Kryeministri i Kosovës është vënë në vështirësi të madhe gjatë një ligjërate në Kolegjin “AAB—Riinvest”, në momentin kur ishte duke prezantuar planin ekonomik të Qeverisë, kur është pyetur nga aktivistë të Vetëvendosjes nëse “u kishte hipur skive” gjatë kohës së hartimit të këtij plani. Fillimisht, Thaçi nuk ka dashur t’u përgjigjet pyetjeve të aktivistit Frashër Krasniqi, i cili më pastaj është nxjerrë jashtë nga sigurimi, ka raportuar KTV.
Me urdhër të ministrit të Arsimit, Ramë Buja, Krasniqi, është nxjerr më dhunë nga amfiteatrit i këtij Kolegji. Pas kësaj, kryeministri ka nisur t’u përgjigjet pyetjeve, duke thënë se as universiteti nuk mund t’i edukojnë ata që u mungon edukata në familje. Ai, ka thënë se plani i prezantuar ka qenë i përpiluar qysh para fushatës dhe është njëri i fjalës, duke aluduar në rritjen pagave.
Ndërkohë Indeksonline ka raportuar se aktivisti i vetëvendosjes me rastin e nxjerrjes jashtë nga sigurimi është shqelmuar dhe grushtuar, duke e shndërruar kështu ligjëratën për ekonomi në ligjëratën për dajak.
Universiteti AAB-Riinvest, gjatë ditës njoftoi opinionin publik se gjatë ligjëratës së kryeministrit Hashim Thaçi para studentëve dhe auditorit të tij, disa persona të pandërgjegjshëm të cilët deshën të prezantohen si studentë të këtij Universiteti dhe shpërndanë pamflete për auditorin nuk janë studentë të Universitetit tonë.
Universiteti AAB-Riinvest shpreh keqardhje dhe distancohet publikisht nga sjelljet dhe veprimet e tyre .
Në ndërkohë ka reaguar edhe lëvizja Vetëvendosje, e cila thotë se “sot më 20 prill, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje!, të pranishëm në ligjëratën mbi Planin e zhvillimit ekonomik të mbajtur nga Hashim Thaçit në Universitetin AAB e ballafaquan këtë të fundit me çështjet:
– Ky “plan” i ri, gjoja për zhvillimin ekonomik të vendit, dëshmon që Qeveria është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës pa pasur plan qeveritar.
– Ky i ashtuquajtur plan i ri për zhvillimin ekonomik të vendit po ashtu tregon që Qeveria në mandatin e kaluar nuk paska pasur plan për zhvillim ekonomik, të cilin vetëm do ta vazhdonte gjatë këtij mandati.
– Nisma për privatizimin e PTK-së, ndërtimin e autostradës, buxheti për vitin 2011, privatizimet e tjera që tashmë janë kryer, i bije të jenë bërë pa kurrfarë plani e strategjie ekonomike për zhvillim.
– Funksionimi ad hoc, i aty-për-atyshëm, ku vendimet merren në bazë të rrjedhave ditore e jo në bazë të një plani strategjik që ka për synim të mirën e qytetarëve, e kanë sjellë Kosovën para kolapsit ekonomik.
Në fakt, Qeveria e Kosovës ka pasur gjithmonë plan. Plani i Qeverisë ishte dhe është shkatërrimi ekonomik i Kosovës. Shitja e shkatërrimi i gjitha pasurive të vendit dhe pasurimi personal i pushtetarëve.
Ky argumentim i Lëvizjes Vetëvendosje! u përcoll me shpalosjen e parullës “Kjo Qeveri i ka hipur skijave” dhe shpërndarjen e fletushkave me argumentet e Lëvizjes Vetëvendosje! tek të pranishmit, të cilët tërë aktivitetin e miratuan me duartrokitje.
Kjo gjë nuk i pëlqeu Hashim Thaçit dhe truprojave të tij, të cilët në mënyrë të dhunshme nxorën nga salla aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! duke i grushtuar dhe shqelmuar ata.
Lëvizja Vetëvendosje! e quan sjelljen e dhunshme të truprojave të Hashim Thaçit si pengim i fjalës së lirë në një ligjëratë që ishte e hapur për të gjithë.
Reagimet e tilla na e dëshmojnë edhe një herë se kjo qeveri është e mbushur vetëm me retorikë bosh dhe sa herë dikush ja venë në pah këtë fakt, e shpreh nervozizmin e saj me dhunë.
Ndërkaq reagimi i Universitetit AAB dëshmon edhe një herë se licenca e akreditimit është më e vlefshme sesa shpalosja e ideve, debatit dhe kritikës, siç i ka hije një universiteti.
Pra, qeveria na e konfirmon edhe njëherë se qeveria i ka hypur skijave”.
Comments are closed.
Qenka si Universiteti Cilit (jo Ciljetes). Te licenca e akreditimit e ka mendjen. Shembull per te gjithe levizja “Vetevendosja”. Jo si ca levizje qesharake firmetaresh ketu.