Historitë e personave nga e njëjta familje në sport janë të shumta. Djem që kanë ndjekur gjurmët e babait, vëllezër që kanë luajtur në të njëtin qytet, por me ekipe të ndryshme, kushurinj që kanë marrë pjesë në disiplina të ndryshme sporti. Duke qenë se historitë e tilla janë të shumta, po marrim vetëm ato që kanë lidhje me futbollin. Për më tepër, po kufizohemi vetëm në një shtet, Italinë.
Familja Sentimenti: Familje e futbollit për ekselencë, për numrat e dedikuara ndaj sportit. Enio, Arnaldo, Vitorio, Luçidio dhe Primo, pesë vëllezër që kanë bërë histori në futbollin italian të viteve ’50, me Luçidion kryesorin, i cili ka mundur që të luajë për Juventusin e famshëm, por edhe Lacion, si dhe për Kombëtaren. Edhe djali i tij ndoqi të njëtën rrugë, por nuk mundi që të arrinte suksesin e të atit apo xhaxhallarëve të tij, duke arritur që të militojë deri në Serinë C.
Familja Çevenini: Kjo familje në fakt ka qenë para familjes Sentimenti dhe ka dominuar futbollin italian në vitet ’20. E përbashkëta e këtyre dy familjeve është se kanë pasur në përbërjen e tyre pesë vëllezër futbollistë. Nga familja Çevenini, Luixhi ishte më i famshmi, i cili arriti edhe që të bëhej trajner pasi la futbollin e luajtur.
Çezeare dhe Paolo Maldini: Janë dy nga emrat më të mëdhenj të futbollit italian. i pari, ishte flamur i Milanit, por, karriera e tij nuk ka qenë e lidhur vetëm me kuqezinjtë, duke qenë se ka luajtur edhe për Triestinën dhe Torinon. Pasi la futbollin, Çezare u bë trajner dhe arriti deri në drejtimin e Kombëtares së Italisë, me të cilën në fakt nuk pati rezultate shumë pozitive. Paolo, ashtu si dhe i jati, u bë flamuri i Milanit, por, në dallim nga Çezare, ai u bë një flamur i paharueshëm dhe i përjetshëm, duke qenë se gjithë karrierën e tij e nisi dhe e përfundoi tek Milani. Mbahet si një nga simbolet dhe mbrojtësit më të mirë jo vetëm të Milanit, por të gjithë futbollit italian.
Vëllezërit Barezi: Frankon dhe Xhiuzepen i bashkonte gjaku, por i ndante fannella e ekipeve që mbanin. I pari ka veshur fanellën e Milanit dhe ka mbajtur shiritin e kapitenit të këtij ekipi për 15 vjet më radhë, duke u bërë një legjendë për kuqezinjtë. Më të drejtë, Franko është konsideruar si një prej mbrojtësve më të fortë që ka nxjerrë Italia. Vëllai i dytë i familjes, Xhiuzepe, ka ndjekur një rrugë tjetër, duke e kaluar pothuajse gjithë karrierën e tij tek ekipi rival i të vëallit, Interi, ku dhe ka mbajtur shiritin e kapitenit për katër vjet.
Filipo dhe Simone Inzagi: Super Pipo është më “i vjetri” dhe që aktualisht është akoma aktiv. Tifozët e Milanit vazhdojnë që ta kërkojnë në fushë dhe ai duket se nuk ka ndërmend që t’i japë fund karrierës së tij të pasur si futbollist. Vëllai i tij, Simone, edhe pse më i ri, ka hequr dorë nga futbolli i luajtur. Duket se ai gjithmonë ka qenë nën hijen e Pipos, për vetë sukseset e mëdha që ky i fundit ka arritur. Të dy e kanë nisur karrierën tek Piaçenca, veçse Pipo më pas ka luajtur për klubet më prestigjioze në Itali dhe jo vetëm, Juventus dhe Milan, ndërsa Simeone e ka vazhduar karrierën e vet në ekipe të një niveli më të ulët, si Atalanta, Sampdoria dhe Lacio, ndërsa tani është trajner me të rinjtë.
Fabio e Paolo Kanavaro: Të njohur edhe vëllezërit Kanavaro, me të parin më të “vjetër”, por natyrisht më të famshëm dhe të suksesshëm. Përveçse ka luajtur për ekipet e Napolit, Parmës, Interit, Juventusit dhe Realit të Madridit, Fabio ka mbajtur për tetë vite me radhë shiritin e kapitenit të Kombëtares së Italisë. Jo vetëm kaq, por ai arriti që të ngrinte Kupën e Botës me Italinë si kapiten në vitin 2006, viti në të cilin fitoi edhe trofeun prestigjioz të Topit të Artë. Paolo ndërkohë, tetë vjet më i vogël se Fabio, ka pasur një karrierë më modeste se i vëllai dhe ka luajtur për ekipe si Parma, Verona dhe së fundmi Napoli, ku mban edhe shiritin e kapitenit.
Por, përveç këtyre, mund të kujtohet edhe familja Kudiçini, me bababin dhe djalin të dy portierë, përkatësisht Fabio dhe Karlo Kudiçini, vëllezërit Lukareli, Kristiano dhe Alesandro, i pari sulmues dhe i dyti mbrojtës dhe familjen Bufon, formuar nga Luixhi, portieri i Juventusit dhe Kombëtares së Italisë dhe kushëriri i tij Lorenco, që ka luajtur po si portier për Milanin, Interin dhe Fiorentinën.