EULEX non-grata

8 Maj 2011, 13:34Rajoni TEMA

Dështimi i EULEX-it për të vendosur rendin dhe ligjin në tërë territorin e Kosovës, në veçanti në veri, ku veprojnë strukturat paralele serbe, si dhe arrestimet e pjesëtarëve të dikurshëm të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kanë ndikuar që pala kosovare, ta nisë një konfrontim verbal me këtë mision.

Pjesë e këtij disponimi anti-EULEX është edhe “zhurma” e bërë nga policët e këtij misioni në Ministrinë e Transporteve dhe në pronat e ish-ministrit Fatmir Limaj, nën dyshimin se ai është i përfshirë në vepra të paligjshme.

Zhargoni anti-EULEX që para disa muajve vinte kryesisht nga selitë e partive politike, së fundi është zhvendosur edhe në institucione. Përveç ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe atij të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, të cilët javëve të fundit me disa deklarata kanë “llomitur” EULEX-in, të pamëshirshëm janë treguar edhe ligjvënësit.

Për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, i cili në vend ka ardhur me ftesën që i kanë bërë institucionet e Kosovës, në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës deputetët thanë se, bazuar në performancën e deritashme, ai është i panevojshëm. Madje EULEX u cilësua si institucion që vepron me “plan-program” të Serbisë dhe gjithashtu si çerdhe e strukturave kriminale të Serbisë.

EULEX-i s’ka faj për gjithçka

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, thotë se nuk duhet të ndërtohet klimë me të cilën institucionet e vendit duke sulmuar EULEX-in për veprime të ndryshme, e largojnë vëmendjen e opinionit nga përgjegjësia që kanë.

“Mendoj që nuk është se nuk ka vend që të kritikohet EULEX-i, por përsëri nuk mendoj se krejt faji është te ky institucion. Edhe institucionet tona, aty ku nuk punojnë nuk duhet ta paraqesin EULEX-in si alibi. Nuk konsideroj se gjithë përgjegjësinë duhet t’ia hedhim EULEX-it”, thotë Beqiri.

Deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Alma Lama, thotë se fjalori i qeverisë anti-EULEX është i pasinqertë dhe i vonuar.

“Kjo gjë (dështimi i EULEX-it në veri) ka tre vjet që ndodh në të njëjtën mënyrë. Retorika anti-EULEX mund të jetë e shkaktuar nga disa arrestime dhe akuza që janë ngritur ndaj ushtarëve të UÇK-së”, thotë Lama.

Ndërsa, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufti, thotë se disponimi anti-EULEX është paraqitur meqenëse institucionet e vendit nuk e kanë qartësuar pozicionin e tyre dhe atë të këtij misioni.

“Me kohë nuk janë sqaruar pozicionet dhe mandatet e EULEX-it dhe institucioneve të vendit. Mossqarimi dhe moskomunikimi në nivel të duhur ka ndikuar që gjërat të shkojnë kaq larg sa të përzihen edhe kompetencat e dy palëve dhe pastaj të vijë deri te konfrontimi verbal, siç po ndodh”, thotë Isufi.

Ai thekson se veprimet e EULEX-it për luftim të krimit, të cilat nuk kanë dhënë ndonjë rezultat por vetëm e kanë shqetësuar opinionin kosovar, kanë ndikuar që të humbet besimi, sikurse që kishte humbur dikur ndaj UNMIK-ut.

Ndërsa njëri nga deputetët e PDK-së, Nait Hasani, me kërkesën e të cilit Kuvendi i Kosovës në seancën e fundit ka diskutuar për gjendjen e sigurisë dhe sundimit të ligjit në vend, gjatë paraqitjes para deputetëve e ka akuzuar EULEX-in se nuk ka ardhur në Kosovë për të vënë rend dhe ligj, por siç ka thënë ai, që të zbatojë misionin që ka Serbia për Kosovën.

Ai ka kërkuar që të formohet një grup i deputetëve, i cili do të shkojë në Parlamentin Evropian për të “denoncuar veprimtarinë e EULEX-it në Kosovë”.

Qeveritarët në fushatë parazgjedhore

Derisa ministrat e Qeverisë së Kosovës me deklaratat e tyre godasin në të “katër anët” misionin EULEX, anëtarët e lëvizjes “Vetëvendosje” mendojnë se ky fjalor është tërësisht i pasinqertë.

“Kjo është një propagandë që bëhet me qëllim që të zhvendoset vëmendja nga ana e qeverisë për problemet tjera, të cilat janë kryesisht ekonomike dhe ato që kanë të bëjnë mosmbajtjen e premtimeve nga ana e qeverisë. Kjo është një fushatë jo e sinqertë, dhe jo për faktin se performaca e EULEX-it ka qenë e mirë”, thotë deputetja e kësaj lëvizjeje, Alma Lama.

Ngjashëm mendon edhe Ismet Beqiri nga LDK-ja, sipas të cilit, shumë sulme që po i bëhen misionit EULEX më shumë janë marketing politik për konsum të brendshëm sesa tendencë e sinqertë për kritikë.

Edhe analisti Ardian Arifaj e merr me rezervë zhargonin e institucioneve të Kosovës dhe anëtarëve të partive në pushtet në raport me misionin e Bashkimit Evropian.

Ai thotë se është e vërtetë e pamohueshme fakti se EULEX-i nuk ka arritur ta ushtrojë mandatin për të cilin ka ardhur në Kosovë, por sipas tij, është vështirë të besohet se qeveritarët e kanë “përnjëmend” me misionin e BE-së.

Madje, ai beson se qeveria po e përdor fjalorin e vrazhdë në raport me EULEX-in, meqenëse është duke i penguar “vëzhgimi” nga ky institucion ndërkombëtar.

“Në njërën anë EULEX-i nuk është treguar i suksesshëm dhe nuk ka pasur me çka të lavdërohet. Ky mision na ka bërë të gjithëve të dyshojmë në të për aftësinë për sundim të ligjit. Por në anën tjetër, nuk jam i sigurt që edhe motivet e qeveritarëve për ta sulmuar atë kanë të bëjnë vetëm me dështimet e EULEX-it. Unë mendoj se ky po iu pengon që të kenë një mision mbi kokë dhe po duan t’i kenë duart e lira”.

Gjatë tërë ditës së shtunë gazeta ka bërë përpjekje që ta kontaktojë zëdhënësin e EULEX-it, Blerim Krasniqi dhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

S’pritet “hajr” prej EULEX-it

Deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Alma Lama, thotë se nëse merret parasysh ajo që ka ndodhur me misionin e BE-së në Kosovë, nuk duhet të pritet se në të ardhmen do të ketë ndonjë sukses të veçantë.

“Ne si lëvizje “Vetëvendosje” nuk kemi pasur ndonjë shpresë se do të ndodhë dhe kjo realisht këto lloj parashikimesh janë përmbushur, sepse misioni i EULEX-it veçanërisht në veri ka dështuar në mënyrë të turpshme. Nuk besoj se do të ketë ndonjë përmirrnim të jashtëzakonshëm në vazhdimësi”, thotë ajo./zeri/

Lini një Përgjigje