Televizionet zotohen kundër fushatës së montuar, vetëm kanalet e qeverisë heshtin

8 Prill 2011, 20:07Politika TEMA

Televizionet më kryesore në vend kanë deklaruar se nuk do të pranojnë të transmetojnë kasetat që u dërgohen nga partitë politike, duke premtuar se do e ndjekin fushatën nga afër për të sjellë tek teleshikuesit materialet e përgatitura nga gazetarët dhe jo nga stafet elektorale.

Fillimisht ishte Ora News që shpalli në një editorial të saj se nuk do transmetonte më asgjë, pastaj vijuan të tjera televizione, përfshi këtu Top Channel, Vizion Plus, News 24 e Koha Televizion, që e bënë këtë deklaratë në nisje të fushatës elektorale, por edhe të monitorimit nga një bord i ngritur posaçërisht për këtë çështje. Megjithatë, këtë zotim nuk e kanë marrë televizionet pranë qeverisë, dhe çfarë është më e rëndësishmja nuk e ka bërë televizioni publik shqiptar, që mbahet me taksat e shqiptarëve.

Një nga kritikat e raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 2009-ës në Shqipëri lidhej direkt me pasqyrimin e fushatës së partive në media.

Raporti vuri në dukje mungesën e theksuar editoriale, për shkak se mediat e kthyen pasqyrimin e fushatës në një punë ku transmetoheshin filmimet dhe komentet që sillnin në redaksi vetë partitë.

“Për të korrigjuar këtë kritikë dhe në funksion të paanshmërisë dhe pavarësisë editoriale, Top Channel ka vendosur që këtë fushatë elektorale të mos pranojë materialet filmike të partive politike.

Në ditën e hapjes zyrtare të fushatës elektorale, Top Channel ka informuar për këtë vendim shtabet elektorale të dy partive kryesore në vend, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, si dhe ka vënë në dijeni autoritetet përkatëse vendore dhe të huaja të monitorimit, përfshirë edhe misionin vëzhgues të ODIHR-it dhe misionet kryesore diplomatike në vend,” thuhet në deklaratën e televizionit më të madh në vend.

“Duke qenë se Top Channel ka vendosur të ndjekë fushatën me gazetarët, operatorët dhe korrespondentët e tij, në shkresën drejtuar partive kryesore, kërkohet vënia në dijeni e televizionit për axhendën elektorale të secilës palë. Me këtë vendim Top Channel beson se përmbush detyrimin profesional për informim të drejtë dhe të paanshëm në funksion të transparencës përballë qytetarëve,” vijon më tej deklarata e Top Channel.

Kandidati demokrat, Lulzim Basha, e hapi lojën e ‘montimit’ të fushatës, duke dërguar nëpër redaksi kaseta të gatshme, me pamje të filmuara e montuara nga stafi i tij. Edhe në fushatat e mëparshme është njohur kjo praktikë e turpshme e transmetimit të fushatës sipas orekseve të stafeve elektorale.

Lini një Përgjigje