Mediat angleze kanë publikuar një lajm të mundshëm, sipas të cilit, Karlo Ançeloti mund të emërohet në stolin e Realit të Madridit, në rast se Hoze Murinjo nuk do të konfirmohet në fund të këtij sezoni. Siç bën me dije “Daily Mail”, Ançeloti, i cili nuk po kalon një moment të mirë tek Çelsi, është kandidati kryesor për të zëvendësuar Murinjon, në rast se portugezi largohet. Ky i fundit, sipas mediave italiane, pritet që të rikthehet në Itali. Dy ditë më parë, mediat pohuan se Murinjo kishte regjistruar fëmijët në një shkollë në Milano, çka ka ngritur hipotezën se ai do të rikthehet tek Interi. Kjo, në një masë të madhe do të përcaktohet nga sfidat me Barcelonën në Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampioneve. Në rast se Murinjo nuk arrin që të fitojë asnjë prej këtyre sfidave, atëherë largimi i tij me shumë mundësi do të ishte i pashmangshëm.