Me apo Ibrahimoviçin, i cili pritet që të pezullohet dy deri në tre ndeshje nga gjykata sportive, titulli kampion në Itali është në duart e Milanit, pavarësisht se klasifikimi i ngushtë nuk e thotë këtë gjë. Kuqezinjtë kanë gjashtë ndeshje për të ruajtur një avantazh të rëndësishëm përballë Napolit dhe Interit, të cilat do të përballen me njëra-tjetrën javën e parafundit të kampionatit. Për më tepër, duket se kalendari për Milanin, në krahësim me Napolin dhe Interin, është më i lehtë. Por, të shohim rrugën që i pret tre ekipet kryesuese deri në fund të sezonit.
Milan, 68 pikë
Le të nisemi pikërisht nga Milani. Për të qenë të sigurtë në fitimin e titullit, kuqezinjtë duhet të arrijnë në kuotën e 83 pikëve. Gjë që do të thotë se kuqezinjtë duhet të fitojnë pesë në gjashtë ndeshjet e mbetura. Megjithatë, për titullin mund të mjaftojnë edhe 81 pikë. Për këtë, djemve të Alegrit do t’u duheshin katër fitore dhe një barazim për t’u shpallur kampion. Tre nga kkatër fitore mund të vijnë që në tre ndeshjet e ardhshme, kur Milani do të luajë me Sampdorian dhe Bolonjën në shtëpi dhe me Breshian jashtë. Nga këto tre ndeshje, ajo më e lehta mund të jetë me Bolonjën, e cila tashmë ka shpëtuar dhe duket se ka nisur që të mendojë për pushimet. Sfidat me Sampdorian dhe Breshian do të jenë disi më delikate, duke parë që ato janë në luftë të plotë për t’i shpëtuar rënies një kategori më poshtë. Sampdoria vjen pas një serie rezultatesh negative dhe për këtë kërkon pikë, ndërsa Breshia është në një formë shumë të mirë fizike dhe sidomos në ndeshjet e shtëpisë është e frikshme. Milani, nga ana tjetër është në një gjëndje shumë të mirë dhe kjo shihet. Në Firence, ashtu siç ndodhi edhe në derbi, kuqezinjtë kanë vrapuar shumë, çka tregon për gjendjen e tyre të mirë fizike. Jo vetëm kaq, por gjëndja fizike, duke nisur nga Sedorf dhe Pato, ka ardhur në rritje. Tre ndeshje para sfidës delikate me Romën, Milani ka të gjitha mundësitë që të hedhë një hap të rëndësishëm drejt titullit. Kjo, duke qenë se Roma është kundërshtari më i rrezikshëm në rrugën drejt titullit. Për më tepër që romanistët janë do të luftojnë deri në fund që sezonin e ardhshëm të marrin pjesë në Ligën e Kampioneve. Për këtë arsye, nuk do t’u “dhurojë” asgjë milanistëve. Nëse do të kalonte me sukses edhe transfertën e Romës, atëherë titulli për Milanin do të ishte thjesht një formalitet, pasi një javë më pas do të priste në shtëpi Kaljarin. Vështira pra, që transferua e fundit në shtëpinë e Udinezes, të kishte ndikim në luftën për titull.
Napoli, 65 pikë
Kalojmë tek Napoli. Formacioni i Maxarit, që ka në anën e vet një entuziasëm të pabesueshëm të popullit të Napolit dhe faktorin psikologjik e të mos humburit asgjë, është ndoshta ekipi që ka kalendarin më të vështirë nga tre ekipet pretendente për titullin kampion. Nga gjashtë ndeshjet e fundit, vetëm ajo Napoli-Xhenoa duket se është më e lehta dhe nuk mund të paraqesë vështirësi. Pastaj, të gjitha ndeshjet paraqesin një vështirësi dhe rrezikshmëri shumë të lartë: do të ndeshet me Juventusin dhe Udinezen, që janë në një luftë të ashpër për t’u kualifikuar në Ligën e Kampioneve, me Leçen, e cila po përpiqet që mos të bjerë një kategori më poshtë, ka sfidën direkte më Interin në shtëpi, si dhe transfertën delikate në Palermo. Pra, të grumbullojë 18 pikë deri në fund të kampionat, për Napolin nuk është aq e thjeshtë. Por, ashtu si edhe për Milanin, forma fizike e Napolit është e shkëlqyer. Në Bolonja, ku temperaturat ishin shumë të larta dhe bezdizëse, lojtarët e Napolit kanë vrapuar gjatë gjithë ndeshjes, pas shfaqur shqetësime. Laveci dhe Hamshik janë në një rritje të ndeshjem, si nga ana fizike, ashtu edhe në lojë, ndërsa pushimi i së dielës mund të ndikojë në rigjenerimin e Kavanit. Napoli, megjithatë, do t’i luajë të gjitha shanset, ose pothuajse, në dy ndeshjet e ardhshme, me Udinezen dhe Palermon: nëse nuk do të humbasë terren nga kuqezinjtë, atëherë shanset për fitimin e titullit do të jenë të mëdha.
Inter, 63 pikë
Në fund është Inter, me -5 pikë ndaj Milanit(6 nëse do të merren parasysh dy përballjet direkte të humbura), që nuk ka alternativa: për të shpresuar për titullin, duhet t’i fitojë të gjitha ndeshjet. Gjë që nuk duket e pamundur, duke parë kalendarin, që, përveç transfertës me Napolin, nuk paraqet ndeshje shumë delikate. Megjithatë, Interi duhet të bëjë kujdes: rrugës së vet do të ketë vetëm një ekip të pamotivuar: Fiorentinën. Në ndeshjet e tjera, do të përballet me transfertat e Parmës dhe Çezenës, të cilat janë në luftë të plotë për të qëndruar në Serinë A, do të presë Lacion, që do të luftojë deri në fund për kualifikimin e Ligës së Kampioneve dhe në fund, do të presë Katanian, që ndoshta ndeshjen e fundit nuk do ta ketë siguruar qëndrimin në Serinë A. Për më tepër, Interi duhet të shpresojë edhe në gabimet e Milanit. Kjo, pasi edhe nëse i fiton të gjitha ndeshjet dhe kuqezinjtë nuk bëjnë hapa false, atëherë titulli është i pamundur.