Andreas Villas Boas është njeriu i momentit. Trajneri i Portos, ish-asistenti i Hoze Murinjos, pothuajse ka siguruar kualifikimin në gjysëmfinalen e Ligës së Europës, pas fitores 5-1 në ndeshjen e parë ndaj Spartakut të Moskës. Shumë prej klubeve të mëdha europiane e kanë nën vëzhgim dhe janë duke u interesuar për të: Inter dhe Juventus në Itali, Arsenal dhe Çelsi në Angli. Villas Boas, gjithmonë e më shumë i ngjashëm me mësuesin e tij, Hoze Murinjo, dëshiron vetëm që ta mbyllë sezonin duke fituar. E ardhmja e tij, ndërkohë mbetet enigmë.
Shaka e çuditshme është në fakt, që pas shtatë vjetësh, një tjetër trajner portugez ta çojë Porton në fazën finale të një kompeticioni europian. Është e vërtetë, në vitin 2004 bëhej fjalë për Ligën e Kampioneve, por duhen marrë parasysh disa faktorë. Murinjo megjithatë, ishte 41 vjeç dhe kishte një farë eksperiencë mbi shpatulla, në krahësim me Villas Boas. Ky i fundit, në vitin e tij të parë si trajner, ka arritur që pothuajse ta kualifikojë Porton në gjysëmfinalen e Ligës së Europës, duke qenë së Spartaku do ta ketë pothuajse të pamundur kthimin e rezultatit, pas humbjes 5-1. Për më tepër, Porto ka mundur që të fitojë kampionatin disa javë përpara përfundimit të tij dhe ajo që është më e rëndësishmja, pa pësuar asnjë humbje. Biles, edhe barazimet janë shumë të rralla, vetëm dy. Një gjë që në futbollin e sotëm është e vështirë të ndodhë.
Liga e Europës është një kompeticion shumë i rëndësishëm për evidentimin e plotë në skenën ndërkombëtare të “Special Two”, siç tashmë kanë filluar ta quajnë Villas Boas. Nëse arrin që të fitojë Ligën e Europës, Villas Boas do të arrinte rezultatet e Murinjos, pra, tripletën, duke qenë se tashmë ka fituar kampionatin dhe Superkupën portugeze. Murinjo, pasi fitoi kupën me “veshë të medhenj”, mori rrugët e Europës, duke përfunduar së pari tek Çelsi i Roman Abramoviç. Villas Boas, për momentin nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë.
Duhet thënë se teknikun 33-vjeçar të Portos e lidhin shumë të përbashkëta me ish-mesuesin e tij: nuk ka qenë asnjëherë futbollist, i jep shumë rëndësi komunikimit(flet pak a shumë me të njëtën mënyrë si Murinjo), arrin që t’i motivojë vazhdimisht futbollistët e tij. Për më tepër, arrin që të aplikojë një lojë më të bukur se ajo që aplikon Murinjo. Roman Abramoviç dhe Masimo Morati tashmë janë duke menduar seriozisht që ta marrin në klubet e tyre respektive, pasi ata e dinë shumë mirë se çdo të thotë të kesh në ekip një trajner të ngjashëm me Hoze Murinjon. Një trajner i tillë, pavarësisht metodave, është e sigurtë që të garanton ato për të cilën luftohet në botën e futbollit: trofetë.