Ish- emigranti, kandidat i PS-së: Kavaja ka humbur besimin tek e djathta

16 Prill 2011, 21:02Politika TEMA
Ish- emigranti, kandidat i PS-së: Kavaja ka humbur besimin tek e djathta

Kryetari i PS, Edi Rama dhe kandidati Elvis Roshi

Elvis Roshi është kandidati socialist që garon nën siglën e koalicionit Aleanca për të Ardhmen në Bashkinë e Kavajës. Ish/emigranti beson se ky qytet, që njihet si bastion i së djathtës, nuk është shpërblyer asnjëherë nga e djathta në pushtet, ndaj e ka humbur besimin tek ajo. Ai ka marrë përsipër një garë të fortë dhe do të ishte një mrekulli nëse do të arrinte t’i jepte fitore partisë së tij në këtë bashki.

 

Zoti Roshi, cilat ishin arsyet që ju bindën të kandidonit në emër të opozitës në një njësi vendore që njihet si një bastion i djathtë dhe si i konsideroni shanset tuaja për fitore?

 

Kam qenë emigrant për shumë vite, sa herë kthehesha në qytetin tim ndjeja keqardhje për Kavajën dhe të gjithë familjarët apo miqtë e mi që jetonin në një qytet të harruar. Kavaja në gjithë këto vite është konsideruar thjesht një xhep që prodhon vota, por politika nuk ka prodhuar asgjë për vetë qytetin. Duke qenë një qytet i vogël dhe 20 vite rresht bastion i së djathtës Kavaja ka qenë pjellore në mandatet që i ka dhënë të djathtës, por mesa duket duke qenë një zonë e sigurt besimi nuk i është rikthyer në investime qytetit, pikërisht për faktin se edhe pse nuk është bërë asgjë në 20 vjet përsëri vota e kavajasve është pro të djathtës. Këto janë disa nga arsyet që më bindën të kandidoj. Unë vërtet kandidoj në emër të opozitës e cila në vetvete është realisht përtej të majtës e të djathtës pasi në të ka parti të majta e të djathta, por emri im ka ardhur nga vetë banorët e Kavajës, si një propozim i tyre dhe më pas është marrë mbështetja në koalicionin opozitar. Shanset për fitore? Unë po përpiqem të bind bashkëqytetarët e mi që të mos rrinë indiferent në datën 8 maj. Të dalin në kutitë e votimit dhe të votojnë vetëm për Kavajën.

 

Bashkia e Kavajës është një bashki jo shumë e madhe por që ka interes të veçantë nga opozita për të marrë drejtimin e saj. Cilat janë pikat më të forta të projektit tuaj të prezantuar për zgjedhjet e 8 majit?

 

Unë nuk kam ambicie politike. Ambicia ime kryesore është ndryshimi rrënjësor i Kavajës. Vetë vij nga sektori i biznesit, dhe e di shumë mirë çdo të thotë menaxhim i suksesshëm i resurseve. U kam premtuar banorëve të qytetit tim se brenda mandatit tim të parë do mund të ndryshoj shumë fytyrën e Kavajës. Ndaj kam kërkuar besimin e tyre për të bërë së bashku një qytet me të cilin të krenohemi.

 

Gjatë takimeve elektorale me qytetarët e Kavajës, çfarë problemesh apo ankesash hasni më shpesh tek ata për qeverisjen vendore në veçanti?

 

Iu thashë edhe më parë unë kam jetuar shumë vjet si emigrant, e teksa kthej kokën pas shoh që qyteti im mbetet po në vend, ndërkohë që njerëzit e tij rriten. Qyteti nuk i përgjigjet aspiratave dhe objektivave të kavajasve të mi. Ata aktualisht ende vuajnë për rrugë të shtruara apo për ujë të pijshëm, pra nëse do ta përmblidhja, vuajnë për gjërat më elementare të cilat do duhej të ishin bërë në këto 20 vite.

 

Si e konsideroni kundërshtarin tuaj në këtë garë, sipas jush cilat janë pikat e tij më të dobëta?

 

Edhe pse jemi në fushatë elektorale, kam zgjedhur të mos shaj kundërshtarin tim politik në këtë garë, por një gjë s’dua ta lë pa përmendur. Është e turpshme, është vërtet turp që në vitin  2011 Kavaja një nga qytetet djep të demokracisë të ridëgjojë për të 40 herë premtimet boshe për ujë të pijshëm. Ky është një turp! Dhe është e turpshme që rivali në këtë garë premton për herë të tretë, edhe pse dy herë rresht nuk i ka mbajtur premtimet. Dhe çfarë premton?! Gjëra bazike, rrugë të shtruara, kanalizime, shkolla të denja apo një treg dinjitoz. Këto gjëra kavajasit i kanë kërkuar për 8 vjet rresht dhe kanë pritur që ky kryetar në detyrë deri në 8 maj t’i kishte bërë në dy mandatet që ka konsumuar dhe jo të rikthehet duke kërkuar për herë të tretë votën me të njëjtat premtime të mandatit të parë.

 

Asaj që i trembet opozita në këto zgjedhje, është manipulimi i votës, që mund të bëhet në mënyra të ndryshme para zgjedhjeve ose pas tyre. Çfarë masash keni marrë ju si kandidat dhe stafi i PS-së për të gjetur prova nëse ka tentativa të tilla, ose për parandaluar një fenomen të tillë në qytetin e Kavajës?

 

Në këtë pikë unë kam një apel për bashkëqytetarët e mi: Në 8 Maj dilni votoni. Kjo është shumë e rëndësishme për jetën tuaja për të ardhmen e fëmijëve tuaj. Dilni votoni për Kavajën tonë, për veten tuaj. Sa për ruajtjen e votës ju garantoj se këtë detyrë do ta bëjnë vetë bashkëqytetarët e mi. Përsëris edhe njëherë apelin tim që në 8 maj të bëjmë një “miting” madhështor para qendrave të votimit, duke dhënë votën për qytetin jo për politikën që 20 vite e la në mëshirë të fatit Kavajën tonë.

 

8 komente në “Ish- emigranti, kandidat i PS-së: Kavaja ka humbur besimin tek e djathta”

  1. 21Janari says:

    Bravo or çun Kavaje; ke folur si një europian i vërtetë ! Të lumtë!

  2. fule says:

    Duket se Aleanca per te Ardhmen ka gjetur njeriun e duhur per Kavajen dhe jashte politkes.
    Po populli aty do ta pranoje apo do vazhdoje lojen e partise-meme? Kam dyshime

  3. Rani says:

    Te urojme te fitosh o Roshi. Premtojne 20 here te bejne rruget dhe kanalizimet dhe s’bejne gje, a duhet te komentojme akoma?

  4. Fatos sali meta says:

    Te uroj fitore me gjith zemer mor ti biri i vertet i Kavajes ,shyqyr qe mbas 20 viteve dej nje Kavajs per Kavajen e jo per salen e Ilir hajdutin, te mbledhim mendjen ne qytetaret e Kavajes boll me mashtrimet e malokut Kavaja per Kavajsit.

  5. hajriu says:

    Roshi nuk eshte se ka ndonje inteligjence apo se eshte i kulluar , per mua eshte nje njeri medioker. Por qari i ketij dhe qe i jep shanse per fitore eshte se perballe ka nje nga fytyrat me te poshtra dhe me te pa skrupullta te njerezimit , kryeku*ven refik rrugija. Shpresoj qe te fitoje roshi .

  6. LORA says:

    Ne interviste dukesh njeri i punes,Elvis Roshi,uroj qe ta fitosh besimin e qytetit tend.Une di qe Kavaja eshte e zhgenjyer,e perdorur,e neveritur nga demagogjia e mashtrimit 20-vjecar “fjalen e mire e guret ne traste”.Them qe po ta mbroni voten do ta shihni vullnetin e vertete te kavajsve.

  7. preng sherri says:

    Ju deshiroj fitoren Z.Roshi .Po pse u dashka ti realizojn premtimet ata te PD kur ata fitokan ne cdo zgjedhje se eshte bastion i djathte por shpresoj kete radhe le tjua api pegjigjen vete Kavajaset se nuk shkone me me bastione por duet pune.

  8. sociologu says:

    NJE SYGJERIM: Opozita duhet te kompozoje nje Kenge te Re per Shqiperine e se Ardhmes, kenge e cila te transmetoje me fuqine e grykes (por nepermjet tingullit muzikor) se sa i nevojshe eshte ndryshimi i sistemit, sa i bukur eshte atdheu e sa keq e perdorin Politikanet e Qeveria. DHE CDO ATDHETAR TA KENDOJE NE CDO MOMENT REVOLTE!!! Do te ishte nje reklame e fuqishme, sikur nje ze si ai i artistes INVA MULA, i francezes HELENE SEGARA (Elle, tue aimes!) apo i CELINE DIJONit te degjohej ne ajer…

    Revoltat popullore per permbysjen e regjimeve zakonisht vijne me krisma armesh… Maji 2011 do te hynte ne Historine Boterore sikur nje POPULL I TERE te ngrihej me kembe me nje kenge qe ta degjonin gjithe shtetet e medha e ambasadat e huaja, pasi qeveria jone eshte shurdhe-memece!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje