Injorimi nga Federata Shqiptare, vëllezërit Xhaka i thonë “jo” Shqipërisë

19 Prill 2011, 16:22Sport TEMA

Babai i vëllezërve Granit e Taulant Xhaka, Ragipi, në një prononcim për “Sport” (Kosovë) është shprehur se djemtë e refuzojnë përfundimisht kombëtaren e Shqipërisë. Ai shprehet se këtë vendim familja Xhaka e ka marrë, pasi Federata Shqiptare e Futbollit është treguar joserioze.

Edhe telefonata e Lorik Canës bërë Xhakajve nuk ka pasur sukses, për t’i bindur talentet e Bazelit të vishen kuqezi. Lojtarët janë në bisedime me Federatën e Zvicrane të Futbollit.

“FSHF është e korruptuar. Interesimi i saj për Granitin dhe Taulantin ka qenë joserioz. Na ka telefonuar ditë më parë Redi Jupi (përgjegjës për zbulimin e talenteve në FSHF) dhe na ka kërkuar përgjigje të menjëhershme, kurse ne i kemi kërkuar kohë.

Ata janë treguar joseriozë, andaj unë së bashku me djemtë e mi dhe familjen time kemi vendosur që përfundimisht t’i themi “jo” Shqipërisë. Askush nuk mund të luajë me djemtë e mi,” – është shprehur për “Sport” Ragip Xhakaj, babai i Granitit dhe i Taulantit, që ka thënë se” unë nuk mund ta kuptoj se si nuk ka pyetur kurrë Duka ose Kuzhe për Granitin e Taulantin. Ata në njëfarë mënyre na kanë neglizhuar. Shqipëria do të humbasë shumë”.

Pak ditë më parë, Redi Jupi (shef i zyrës së talenteve) u shpreh se: “FSHF është gati ta ndërmarrë nismën e gjatë dhe të vështirë (kanë luajtur me moshat e Zvicrës) që dy vëllezërit Xhaka të pajisen me pasaportë shqiptare dhe të mund të luajnë për Shqipërinë, por më parë ata duhet të jenë të bindur që e duan këtë gjë.”

 

1 komente në “Injorimi nga Federata Shqiptare, vëllezërit Xhaka i thonë “jo” Shqipërisë”

  1. Sofi says:

    O Jupi, pse e thua kete: “u shpreh se: “FSHF është gati ta ndërmarrë nismën e gjatë dhe të vështirë (kanë luajtur me moshat e Zvicrës) që dy vëllezërit Xhaka të pajisen me pasaportë shqiptare …” ? –> Nuk eshte as nisme e gjate dhe as e veshtire. Ne fakt, eshte gjeja me e lehte qe mund te beje mafia e FSHF. Me fal, ndoshta ke te drejte, ndoshta genjeshtrat jane edhe me te lehta…

Comments are closed.

Lini një Përgjigje