RAPORTI/ ODIHR: Fushata e ashpër nisi para kohe, Berisha po bën inaugurime zyrtare. Kodi Zgjedhor, i paqartë për zgjedhjet lokale

15 Prill 2011, 16:34Politika TEMA

Misioni Vëzhgues i OSBE/ODIHR publikoi sot raportin e parë paraprak për zgjedhjet e 8 majit. Raporti përfshin periudhën 27 mars- 11 prill.

“Këto janë zgjedhjet e para vendore që do të mbahen që nga ndryshimet e kushtetutës të bëra në 2008, e ndjekur kjo nga adoptimi i Kodit të ri Zgjedhor. Kodi Zgjedhor ka një sërë hapësirash boshe dhe përmban paqartësi në lidhje me zgjedhjet lokale,” thuhet në fillim të raportit.

Raporti thotë se janë bërë përpjekje për pastrimin e listave, përmend vonesat në ngritjen e KZAZ-ëve, largimin e anëtarëve të opozitës nga KQZ dhe rikthimin e tyre në fillim të prillit.

Në raport thuhet se fushta ka filluar përpara afatit zyrtar. “Ndërsa periudha zyrtare 30-ditore e fushatës filloi më 8 prill, partitë e kishin filluar fushatën në mënyrë aktive para asaj date. Sulmet e ashpra personale vazhduan të karakterizojnë fushatën. Të dyja, si PD-ja dhe PS-ja janë fokusuar në garën për Kryetar Bashkie në Tiranë,” thuhet në raport.

ODIHR përmend tensionin që zotëron në Tiranë pas 21 janarit. “Që nga zgjedhjet e 2009-ës, mjedisi politik ka vazhduar të jetë shumë i polarizuar, me një retorikë të ashpër dhe sulme personale, si edhe demonstrata nga ana e opozitës. Tensioni u rrit menjëherë pas një proteste anti-qeveritare të organizuar nga PS-ja në Tiranë, më 21 Janar 2011, ku pati përleshje të ashpra ndërmjet protestuesve dhe forcave të sigurisë. Katër persona u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën. Parlamenti nisi një hetim, ndërsa Prokurorja e Përgjithshme nisi një hetim të veçantë për gjuajtjen me armë. Këto hetime, që ndezën edhe më shumë kundërshtitë politike, nuk kanë përfunduar ende,” thuhet në raport.

Raporti përmend dështimin e tryezës së partive për një marrëveshje dhe tre propozimet e PS për të garantuar mbarëvajtjen e procesit. Raporti thotë se PD beson se edhe pa këto propozime, procesi do jetë i rregullt.

Në raportin e vëzhguesve të ODIHR thuhet se kuadri ligjor për zgjedhjet është i plotë, por ai duhet zbatuar me përpikmëri. “Kuadri ligjor është vlerësuar paraprakisht dhe është konstatuar së siguron themelin për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, nëse zbatohet me përpikmëri dhe me synimin që të respektohet përmbajta dhe fryma e ligjit. Kodi i ri Zgjedhor në 2008-ën adresoi një numër rekomandimesh të bëra më parë nga OSBE/ODIHR; sidoqoftë, disa prej rekomandimeve mbeten akoma të paadresuara, përfshi ato të Raportit Final të OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet parlamentare të 2009-ës. Qeveria e informoi MVZ-në e OSBE/ODIHR-it për synimin që kishte për t’i ndjekur rekomandimet pas përfundimit të zgjedhjeve vendore,” thekson raporti.

ODIHR thotë se numërimi i votave do të zgjasë përtej afatit ligjor. “Numërimi do të bëhet në 66 Qendra të Numërimit të Votave (QNV), një për çdo Zonë të Administrimit Zgjedhor. Të gjitha partitë kanë kërkuar që MVZ-ja e OSBE/ODIHR-it të ofrojë një mbulim maksimal të procedurave të numërimit, që pritet të zgjasin përtej afatit kohor ligjor që është ora 17:00 e të nesërmes së ditës së zgjedhjeve. KQZ-ja nuk identifikoi vendndodhjen e QNV-ve brenda afatit të caktuar kohor që ishte 8 prilli”.

Raporti thotë se PS ka shprehur dyshime për shtimin e numrit të votuesve në Tiranë. Ajo ka kërkuar përditësimet në listë, por nuk i janë dhënë nga mazhoranca.

Raporti përmend inaugurimet që janë bërë nga Berisha dhe spotin e Lëvizjes Zgjohu. “Kryeministri bëri një numër inagurimesh zyrtare, përfshi projekte infrastrukture dhe ndërtesa të reja shkollash. Një reklamë televizive e OJF-së Zgjohu, para periudhës zyrtare të fushatës, sulmoi regjistrimin e liderit të PS-së, që është kandidati në detyre si kryetar i bashkisë së Tiranës. PS-ja ka kërkuar një hetim me pretendimin se spoti u financua me fonde publike,” thuhet në raport.

ODIHR përmend incidentet në fushatë, përfshi këtu edhe plagosjen e kreut të ndërtimores në Bashki. “Dy kandidatë u qëlluan dhe u plagosën më 1 prill në Tiranë dhe 2 prill në Lezhë. Sipas policisë, plagosja në Tiranë u bë për motive politike, ndërsa rasti në Lezhë nuk kishte lidhje me politikën. Më 4 prill, Kryetari i Zyrës së Inspektoriatit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës u qëllua dhe u plagos. Një ditë më parë ai kishte urdhëruar heqjen e flamujve politik të vendosur në vende të paautorizuara. Hetimi nga ana e policisë vazhdon ende. Vendosja e materialeve të fushatës, si flamuj dhe banderola, ka çuar gjithashtu në grindje në disa raste,” thekson raporti.

 

3 komente në “RAPORTI/ ODIHR: Fushata e ashpër nisi para kohe, Berisha po bën inaugurime zyrtare. Kodi Zgjedhor, i paqartë për zgjedhjet lokale”

  1. mendimi_im says:

    Ky syri qe ze vend ne embleme i cuditshem!!!
    Mos valle eshte simboli i “all seeing eye” iluminati??

    Ahh ? , ne dore te kujt kan rene te drejtat e njeriut…

    1. Nabukodonosor says:

      Ashtu duket.Atehere ne lehim kot.

  2. brace1 says:

    Deri sa kemi komandantin komuniste hore,sekretarin e byrose qe drejton 1 bande hajdutesh e vrasesish cfare do te presim tjeter,pervec tensioneve,fyerjeve, abuzimeve e manipulimeve.OSBE ODHIR duhet te mbrojne qytetaret e pa mbrojtur,zduhet lejojne sekretarin vetem te flase prradha e mashtrime,e inagurime mashtruese tani ne fushate.Per vrejtjet qe ata bejne duhet,patjeter eleminimi i tyre, qe te kemi zgjedhje normale e me standarte cilesore.OSBE ODHIR jane te fuqishme zduhet vetem te kostatojne,duhet te behet ne menyre korekte zbatimi i porosive te tyre ,e i kontrolluar po nga kta,ndryshe fjalet i merre era.Porosia e drejte tyre duhet te jete ligje,per partite,te mose lejojne abuzime e manipulime,keshtu behen te besueshme OSBE ODHIR.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje