Kandidimi i Bashës, skandal me shifrat e krimit për 2010-n

11 Prill 2011, 08:01Politika TEMA

Në prezantimin e analizës së Policisë së Shtetit janë fshehur evidencat reale të kriminalitetit në vend, duke gënjyer dhe keqinformuar publikun. Të njëjtat shifra janë përdorur nga ministri i Brendshëm për efekt fushate elektorale. Gënjeshtra është e pastër dhe provohet nga krahasimi mes fjalimeve publike të dy drejtuesve të lartë të rendit dhe një dokumenti (klasifikuar si konfidencial) të shpërndarë për drejtorët e lartë të policisë ku jepen shifrat reale.

Në tabelë janë të gjitha shifrat reale të krimit ku shihet qartë që rritja e veprave penale gjatë 2010-s krahasuar me një vit më parë është qartësisht e dukshme.

Po japim vetëm disa pjesë nga fjalimi i drejtuesit të rendit në analizën e policisë së shtetit ku ai ka ulur shifrat e kriminalitetit, dhe ka zvogëluar ose zhdukur elementë të tjerë krahasues për të amortizuar ose zhdukur efektin publik të shtimit alarmant të krimeve në vend, veçanërisht vjedhjet dhe vrasjet.

Pas tij, ka folur z. Basha duke e cilësuar vitin 2010 si vit rekordesh në punën e policisë. Edhe më e rëndë bëhet kjo situatë duke pasur parasysh që analiza vjetore u bë në prani të vetë kryeministrit Berisha.

Marifeti me vrasjet, ulje shifre dhe shtim kategorie
Numri i vrasjeve është më i larti në pesë vitet e fundit, kurse drejtoria e përgjithshme e policisë ka bërë një marifet për të ulur shifrën në evidence: për herë të parë ka shtuar kategorinë “vrasje nga pakujdesia”.

Po kështu, shifrat janë ulur, ku më shumë e ku më pak. Janë raportuar më pak vrasje e më pak vjedhje në analizë, për të arritur një efekt krahasues pozitiv me 2009. Burgaj ka raportuar së paku 16 vrasje me dashje më pak, së paku 11 vrasje në tentativë më pak, rreth 20 trafiqe të paligjshme më pak, për të mos folur për gënjeshtrat skandaloze me shifrat e kultivimit dhe trafikut të drogës.

Vjedhjet
Vjedhjet me armë e me dhunë plotësojnë panoramën e “vitit të suksesshëm”. Për drejtorin e policisë, Burgaj dhe ministrin në fushatë edhe në këtë sektor uniformat blu kanë shënuar sukses.

Në fakt, statistikat reale thonë krejt të kundërtën. Edhe pse një pjesë e mirë e veprave penale të vjedhjes nuk raportohen dhe nuk nisin procedimet penale, statistikat janë të frikshme. Statistikat e papublikuara të policisë së shtetit bëjnë me dije se gjatë vitit 2010 janë të evidentuara plot 3971 raste vjedhjesh me dhunë dhe me armë.

Drejtori i policisë së shtetit në analizën vjetore bën publike vetëm gjysmën e rasteve sa i përket vjedhjeve: “Për vitin 2010 janë evidentuar 846 vepra penale të rënda kundër pronës dhe janë zbuluar 566 ose 67% e tyre”, – tha ai në analizë mes të tjerash.

Trafiku: Më shumë grupe kriminale, se sa individë
Që në Shqipëri vijon të mbillet Cannabis Sativa, kjo nuk përbën lajm. Mjafton të kujtojmë Lazaratin. Por zyrtarë të policisë së shtetit thanë në analizë se lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike ka qenë “ndër më të suksesshmit e uniformave blu”.

Janë arrestuar 47 grupe kriminale – u tha në analizë, ndërkohë që për këtë vepër penale, në evidencë rezultojnë të ndaluar vetëm 6 persona. Aq e zellshme ka qenë dëshira për ta zbukuruar situatën duke manipuluar statistikatpër trafik armësh, dy për trafikim femrash, një grup për trafikim të miturish etj., si dhe janë kryer 4 operacione ndërkombëtare”, – thanë z. Burgaj e z. Basha para dhjetëra kamerave.

Por, gjatë 2010 -s, statistikat bëjnë me dije se fushën e trafikimit të armëve dhe municioneve janë të identifikuar 12 raste, nga të cilat janë ndaluar vetëm dy persona dhe katër të tjerë ndiqen në gjendje të lirë. Këto 6 persona përbëjnë pesë grupet kriminale të trafikimit të armëve?

Ndërsa për trafikun e femrave evidencat thonë se është vetëm një person i ndaluar, dhe të shpallur në kërkim janë tre të tjerë. Pra, referuar drejtorit dhe ministrit, na del që grupet kriminale në Shqipëri jo vetëm që përbëhen nga një person, por ky person për të plotësuar statistikat që publikojnë drejtuesit e Rendit, duhet të jetë edhe drejtues e anëtar i ndonjë grupi tjetër kriminal. Vetëm kështu mund të dalin llogaritë…

Prokuroria: Gjatë 2010-s janë regjistruar 24506 procedime penale
Nuk është vetëm krahasimi mes dy situatave: asaj të bërë publike Burgaj-Basha dhe asaj që është shpërndarë për drejtuesit e policisë. Edhe nga Prokuroria e Përgjithshme mund të zbulohet lehtë skandali i manipulimit të shifrave të krimit nga drejtuesit e lartë të policisë së shtetit.

Kështu, në bazë të të thënave nga ky institucion thuhet se gjatë 2010-s kanë nisur 20506 procedime penale. Ndërsa në analizën e policisë së shtetit thuhet se përgjatë vitit që shkoi janë të regjistruar vetëm 13651 vepra penale. Sipas analizës së prokurorisë, për vitin që shkoi thuhet se ndjekjet penale shënojnë një rritje prej 10% në krahasim me vitin 2009. Edhe po t’i zbresim kësaj shifre 4415 procedime penale të bartura nga viti i shkuar, prapë nuk përputhen me raportin e policisë.

Më poshtë është evidenca (REALE) – krahasuese për tre vitet e fundit – që u është shpërndarë në mënyrë konfidenciale drejtuesve të lartë të policisë. Gjatë analizës

Viti 2008 2009 2010

Vepra Penale 13651 13100 15096
Vrasje 88 79 131
Vjedhje me armë 41 50 64
Vjedhje me dhunë 103 119 164
Vjedhje Gjithsej 2313 3037 3971
Vjedhje biznesesh – 93 192
Vjedhje banesash 697 757 957
Vjedhje lokalesh 640 893 1023
Vjedhje veturash 388 498 627
Vjedhje te tjera 588 826 1172

ANALIZË

Na ngopën me gënjeshtra!

Është e qartë që fushatat elektorale për fat të keq janë shndërruar thuajse në një justifikim të politikanëve për të gënjyer. Por gënjeshtra duhet ndëshkuar. Ligjërisht. Edhe me votë! Në kuadrin e fushatës elektorale, ministri i Brendshëm, kandidat për Bashkinë e Tiranës, së fundmi ka marrë lëvdata si ish-ministër i Brendshëm i suksesshëm, pasi, siç është raportuar nga kjo Ministri e nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, “2010 ka qenë viti që shënon kulmin e suksesit” të tyre.

Gjuha e përdorur nuk është gjuhë profesionistësh të policisë, e megjithatë ky është shqetësimi ynë më i vogël. Problemi i vërtetë qëndron te shifrat e suksesit që u prezantuan në analizën e policisë së shtetit. Shifrat e publikuara ngjallin entuziazëm, por ato nuk përputhen me dokumentet reale që vetë Policia e Shtetit ka shtypur për drejtuesit e saj.

Një dokument i klasifikuar, siguruar nga “Shekulli”, (evidencë që u është shpërndarë drejtorëve të policisë mbi shifrat e krimit gjatë 2010-s) përmban shifra të ndryshme nga ato që i janë servirur zyrtarisht publikut shqiptar.

Janë pikërisht statistikat që kurrë nuk janë bërë publike që dëshmojnë se 2010 ka shënuar rritje të lartë të kriminalitetit krahasuar me dy vitet paraardhëse. Vrasjet, rrëmbimet me dhunë, vjedhjet e bankave, trafikimi dhe kultivimi i lëndëve narkotike gjatë 2010-s kanë qenë shumë të larta, dhe “suksesi” i MB-së jo thjesht duhet parë me shumë skepticizëm, por ajo që është më e rëndësishme, është që është gënjyer me vetëdije publikisht për nivelin e krimit.

Shifrat paraqesin një realitet alarmant, sepse shënojnë rritje të shtrirjes së krimit në vend në krahasim me vitet e shkuara, por Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, dhe më pas ministri Basha, në prezencë të kryetarit të qeverisë Berisha dhe kamerave të shumta, në Analizën Vjetore të vitit 2010 na serviri një Shqipëri krejtësisht tjetër.

Duke folur me gjuhën e përqindjeve, z. Burgaj tha se çdo sektor i veprimtarisë së policisë ka shënuar sukses, duke filluar që nga parandalimi i vrasjeve e deri tek asgjësimi i kultivimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike.

Mirëpo, evidencë reale e përgjithshme e policisë së shtetit, që ndodhet vetëm në sirtarët e disa drejtuesve të policisë, tregon se niveli i krimit është shumë më i lartë si ai që u bë publik në Analizë. Dhe jo thjesht më i lartë se një vit më parë. Por më i larti, në pesë vitet e fundit!

8 pikat ku është manipuluar në raportimet e drejtuesve të Rendit për shifrat e krimit në 2010-n dhe për Reformën

Vrasjet
Në 2010-n kemi vrasjet më të larta ndër 5 vitet e fundit. Janë 52 vrasje më shumë se vitit 2009. (ndonëse është krim që nuk fshihet dot është shtuar në evidencë “vrasja nga pakujdesia” që nuk ka ekzistuar më parë me qëllim për të ulur numrin e tyre)

Vjedhjet
Vjedhja me armë dhe me dhunë është rritur në mënyrë të ndjeshme krahasuar me 5 vitet e fundit (shiko diferencat në tabelë). Vjedhja e pronës, ndonëse është problem (sepse nuk evidentohen) është përsëri në rritje me rreth 1000 vjedhje me shumë se një vit më parë.

Droga
Në analizën vjetore nuk përmenden se sa sasi lëndë narkotike është sekuestruar në Itali me origjinë nga Shqipëria. Këto shifra vijnë nga policia italiane në mënyrë periodike. Në statistikat e drejtuesve të Rendit nuk është përfshirë si zë

Bandat
Që të arrestosh një grup kriminal për trafik droge duhet të jenë të paktën tri veta që kanë kryer veprimtarinë kriminale. Ndërkohë, në prezantimin e analizës së punës së policisë numri i “grupeve të goditura” është më i madh se zëri “persona të arrestuar”

Kanabis
Për kultivimin e cannabis sativa nuk janë dhënë shifra të sakta, madje diferenca këtu mes asaj që është deklaruar dhe asaj që është në evidencat reale, është skandaloze. Në rastin kur janë sekuestruar 1 000 bimë, është bërë publike për disa dhjetëra. Në analizën e Prokurorisë dalin shifra të tjera për këtë fenomen dhe në tërësi për referimet që janë bërë nga policia

Policia Rrugore
Janë bërë ndryshime strukturore të panevojshme dhe joefektive. Ndarja e policisë Rrugore me kontroll vertikal e mbyll vitin me 336 të vdekur dhe cenon rëndë komunikimin me shërbimet e tjera të policisë.

Krimi i Organizuar
Ndarja e Drejtorisë së Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Përgjithshme nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar ka sjellë shterim të referimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, d.m.th., ky ndryshim nuk është efektiv.

Punësimet “Basha”
Në Drejtorinë e Policisë është shtuar organika nga 350 vetë në 630 veta, këto punësime janë bërë nga Ministri i Rendit, z. Basha (Për këtë argument në “Shekulli”, mund të lexoni nesër një material shumë më të hollësishëm)./shekulli/

 

Lini një Përgjigje