Masa dhe Ajka

5 Korrik 2011, 21:41Blog TEMA

Nga Nasho Bakalli

Masa apo turma është gjithnjë shumica e popullsisë. Jeta e saj nuk ka mbarim. Çfarë bën turma? Ajo e dhënë mbas fitimit të jetës së përditshme dhe vrasjes së kohës, jep shenja të dobëta ndjesie për çështjet që nuk  prekin interesat e saj vetjake. Po elita?  Ajka apo elita, ngaqë është e pakët, qëndron lart. Ajo drejtohet nga pjesëtarë të saj. Jeta e një elite është e shkurtër për të bërë gabime. Po i lidhim të dyja me një shembull. Një njeriu tim, nga diaspora e vjetër shqiptare në Amerikë, më tregon se:  “… Sa për turmën, në Amerikë, ajo nuk jepet pas çështjeve të përgjithshme pasi njerëzit shikojnë si të mbushin xhepat me dollarë – me punë e djersë ama. Elita? Është tjetër gjë. Si kudo edhe atje ka ndonjë kongresmen apo senator të cilin mund ta kurdisësh të flasë ato që i lipsen kësaj apo asaj pale. Siç ngjau me ish-sekretarin e shtetit J. A. Baker, i cili, pas 20 vjetësh u kujtua t’iu thotë shqiptarëve se zgjedhjet janë të lira; se ato mundësisht t’i fitojë e djathta; se e majta duhet të mësohet me ndjenjën e nënshtrimit. … . Ajo që vlen të mësoni është se: elita atje nuk di të ndalet në udhën për të zënë e qëndruar  paprerë në majat e diturisë dhe zbulimeve bashkëkohore.  Patriotizma është e mbërthyer mirë në mendjen e elitës amerikane”.  Po, cila është pozita e elitës sonë? Duke përshtatur një shprehje hebraike mund të themi se: Turma bën plane – elita qesh. Themi qesh, sepse, edhe sot, pas 20 vjetësh pa diktaturë, elita shqiptare vazhdon që të përcjellë për publikun mesazhe abstrakte, të cilat, i shërbejnë përfundimit se: ajo nuk është ende e gatshme që të futet rrugën e elitës  amerikane. Ja dy shembuj që tregojnë fytyrën e saj qesharake? Elita zgjedhore shqiptare normoi, nëpërmjet ngritjes pabesisht të një akti-nënligjor, diktatin e Berishës se çdo votë e kudohedhur, kurdohedhur dhe nga kushdohedhur duhet numëruar dhe rivlerësuar në çdo kohë. Dhe produkti? Kriza politike në vend u zhyt edhe një këmbë më thellë në batakun e vet. Sa për të qarë e për të qeshur është edhe fakti se: elita e diktaturës shqiptare – alias – elita e shtetit kapitalist shqiptar, çdo ditë, që nga viti 1991, në media grin e grin lëndë vetëm për tradhtira, para, trafiqe, burgje, vrasje, vetëvrasje, arratisje, ngrirje, pederastira, spiunllëqe mes shokësh, kolegësh, familjarësh, institucionesh, dhe në marrëdhëniet pozitë-opozitë e anasjelltas. Ky përpunimi i pakufishëm, në kohë dhe në hapësirë, i kësaj lënde  i lë shteg dyshimit se drejtësia, nderi, sakrifica, mirëqenia, populli, atdheu, liria, ekonomia, arsimi, kultura etj., nuk  qenkan detyra, shqetësimet kryesore të punës dhe jetës së përditshme të ajkës së politikës së shtetit shqiptar. Fatkeqësi. E si mund të jetë ndryshe? Përderisa në jetën e partive nuk zbatohet parimi i qarkullimit të elitave politike. Përderisa politika i ka goditur rinisë të ardhmen, dhe ajo akoma ri duke lëpirë plagën. Përderisa Berisha, kreu i elitës qeveritare, merret me sofizma mbi arat, lajthitë, gështenjat, ngjyrën blu, korridoret e BE. Përderisa  kryeministri nuk konsideron objektivisht – në përputhje me situatën në vend – pozitën dhe rolin e  SH.B.A; B.E; FMN. Përderisa elita e mirëpaguar parlamentare  e bën shkel e shko punën e vet. Përderisa elita partiake përzjehet dhe humbet mes turmës – jo si populiste – duke u hedhur natyrisht në vese. Përderisa drejtësia vendos padrejtësi, duke e ngritur kështu  padrejtësinë në sistem. Përderisa në ditët e punës rrugët dhe kafenetë janë të mbushura me intelektualë, për të cilët dikush thotë se: quhet intelektual ai njeri që shkon në bibliotekë edhe kur nuk bie shi. E në këto rrethana: a mund të jetë elita e administratës shtetërore ndryshe nga ajka e politikës? Nuk shtojmë asgjë – përkundrazi – kur themi se inteligjencia e administratës shtetërore nuk prekin libër me dorë, nuk lexojnë as gazetën e jo më të bredhin, për të mësuar, në internet.  Është pastaj kasta e nëpunësve të kupolës, që çfarë të rrëfesh më parë. Vetëm sa lëshojnë mender mburrje në rendjen e tyre të marrë pas përfitimeve, rehatllëkut,  rrugëve jashtë shtetit, kumarit. Që vdesin për të tëhollur intriga e shtruar ato petë-petë. Që gdhendin e kalitin me mjeshtëri të admirueshme takëmet e servilëve, dallkaukëve, sekserëve. Që nuk epen së rrëmuari në të shkuarën, bindjet dhe privacitë e kolegëve dhe vartësve të tyre. Për të mos ju mbajtur më gjatë, si përfundim: elita dhe turma janë anë të medaljes shqiptare e cila, sot për sot, nuk përbën vlerë në kulturën dhe krishtërimin euroatlantik. Përballë këtij realiteti të urryer, për këtë shkallë papërgjegjshmërie të këtyre elitave, është pak, shumë pak, që të mërzitesh. Duhet vënë kuja, dhe me të madhe madje, aq sa edhe turma të tronditet e të pyesë: si, nuk paska sot, në këtë vend, një elitë të tillë që të marrë guximin e të thotë – ja ku jam? Që të marrë nisma ligjore për ti qëruar  gjirizet. Si, nuk paska një njeri apo disa të tillë që të dinë si ta shpëtojnë pjesën tjetër të ajkës, ndërsa, është tamam koha që  kjo të ngjasë në çdo formë qoftë, mjaft që të japë përfundime të mira për të gjithë shoqërinë. Përfundime që na lejojnë të kemi një jetë mendore dhe produkte në pajtim me kohën, në pajtim me historinë e Amerikës e të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Na pëlqen a nuk në pëlqen historia e Serbisë, kjo është krejt tjetër çështje, por elita politike e saj për hir të anëtarësimit në BE , për hir të mirëqenies së turmës, dorëzoi të gjallë në Gjykatën e Hagës sagën Millosheviçiane. Turma dhe Elita. Fatet e tyre janë të pandara – sido që t’i vërtitësh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje