në jetën publike. Ishte një hap i mirëmenduar dhe me finalizimin e propozimit nga PD-ja, unë vura në lëvizje të gjithë instrumentet që do të bënin të mundur atë që unë e konsideroj elementare, vënien e kohës, energjive, përkushtimit në funksion të plotë, sot si kandidat dhe nesër si kryetar, sepse ky qytet në çdo rrethanë dhe veçanërisht në rrethanat e sotme, nuk mundet më të përballojë asnjë kryetar dhe asnjë kandidat me kohë të pjesshme.

 

Dua t’ju sjell në vëmendje një sërë akuzash politike, që vijnë nga opozita… padyshim ka një akuzë konkrete nga opozita, sipas së cilës, ju jeni përgjegjës për humbjen prej 200 milionë dollarësh, në ndërtimin e rrugës Durrës- Kukës- Morinë. Pra nuk e meritoni të kandidoni sepse i keni sjellë shtetit një humbje të tillë…

 

Kjo nuk është akuzë e re, por e vjetër, që ka lidhje me kontributin tim në një projekt për të cilin jam krenar dhe do të jem krenar, sepse kam pasur privilegjin dhe shansin për këtë projekt, projekti më madhor, mendoj, i kombit shqiptar, një projekt armiqtë e të cilit filluan ta godasin akoma pa lindur mirë, por mendoj se morën përgjigjen e merituar, mos të them edhe ndëshkimin e merituar, në përfundimin e këtij korridori. Në planin juridik, akuzat morën përgjigjen e duhur nga Gjykata e Lartë, e cila konsideroi se në procesin e fabrikuar kundër meje konstatoheshin qartësisht shkeljet e Kushtetutës dhe të ligjit.

 

Pra ju mendoni që nuk ka pasur asnjë abuzim financiar në këtë projekt?

 

Unë mendoj se përgjigja për këtë çështje nuk mund të vijë, as nga shtypi i opozitës, as nga banka e akuzave që opozita ka ngritur për këtë projekt akoma pa nisur. Përgjigja vjen nga institucionet ligjore ndërkohë që nga ana politike, morale dhe qytetare, armiqtë e këtij projekti morën përgjigjen e merituar.

 

Ju akuzoheni se keni firmosur paktin detar me Greqinë që,sipas opozitës, tentonte shitjen e ujërave shqiptar?

 

Unë do t’ju them se në këtë fushatë, po përvijohen qartë dy rrugë; njëra është ajo e dialogimit me qytetarin, e ofrimit të alternativës së tij dhe rruga tjetër, ajo e sulmeve, e përbaltjes politike e akuzave pa fund…

 

Pra janë akuza politike z.Basha?

 

Për çështjen në fjalë ka një vendim të Kushtetueses dhe unë e respektoj plotësisht

 

Akuzoheni që më 21 janar, në cilësinë e ministrit të Brendshëm, keni shkaktuar vrasjen e 4 personave. Cila është përgjegjësia juaj personale për këto gjëra?

 

…21 Janari është një proces nën hetim dhe për sa kohë që është nën hetim, për hir të faktit që ka pasur edhe katër viktima, çdokush që do të kishte fijen më të vogël të mbetur të nderit apo të luajalitetit me qytetarin, që pretendon se do t’i përfaqësojë, duhet të heshtë. Sa për veprimtarinë e Policisë së Shtetit, kemi raportin e PAMECA ICITAP, të cilat kanë certifikuar qartësisht atë që ka ndodhur më 21 janar. Unë nuk mund dhe nuk do të bëj asnjë koment, për sa kohë që drejtësia po merret dhe do të zbardhë të vërtetën e plotë për këtë ngjarje. Fakti i trishtueshëm përtej kësaj, mbetet edhe njëherë se pala tjetër nuk vjen në këtë ballafaqim, në këtë garë, për të kontribuuar për atë që çka ka nevojë ky qytet dhe qytetari po vjen për të goditur baltosur dhe shpifur.

 

Po vijoj me akuza të tjera. Shtypi ka botuar faktin që bashkëshortja juaj, në vitin 2004, ka lënë shtetësinë shqiptare dhe ka marrë holandezen, madje nuk do të ketë mundësi të votojë për ju. Përse bashkëshortja juaj ka lënë shtetësinë shqiptare?

 

Bashkëshortja ime ka lënë shtetësinë në vitin 2003, kur ne kemi qenë të fejuar. Ajo punonte në Amsterdam, në një fondacion që promovonte marrëdhëniet mes parlamenteve të vendeve ish-komuniste dhe Evropës Perëndimore dhe në këtë kuadër i linte nevoja të udhëtonte në shumë vende. Për fat të keq, që nga ai moment dhe deri para tre muajsh, me pasaportën shqiptare, udhëtimi nuk ka qenë një gjë e thjeshtë dhe si qindra mijëra bashkëqytetarë tanët, është detyruar të kërkojë shtetësinë e vendit ku jetonte, ndër të tjera për të lehtësuar edhe këtë pjesë të pashmangshme të profesionit të saj

 

Nuk i mbante dot dy shtetësitë?

 

Absolutisht jo… Ligji holandez e ndalonte kategorikisht mbajtjen e dy shtetësive… Për shkak të historisë së dhimbshme të tranzicionit shqiptar, qindra mijëra shqiptarë, të cilët janë detyruar në rrethana të ngjashme si bashkëshortja ime të kërkojnë shtetësinë e vendit ku jetonin dhe banonin dhe për shkak të ligjeve janë detyruar të heqin dorë nga shtetësia shqiptare, nuk meritojnë më, nuk janë të denjë më, nuk janë më të mirëpritur të rikthehen në Tiranë apo Shqipëri dhe të bëhen pjesë e projekteve të vendit tonë. Është një absurditet, se deri ku shkon politika e përbaltjes dhe akuzës dhe mungesës së bilancit dhe alternativës. Unë e kam sqaruar këtë dhe jam gati ta sqaroj çdo herë. Ky ishte një fabrikim, një akuzë, një përpjekje për të prekur ndjeshmërinë e publikut dhe për ta politizuar një çështje fare të zakonshme mes shqiptarëve të 20 viteve të fundit, siç është marrja e një shtetësie dhe lëshimi i detyrueshëm i shtetësisë shqiptare, siç ka ndodhur me dhjetëra e mijëra shqiptarë. Ky fakt, nuk i bënë ata më pak të denjë apo shqiptarë më pak të denjë…

 

Zoti Basha, për lejet e ndërtimit çfarë vizioni keni?

 

Plani urbanistik, 12 muajt e parë pas zgjedhjes time…

 

Plani urbanistik është bërë….

 

Plani urbanistik është plan klientelist, jo transparentë dhe që nuk respekton dy parimet bazë: formulë të drejtë të vlerësimit të pronës private dhe rikthim apo rifitim të hapësirave publike.

 

Pra, do ta rishikoni planin rregullues?

 

Absolutisht po. Planin që nuk e di se ku gjendet, një plan fantazëm. Njollat e planit i shoh gjithandej, shoh ndërtesa që dalin ditë për ditë, shoh hapësira të gjelbra që gllabërohen ditë për ditë. Unë skam asgjë kundër atyre pronarëve që përfitojnë dhe u ndërtohet pallat mbi pronat e tyre, por në çdo pallat që ndërtohet pa plan ka me qindra familje të tjera, të cilat persekutohen sepse u zhduket një hapësirë e gjelbër sepse u zhduket mundësia për të ndërtuar një ambient publik, një shkollë etj.

 

Do rishikoni planin zviceran të Tiranës, do rishikoni dhe planin francez të qendrës së Tiranës?

 

Ju thashë që Tirana, në 12 muajt e parë të qeverisjes time, do të ketë një plan të ri urbanistik, të bazuar mbi parimet dhe vlerat më të shëndosha dhe më të mira bashkëkohore. Nëse ka vlera të përftuara në këto vite, unë nuk do i shkatërroj ato vetëm e vetëm sepse ato kanë ndodhur gjatë kohës që ka qeverisur rivali, por them një plan të ri urbanistik, ku në themel do të jenë parimet që thashë më sipër.

 

Qeveria juaj dhe Bashkia e Tiranës kanë firmosur një projekt që fushat dhe hapësirat tek liqeni të kthehen në pallate….

 

Me mua kryebashkiak, asnjë fushë ekzistuese dhe hapësirat e gjelbra nuk do preken më. Do të ketë një moratorium, nuk do të ketë leje ndërtimi. Duke filluar nga fushat që ju përmendët.

 

Kjo do të thotë që plani që është firmosur, nuk do të ekzekutohet?

 

Nëse është në dorën time, nuk do ekzistohet. Pra ku ka plane të paprekura nuk do të preken.

 

Përfshi edhe Kopshtin Botanik?

 

Përfshi edhe Kopshtin Botanik, i cili natyrisht nuk do të preket nga asnjë ndërtim. Fakti që u detyrua të shtyhet projekti në një anë, është pikërisht fakti se klientela të ndërtojë pallate aty ku i binte që të ndërtohej unaza. Lejet e ndërtimit, pas bërjes së planit urbanistik të Tiranës, do të jepen brenda 30 ditëve me formulën ‘one stop shop’. Pra në 12 muajt e parë do përfundojë plani urbanistik dhe 13 muaj më vonë, pra brenda korrikut të 2012, do të jepen brenda 30 ditëve. Brenda këtyre 12 muajve do të ketë një moratorium.

 

Pra do ketë moratorium dhe s’do jepen leje ndërtime?

 

Po, do të ketë moratorium të plotë dhe s’do jepen leje ndërtimi për 12 muaj. Sepse ndryshe, dikujt do t’i bjerë fati të ndërtojë dhe gjithë pjesa tjetër e lagjes do mbetet me gisht në gojë…

 

Po për piramidën çdo bëni?

 

Çështja e piramidës është një çështje që ngërthen disa çështje brenda vetes. Unë personalisht nuk jam për prishjen e piramidës, por jam për ndërtimin e parlamentit. Këtij vendi i duhet një parlament dinjitoz, i cili përfaqëson shumë më shumë sesa godinën ku strehohet legjislativi. Ndërtimi i parlamentit duhet bërë patjetër. Sa për piramidën, siç thashë, nuk jam domosdoshmërisht për prishjen e piramidës, por nga ana tjetër parlamenti duhet ndërtuar dhe unë e përkrah ndërtimin e parlamentit. Piramida nuk ka vlera historike për mendimin tim, nuk ka asnjë akt të rëndësishëm të historisë së vendit që ka ndodhur në atë ndërtesë. Për momentin do ta kemi të vështirë nëse e ç’politizojmë diskutimin, sepse çdo gjë është bërë politike. Nëse ne i largohemi dhe e shohim me një sy tjetër, ajo vlera historike nuk ka. Sa i përket vlerave kulturore, në gjendjen që është katandisur, jo sot, por prej vitesh, nuk besoj se përfaqëson diçka të veçantë. Megjithatë, pavarësisht kësaj, nuk jam për prishjen e piramidës, por jam për ndërtimin e parlamentit dhe nëse vendi për të ndërtuar parlamentin është pikërisht piramida, mendoj se është zgjidhja e duhur.

4 komente në “Lulëzim Basha: Jam kundër prishjes së Piramidës”

  1. Ermal says:

    Ky eshte nje njeri pa shtylle kurrizore…je tamam nje lul i shfryre qe ze vend sa majtas aq edhe djathtas zinxhirit te pantallonave, pa mundur te forcohesh ndonjehere e te qendrosh drejt.

  2. Frederik says:

    Edhe qe duket qartazi si nje skeç i parapergatitur nga gazetaret e “Opinion” dhe tv Klan , niveli i pyetjeve per nje kandidat te kryeqytetit eshte fare i dobet ,per rrjedhim dhe shkarjet nga pergjigjet reale, jane lojera fjalesh pa kuptim . Ai veç te tjerash eshte dhe qesharak ( nuk del dot nga tipi) , lexoni pjesen per piramiden : …” nuk jam për prishjen e piramidës, por jam për ndërtimin e parlamentit dhe nëse vendi për të ndërtuar parlamentin është pikërisht piramida, mendoj se është zgjidhja e duhur” , – pra dhe jam dhe s’jam . Loja e fjaleve eshte me hile .
    Pra s’jam do te thote qe do te genjeje ndonje vulehumbur qe genjehet lehte , i cili per shkak te nostalgjise mund ta doje piramiden , pasi ta analizoje vleren historike nuk di , – pra Lulit i duhet mashtrimi per te fituar ndinje vote nga ndonje plak i LSI , pasi ekziston mundesia qe dhe ata te mos ia japin voten dhe nga ana tjeter u thote gjithe krahut te tyre se eshte per prishjen e piramides , se ashtu ka vendosur Partia me shokun Sali dereziu ne krye.
    Pra e gjithe intervista nuk eshte nje mundesi ne vetvete per qytetarin , por nje mashtrim per te vjele vota.

  3. devolliu says:

    “Nuk jam për prishjen e Piramidës, por jam për ndërtimin e Parlamentit dhe nëse vendi për të ndërtuar Parlamentin është pikërisht Piramida, mendoj se është zgjidhja e duhur”.
    Më thoni, ju bëj rixha, a mundet të gjëndet në botë një IDIOT tjetër i përmasave të tilla si autori i këtij përkufizimi?
    Shkoqur Lulka na thotë se ai nuk do që të prishet Piramida, por meqë Saliu ka thënë të prishet, ajo duhet të prishet. E ku është këtu mendimi i Lulit?
    Ç’them dhe unë; kërkoj mendim nga një idiot që qesh me idiotësinë e vet.

  4. vinny says:

    E vetmja gje apo shije qe le Lulezim Basha kur flet, eshte mungesa e sinqeritetit ne ato qe thote.
    Pra pyetja eshte e thjeshte, perse duhet votuar per dike qe nuk thote te verteten!?
    Kur dikush i bie anes e anes te gjitha pyetjeve konkrete qe i drejtohen, kjo nuk quhet diplomaci, po genjeshter, Basha eshte nje genjeshtar i cili duhet te perballet me ligjit (ligjin e vertete) per abuzime te renda ne detyre, krijime te borxheve te shtetasve shqiptar me qellim te pasurimit personal e klanit te cilin ben pjese.
    Keta njerez nuk kane turp po prezantohen si kandidate dhe kerkojne votbesimin!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje