Përshtypja se Prishtina ka afër gjysmë milioni banorë e Kosova 2 milionë e gjysmë fitohet vetëm për shkak të infrastrukturës së prapambetur që lë përshtypjen se ky është një vend i mbushur me njerëz. Shqiptarët janë të prirë t’i zmadhojnë gjërat dhe kështu mendojnë se jemi më shumë sesa që jemi. Në Kosovë dhe Shqipëri një qytetar mund të votoj disa herë, por nuk mund të numërohet në regjistrim të popullsisë disa herë në të njëjtin vend. Nuk është vetëm Kosova shtet të cilit nuk po i del hesapi me numrin e popullsisë. Kroacia nga shpallja e pavarësisë e deri me sot ka humbur gjysmë milioni banorë.
Askund sikur në Ballkan, e sidomos në Shqipëri e Kosovë, nuk ekzagjerohet numri i njerëzve që dalin në protesta, të atyre që marrin pjesë në manifestime të fushatës parazgjedhore. Sa herë kemi dëgjuar se ”gjysmë milioni njerëz janë tubuar në sheshin “Skenderbe” në Tiranë“, se “qindra e mijëra njerëz“ kanë marrë pjesë në ndonjë manifestim në Kosovë. Aq shumë janë të opsesionuar me numra partitë politike, sidomos në Shqipëri, saqë ato vetë bëjnë filmimin e tubimeve dhe u japin televizioneve në mënyrë që të duket ndonjë grumbull i madh njerëzve, që ia zë frymën njëri-tjetrit, sepse rrugët dhe sheshet janë të vogla për t’i zënë. Këto janë metoda manipulimi. Njerëzit megjithatë janë të prirë t’u besojnë. Në Kosovë është krijuar një përshtypje se kryeqyteti i këtij shteti të ri ka 600.000 banorë, apo së paku gjysmë milioni. Dhe tash zhgënjimi. Regjistrimi i popullsisë ka nxjerrë në shesh se Kosova ka diç më shumë se 1.7 milionë banorë, ndonëse mendohej se i ka 2.5 milionë dhe se Prishtina nuk i ka as 200.000 banorë.
Duhet të mendohet në mënyrë racionale rreth numrave dhe njerëzve. Unë kam qenë i prirë po ashtu t’u besoj shifrave që jepeshin me qëllime politike, sidomos të atyre për tubimet në fushatat zgjedhore. Një herë në jetë jam përballur me faktin e pamohueshëm se sa shumë janë 100.000 banorë,. Në vitin 2003 kam qenë në Barcelonë të shikoja El Clasicon, ndeshjen mes Barcelonës dhe Realit të Madridit. Neu Campi i famshëm i zë saktësisht 100.000 shikues dhe është stadiumi më i madh në Evropë. Kur sheh në atë stadium gjithë atë masë të pafund, kur sheh se si bllokohen me dhjetëra kilometra rrugët që çojnë kah stadiumi në këtë qytet të madh, me mbi 2 milionë banorë (me rrethinë mbi 4 milionë) atëherë përballesh me një realitet dhe nuk beson më se në sheshin “Skenderbe” mund të tubohet as 100 mijë e lëre më gjysmë milioni njerëz, ndërsa të mendosh se Prishtina si qytet, me rrugicat e saja dhe në ndërtesat e shëmtuara, i zë së paku 5 stadiume të Barcelonës, të duket fantazi shkencore.
Mund të ketë pasur parregullsi në regjistrimin e popullatës në Kosovë dhe kjo nuk do të na habiste. Numri i banorëve duhet marrë me rezerva, sepse nuk është bërë regjistrimi në veri të Kosovës. Por edhe ashtu numri eventualisht do të dilte rreth 2 milionë.
Përshtypja se Prishtina ka afër gjysmë milioni banorë e Kosova 2 milionë e gjysmë fitohet vetëm për shkak të infrastrukturës së prapambetur që lë përshtypjen se ky është një vend i mbushur me njerëz. Në Evropë sot nuk mund të paramendohet një qytet me gjysmë milioni banorë i cili nuk ka hekurudhë nëntokësore në transportin urban (apo Metro siç quhet) ose së paku rrjet të tramvajeve elektrikë. Prishtina nuk i ka as njërën as tjetrën. Ngarkesat nëpër rrugë gjatë ditës nuk duhet të na habisin. Infrastrukturës së pazhvilluar që krijon përshtypjen se ky qytet po i afrohet një metropoli me një milion banorë duhet shtuar edhe efektin që krijon ardhja e përditshme e njerëzve nga pjesë e tjera të Kosovës. Ky fenomen ndodh në secilin kryeqytet të botës. Në shumë prej tyre numri i njerëzve gjatë ditës shtohet rreth 30 për qind krahasuar me numrin real të atyre që jetojnë atje. Por ata nuk janë banorë të qytetit në fjalë.
Shqiptarët janë të prirë t’i zmadhojnë gjërat dhe kështu mendojnë se jemi më shumë sesa që jemi. Në Kosovë dhe Shqipëri një qytetar mund të votojë disa herë, por nuk mund të numërohet në regjistrim të popullsisë disa herë në të njëjtin vend. Në anën tjetër, Kosova është një vend që ka diasporë të madhe, ndër më të mëdhatë në Evropë e ndoshta edhe botë nëse krahasohet numri i atyre që jetojnë jashtë vendit me ata që kanë mbetur të jetojnë në Kosovë. Prandaj nuk do të ishte habi që numri i dhënë nga Enti Statistikor i Kosovës të jetë vërtet numër real i banorëve që sot ka Kosova, numër të cilit duhet shtuar edhe banorët në pjesë ku nuk është bërë regjistrimi.
Nuk është vetëm Kosova shtet të cilit nuk po i del hesapi me numrin e popullsisë. Kroacia nga shpallja e pavarësisë e deri më sot ka humbur gjysmë milioni banorë. Kroacia sot ka më pak se 4.3 milionë banorë, ndërsa para 20 vitesh ka pasur afër 4.8 milionë banorë. Zvogëlimi i numrit të banorëve në Kroaci në periudhën prej vitit 1991 deri me 2001 ka mundur të arsyetohet me pasojat e luftës, largimin e njerëzve për shkak të luftës dhe largimin e një pjese të madhe të serbëve. Por Kroacia edhe mes viteve 2001 dhe 2011 ka humbur më shumë se 150.000 banorë, apo, siç ka vërejtur gazeta “Jutarnji list” në kryetitullin “për dhjetë vjet është zhdukur një qytet i madhësisë së Rijekës“ (Rijeka është qyteti i tretë për nga madhësia në Kroaci).
Zagrebi ka dalë të ketë 800.000 banorë. Pra del të ketë 4 herë më shumë se Prishtina. Nëse shikohet nga avioni Zagrebi dhe shikohet Prishtinë kryeqyteti i Kosovës duhet si një qytezë e vogël. Ata që mendojnë se në Prishtinë jetojnë “gjysmë milioni njerëz“ të pyeten se ku jetojnë ata, në cilat ndërtesa, nëpër cilat rrugë mund të lëvizin, me cilat mjete të transportit urban udhëtojnë, në cilat pishina lahen.
Në vend që të çajnë kokën se “pse dolëm kaq pak në numra“ politikanët në Kosovë, në nivel qendror dhe lokal, shkencëtarët, sociologët dhe demografët, ekonomistët dhe të tjerët duhet të shfrytëzojnë të dhënat për të bërë analiza të duhura, për të ndërtuar politika urbanistike dhe infrastrukturë.
Duket e habitshme se as mediet nuk merren me ndonjë gjetje tjetër të regjistrimit, pos numrit të përgjithshëm të banorëve në Kosovë dhe në kryeqytet. Ka shumë shifra interesante që tregojnë ndryshime të mëdha. Prizreni si komunë na del me numër gati sa Prishtina. Komuna e tretë del të jetë Ferizaj, ndërsa Peja e katërta. Dendësia e popullsisë është element po ashtu interesant.
Tash ndoshta ka ardhur koha që të përballemi edhe me realitetin se diaspora është një bashkësi që jeton jashtë shtetit dhe nuk i takon fizikisht Kosovës. Edhe në vendet e Evropës ata numërohen kur të bëhet regjistrimi i popullsisë dhe nuk mund të numërohen dy herë. As vendet e zhvilluara të Evropës nuk e kanë të saktë numrin e kosovarëve që jetojnë në to. Kjo sepse një pjesë e tyre kanë pasaporta të Serbisë, ndërsa një pjesë tjetër kanë marrë shtetësi të vendeve ku jetojnë. Por në bazë të statistikave të EUROSTAT-it mund të thuhet me një besueshmëri të madhe se më shumë shqiptarë jetojnë në Evropën Perëndimore sesa në Kosovë. Vetëm shtetas të Shqipërisë në vendet e BE-së ka rreth 1 milion. Nëse kësaj i shtohet edhe numri i kosovarëve që jetojnë në këto vende, numri i shqiptarëve nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, nëse merret parasysh se diaspora e Shqipërisë është e re, krahasuar me atë të Kosovës që ka filluar të emigrojë para 40 vitesh. Atëherë nuk do të ishte ekzagjerim të supozohet se në BE plus në Zvicër e Norvegji, jetojnë rreth 2 milionë shqiptarë me prejardhje nga ato që ne i quajmë troje etnike. Kjo duhet të kuptohet si realitet dhe si një prej faktorëve pse numri i banorëve në Kosovë, e që mund të ndodhë edhe në Shqipëri, të dalë më i vogël sesa që ne kemi menduar.
Urime Agustin! Nje shkrim shume realist. Duke lexuar shkrimin tend interesant me vajti mendja te mijra e mijra shqiptare qe jetojme ne 50 Shtetet e Bashkuara te Amerikes dhe tek teksti i kenges: “Na llogarisni dhe ne…”
Jam dakord me ju, na pelqen te shtojme nga pak.Por edhe politika i do keto shtesa. I duhen per numer deputetesh.Gjithe veriu i shqiperise ka gjysmen e popullsise se kohes se komandantit, por numri i deputeteve nga ajo zone eshte i njejte si 20 vjet me pare.
Ju thoni “shtetas te Shqiperise ne Europe jane 1 million”- absurde edhe ty te pelqen te shtosh nga pak…HaHaHa I ke numruar dy here edhe ti
Palokaj ka shkruar salt se 1 milion shtetas shqiptar jetojn ne BE. Keypad shifra I ka dhen vet Bashkimi europian