Fillon të shtunën në mbrëmje në “Santiago Bernabeu”. Mund të përfundojë me gjysëmfinalen e Ligës së Kampioneve më 4 maj. Në mes është finalja e Kupës së Mbretit, e programuar të luhet më 20 prill. Katër takime brenda një muaji, për të famshem “El Klasiko”. Reali dhe Barcelona tashmë janë duke u përgatitur për këtë tur, që mund të quhet privat dhe janë gati të japin gjithçka, për të luajtur çdo gjë: kampionatin, Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampioneve. Një sfidë për tripletë.
Tripletë pra, ose një gjë e ngjashme. Të paktën në kampionat, Barcelona ka një avantazh të rëndësishëm prej tetë pikësh dhe në rast të një humbje të shtunën mbrëma, nuk do t’i zvogëlonte edhe aq shumë shanset për të fituar kampionatin. Sigurisht, nëse do të dilte pa humbje nga “Santiago Bernabeu”, do të hipotekonte titullin kampion dhe do t’i jepte goditje e parë Murinjos.
Krujf: Mjaftojnë dy fitore
Legjenda holandeze e Barcelonës, Johan Krujf, mendon gjithmonë për fitoren e trofeve, pa u dhënë shumë rëndësi të gjitha ndeshjeve. Sipas tij, nuk është e rëndësishme që Barcelona t’i fitojë të katër sfidat. “”Mjaftojnë dy fitore. Mjafton të fitohen ndeshjet që vlejnë dhe ato nuk janë katër. Barcelona duhet të fitojë finalen e Kupës së Mbretit, sepse vlen një titull dhe ndeshjen e kthimit të gjysëmfinales së Ligës së Kampioneve, sepse do të vlente kalimin e turit dhe një biletë për në finale”, shprehet Krujf. Llogari shumë të ftohta këto të holandezit, që duket se tashmë nuk mendon më për spektaklin, por për të fituar trofe.
Lufta e gazetave
Në shtypin iberik, tashmë ka nisur lufta mes gazetave që mbështesin Realin e Madridit dhe atyre që mbështesin Barcelonën. Sipas gazetës që përkrah Realin, “Marca”, situate është në favor të madrilenëve, për shkak se për herë të parë gjatë këtij sezoni, Murinjo ka në dispozicion të gjithë lojtarët e ofensivës. Nga Kaka, që u rikthye tek goli, tek Kristiano Ronaldo dhe të tjerët, të cilët formojnë “7 magjikët”. Lojtarë që, duke i parë emër për emër, të duket se e kanë të fituar ndeshjen pa nisur. Nga ana tjetër, gazeta pro Barcelonës, “Sport”, thotë se Lionel Mesi është në një formë të jashtëzakonshme. Një super Mesi, nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të shënojë dhe të bëjë të tjerët që të shënojnë.
Pengesa e fundit
Në mes, megjithatë, është pengesa që mban emrin Liga e Kampioneve. Kjo, pasi nëse duan që të luajnë çdo gjë më njëra-tjetrën, Reali dhe Barcelona duhet të kalojnë pengesat e tyre aktuale në Ligën e Kampioneve. Djemtë e Murinjos duhet të përballen me Totenhem, që kërkon shumë energji për t’u përballuar, ndërsa djemtë e Guardiolës duhet të përballen me “kafshët” e Shaktarit. Pra, asnjë pushim për yjet e dy ekipeve. “El Klasiko”, ose më saktë, poker-Klasiko, sapo ka nisur.