Bajerni i Mynihut ka hedhur një hap fals në luftën për të marrë pjesë sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampioneve. Bavarezët nuk kanë mundur të marrin më shumë se një barazim 1-1 në fushën e Nurenbergut, duke zbritur kështu në vend të katërt, pas fitores së Hanoverit 2-0 ndaj Mainzit. Tashmë Hanoveri ka një pikë më shumë se Bajerni dhe ëndërron që sezonin e ardhshëm të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve. Kryesuesit e Bundesligës ndërkohë, Borusia Dortmund, janë ndarë në barazim me Hamburgun, duke mos e mbyllur akoma përfundimisht çështjen e fitimit të titullit kampion. Shalke 04 sakaq, pas fitores mbreslënëse në Ligën e Kampioneve, ka fituar edhe në kampionat 1-0 ndaj Volfsburgut, duke u shkëputur kështu përfundimisht nga zona e rënies një kategori më poshtë dhe duke zhytur Volfsburgun në këtë zonë.