Imuniteti politik dhe gjyqësor

4 Korrik 2011, 22:28Blog TEMA

Skema e proceseve gjyqësore ndaj politikanëve të akuzuar për korrupsion. Ligji proçedural penal shqiptar ka paraparë shkallë të lartë të dhënies së imunitetit penal politikanëve dhe funksionarëve të lartë shtetërorë dhe kjo situatë përbën një pengim të përhershëm të sistemit të drejtësisë

Nga Ulsi Manja, Profesor i së Drejtës

Çështja e imunitetit për politikanët, figurat e larta shtetërore dhe gjyqtarët nuk është e re. Për të ka mendime të ndryshme sidomos përsa kufijve të shtrirjes së këtij imuniteti. Disa mbrojnë idenë se parimi i imunitetit duhet parë si mbrojtje e lirisë për tu shprehur në parlament si zemra e sistemit demokratik, ndërsa për disa të tjerë imuniteti shihet si një ”minë me sahat” që në mënyrë aktive kërcënon themelin e demokracisë, barazinë para ligjit.

Më e nxehtë çështja e imunitetit është kur debatohet për përgjegjësinë penale të politikanëve në rastet e kryerjes së veprave penale prej tyre, madje sipas disa studimeve ndërkombëtare të bëra për nivelin e korrupsionit në botë, në shumë vende imuniteti i politikanëve dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë karshi ndjekjes penale shihet si shkaku kryesor i rritjes së nivelit të korrupsionit në vend.

Dihet se ryshfetet politike, korrupsioni dhe skandalet për konflikte interesash kanë si asete të tyre elitën politike dhe zyrtarët e lartë të një shteti dhe shpeshherë suksesi i luftës kundër korrupsionit varet nga shkalla e shtrirjes së imunitetit që gëzojnë kjo shtresë në Kushtetutë dhe në ligjet e vendit.

Në Shqipëri hetimet e shumë akuzave për korrupsion të nivelit të lartë janë penguar në mënyrë domethënëse duke nxjerrë si pretendim imunitetin madje e kanë përdorur këtë mbrojtje ligjore edhe kur ndaj tyre ka pasur akuza për vepra të rënda penale.

Eksperienca shqiptare e këtyre viteve dhe sjelljet e zyrtarëve të lartë shtetërorë në raport me imunitetin tregojnë qartë se imuniteti është parë si një korracë mbrojtëse ligjore karshi ndjekjes penale dhe jo si një privilegj kushtetues për të bërë si duhet detyrën që u ka ngarkuar ligji.

Nëse do të kuptohet si duhet natyra e imunitetit dhe qëllimet se pse ajo është paraparë në Kushtetutë nuk do të duhej të kishim asnjë pengesë të sistemit të drejtësisë për të hetuar dhe gjykuar personat e veshur me imunitet kur ata akuzohen për vepra të ndryshme penale. Por imuniteti vazhdon të jetë një pengesë konstante në këtë drejtim.

Sipas nenit 73 të Kushtetutës së R.SH “deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe për votat e dhëna prej tij, por kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet dhe në rastin kur ai do të arrestohet. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës”.

Të njëjtën shkallë imuniteti Kushtetuta jonë i jep edhe Kryetarit të shtetit dhe qeverisë, zyrtarëve të lartë shtetërorë (ministrave) si dhe gjyqtarëve.

Në referencë të këtij përcaktimi, legjislacioni kushtetues shqiptar njeh dy kategori të veçanta imuniteti:

Kategoria e parë e imunitetit i referohet parimit të mosmbajtjes përgjegjësi apo i lirisë së fjalës.

Kjo mbrojtje bazë u jepet politikanëve dhe ka për qëllim të mbrojë lirinë e fjalës dhe të shprehjes në parlament apo në ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese brenda legjislaturës dhe si kufi shtrirje kjo mbrojtje apo korracë ligjore shkon deri tek vepra penale e shpifjes apo tek veprat penale me natyrë tërësisht personale dhe jashtë sferës së ushtrimit të funksioneve të tyre ligjore.

Kemi të bëjmë me imunitetin politik që kushtetutshmërisht është dhënë për të siguruar dhe mbrojtur dy parime të tjera shumë të rëndësishme: pavarësinë e institucionit të parlamentit dhe lirinë e fjalës së të zgjedhurve nga akuzat e padrejta apo komentet që mund tu bëhen për shkak të një mjedisi të polarizuar dhe mbitensionuar politikisht.

Kategoria e dytë e imunitetit i referohet parimit të paprekshmërisë ose përjashtimit nga arrestimi.

Kjo kategori imuniteti rrok një spektër më të gjerë mbrojtje për politikanët apo zyrtarët e lartë shtetërorë duke garantuar të drejtën për të mos u arrestuar apo ndaluar pa një autorizim paraprak dhe ky lloj imuniteti kundërshtohet gjithnjë e më shumë nga opinion publik në Shqipëri pasi po përdoret gjithnjë e më shumë për t’i lidhur duart institucioneve të zbatimit të ligjit kryesisht prokurorisë përballë akuzave për korrupsion apo ryshfet ku shpeshherë janë përfshirë deputetë apo ministra të qeverisë.

Në Shqipëri imuniteti ndaj ndjekjes penale po keqpërdoret dhunshëm nga politikanët dhe në këtë qerthull politik duket ka rënë dhe drejtësia e cila të gjitha rastet që i ka çuar në derë prokuroria i ka pushuar për efekt procedurash gjyqësore pa i gjykuar në themel akuzat dhe ilustrimi më i mirë i këtij rebusi juridik janë çështjet penale në ngarkim të ish/ministrave Mediu dhe Basha.

Trajtimi dhe mënyra e përfundimit të çështjeve penale në ngarkim të tyre mendoj se ka hapur precedentë të rrezikshëm në drejtësinë shqiptare dhe ka çuar në demoralizimin apo pafuqishmërinë e prokurorisë për tu përballur në të ardhmen me këtë kategori zyrtarësh pavarësisht se ka prova që flasin për përfshirje në afera korruptive.

Flasim për imunitetin gjyqësor: nuk ka për qëllim të marrë në mbrojtje autorët e veprave penale pavarësisht nga rangu zyrtar që ata përfaqësojnë.

Ka për qëllim të sigurojë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të flasin të lirë në Parlament pa pasur frikë nga sanksionet penale dhe rrënimi i reputacionit; të mbrojë përfaqësuesit e zgjedhur nga ndalimi arbitrar, që do t’i pengonte të merrnin pjesë aktivisht në punimet e parlamentit dhe të shërbejë si mburojë kundër ndjekjeve penale, keqdashëse dhe për motive politike.

Imuniteti gjyqësor në rastin konkret u jepet politikanëve si një nevojë për të mbrojtur procesin demokratik dhe jo për të krijuar një klasë individësh të cilët qëndrojnë mbi ligjin.

Imuniteti gjyqësor përjashton kategorikisht mbrojtjen e politikanëve apo të zyrtarëve të lartë shtetërorë kur ata dyshohen apo akuzohen për krime korrupsioni, ryshfeti, skandale koncesionare apo kur për arsye përfitimi shpërdorojnë postin zyrtar.

Në rrafshin praktik, organi i hetimit duhet të ndjekë një sërë rregullash procedurale penale deri në zyrtarizimin e akuzës ndaj personave me imunitet që dyshohen për kryerjen e veprave penale të ndryshme që kryesisht i referohen sferës ekonomike dhe zyrtare.

Përveç kërkesës për autorizim të procedimit (neni 288 i k.pr.p), neni 289 i k.pr.p përcakton se “…deri në dhënien e autorizimit për të proceduar nuk lejohet ndalimi, caktimi i masave të sigurimit, kontrollimet, këqyrja e personit,njohja, ballafaqimi dhe përgjimi i bisedimeve ose i komunikimit ndaj personit për të cilin kërkohet autorizimi. Ai mund të merret në pyetje vetëm nëse e kërkon vetë…..”.

Ky përcaktim ligjor tregon qartë se ligji proçedurial penal shqiptar ka paraparë shkallë të lartë të dhënies së imunitetit penal politikanëve dhe funksionarëve të lartë shtetërorë dhe kjo situatë përbën një pengim të përhershëm të sistemit të drejtësisë.

Proxedura e stërmundimshme e heqjes së imunitetit i ka lidhur duart prokurorisë për të hetuar një sërë akuzash për vepra penale të ndryshme ndaj politikanëve por dhe u ka dhënë këtyre të fundit mundësinë që nëpërmjet mbrojtësve të tyre ligjorë të luajnë poker me drejtësinë duke spekuluar me afatet e hetimit dhe zvaeritjet pa fund të proçesit penal.

P.sh avokatët e ish-Zv/Kryeministrit Meta, ministrave Basha dhe Mediu kanë përdorur të njëjtën skemë gati identike për të penguar hetimet ndaj tyre duke filluar që nga sulmet mediatike ndaj prokurorisë, vonimin e dhënies se autorizimit për heqjen e imunitetit, mosparaqitjen pranë organit të hetimit për seanca pyetjesh duke nxjerrë si justifikim angazhime qeveritare apo axhendë të ngjeshur politike dhe që të gjitha këto i kanë bërë në funksion të humbjes së afateve të hetimit.

Ndonëse Basha ia arriti qëllimit dhe i shpëtoi gjykimit për efekt proxedurash tani në derë të Gjykatës së Lartë është rasti “Meta” i cili mediatikisht hoqi dorë nga kërkesa për pavlefshmëri të proxesit për shkak të humbjes së afatit dhe kërkoi gjykim me themel të çështjes.

Por ky veprim taktik i mbrojtjes erdhi pasi u pa qartë që veprimet hetimore të Prokurorisë së Përgjithshme ishin kryer brenda afateve dhe në respektim të plotë të rregullave të procedurës penale.

Në rastin e çështjes penale në ngarkim të ish-Ministrit Meta akuza ka në dorë një provë atipike siç është kaseta e emisionit “Fiks-Fare” dhe shtrimi i çështjes së pavlefshmërisë së ekspertimit teknik si provë apo caktimi dhe marja e mendimit të një eksperti të huaj pa e kaluar letërporosinë nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë duhet të jenë pjesë e një gjykimi serioz dhe rigoroz me themel në Gjykatën e Lartë e cila me këtë rast duhet të sqarojë shumë çështje juridike që kanë të bëjnë me nenin 287, 288, 324 dhe 509/5 të k.pr.p, për të mos lejuar në të ardhmen në raste të ngjashme lojëra fjalësh apo rekje pas klauzolave proxeduriale.

Nëse Prokuroria e Përgjithshme me hetimet që ka zhvilluar në rastin “Meta”, u ka dhënë përgjigje pyetjeve standarse për një hetim penal si: A kemi vepër penale ? Në rast se po ç’farë vepre penale kemi ? Kur ka ndodhur ? Ku ka ndodhur ? Kush është autori i saj ? etj , mbetet në dorë të Gjykatës së Lartë tu japë përgjigje shumë pyetjeve që shtrohen në rastin e hetimit dhe gjykimit të personave me imunitet, ku më kryesorja mbetet se si do të veprojë në raste të tjera organi i prokurorisë kur hetohen persona me imunitet dhe hetimi bazohet në prova atipike sepse gjyqësori shqiptar njeh plot raste kur qytetarë të thjeshtë janë dënuar me vendime gjykate të formës së prerë me kasetat e emisionit “Fiks-Fare”.

Përtej shqetësimit politik dhe sebepeve procedurale që gjejnë palët Gjykata e Lartë me gjykimin me themel të çështjes Meta duhet të tregojë si instancë e lartë e gjyqësorit shqiptar se për të “ligji është i barabartë për të gjithë”.

Dhe së fundi pak rëndësi ka se si do të mbyllet çështja “ Meta”, pasi kjo është çështje provash, rëndësi ka standardi që do të vendosë Gjykata e Lartë shqiptare e cila i druhet politikanëve të fuqishëm të këtij vendi duke lënë shpeshherë me pa të drejtë në baltë Prokurorinë që për hir të së vërtetës historikisht nuk e ka dashur asnjë pushtet në Shqipëri.

2 komente në “Imuniteti politik dhe gjyqësor”

  1. SERENA bAJRAKTARI says:

    Shkrimi juaj eshte i drejte dhe domethenes,po kush mund te zbatoje ligjin ne kete vend ne nji kohe qe ne krye te institucioneve drejtojne servile e frikacake qe kur ju kercet dhebet SALA ata SHURROJNE ne BREKE.

  2. xhemal says:

    mendoj se ne vendin tone duhet te shkruhen e miratohen ligjet me tekse me te shkurter me te qarte qe nuk lene shteg per interpretime p.sh votusi kur voton paraqet para komisionit dokumentin e identifikimit firmos ne liste ben gishtin me boje merr fleten e votimit apo fletet e votimit futet ne dhomen e fshehte voton duke i hedhur fletet ne kuti apo kutite sipas ngjyres i ndjekur ne kete rast nga nje komisionier per te mos gabuar e del nga qendra e votimit .te gjitheve ne qv u ndalohet te perdorin celulare aparate te tjera pervec atyre te percaktuara me ligj apo te pine duhan te prishin rregullin etj asnje trup gjyqesore nuk mund te intrepetoje ligjinjashte atyre qe jane shkruajtur e miratuar psh ne rast se une gaboj parkoj makinen jo ne vendin e duhur gjobitem e kaq shkoj e paguaj.ne rast se votusi gabon dhe e hedh voten gabim ajo eshe e pa vlefshme e kaq ne3 vendin tone nuk ka shtet te se drejtes por regjim cdo qeveri e zhgjedhur me vote te lire nga populli sovran ne programin e saqj ne krye te te gjithave duhet te kete permiresimi i jetes se popullit gje te tille une nuk e lexoj ne programin e qeverise e fundit imuniteti eshte i vlefshem deri ne momentin kur deputeti gjyqtari nuk kane shkelur mbi betimin e bere para popullit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje