Kuzhe për milionat e lëna në kumar: Mund të kisha humbur edhe familjen!

11 Prill 2011, 10:10Sport TEMA

Kuzhe dhe magjepsja e fatit. Kështu mund të përshkruhet “kapërcimi i ylberit” nga Josip Kuzhe, aktualisht trajner i kombëtares shqiptare në futboll. Ka shpenzuar miliona para për anën më të errët të jetës së tij. Ai menjëherë të ndërpret në këtë pikë të bisedës, teksa thotë se nuk dëshiron të flasë më për “zare”, por vetëm për futboll.

E megjithatë, historia e deritanishme e jetës së trajnerit Josip Kuzhe nuk mund të thuhet pa episodet e “kumarit”. Kjo do të ishte një fshehje e panevojshme e realitetit, edhe për faktin se ata që e njohin nga afër trajnerin e kombëtares së Shqipërisë, me qetësi do të të thonë:

“Josip Kuzhe është një njeri dhe trajner i madh, një intelektual i vërtetë”. Por kumari e kishte mbështjellë të tërin, jeta po i shkonte drejt shkatërrimit, derisa kthesa e madhe mbërriti: ai u kthye më i fortë dhe më i mirë. Si njeri dhe si trajner.

Në fund të fundit, njeriu që ka përfunduar studimet e larta për drejtësi, i cili ka tashmë 30 vite si trajner futbolli, që flet katër gjuhë të huaja, nuk ka nevojë t’i trembet këtij episodi, që ishte i vështirë, por kështu e ka jeta e njeriut…

A jeni pikërisht tani, në kulmin e karrierës suaj si trajner futbolli?

Unë mund të them me siguri të madhe që nuk kam pasur një periudhë të tillë kaq të mirë si trajner. Vetëm se di të dalloj edhe faktin tjetër, të të qëndruarit me këmbë në tokë. Unë mendoj se po kaloj vërtet një moment të mirë, por jam shumë i vetëdijshëm se edhe shumë mund të mësoj në futboll.

Vahid Halilhoxhiç shpesh ju kritikon. A e dini përse?

Ia kam kthyer përgjigjen disa herë, derisa i thashë vetes një ditë se nuk duhet të flas më për Vahidin, ose më mirë për këtë njeri sharlatan. Unë e di se, nëse do t’u përgjigjem atyre që thotë Vahid, i takon të bie në kurthin e tij.

S’dua t’ia lejoj vetes që të jetë i kënaqur në këtë mënyrë. Nga ana tjetër, kjo është normale, sepse kam qenë trajner i Dinamos së Zagrebit dhe të tjerët mund të thonë shumë gjëra, ose ta kritikojnë punën time atje. Po kështu, punën time në Shqipëri e kanë komentuar trajnerët atje, por sot kjo gjë është krejt normale.

Mos jeni xheloz për të ardhurat që përfiton Halilhoxhiç në stolin e Dinamos?
Në nënndërgjegjen time, ndoshta edhe jam. Kjo është me të vërtetë pjesë e qenies së njeriut. Por tani po ju them me shumë seriozitet se është fare e padrejtë për të folur për pagën që merr Vahidi te Dinamo.

Megjithatë, edhe në të menduarit racional, jam i lumtur për pagesën e Halilhoxhiç, sepse nesër mund të kthehem unë në detyrën e trajnerit të Dinamos. Kështu, nëse ky është niveli i pagesave te Dinamo, unë s’kam pse të ankohem (qesh).

Si i keni pasur problemet me lojërat e fatit dhe sa kanë ndikuar ato në jetën dhe karrierën tuaj?

Kanë ndikuar shumë! Edhe në karrierë, edhe në jetë, për shkak se dikush, në gjendjen time, do ta kishte humbur me siguri familjen e tij. Unë kam pasur fatin e madh se kam pasur mbështetjen e pakufijshme të familjes. Gruaja ime mendonte se në banka mbaja të depozituara miliona dollarë, por kur e kuptoi se ishin zhdukur të gjitha, më tha vetëm kaq në vijim:

“Nëse si familje kishim diçka për të humbur në këtë jetë nga mëkatet tona, më mirë që ishin paratë. Do të ishte shumë më keq për të humbur një njeri të afërt, ose shëndetin.” Sa i përket pjesës së stërvitjes, problemet me lojërat e fatit mund të kenë ndodhur në periudhën time më të mirë, në kohën kur gëzoja një liri të madhe dhe të plotë krijimtarie.

Si keni hyrë në kazino?

Kur flasin për kalimin e një njeriu nga një parti në një tjetër, e konsiderojnë diçka krejt normale. Kjo u ndodh edhe njerëzve më të mirë. Për disa njerëz kjo gjë ndodh me alkoolin, përmes konsumimit të drogave të ndryshme, dikujt me diçka tjetër, por askush prej nesh, pavarësisht asaj që bën, nuk është i huaj në këtë botë.

E thënë ndryshe, pjesë e kësaj dialektike njerëzore ishte edhe përfshirja ime në lojërat e fatit. I kam konsideruar bastet si një lloj ushtrimi matematikor. Dua t’u kujtoj se kam qenë një matematikan i shkëlqyer. Si i tillë, kam dashur të luaj në mënyrën time, duke gjetur rezultatet e sakta të ndeshjeve.

Në një moment, për fat të keq, ka ndodhur diçka e rrezikshme me mua. Kam përfunduar edhe në kazino, si rezultat i nevojës për të luajtur, për të shijuar një eksperiencë të re, e cila u kthye në një rrezik të madh. Kështu e ka kjo magjepsja me lojërat e fatit, apo ruleta. Ka disa njerëz që jepen pas stimujve të veçantë.

Ata thonë se lojërat e fatit shijojnë si një romancë dashurie, seksi…, janë stimuj të fortë. Në këtë drejtim, për njerëz të imagjinatës, si puna ime, ka një spektër të tërë stimuluesish. Lojërat e fatit për mua ishin si një teori matematikore, që më pëlqente, që doja ta përdorja për veten time.

S’kam një shpjegim tjetër, për çfarë ka ndodhur me mua në këtë drejtim. Di t’ju them se ende kam një marrëdhënie të veçantë me të hollat që disponoj. Gjithmonë kam pasur një pasion të madh për t’i shpenzuar ato, jo për t’i kursyer. Ju e dini, paratë e vetme që kam, janë ato që përdor përditë. Nuk ekziston një bankë, ku të ketë llogari bankare timen.

Nga borxhet e krijuara prej përfshirjes së ethshme në lojërat e fatit keni humbur banesën në Zagreb, rrezikuat edhe shtëpinë me vlerë në qendër. Djalit tuaj i dogjën veturën, për shkakun tuaj…
Ato ishin momente të tmerrshme, për të cilat nuk mund të flas me ndonjë lloj të të menduari racional.

E vërteta është se kam humbur miliona të mëdha, për të paguar borxhet, por, në anën tjetër, përsëri kam, për fat të mirë, një shtëpi tjetër në qendër të Zagrebit, ku jetojmë të lumtur familjarisht. Djegia e veturës së djalit ishte vepër e disa qyqarëve, por provoni të më kuptoni; nuk dua të flas më tepër rreth kësaj.

Sa ju ka përcjellë episodi i basteve si trajner?

Gjithmonë më përcjell. Secili njeri i ka disa tregime, ndërsa unë e kam një të madh. Ky është tregimi për bastet, për pasojat që tani m’i kanë lënë në jetë. Sinqerisht u kam treguar të gjithëve. Për fat të keq kjo më përcjell edhe sot. Të themi se, nëse dikush në të kaluarën do të më pyeste për fakultetin e mbaruar, nuk doja të flisja rreth kësaj.

Në momentin kur vënien e basteve e krahasonin me pamjen e fytyrës time, atëherë fillova të përmend se kam fakultet të kryer për drejtësi, se flas katër gjuhë të huaja, se kam kryer shkolla të futbollit në Këln dhe Kroaci. Madje flisja paksa në mënyrë primitive, sepse kjo ishte përgjigjia e duhur për njerëzit, që më paraqitnin si kumarxhi.

Tani si qëndroni financiarisht?

Të themi kështu, nuk kam më para, që të mund të jetoj pa punuar. Kur më goditi sëmundja, jam frikësuar se nuk do të mund të punoja më, por doli të jetë mirë./sportishqiptar/

Lini një Përgjigje