Kreu i vëzhguesve të ODIHR: Verdiktin për zgjedhjet do e japim më vonë se herët e tjera. Tensioni politik mund të ndikojë në zgjedhje

16 Prill 2011, 17:26Politika TEMA

Kur votimi mbrëmjen e 8 Majit të ketë përfunduar dhe më pas të nis numërimi, përveç dëshirës së madhe për të mësuar se kush do të jetë fituesi, shqiptarët po me aq padurim do të presin daljen përpara medias të Jonathan Stonestreet.

Kryevëzhguesi i OSBE/ODHR-it, Stonestreet, me një eksperiencë të pasur në monitorimin e zgjedhjeve që prej vitit 1997 në shumë vende të botës, do të jetë njeriu, i cili do të japë verdiktin për këto zgjedhje, por  jo një ditë pas përfundimit të votimit siç ka ndodhur në zgjedhjet e shkuara, por 48 orë pas mbylljes së procesit.

Për herë të parë amerikani Jonathan Stonestreet do të shkelte në Shqipëri në vitin 2003 pa e ditur se nëntë vjet më pas do t’i besohej, drejtimi një misioni të vështirë për të certifikuar zgjedhjet lokale shqiptare.

Në intervistën e tij të parë ekskluzivisht për Top-Channel që kur mbërriti në Tiranë tre javë më parë, Stonestreet komenton raportin paraprak duke u shprehur i prerë se situata e polarizuar në të cilën po zhvillohet fushata elektorale do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rrjedhën që do të marrin këto zgjedhje.

 

Cilat janë problemet që ODIHR ka identifikuar deri më tani në lidhje me zgjedhjet lokale?

 

Faleminderit për dhënien e mundësisë të flas me ju. Që në fillim dua të theksoj se ne kemi publikuar raportin tonë të parë  paraprak, i cili mbulon periudhën kohore deri të hënën datë 11 prill, dhe nuk mbulon çfarë ka ndodhur pas kësaj date. Është me rëndësi për t’u nënvizuar se ne nuk jemi këtu vetëm për të parë probleme. Ne jemi këtu për të parë se çfarë është pozitive në procesin zgjedhor dhe për të hartuar rekomandimet se çfarë duhet të përmirësohet.

 

Nga të gjitha informacionet që ODIHR ka mbledhur deri më tani, a mendoni se përgatitjet për zgjedhjet e 8 majit përmbushin standardet e kërkuara?

 

Unë nuk dua të bëj ndonjë vlerësim për të gjithë procesin pasi vlerësimet do të vinë më vonë gjatë punës tonë. Unë e di që shumë punë po kryhet, është në vazhdim, Komisioni i Zgjedhjeve është duke punuar, listat finale të votuesve janë bërë publike. Por natyrisht mbeten një numër përgatitjesh për tu realizuar dhe ne jemi duke observuar në të gjithë vendin, që siç mund ta dini ne kemi 24 vëzhgues afatgjatë në 11 zona të ndryshme në të gjithë vendin.

 

Si po shkon faza parapërgatitore. A keni ndonjë shqetësim?

 

Nuk dua të identifikoj ndonjë shqetësim të veçantë tani. Ne kemi identifikuar disa fakte në raportin tonë. Ajo që vërejmë është se kemi të bëjmë me një ambient politik të polarizuar me ndikim në zgjedhje, për të cilën ne shqetësohemi.

 

Opozita ka akuzuar qeverinë se po manipulon listat e personave më të drejtë vote jo vetëm në Tiranë por edhe në të gjithë Shqipërinë. A keni identifikuar probleme që lidhen direkt me listat e votuese?

 

Ne kemi dëgjuar akuza nga disa parti, por unë s’kam parë ende ndonjë provë. Asnjë nuk na është sjellë në vëmendjen tonë rreth manipulimit të listës së zgjedhjeve. Është një çështje që ka të bëjë me votuesit që s’kanë një adresë. Ky është një problem në pjesë të ndryshme të vendit. Por ende askush nuk ka sjellë në vëmendjen tonë ndonjë rast specifik të manipulimit deri më tani.

 

Nëse të tilla raste do të sillen në vëmendjen tuaj, si do të reagoni?

 

Në atë lloj mënyre kur ne ndeshemi me të tilla akuza apo me shqetësimet serioze të procesit ne i kontrollojmë për veten tonë nëse ai shqetësim është i vërtetë dhe ka prova për të, dhe më pas nëse mundemi të vërtetojmë këto prova atëherë kryejmë vlerësimin tonë.

 

A besoni se kodi elektoral i tanishëm dhe legjislacioni shqiptar janë të mjaftueshëm për të siguruar zgjedhje të lira dhe të pavarura siç është kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar?

 

Legjislacioni bazik që është kodi elektoral  është parë nga ODIHR, Komisioni i Venecias dhe Këshilli i Europës dhe është vërejtur se ka elementët e duhur për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, nëse implementohet në mënyrë korrekte përfshi vullnetin politik të partive. Natyrisht që ka boshllëqe në kodin elektoral, të cilat ne i kemi thënë në raportet e mëparshme. Ka ende çështje që duhen adresuar . Gjithashtu në zgjedhjet lokale ne kemi identifikuar disa çështje specifike siç është për shembull mospasja e një komisioni elektoral zonal për garën e Tiranës, rolin e të cilit do ta kryejë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Pra, kemi boshllëqe në legjislacionin për

zgjedhjet. Por dua ta përsëris se nëse ka një vullnet nga partitë politike, atëherë ligji do të prodhojë zgjedhje demokratike.

 

Që nga dita e parë kur u çel fushata elektorale kanë ndodhur një seri incidentesh. Në raport shkruhet se një retorikë e ashpër me sulme personale është e pranishme gjatë fushatës. Sa e dëmtojnë këto incidente procesin e zgjedhjeve?

 

Ç’do parti politike apo kandidat ka të drejtën e marrjes pjesë në fushatën elektorale në mënyrë pozitive apo negative. Përdorimi i retorikave të ashpra kthehet në problematikë duke shkaktuar probleme në drejtimin e zgjedhjeve apo në incidente të dhunshme. Siç edhe rekomanduam në raportit e vitit 2009-t, partitë kanë përgjegjësi dhe rol madhor në procesin zgjedhor dhe administrimin  e tyre. Partitë duhet të jenë të vetëdijshme për mesazhet që dërgojnë tek votuesit.

 

Do të donim të dimë mendimin tuaj për rolin e medias në mbulimin e këtyre zgjedhjeve dhe cili është komenti juaj për materialet e redaktuara nga partitë, të cilat u dërgohen televizioneve për transmetim?

 

Ne në raportin paraprak nuk kemi komentuar për kasetat e parapërgatitura nga partitë. Do ta lëmë për një herë tjetër. Roli i medias është shumë i rëndësishëm pasi është rruga primare për votuesit që të informohen se kush janë partitë apo kandidatët dhe se çfarë propozojnë për komunitetet e duke i mundësuar të kryejnë zgjedhjen e tyre. Natyrisht media ka për detyrë të ruajë një rol të përgjegjshëm në të gjithë këtë. Në fakt media është baza për zgjedhjet demokratike.

 

Katër prej anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve votuan pro ndalimit të transmetimit të një spoti televiziv të prodhuar nga Partia Socialiste. A e shikoni këtë si një veprim të drejtë apo si një tjetër incident?

 

Nuk dua të komentoj ndonjë vendim të veçantë të KQZ-së. Nuk i kam parë bazat e këtij vendimit. Di që ka pasur diskutime për gjobitje të këtyre kanaleve televizive. Natyrisht liria e medias, sikurse çfarë transmetohet, është e rëndësishme. Këtë çështje do ta ndjekim nga afër.

 

Kur shqiptarët do ta mësojnë se cila do të jetë nota certifikuese e këtyre zgjedhjeve nga ODIHR-i?

 

Për këto zgjedhje na është thënë nga shumë njerëz se procesi i numërimit do të marrë një kohë të gjatë kështu që ne në vend që ta japim vlerësimin tonë të hënën një ditë pas zgjedhjeve, kemi vendosur ta japim të martën më 10 maj në mënyrë që vlerësimi ynë të ketë të paktën disa të dhëna nga procesi i numërimit që është një pjesë e rëndësishme e zgjedhjeve.

Bisedoi: Muhamed Veliu

4 komente në “Kreu i vëzhguesve të ODIHR: Verdiktin për zgjedhjet do e japim më vonë se herët e tjera. Tensioni politik mund të ndikojë në zgjedhje”

  1. ben says:

    Ky robi shumicen e pergjigjeve e fillon keshtu ose perafersisht:Nuk dua të komentoj,Nuk dua të identifikoj

  2. dymi says:

    Po qe se nuk komenton e nuk identifikon atehere ik pirdhu! Pse ke ardhur ketu per ca euro e per ndonje darke me autoritetet?

  3. hysni dajaku says:

    ah more kokethumbat e ODIHR-it,po pse ore firaun do e jepni me vone perfundimin,kur mund ta jepni qe tani..po rrihen dit per dit,po plagosen me pistoleta me silenciator e me thika,po kercet edhe tritoli qe ne 10 ditet e para,,ja e zeme se ne ditet qe kan ngelur do behen shembullore e pa asnje incident,,c’fare do thoni !!!ishin zgjedhiet me te mira te bera ndonjehere!,,se per kete mut shpreheje qe keni 20 vjet qe e thoni vini ketu e beni sikur po beni shpikje

  4. LORA says:

    Pa shkuar tek verdikti i 8 majit,e duke mbetur tek raportimi i pare,per fushaten,qe e ndryshuat brenda dy diteve ne favor te pusht-etit merret vesh corba e prishur qe po gatuani,,,,,,,zgjedhje me te mira se para-ardheset por jo ne standarte,,,,,,eshte ky refreni 20 vjecar qe duhet te na mbledhe “vidat” ne koke per ti dale zot shtepise sone.Te qenurit zot ne shtepi do te thote garantim i lirise se qytetareve per te ushtruar vullnetin e tyre e garantim i respektimit te zgjedhjes qe ata do te bejne.Po i mbajtem syte e mendjen nga pazarxhinjte 20 vjecare te OSBE_ODIHIR-it do ta kemi hak te njejten corbe e fundosjen ne kraterin(s’eshte gje fare ai i Gerdecit)e ngordhjes ekonomike qe eshte hapur me shume zell nga dr.Tyryry-ja.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje