Librat antishqiptarë në zjarr?

4 Maj 2011, 12:08Rajoni TEMA

Historianët, arsimtarët dhe intelektualët shqiptarë në Maqedoni u bëjnë thirrje arsimtarëve, prindërve dhe nxënësve shqiptarë që të bojkotojë historinë e klasës së gjashtë, nëse ajo botohet me përmbajtjen fyese për shqiptarët. “Lajm” mëson se shoqatat e historianëve, arsimtarëve dhe intelektualëve janë duke diskutuar idenë që nëse ofendimet nuk hiqen nga librat, që i boton Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), do të apelohet që nxënësit shqiptarë në Maqedoni të mësojnë nga tekstet shkollore që botohen në Shqipëri, pa marrë paraprakisht pëlqim prej Ministrisë maqedonase të Arsimit. Madje nuk përjashtohet mundësia të bëhet apel për djegie masive të librave që boton MASH-i, nëse Ministria e Arsimit nuk merr masa të menjëhershme për mënjanimin e librave të mbushur me gënjeshtra për shqiptarët. Burime të “Lajmit”  thonë se një masë e  tillë do të merret në rast se harxhohen të gjitha mjetet e tjera demokratike për parandalimin e ofendimeve që u bëhet shqiptarëve në tekstet shkollore dhe se për këto plane i kanë njoftuar edhe përfaqësuesit e MASH-it.
Mirëpo antishqiptarizmi si duket është bërë platformë e udhëheqësisë së MASH-it, sepse në librin e ri të historisë së klasës së gjashtë, që është akoma në përgatitje, plot fise ilire janë paraqitur si fise maqedonase, ndërsa dardanët janë fshirë komplet nga historia. “Tekstet ishin vetëm të autorëve dhe me recensentë maqedonas. Në ato tekste, përveç ofendimit që i bëhej historisë së popullit shqiptar,  ka edhe të pavërteta që janë pjesë e politikës ditore që nuk kanë asgjë të përbashkët me shkencën”, thotë për “Lajm” anëtari i Komisionit shtetëror për përpilimin e teksteve shkollore, Skënder Hasani, duke shtuar se befasia ka qenë edhe më e madhe kur kryetari i Komisionit i ka treguar programin e vitit 2008, të nënshkruar nga ish-ministri i arsimit Sulejman Rushiti. “Për fat të keq në programin e vitit 2008 ka një regres  të avancimit të teksteve dhe programeve mësimore për lëndën e historisë së  klasës së gjashtë, ku në vend që të hiqen ofendimet e mëparshme tani shtrembërimet janë shtuar edhe më shumë”, thotë Hasani duke shtuar se nga tre faqe, që janë paraparë për Ilirët, në dy prej tyre flitet për kusarët, ku, sipas tij i edukojnë nxënësit me frymën se iliro-arbërorët që në gjenezë kanë qenë vandalistë. “Si anëtar i këtij Komisioni kam sugjeruar që historia e klasës VI të shqyrtohet në instancat më të larta të shtetit, por në të njëjtën kohë do ta informojmë edhe faktorin ndërkombëtarë që këta libra dhe këto planprograme të parandalohen. Përfundimisht shqiptarët më nuk do të kenë arsye që të mësojnë nga ato libra”, thotë ai. Hasani sqaron se në tekstin e historisë së klasës së gjashtë, që është ranguar i pari, ka shtrembërime të fakteve shkencore, që janë dëshmuar nga autorët e huaj. “Për shembull, varrezat e Trebenishtës, ku  arkeologu i njohur mes dy luftërave botërore, Nikolla Buliç, i cili ka bërë gërmimet arkeologjike, në punimet e tij shkencore argumenton se këto varreza janë tipike ilire, në këtë libër janë quajtur varreza maqedonase. Fiset ilire të Dasaretëve dhe Pajonëve bëhen fise maqedonase, ndërsa fisi Dardan nuk përmendet fare. Përmendet vetëm mbretëresha Teuta dhe veprimet e anijeve kusare të saj”, thotë Hasani, i bindur se këto tekste kanë për qëllim që shqiptarët ti nxjerrin vandalistë që në gjenezë.

,
Libri i muzikës kaloi me sugjerimet tona. “Për të parën herë në librin e muzikës nxënësit e Maqedonisë, qofshin shqiptar apo maqedonas, do të mësojnë për instrumentet kombëtare shqiptare, siç është çiftelia dhe lahuta, do të mësojnë për historikun e tyre”, thotë anëtari i Komisionit shtetëror për përpilimin e teksteve shkollore, Skënder Hasani.
Nga ana tjetrë, bëhet e ditur se Maqedonia do të reagojë për tekstet e gjeografisë së Shqipërisë, ku thuhet se Kosova, disa pjesë të Greqisë dhe Malit të Zi, si dhe gjyma e Maqedonisë në aspektin gjeografik i takojnë Shqipërisë, por i janë shkëputur me dhunë pas luftërave ballkanike në vitin 1913.
Ambasadori maqedonas në Tiranë, Vele Trpevski, ka paralajmëruar reagim zyrtar nëse dëshmohet të sakta raportimet e mediave për përmbajtjen e librit.

3 komente në “Librat antishqiptarë në zjarr?”

  1. tori01 says:

    Epo kur bejne pordhe dhe maqedonasit,kesaj cfare i thone. Ah mor shqiptare te mjere qe nuk gjetet kurre nje burre shteti tju dale zot…..

  2. Neorealizmi says:

    Keta te autoquajtur “Maqedone” jane vjedhes te historise. Mbasi kane vjedhur Aleksandrin, Filipin, Nene Terezen, duan te vjedhin dhe emrat e fiseve ilire. E tere propoganda e tyre eshte e ndertuar mbi genjeshtra dhe fakte te pafaktuara. Ky komb nuk ekziston.

  3. brace1 says:

    maqedonsit skane histori,zduhet te kene ase gjuhe,duane te tjetersojne historine,ketu kane faje edhe shqiptaret,tju kundervihen me fakte,tani me maqedosit se shpejti do jene pakice,e ardhmja eshte e shqiptarve,ne maqedoni e kudo ne ballkan.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje