Artan Lazaj: KQZ-ja, një minë në zgjedhje

5 Maj 2011, 20:00Politika TEMA

Një nga anëtarët e KQZ-së tregon se çfarë po ndodh në institucionin që përgatit zgjedhjet. Lazaj tregon paligjshmëritë dhe rrezikun që kërcënon procesin. “Kryetari Ristani ka vënë në kokë helmetën e politikës”, thotë ai në një intervistë për revistën MAPO. Të gjitha dyshimet, të gjitha shkeljet që ka kryer KQZ-ja përpara 8 majit. Si është ndarë “arbitri” në dy pjesë që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Të gjithë fajtorët e një akti që mund të paralajmërojë fshikujt e nesërm të OSBE/ODIHR-it, që nga blerja e dyshimtë e kutive të reja të votimit për qindra mijëra euro, tek vulat rezervë dhe votimi në ambiente private. Në këto zgjedhje po hyhet me një proces të cilit i mungon transparenca dhe garancitë për tqë qenë proces i lirë dhe i ndershëm

 

Bisedoi: Lorenc Vangjeli, MAPO

 

Zoti Lazaj, si po përgatitet KQZ-ja për organizimin e këtyre zgjedhjeve administrative? Cila është klima në institucionin tuaj, sidomos tani pas rikthimit të komisionerëve të opozitës në të?

 

Eshtë ajo lloj klime që jeton e gjithë shoqëria shqiptare. E tensionuar dhe shumë shpesh edhe në kufinjtë e përtej kufinjve të legjitimitetit. KQZ ka kohë që ka filluar përgatitjen për organizimin e zgjedhjeve. Disa nga vendimet e saj janë marrë në kohën e duhur, por shumë të tjera, janë shtyrë pafund duke krijuar dhe probleme të tjera që në një situatë si kjo, mund të kenë edhe pasoja politike, të lidhura direkt me cilësinë e këtyre zgjedhjeve. Disa vendime të tjera janë marrë në limitet e fundit të kohës dhe fajtorë për situatën janë edhe subjektet politike të përfshira në garë, edhe vetë KQZ-ja, e cila po demonstrohet si një organizim politik, i pabalancuar politikisht dhe i rreshtuar politikisht. “KQZ-ja pati ndarje përgjatë linjave politike mazhoritare minoritare, veçanërisht rreth çështjeve më të debatueshme”, është shprehur për veprimtarinë e institucionit raporti i OSBE/ODIHR-it në zgjedhjet e 2009. Fatkeqësisht, e njëjta situatë, e fotografuar dhe fotokopjuar në mënyrë identike, po ndodh edhe në këto zgjedhje. Shumë vendime, të cilat ligji kërkon që të merren me pesë vota, në fakt merren vetëm me katër votat e anëtarëve të KQZ-së. Ligji procedurial nuk zbatohet, ndërsa marrëdhëniet mes kolegëve, janë të ndera, gati-gati armiqësore dhe një gjë e tillë reflektohet çdo ditë. Të vjen keq të mendosh se dhe mes juristëve, është vrarë frika ndaj ligjit. Kush e njeh mirë ligjin e respekton edhe për shkak të “frikës”, por disa nga anëtarët e KQZ-së, i pari kryetari Ristani mes tyre, e injorojnë këtë frikë sepse kanë veshur helmetën e politikës në kokë dhe shpresojnë të kapërcejnë lumin me gomonen e politikës. Nuk ka gjë më të pasigurtë se kjo gomone.

 

Si qëndron ligjërisht dhe praktikisht çështja e firmosjes së një numri dokumentash nga KQZ-ja me dy firma, të kryetarit dhe nënkryetarit të institucionit?

 

Neni 20 i Kodit Zgjedhor nuk ka lënë vend për interpretime të dyfishta, sikundër është kërkuar të bëhet dhe të komentohen nene të tjera. Në të thuhet se kryetari dhe nënkryetari i KQZ-së kanë të njëjtat kompetenca. Pika 3 e këtij neni shkruan shprehimisht: “Të gjitha aktet dhe urdhrat e brendshëm nënshkruhen edhe nga zëvendëskryetari, përndryshe janë të pavlefshëm”. Kush di shqip, edhe në mos qoftë jurist, e kupton qartë këtë pikë të Kodit Zgjedhor. Duhet të kesh ndonjë hall të madh ose duhet të të shtrëngojë fort kokën helmeta e politikës që të ndodhë siç ka ndodhur rëndom me aktet e KQZ-së, të firmosura vetëm nga Ristani. Ai ka shumë kohë që nuk i ka sjellë urdhërat pranë nënkryetares së institucionit duke i dhënë funksionimit të KQZ-së, por dhe gjithë procesit një paragoditje të rëndë. Ju ka dhënë një grusht të trefishtë: ka shkelur Kodin Zgjedhor duke i bërë të gjitha këto urdhëra të pavlefshëm, e ka bërë gjithë procesin jo transparent, ka shmangur bashkëpunimin me nënkryetaren, që në Kod, parashihet si një nga garancitë më të mëdha që afronte Kodi për gjithë proceset zgjedhore. Me këtë sjellje, kryetari Ristani nuk e ka vënë thjesht veten në rolin e një kamikazi sepse fati i tij personal është një gjë që nuk i intereson askujt, por ka shpërthyer në themel të procesit. Dëmet do të shihen nesër. Sot ata mund të parashikohen.

 

Eshtë përfunduar tenderi për kutitë e reja të votimit, fletët e votimit dhe materiale të tjera zgjedhore. Sa transparent ishte ky proces?

 

Me sa jam në dijeni, ky proces ka përfunduar. Pyetja që shtrohet është: si ka përfunduar? Ai është një proces tërësisht jo transparent edhe sepse aktet që e kanë shoqëruar atë, janë marrë në mungesë të kundërfirmës që kërkon Kodi.

Eshtë për t´u çuditur sasia shumë e madhe e kutive që janë blerë. Ato janë rreth 6500 kuti, secila prej tyre kushton 35 euro, gjithsej 227 500 euro. Kujtoni zhurmën e madhe që u ngrit për djegien e fletëve të votimit. Ristani pretendonte se do të ndizte çakmakun mbi fletë sepse nevojiteshin kutitë. Tani vendos dhe ble kuti të reja. Demagog? Pak të thuhet! Gënjeshtar? Këtë le ta thotë kush do që krahason fjalët e tij me veprimet! Ka dhe më keq. Në dijeninë time, besoj se nuk gaboj, vlera e këtyre kutive në treg është më e ulët se 35 euro për një kuti. Madje, pretendohet edhe se një pjesë e kutive të magazinuara në Lundër janë dëmtuar qëllimisht që të justifikohet ky tender që nuk ka gjë që e justifikon. Partia Socialiste ka kërkuar disa herë pranë zotit Ristani që t´i vihet në dispozicion dokumentacioni i tenderit, por deri më tani, ai vetëm ka ngritur gishtin para fytyrës për të mbuluar fytyrën dhe nuk ka dhënë përgjigje. Eshtë një proces tërësisht i errët dhe në errësirë, nuk ndodh të bëhen punë të mbara.

 

Si do ta komentonit vendimin e KQZ-së për debatin e madh për pranimin ose jo të kasetave të parapërgatitura nga kandidatët në zgjedhje? Si ka reaguar OSBE/ODIHR-i në 2009 ndaj këtij fenomeni dhe çfarë qëndrimi mendoni se duhet mbajtur realisht?

 

Eshtë një tjetër vendim i marrë në kundërshtim me ligjin, që e bën KQZ-në grabitëse kompetencash. Ka grabitur kompetencat e Kodit Zgjedhor të miratuar nga Kuvendi dhe miraton një vendim i cili nuk është parashikuar në Kod. Eshtë njëlloj, sikur KQZ me anëtarët e saj të shtojë, ashtu kot sepse ashtu mendon, ndonjë nen të ri në Kod, ndonjë paragraf apo të shuajë ndonjë tjetër. Bordi i Monitorimit të Mediave duhet t´i propozojë masa administrative KQZ-së për shkeljet që bëjnë mediat, por vetëm sipas kritereve strikte të Kodit. As KQZ, as Bordi nuk kanë të drejtë dhe kompetencë që të caktojnë rregulla për televizionet, për mënyrën e ushtrimit të detyrës nga gazetarët. Eshtë një dritëshkurtësi dhe një akt që ngrihet kundër lirisë së medias. Eshtë një akt i shëmtuar në dëm të transparencës. Në bindjen time vetjake, një subjekt politik që “tregton” kaseta të parapërgatitura për publikun, thjesht mashtron “konsumatorin”, publikun, i cili konsiderohet si një fëmijë që gënjehet nga letra me ngjyra që mbështjell karamelet. OSBE-ja e ka kritikuar rëndë këtë praktikë të gabuar, dhe sinqerisht, nuk e kuptoj sesi KQZ-ja merr këtë vendim të njëanshëm dhe një praktikë të tillë antiligjore. Për ironi ndaj jurisprudencës, vendimi i KQZ-së ka dy pjesë, vendim dhe vendosi, ndërkohë që duhet të ishte koka e shkresës me pjesën vendim, rrethanat përshkruese dhe arsyet që çojnë në këtë vendim dhe në fund të vinte pjesa: vendosi.

 

Një tjetër debat i nxehtë është prodhimi i vulave zyrtare rezervë për procesin zgjedhor. Si e parashikon ligji këtë problem dhe si parashikoni se do të jetë zgjidhja? Keni dijeni që realisht ka filluar prodhimi i këtyre vulave?

 

Sinqerisht është e rëndë të rreshtohen të gjitha gafat dhe shkeljet e ligjit nga KQZ. Problemi i vulave rezervë është një tjetër ujë i ndotur në rezervuarin e paligjshmërisë së institucionit. Eshtë madje, një nga aktet më të rënda të saj. Eshtë hera e parë që krimi kundër jurisprudencës bëhet me këtë guxim që e lind vetëm budallallëku dhe rreshtimi politik. Ligji parashikon se në rast të largimit të ndonjë komisioneri, ditën e votimit, atëherë prodhohet një vulë e re për këtë komision. Që të prodhohen me mijëra vula rezervë pa filluar procesi i votimit, nxjerr disa konkluzione shumë të rrezikshme për vetë procesin dhe për idenë e zbatimit të disa skenarëve të zinj që do ta hidhnin atë në erë. E bashkë me hedhjen në erë të procesit, po në erë do të përfundonin dhe shumë shpresa të qytetarëve shqiptarë për integrim evropian. Më vjen keq ta them, por jam i bindur se nëse zbatohet ky vendim, në Shqipëri, së paku kësaj here, koncepti zgjedhje do të shuhet. Ato nuk janë thjesht dhe vetëm të rrezikuara. Për më keq akoma, në mos autor, zbatues i skenarit është vetë KQZ-ja e cila duhet të ishte rojtare e procesit.

 

Do të ketë nevojë për hapjen e qendrave të votimit në ambiente private dhe Kamza është një nga shembujt e rëndë në këtë drejtim? Të enjten një grup banorësh nga kjo bashki kanë protestuar përpara zyrave tuaja.

 

Fatkeqësisht jemi i vetmi vend në botën e qytetëruar që pranojmë dhe lejojmë të zhvillohen zgjedhje në ambiente private. Edhe në shumë vende afrikane, më ndjeni për shembullin, ato që konsiderohen si vende me demokraci të pazhvilluar, por dhe të varfër, votimet bëhen në çadra ushtarake. Nuk ka asnjë arsye që në Shqipëri të ndodhë ndryshe. Mundësitë praktike janë, por nuk i lejon politika që të shihen dhe të vihen në punë. Në Shqipëri, ky është një fenomen i përhapur. Në zgjedhjet e 2009-ës, ky fenomen, edhe në Kamëz, krijoi probleme të mëdha. E mendoni një militant të një partie, në shtëpinë e të cilit në katin e parë bëhet votimi dhe ai qëndron në katin e dytë duke mos lejuar votuesit potencialë kundër partisë së tij? Fare e thjeshtë për t´u imagjinuar. Ka ndodhur. Janë penguar votuesit të ushtrojnë të drejtën e votës. Janë kërcënuar me fjalinë absurde: ti mos hyr në shtëpinë time!

Për të mbetur tek shembulli i Kamzës, është demonstruar me fakte që shumë nga këto ambiente ishin pronë e militantëve të njohur të PD-së në zonë, ishin pajisur me simbole dhe mjete propagandistike për kandidatin e PD-së. Gjithashtu u verifikua se ekzistonin të gjitha mundësitë që procesi i votimit të zhvillohej në ambiente shtetërore që përmbushnin të gjitha kriteret e nevojshme. Atëherë pse ndodh kështu? E lehtë të jepet përgjigja. KQZ, atë përjashtim që lejon Kodi dhe vetëm në raste të jashtëzakonshme, e ka kthyer në rregull në disa zona të caktuara, përfshi Kamzën.

 

Për shkak të eksperiencës suaj në KQZ, cilat gjykoni se mund të jenë hilet elektorale që mund të përdoren apo dhe janë përdorur më parë?

 

Një javë më parë, në revistën MAPO, ju kishit bërë një listim të mundësive për hile elektorale. Nuk jam specialist për to dhe as nuk kam tagër të flas për to. Por mund të shtoj me vendosmëri se çdo vendim i shpallur nga KQZ-ja në kundërshtim me ligjin, është hile dhe mashtrim në procesin elektoral. Ka një mënyrë të pandryshueshme për t´i korrigjuar dhe për të mos lejuar përdorimin e këtyre hileve: komisionerët, të cilët duhet të zbatojnë ligjin.

 

Së fundmi, kryetari i institucionit është vënë në shënjestër të opozitës, por dhe është kritikuar shpesh edhe nga ju në mbledhjet e KQZ-së. Cilat janë marrëdhëniet tuaja institucionale me të? Si mendoni se po e kryen ai detyrën?

 

Eshtë e vërtetë. Kreu i institucionit është bërë një tabelë qitjeje jo vetëm nga opozita, por dhe nga aktorë të tjerë, të cilët njohin rolin e tij destruktiv dhe në kundërshtim me ligjin në drejtimin e KQZ-së. Ka pothuaj dy vjet që ai është bërë i akuzuari i madh për procesin e 2009 dhe parashikoj se kështu do të jetë edhe për këto zgjedhje. Në fakt, edhe ustallarët e tij që i kërkojnë shërbime dhe e vënë të shërbejë në kundërshtim me ligjin, nuk kanë as respekt dhe as mirënjohje për të. E trajtojnë si vegël, por ai e pranon një gjë të tillë, së paku, këtë dëshmon me veprime. Marrëdhëniet e tre antarëve të KQZ-së të propozuar nga opozita me zotin Ristani janë problematike. Dhe këtu nuk ka asgjë personale, por vetëm ligjore dhe profesionale. Që të jesh në krye të një institucioni si KQZ nevojitet profesionalizëm, etikë, moral e të tjera e të tjera. Këtu kryetari Ristani është defiçitar. Ai është fatkeqësi e vetes, fatkeqësi e atyre që e kanë zgjedhur dhe i shtrëngojnë frerët dhe e komandojnë, fatkeqësi për procesin. Dikush, për t´u tallur e ka konsideruar si centrali bërthamor japonez i dëmtuar nga Cunami. Gati të shpërthejë dhe të ndotë ambientin politik në vend. Natyrisht që e ka tepruar, por në të vërtetë, Ristani është një minë që ka shpërthyer dhe po shpërthen në themel të të gjithë sistemit. Do të mbahet mend për keq, do t´i duhet ndoshta, të rifreskojë dijet e tij si avokat së shpejti apo dhe të kujtojë se dikur ka qenë gjyqtar. Si i tillë, ndonëse nuk ka shkëlqyer atëherë dhe ka pasur probleme me ligjin, edhe vetë, do ta kishte të vështirë të jepte ndonjë vendim në favor të vetes.

6 komente në “Artan Lazaj: KQZ-ja, një minë në zgjedhje”

  1. kozma says:

    ca te themi ,kryesorja dihet PO NUK VODHI VOTAT SALA NUK MERR ME SHUME SE 25 PERQIND PRANDAJ ESHTE PERGATUITUR NJE PLAN I MADH SE SI TE VIDHET SA ME SHUME ,,,PRA DO KETE VJEDHJE TE PERMASAVE ME TE MEDHA……DURONI E DO SHIKONI ,TMERRET E SALIUT.

  2. fule says:

    Mendoni care vendimesh mund te kete dhene Arben Ristani ne gjyqet qe paska drejtuar. Pastaj te gjihte ankohen nga drejtesia dhe e quajne me te korruptuaren. Normale kur mbante dhe mban brenda Ristaner

  3. hysni dajaku says:

    juve te PS-se u shkoi jeta duke numeruar palacolleqet e Sali Berishes,,mbas cdo fushate dilni si menyra habitore edhe thoni e “beri edhe kete poshtersi”,nuk na kishte vajtur mendja se do arrinte deri ketu???ore jeni opozite ju apo ca jeni!!i dilni per zot vehtes edhe vendit,se po nuk e bet ju,kush do e beje kete pune!!!

    1. Pjeter Mustakuqi says:

      O hyse ca te bejne mor burre, te marrin armet o flliqesire e te vriten ate do ti. Atehere te behet qefi mor truthare

    2. ben says:

      Sa trap qeke ti Hyse.Trapllikun e ke te lindur apo te fitum me kalimin e kohes?

  4. hysni dajaku says:

    ti Pjeter e paske mendjen tek armet,se une nuk permenda arme gjekundi,sa per arme ato ,po i shkrep ti me Saliun ndaj mos me bej si pacifist me i madh i globit ti felliqsir e kaluar felliqesires,,se ju mire qe te vrisni po te shisni edhe dengla si te ndershem,,opozita ti dali zot vehtes dhe vendit me zemer,me burreri dhe me protesta si ne cdo vend te qytetruar “o tru njomi xhaxhait”qe edhe lopa ime qe ha bar eshte kafsh me demokratike nga ti dhe Saliu jot

Comments are closed.

Lini një Përgjigje