Afrimi i kosovarëve, kusht për përmirësimin e rezultateve të kombëtares

10 Prill 2011, 13:58Sport TEMA

Ekipet e grupmoshave të reja të Kombëtares së Shqipërisë ka vite që paraqiten rregullisht në gara ndërkombëtare. Përkundër përvojës së krijuar “kuqezinjtë” e rinj nuk kanë mundur të shmangin thuajse asnjëherë fundin e klasifikimit në garat kualifikuese për kampionate evropiane. E pakënaqur me rezultatet e të rinjve, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) në fund të vitit të kaluar vendosi të formojë sektorin e talenteve. Qëllimi i këtij organi është afrimi në kombëtare i futbollistëve të talentuar shqiptarë që bëjnë karrierë nëpër vendet evropiane. Afrimi i futbollistëve të talentuar nga Evropa, shumica prej të cilëve janë me prejardhje nga Kosova, është parë si kusht për përmirësimin e rezultateve të ekipeve kombëtare, shkruan “Koha Ditore”.
Deri më tani për ekipet e grupmoshave të reja kanë luajtur kryesisht futbollistë të ekipeve të Shqipërisë. Përzgjedhja e drejtë e tyre është kontestuar në shumë raste. Numri i lojtarëve që nga ekipet e moshave të reja ka depërtuar në Kombëtaren A ka qenë shumë i vogël.
Puna për afrimin e lojtarëve të rinj nga vendet evropiane ka nisur me kampin e Zvicrës që u mbajt në janar të këtij viti. Përzgjedhësi i Shqipërisë, Josip Kuzhe dhe specialistët e tjerë të FSHF-së në atë kamp evidentuan shumë futbollistë të talentuar shqiptarë, që sipas tyre mund të jenë të vlefshëm për ekipet kombëtare.
Në të vërtetë, ekipet e grupmoshave të reja të Shqipërisë pritet që gjatë këtij viti të “vërshohen” me lojtarë që kanë prejardhje nga Kosova. Në grumbullimin e fundit që U-21 e Shqipërisë e mbajti para dy javësh në Slloveni, u paraqitën shtatë lojtarë nga Kosova. Të paktën gjashtë prej tyre bindën përzgjedhësin Artan Bushati që janë të vlefshëm për ekipin që drejton ai. Së shpejti do të grumbullohen edhe ekipet U-19 dhe U-17 të Shqipërisë. Ekipi U-19 muajin tjetër do të zhvillojë dy ndeshje miqësore me Italinë. Në ato takime pritet të testohen të paktën dhjetë lojtarë me prejardhje nga Kosova. Këtë e ka konfirmuar trajneri i U-19 të Shqipërisë, Skënder Gega, të premten. Ndërkohë, për U-17 të Shqipërisë në një turne që mbahet nga 15 prilli në Maltë do të paraqiten pesë lojtarë nga Kosova. Dy prej tyre janë Astrit Bunjaku e Dardan Maksutaj, që janë duke u zhvilluar si futbollistë në Zvicër.
Shefi i sektorit të talenteve të FSHF-së, Redi Jupi, ka thënë se pjesë e strategjisë së re është afrimi në ekipet kombëtare i të gjithë futbollistëve shqiptarë që luajnë në Evropë.
“Në strategjinë tonë parashihet afrimi i të gjithë talenteve shqiptarë që bëjnë karrierë në Evropë, pa marrë parasysh se a vijnë nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia. Këtë ndarje na kanë imponuar të tjerët dhe ne do të mundohemi ta tejkalojmë. Është një strategji afatgjate, që ne besojmë se do të jetë e suksesshme. Mundësitë financiare për t’i monitoruar të gjithë lojtarët nuk i kemi, por ne po bëjmë më të mirën e mundshme. Vëzhgimi i lojtarëve shqiptarë është duke vazhduar dhe ne besojmë që për dy apo tri vite do të krijojmë një bazë të të dhënave me rreth 100 lojtarë që luajnë në Evropë”, ka thënë Redi Jupi të shtunën për gazetën.
Sipas tij afrimi i futbollistëve shqiptarë të talentuar nuk është edhe i lehtë. Jupi thotë se disa pranojnë të luajnë për Shqipërinë e disa të tjerë jo. Ai tregon se disa lojtarë Shqipërinë e shohin si rezervë, dhe atë e zgjedhin vetëm nëse nuk mund të depërtojnë në përfaqësuesen e vendit ku janë duke bërë karrierë.
“Afrimi i talenteve në kombëtare është proces i vështirë. Ka lojtarë të interesuar që të luajnë për Shqipërinë, por ka edhe të tillë që nuk u intereson Shqipëria. Mendoj se kombëtarja nuk mund të zgjidhet. Nëse je shqiptarë do të luash për Shqipërinë. Por kështu nuk mendojnë të gjithë. Disa Shqipërinë e shohin si rezervë. Presin përfaqësueset tjera dhe nëse ato nuk i ftojnë atëherë vendosin për Shqipërinë. Kjo është për të ardhur keq. Me këtë problem përballen vetëm shqiptarët, jo edhe të tjerët”, ka shtuar Jupi.
Ish-futbollisti i Shqipërisë ka thënë se deri më tani afrimi i futbollistëve nga Kosova në ekipin kombëtar ishte i kohëpaskohshëm dhe varej kryesisht nga dëshira e vetë lojtarëve. Tani e tutje, sipas Jupit, afrimi i lojtarëve në kombëtare do të jetë i organizuar.
Aktualisht pjesë e kombëtares A të Shqipërisë janë pesë futbollistë nga Kosova: Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri, Arjan Beqaj e Samir Ujkani. Herë pas here ftohen edhe Ahmed Januzi e Besart Berisha. Më herët për kombëtaren kanë luajtur edhe Besnik Hasi, Mehmet Dragusha, Bekim Kastrati e Blerim Rrustemi.
Kosova nuk furnizon vetëm Shqipërinë me lojtarë të talentuar. Numri i futbollistëve kosovarë që luajnë për përfaqësueset evropiane është duke u rritur gjithnjë e më shumë./KD/

Lini një Përgjigje