21 janari, zbulohet pistoleta e gardistit që vrau Faik Myrtajn

6 Maj 2011, 10:57Politika TEMA

Faik Myrtaj është vrarë më 21 janar përpara kryeministrisë nga një punonjës i Gardës së Republikës, i cili ka qëlluar 11 herë me pistoletë në ajër dhe në drejtim të turmës. Ky fakt është zbuluar nga ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore, në Ministrinë e Brendshme.

Lajmi konfirmohet nga burimet e rezervuara të Ministrisë së Brendshme, ku, sipas tyre, është identifikuar numri i pistoletës, nga e cila kanë dalë 11 plumba luftarakë dhe njëri prej tyre është gjetur në trupin e viktimës Myrtaj. Sipas këtyre burimeve, mësohet se pistoleta e identifikuar është sekuestruar në Gardën e Republikës së bashku mes 35 pistoletave të tjera të kalibrit 9 mm, në fund të muajt mars.

Burimet shpjeguan se këto pistoleta, pasi janë sekuestruar nga hetuesit e çështjes, janë dorëzuar në Laboratorin Kriminalistik për ekspertim balistik e krahasues me 14 gëzhojat e gjetura në oborrin e kryeministrisë. Deri në këtë moment, të 14 gëzhojat kishin mbetur pa autor. Detyra e dytë e ekspertëve ishte verifikimi i tyre me predhën e gjetur në trupin e viktimës Myrtaj.

“Nga ekspertimi balistik e krahasues i 36 pistoletave, me 14 gëzhojat e gjetura në pjesën veriore të ndërtesës së Këshillit të Ministrave (në krah të Piramidës) dhe me predhën e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrtaj, ka rezultuar pozitive njëra prej tyre. Pistoleta e identifikuar ka rezultuar pozitiv në qitjen e 11 plumbave luftarakë, që korrespondojnë me 11 nga 14 gëzhojat e gjetura në oborrin e kryeministrisë, të cilat kishin mbetur pa “pronar” deri pak ditë më parë kur u identifikua numri i pistoletës”, – thuhet nga burimet e Ministrisë së Brendshme.

Po këto burime nuk japin detaje të hollësishme të numrit të kësaj arme apo personi që kishte në përdorim, pasi emrat e përdoruesve ndodhen në zyrat e hetuesve të Prokurorisë së Tiranës.

“Edhe predha e gjetur në trupin e shtetasit Faik Myrtaj, rezulton se është qitur nga e njëjta pistoletë e kalibrit 9 mm që ka shkrepur 11 plumbat luftarakë. Tashmë akt-ekspertimit balistik do t’i bashkëngjiten edhe 11 nga gëzhojat e gjetura në oborrin e kryeministrisë”, – thuhet nga burimet.

Por, pavarësisht identifikimit të pistoletës, mësohet se ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore, janë urdhëruar nga një drejtues i lartë i Policisë së Shtetit për të mos përpiluar raportin përfundimtar të këtij akt-ekspertimi dhe mos ta dorëzojnë atë në Prokurori.

Arsyetimi i këtij mosdorëzimi, sipas këtyre burimeve, mësohet se është bërë për të mos ndikuar negativisht për kandidatin e Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, tek votuesit për zgjedhjet e 8 majit. Gjatë ngjarjeve të 21 janarit, Basha ishte ministër i Brendshëm dhe është akuzuar publikisht si njeriu përgjegjës për vrasjen gjakftohtë të katër personave.

Ndërkohë, për të përforcuar këtë informacion të burimeve të rezervuara, pak ditë më parë në Prokurori është dorëzuar raporti përfundimtar i akt-ekspertimit balistik e krahasues i 15 pistoletave të dërguara për ekspertim në fund të muajt prill.

Sipas rezultatit të këtij ekspertimi, kanë rezultuar 15 pistoletat e fundit të pastra, ndërsa, për 36 pistoletat e dorëzuar në fund të muajt mars, për prokurorin ende nuk ka një përgjigje përfundimtare, me arsyetimin se janë në proces ekspertimi.

Ky arsyetim, sipas prokurorisë, është mosbesues, pasi fakti që 15 pistoletat e fundit u ekspertuan brenda pak ditë dhe doli raporti përfundimtar që rezultuan të pastra, ndërsa 36 të tjerat janë në “proces”. Sipas burimeve konfidenciale, ky përfundim pritet të dorëzohet në prokurori pas zgjedhjeve lokale të datës 8 maj 2010, ku edhe pritet më pas arrestimi i qitësit.

Verifikimi

Ekspertët e Policisë Shkencore, gjithashtu, konfirmuan se nga 14 gëzhojat që deri më tani kishin mbetur pa autor, 11 prej tyre janë identifikuar dhe tre të tjera jo. Tre gëzhojat e tjera, janë qitur nga një armë e tipit “Makarov” rus, të cilat shumë shpejt do të identifikohen, pasi vetëm pak punonjës së Gardës së Republikës mbanin armë të tilla.

Çfarë përmban video 14 minuta

Pak kohë më parë, “Shekulli” publikoi një nga provat e reja të grupit hetimor të prokurorisë për vrasjen e katër protestuesve më 21 janar nga punonjësit e Gardës së Republikës. Ajo është një video rreth 14 minuta e gjatë dhe në të duken gardistët që qëllojnë me pistoletë. Në minutën e gjashtë të videos shfaqet punonjësi i parë i Gardës që qëllon me pistoletë.

Në minutën e 11-të shfaqet një punonjës tjetër i Gardës që qëllon me këtë armë. Videoja përfshin brenda minutazhit të saj edhe momentet tragjike të vrasjes së të ndjerit Ziver Veizi, por në një tjetër këndpamje (nga ana e Piramidës). Në video shihet se në pikërisht në momentet kur Veizi rrëzohet, ka lëvizje të shpejta dhe një intensitet të lartë të shtënash nga gardistët e grupit të zjarrit.

Duket sikur kanë marrë njëherazi, të njëjtin urdhër. Pak sekonda më pas, në video shfaqet vrasja e Aleks Nikës. Ai sapo është qëlluar dhe po mbahet në krahë nga protestuesit e tjerë të tmerruar që thërrasin për ndihmë me fjalët “Shpejt, shpejt”, “Ambulanca, Ambulanca”

Kush janë njerëzit nën hetim

Ndrea Prendi, Komandant i Gardës së Republikës, nën hetim

Alfred Ahmetcenaj, Komandant i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim

Dashamir Shehi, Komandant i Njësisë nr. 2 të Gardës së Republikës, nën hetim

Aleksandër Dede, Komandant njësie në Gardën e Republikës, nën hetim

Altin Kollçinaku, Komandant njësie në Gardën e Republikës, nën hetim

Fatos Bushati, Komandant njësie në Gardën e Republikës, nën hetim

Agron Malaj, efektiv i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim

Sadik Çelaj, efektiv i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim

Mark Nikolli, efektiv i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim

Gazmend Ahmetaj, efektiv i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim

Agim Llupo, efektiv i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, i arrestuar

Shekulli

 

4 komente në “21 janari, zbulohet pistoleta e gardistit që vrau Faik Myrtajn”

  1. brace1 says:

    Mendoje se nuke eshte lajme intereseante,vrasja e tyre dihej,interesante do te ishte sikur te shkruanin gazetat qe u be arestimi i vrasesve,dhe porositesve te tyre,atehere familjet e viktimave do te prisnin vendimin e vonuar,te qllimshem per te penguar denimin qe meritojne vrasesit e komanduar nga sekretari e sherbetori i tije luli.Mose te pengojne me shume organet perkatse,se gabojne rende,se po nuke u denuan nga DREJTESIA,do te marrin denimin qe meritojne nga familjaret e tyre,me vete gjyqsi,zduhet arritur deri ktu ,vrasesit e kane vendin ne burge.

  2. mendertafuti says:

    Nqs ka pasur vrasje qe jane bere me pistolete,atehere kemi te bejme me killer kriminele te organizuar ne banda te posaçme nen siglen e Gardes se Republikes duke perbere shperdorimin me masiv dhe me te ndyre te shtetit per interesa bandite te nje grupi malok mafioz rreth profesordoktorr Sali Rame Berishes.

  3. fortunato65 says:

    mos perpilimi i raportit tregon edhe njehere se shteti dha urdher dhe vrau protestuesit e 21 janarit.vetem ne republike popullore socialiste te sali berishes ndodhin keto ndyresira .nuk eshte lapsus qe shkruaj popullore socialiste ,pasi nuk mund te mbulojme diellin me shoshe ,sali enver berisha eshte dhe do te mbetet nje komuniste ,qe vepron sipas mesimeve te mesuesit te tij enver hoxha.prokuroria duhet te ngreje zerin dhe te arrij deri ne arrestimin e ketij zyrtari te larte qe pengon hetimet per keto vrasje.ne itali prokuroria errijti deri atje sa te çoje nje avizo di garancia per silvio berluskonin ne 1994 kur ai ishte kryeminister.por ne shqiperi keto gjera do te ndodhin vetem ethere kur te kete nje shtet te vertet demokratike.kur do te ndodhe nuk dihet por nje gje eshte e sigurte shpejte a vone edhe sali berisha do nderroje jete nje jete pasi nuk eshte i pavdekshem dhe do ti ndodhe e njejta gje si enver hoxhes kur populli do ta mbuloje me balte dhe jo me lavdi.

  4. beso says:

    Pistoletat nuk qitin predha por plumba,dhe Makarova eshte me e shkurter nga TT;e pabesueshme qe Veizi te jete vrare me pistolete;tani edhe mundet por ka propabilitet afer zeros.Me pistoleta nuk ka preçizion duke filluar qe nga 15-40 metra;imagjino ushtaret e Gardes;nukeshte e thjeshte si ne filmat western.Une mendoj qe ky eshte depistim,pasi vrasja e Veizit(e pare ne videon e perhapur)ka ndodhur pa ushtare te Gardes afer viktimes.Ndokush qe merr vesh me mire le ta shpjegoje dinamiken.Une mendoj qe eshte qelluar me karabine(snajpere ose jo),dhe arma ndoshta s’do te gjendet kurre.Prokuroria nuk hamendeson dot,as nuk arrin dot tek arma,pasi gjurmet jane fshehur.Por ka nje video qe tregon se vrasja u be nga brenda dhe brenda ishte Berisha dhe Basha.Nuk mjafton kjo?

Comments are closed.

Lini një Përgjigje