Mesfushori francez i Bajernit të Mynihut, Frenk Riberi, duket se nuk ka më dëshirë që të largohet nga Gjermania. Në një intervistë të dhënë për gazetën gjermane “TZ”, Riberi ka thënë se ndihet mirë në Mynih dhe ka ndërmend që të respektojë kontratën. “Në mëndjen time është vetëm Bajerni. Kam edhe katër vjet kontratë dhe nuk kam ndërmend që të transferohem në ndonjë klub tjetër. Jam mjaft mirë tek Bajerni”, ka thënë mesfushori francez. Për këtë të fundit, gjatë dy sezoneve të fundit ka pasur një interesim të madh nga ana e Realit të Madridit dhe Çelsit. Vet Riberi kërkoi që të largohej, por kjo gjë nuk u lejua nga drejtuesit e Bajernit. Tashmë Riberi është bindur edhe vetë që të qendrojë, edhe pse duhet thënë se për të interesimi është më i vogël se dy apo tre sezone më parë. Shkak janë bërë dëmtimet e shumta të tij dhe forma e dobët e treguar, sidomos me kombëtaren franceze, ku e ka humbur postin e titullarit.