Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) është duke punuar që të afrojë në ekipin kombëtar talentin kosovar të Bayern Münchenit, Ylli Sallahin. Sallahi, që sapo ka mbushur 17-vjet, synohet që fillimisht të përfshihet në ekipin U-19 të Shqipërisë.
Sallahi në fillim të vitit u transferua te gjiganti gjerman Bayern München nga skuadra austriake Kapfenberg. Me Bayernin, futbollisti i lindur në Skënderaj ka kontratë profesionale, ndërsa është pjesë e ekipit U-19. Sallahi ka pasaportë të Austrisë, por nuk ka luajtur deri më tani për ndonjë përfaqësuese të këtij vendi. Federata e Futbollit e Austrisë është duke insistuar që futbollisti i rritur në këtë vend të mbrojë ngjyrat e Austrisë.
Vehbi Sallahi, babai i futbollistit, ka thënë se talenti i Bayernit ende nuk ka vendosur se cilin vend do ta përfaqësojë.
“Ne si familje nuk kemi vendosur se për cilën përfaqësuese do të luajë Ylli. Deri më tani askush nga Federata e Futbollit e Shqipërisë apo ajo e Kosovës nuk na ka kontaktuar. Në anën tjetër, Federata e Austrisë po ngul këmbë që Ylli të luajë për Austrinë. Ai deri më tani nuk ka luajtur për asnjë përfaqësuese dhe mund të zgjedhë se për kë do të luajë. Dëshira është që ai të luajë për Kosovën apo Shqipërinë, por të shohim si do të rrjedhin gjërat”, ka thënë Vehbiu të premten për Kohën Ditore.
Sipas tij, Ylli e ka nisur shumë mirë në Bayern dhe është duke përparuar me hapa të mëdhenj. Thotë se për shërbimet e mesfushorit janë duke u interesuar klube të mëdha evropiane.
Ndërkohë, trajneri i U-19 të Shqipërisë, Skënder Gega pret që Sallahi të luajë për Shqipërinë. Afrimi i Sallahit dhe i sulmuesit të PSV-së holandeze, Albian Muzaqit është qëllimi kryesor i Gegës.
“FSHF-ja po i ndjek me interes këta dy lojtarë dhe presim që ata t’i bashkohen ekipit tonë. Bëhet fjalë për talente të jashtëzakonshëm që do të ishin shumë të vlefshëm për ekipin tonë”, ka thënë Gega. Edhe Muzaqi është 17-vjeçar, ndërsa më herët mori pjesë në disa kampe të organizuara nga FSHF-ja.
Në të vërtetë, pjesë e ekipit U-19 të Shqipërisë në dy ndeshjet që i zhvillon në maj kundër Italisë priten të jenë të paktën dhjetë futbollistë nga Kosova. Ato ndeshje do të jenë një test për lojtarët kosovarë që paraqiten në klubet e huaja. Ata që do të tregohen të suksesshëm do të pajisen me pasaporta të Shqipërisë dhe do të luajnë në ciklin e ardhshëm eliminator të U-19. /KD/
Comments are closed.
Shqiperi dhe Kosove eshte Nje ——–Ndaj mjafton te lozi me kombetare shqiptare–se e ka per detyre
Atdheu e therret………