Hemorragji dhe asimilim i kombit!

4 Korrik 2011, 22:07Blog TEMA

“Ndërgjegjja Shqiptare”

News: Saliu deklaron të ulë popullsinë e fshatrave shqiptare deri në 3%. Serbët e maqedonasit për të ndaluar procesin e eksodit në fshatrat e tyre po martojnë beqarët e lashtë të  fshatrave të tyre me vajzat e fshatrave shqiptare.

Shumë gjëra po ndodhin në vendin tonë që e shqetësojnë shqiptarin e ndershëm dhe e lënë pa gjumë. Papunësia, pasiguria për të ardhmen, pasiguria se ku do përfundojnë fëmijët kur të mbarojnë shkollat, pasiguria e jetës në fshat për katundarin tonë të varfëruar atje ku s’mban më, politika e gjithanshme antikombëtare  që po ndjekin politikanët në fuqi, dhe mund të renditen këtu arsye pas arsyesh që e mbajnë shpirtin e shqiptarit zgjuar gjatë natës e të turbulluar gjatë ditës, janë bërë bashkëudhëtarë të pandarë të jetës së përditshme të shqiptarit.

Dhe mbi të gjitha këto, siç i thonin të moshuarit tanë dikur, thelë mbi bisht, lexon shqiptari i shkretë lajmin e trishtuar në gazetë, se vajza të reja nga veriu i Shqipërisë po martohen me serbë nga zonat rurale që janë gati të paguajnë 2000 deri më 5000 euro për të marrë nuse shqiptare. Ky lajm disa i nxeh së tepërmi, disa i bën të ndihen më të trishtuar se sa pothuaj janë kur mendojnë se në çfarë pike kemi arritur ne sa që vajzat shqiptare arrijnë të martohen më ca beqarë të lashtë serbë; beqarë që deri tani asnjë vajzë serbe s’ju a ka hedhur sytë, jo, më mirë po them s’ju ka hedhur as qurret. Dhe pyetja lind: ku i gjejnë gjithë këto para këta banorë të zonave rurale kaq të varfra të Serbisë për të paguar ndërmjetësit e këtyre shkuesive dhe prindërit e vajzave?

Trishtimi apo revoltimi që përfshin shqiptarët kur lexojnë për këto bëma që ndodhin në Shqipërinë e ngratë nuk ka kufi. Shumë njerëz kanë zgjedhur t’i shmangen leximit të gazetave sepse çdo lajm që lexojnë i shton më shumë trishtim jetës së përditshme që është e vështirë  edhe pa pasur  këto lloj lajmesh të depresuese.

Dhe vjen pastaj deklarata e kryetarit të shtetit shqiptar që thotë se do të ulë popullsinë e fshatit në 3%. Kjo i kalon të gjitha caqet e mendimit normal të shqiptarëve që kanë nevojë për pak sanitet mendor.  Dhe paradoksi është se shqiptarët e dinë se kur thotë kryeministri 3%, shumëzoje këtë 3% më një koeficient tepër të lartë, se ai asnjëherë nuk thotë atë që ka në plan, por gjithmonë jep një shifër që ai mendon se është disi e pranueshme për mentalitetin e zgjedhësve dhe që e përdor si një testim paraprak për një shifër më të lartë në një të ardhme të afërt. Ata e dinë se planet e tij janë gjithmonë më të thella se ato që paraqiten në fillesat e tyre. Dhe, kur shqiptarët  presin deklarata reale për forcimin e fshatit apo të ekonomisë në përgjithësi, për prodhim në vend të zarzavateve dhe frutave të përdorimit të përditshëm,    kryeministri jonë i shokon me planin që ka qëllim të ulë popullsinë e fshatit në 3%.

Dhe lajmi ndjek lajmin. Botohet në media një tjetër lajm depresues. Na qenka një tjetër agjenci në Maqedoni që po bën të njëjtën gjë. Kjo agjenci na martoka po ashtu beqarë të lashtë nga fshatrat maqedonase me vajza të reja shqiptare, shumica nga veriu i Shqipërisë.

E panë maqedonasit suksesin që po kishin serbët të mbanin gjallë fshatrat e tyre duke martuar çupa shqiptare, dhe o burra u hodhën dhe ata në aksion për në pishinën e mbushur me vajza shqiptare që të marrin dhe ata një thellë të majme në kusinë e genit shqiptar, çupa shqiptare të forta e  të shëndetshme për të forcuar genin e tyre që do shkonte dëm pa këto vajza.

Dhe motoja: Le të mbajmë gjallë racën tonë e t’jua shuajmë racën shqiptare. Le të shkojmë në Shqipëri e të marrim vajzat e mbetura pa martuar, se djemtë shqiptarë kanë ikur ku sytë këmbët, e kanë lanë fshatin shqiptar të shkretë e s’ka mbetur kush t’i martojë këto vajza, po përhapet shumë shpejt rreth e qark.

Ndërkohë, ne shqiptarët mendojmë të trishtuar  që po na i marrin vajzat tona ata që tërë jetën u munduan të na zhdukin me rrënjë e me degë, ata që i kanë duart të lyera me gjak shqiptar (s’po flasim këtu për gjakun ndërshekullor, por për gjak të freskët në duart e këtyre dhendurëve që para pak vitesh kanë qenë ushtarë aktivë në ushtrinë serbe dhe kanë vrarë e dhunuar shqiptarët e shqiptaret e Kosovës gjatë lëvizjes së KOSOVES për pavarësi.

Dhe çështja është se ata s’po përdorin forcë, përkundrazi po përdorin  mjetin e lashtë – modern të blerjes së gruas për lopë pjellore dhe pune! Ata po paguajnë para për të realizuar qëllimin e tyre. Deri këtu disa s’shohin asnjë të keqe.

Por lind pyetja logjike: Kush qëndron prapa këtij procesi famëkeq që po ndodh para syve të çdo shqiptari, qeverisë, deputetëve tanë të devotshëm ndaj qytetarëve që ju dhanë votën,  dhe shoqatave për mbrojtjen e  të drejtave të grave?

Nuk e di në se  këto vajza janë të ndërgjegjshme që po martohen me beqarë të lënur e të varfër dhe me njerëz që para disa vitesh mund të kenë dhunuar simotrat  e  tyre kosovare ? Kush duhet t’i ndërgjegjësojë këto vajza për ç’ka po ndodh në të vërtetë me to? A e dinë ato, që eurot që paguhen, dhe që krijojnë përshtypjen për familjet e tyre se po i martojnë vajzat në njerëz që kanë standard të lartë jetese, vinë nga kush dreqin se ku?

Kush duhet t’ia bëjë të qartë këtyre vajzave dhe prindërve te tyre se këta beqarë të lashtë po t’i kishin aq para nuk kishin pse të vinin e ‘psonisnin’  grua në tregun shqiptar? Kush duhet t’i tregojë atyre që ato do të përdoren si kafshë pune në fushë, dhe si makina prodhuese fëmijësh për të mbajtur gjallë fshatin serb dhe maqedonas kur fshati unë po braktiset çdo ditë e më tepër, dikur nga djemtë, tashti edhe nga çupat e   blera, dhe në një të ardhme të afërt nuk do të mbetet më gjak i ri të riprodhojë popullsinë e fshatrave shqiptare apo krahë pune të lërojë arat e prindërve pleq?

Do të vijë një kohë që  këto vajza të shitura do ta shohin realitetin e hidhur ku janë vërvitur si kafshë por do jetë tepër vonë.  E keqja do jetë bërë si për to ashtu edhe për kombin tonë të dëshiruar.

Dhe pyetja tjetër logjike të vërvitet në tru:

A duhen lejuar ndërmjetësit  e martesave me serbët e maqedonasit të veprojnë të lirshëm në Shqipëri. Eshtë e qartë se qëllimi i këtyre agjencive apo ndërmjetesave është  të thajnë fshatrat tona nga forca vitale rinore e ta përdorin genin tonë shqiptar për të mbajtur gjallë arteriet e kombit të tyre kur arteriet e kombit tonë po thahen cdo ditë e më tepër.

Ku qëndrojnë aktivistët e  “Aleances Kuq e  Zi”  në lidhje me këtë problem? Cfarë po bëjnë parlamentarët tanë për të ndaluar këtë hemorragji të kombit shqiptar e  për të mbrojtur integritetin kombëtar? Cfarë po bën Shoqata e   mbrojtjes së të drejtave të Gruas kur dihet botërisht tashmë se vajzat tona po shiten si bagëtia? Ku është zëri i Aleancës për Qytetarin që ka fituar në zonat ku kjo shitje po bëhet flagrante?

Tragjeditë e këtij kombi nuk paskan të mbaruar. Ne na duhet tashti të durojmë faktin që vajzat tona po bien në shtrat me burra të lënur, të varfër, e për më tepër kur ekziston mundësia që këta burra të kenë qënë dhe mund  të jenë kriminelë aktivë ndaj kombit tonë?

A është ky plani zoti kryeministër për uljen 3% të popullsisë në fshat që ti  na shite së fundi? Sa thellë shkon ky plan? Me djemtë ikur, kush e  ka rradhën pas maqedonasve të japë kontribut në boshatisjen e fshatit shqiptar edhe nga vajzat?

Kush përfiton nga kjo boshatisje e  fshatrave tona përveç armiqve tanë shekullorë, serbëve e maqedonasve? Në dorë të kujt do përfundojnë tokat e fshatarëve tanë kur të moshuarit në këto fshatra të mos kenë më trashëgimtarë të mbetur?

Fshatrat tona me të vërtetë po zbrazen zoti kryeministër. Ti e ke realizuar dhe tejkaluar me kohë 3%, tani  ti po punon për një shifër shumë më të lartë. Çfarë do të bësh me fshatrat shqiptare pasi atje të mos kenë mbetur më fshatarë në gjëndje të punojnë tokat? Do t’i hedhësh  fshatrat në ankand me cmime të lira për t’i blerë me kuç e me maç? Kush do jenë blerësit e parë? A do jenë të njëjtët blerës që gjithë shqiptarët i njohin mirë tashmë?  A do jenë sekserët e fëmijëve të  tu,  që deri tashti janë bërë pronarët më të mëdhenj të tokave në Shqipëri, prezent për t’i blerë e për t’i kthyer këto fshatra në pika turistikë? Ironikisht kemi fshatra të bukura dhe  me klimë të shëndetëshme, me ujë të pandotur, ja përse po bërtet kaq  shumë për zhvillimin e  turizmit ti zoti kryeministër këto kohët e  fundit?

A po kthehemi si në kohën kur bejlerët turq dhe sahanlëpirësit e tyre zotëruan shumicën e tokave shqiptare të marra nga  fshatari ynë  duke përdorur të njëjtat metoda por jo kaq të sofistikuara sa kjo?

Në Shqipëri po zbatohet një Sistem Asimilimi dhe Hemorragjie i popullatës në mënyrë shumë të “heshtur” por shume alarmante mu përpara syve tanë:

Marrje të kombësive greke në jugë nga njerëz që kanë qënë denbabaden shqiptarë !

Marrje të kombësive serbe në veri të Shqipërisë dhe Kosovës!

Braktisje e vazhdueshme të fshatrave nga forca vitale e të rinjve si shkak i varfërisë!

Dhe së fundi:

Shitja e  një force vitale sic janë këto vajza fshatare tek armiqtë tanë shekullorë.

A mund të pranojë ndërgjegja kombëtare e  shqiptarëve këtë paradoks marramëndës që po ndodh  sot?

Të dashur bashkëdhëtarë:

Të jesh me Sali Berishën pasi dëgjon dhe shikon se cfarë po ndodh në këtë vënd sot është baraz  sikur të jesh Anti-shqiptar.

Sali Berisha nuk përfaqëson dhe nuk ka përfaqësuar ndonjëherë platformën e vërtetë të  Partisë Demokratike. Partia Demokratike është një emër tëpër i madh që Saliu nuk ka të drejtë ta përfaqësojë  me platformën e tij antikombëtare.  Anëtarët e thjeshtë të partisë demokratike dhe të gjithë ata që janë midis të persekutuarve, dhe që mbështesin Sali Berishën po e bëjnë si në atë thënien popullore,

« Për inat të sime vjerre, vete fle me mullixhinë ! » ( i kërkoj ndjesë mullixhinjve në këtë kontekst se janë njerëz të ndershëm që e nxjerrin bukën e gojës me djersë të ballit)

Demokratë të ndershëm,

Ju nuk keni nevojë të mbështesni opozitën , por distancojuni sa s’është tepër  vonë për këtë vënd nga kjo  ushunjë që i është futur  këtij kombi deri në palcë dhe po ja than burimet jetësore Shqipërisë.

Krijoni një parti me të vërtetë demokrate  që të përfaqësojë jo vetëm idealet tuaja por edhe ato të Kombit Shqiptar!

Për hir të Kombit,

Mendoni për Shqipërinë më parë se sa për një rrogë që ju jep Sali Berisha.

Shqiptarë!

Nqs ju ka mbetur një fije dashurie për këtë komb:

Është koha të hapni sytë,  të zgjoheni, e të veproni për të shpëtuar SHQIPËRINË para se Shqipëria të ketë të njëjtin fat me këto vajza!

Ndaloni eksodin në fshatrat shqiptare!

Protestoni për këto shitje flagrante të vajzave tona! Ndaloni Hemorragjinë dhe Asimilimin e  popullsisë Shqiptare!

8 komente në “Hemorragji dhe asimilim i kombit!”

  1. miku says:

    Bravos autorit. Parashtron pyetje me vend.Jam shqiptar nga maqedonia, dhe qe moti e verej kete tragjedi tonen kombetare.Rastesisht njehere kam qene deshmitar i nje skene trishtuese tenje vajze shqiptare me nje te moshuar pothuajse dyfish nga ajo i cili ne fakt ishte burri i saj.Ndjeva nje keqarrdhje per te shkaku i menyres percmuese me te cilen ai i drejtohej si dhe nga slavishtja e saj e dobet kuptva se si eshte puna.Pra, shkurt dua te them, mend ne koke per ato vajza si dhe ato prinder qe i futen nje aveture te tille.Sa per udheheqesit e shtetit shqiptar, shoqatat joqeveritare duhet te bejne te pamunduren qe ky trend te stopoje sa me pare .Te tjerat i ka thene autori.

  2. Pajtim says:

    Po mbase funksionon ne drejtim te kundert. Ata femije te lindur do jene me gjak shqiptari, dhe ato fshatra serbe apo maqqedonase do te ndihen me shqiptare. E keqja do ishte po te shtohej numri i sllaveve ne shqiperi. Hajde se po shkojme perseri ne tokat tona. Hajde nuset tona, prodhoni sa me shume gjak shqiptari ne tokat tona te zaptuara sllave.

  3. Grigor says:

    O Pajtim. Ata femije do lindin ne Maqedomi e serbi. Do kene emra maqedone e serbe. Mbiemra sllave. Do shkollohen ne shkolla maqedone e serbe. Ato gra jane te blera dhe nje nje njeri qe blihet nuk mund ti imponohet atij qe e ka blere. Keshtu qe do imponohet tek e ata femije kombesia sllave dhe maqedone. Pse budallenj i di keta qe paguajne 2000-5000 euro? Nqs se Serbia dhe Maqedonia do kishin dhe dyshimin me te vogel qe keto fshatra do ndryshonin demografisht ne favor te shqiptareve do i lejonin keto martesa? I kane rene lapsit me kohe o Pajtim ata. Ne vazhdojme me muhabete pa buke ne kotesine tone. Ata po na lerojne grate t’i thua mbase na del per mire. Ti me kujton ate perallen e gomarit me ujkun. Qe kur ujku e kapi gomarin per fyti, gomari thoshte;- O zot ishallah eshte enderr!

    1. fatjon says:

      o shok ai kupton ti qe ato jane gra qe shumica ju ka ikur mosha e nuk i mer ose leron njeri ne Shqiperi dhe per te mos ngelur beqare gjejne kete zgjidhje alternative.

    2. shpulla says:

      fqinjet tane e dine qe shqiptaret nuk e kane problem te bejne femij me shumice dhe nga nje ane intereson per ngritjen e popullsise mos haroni qe kemi jetuar aty me shekuj dhe gjithemone jane martuar, ata per kete arsye thone qe kosova eshte bersoja e serbise sepse shume serbe jane me lidhje shqiptare. por nuk duhemi te ndertojme gjendje konfliktuale me fqinjet tane, ata te njohin kosoven dhe shqiptaret te jetojne ne harmoni francezet, anglezet, gjermanet e hoqen nga politika gjithe fjalorin luftarak ndermjet fqinjeve se ju kushtoi shume, dy luftera dhe miljona jete te shkateruara, nuk duhet te jemi xheloza sepse greket dhe sllavet jane nacionalista por duhet te ndertojme shqiperine ne menyre qe keta femij te jene krenare te jene shqiptar dhe ta flasin gjuhen shqipe me krenari. nuk jam nacionalist kur them ” e dua babain tim me shume se sa komshiun” por shqiperia ka shume per te bere per te rindertuar imazhin e shtetit si nje shtet i drejte.

  4. PAL says:

    N’shkoll m’kan mesu gjithmon se historia perseritet.

    Pra na ishte nje her nji pjedh e nje regjimi te kalbur qe per tu ber sunduesi i Tiranes u be agjent i zellshem i serbeve,grekeve, italianeve, ruseve e i gjith kuj qe i shtrite doren. Ndersa municionet e armatimet ai i dergonte ne depot e tij personale, ushtria serbe bente kerdin ne diber e gostivar mbi popullsin shqiptare te keq armatosur te tokave te aneksuara, kurse ushtria greke bente te njejten gje ne jug duke punuar edhe nje propagand te fuqishme pare syve te nderkomtereve. Ky pushti ishte ai qe dorzoi msheftas shkodren ne dor te malazezve .

    A nuk gjeni ndonje analogji mes ketyre dy personazheve?

    Un po pres akoma qe historia te perseritet. Po pres nji Avni Rustem.

  5. zana19 says:

    Te me falni qe po bej kete pyetje, por a ka mundesi qe dikush te me shpjegoje kuptimin e ketyre tre gishtave qe keto vajza te mjera mbajne lart me kaq krenari te shtire?

    1. Kosovari says:

      Tre gishtat përdoren nga ortodoksët serbë për të treguar kryqin dhe bashkimin e të gjithë serbëve. Ky gjest dhe është përdorur nga paramilitarët në luftën kundër shqiptarëve të Kosovës dhe tani përdoret nga lëvizjet ekstreme nacionaliste në Serbi. Në teknologjinë informative gjesti me tre gishta përdoret për të treguar rinisjen e kompjuterit kur nuk punon më si duhet (gishtat tregojnë shtypjen e tre tasteve Ctrl+Alt-Del).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje