Largpamësia e abuzimit
Rikthimi i dekreteve të Presidentit për emërimet në Kushtetuese, paraprirë me kërkesën ndaj Kushtetueses për interpretim të çështjes së rotacionit gjyqësor, përtej formalitetit, mbetet episodi i radhës surprizues i mazhorancës, prova e forcës ndaj institucionit ‘plangprishës’ të presidencës dhe investim në garantimin e të ardhmes politike të lidershipit të saj. Pas një viti, me një president të emëruar prej saj, ajo ka shansin të promovojë emra në gjyqësor me synim ‘kapjen’ e mëtejshme të tij në funksion të alibirave juridike apo imunizimit prej ankimimeve eventuale sikurse ka ndodhur jo rrallë në të shkuarën deri me figura qendrore të saj.
Gjykata Kushtetuese deri më sot është perceptuar relativisht objektive dhe përtej ndikimit politik në raport me elitën tjetër të gjyqësorit. Ndaj, për një mazhorancë që pushtetin e ka obsesion, ajo mbetet ‘kalaja’ e fundit e pa marrë. Me shpresën e një fitore të radhës në zgjedhjet e përgjithshme, ‘korracimin’ e gjyqësorit me individë të ‘telekomanduar’ politikisht dhe ‘formatimin’ e prokurorisë me ‘bekim’ të ri presidencial, mazhoranca do të përmbyllte një rreth të kontrollit integral të pushtetit me garancitë dhe komoditetin që pason.
Një hallkë e rëndësishme e procesit mbetet emërimi i presidentit të ri ndaj të cilit, mazhoranca e ‘djegur’ dy herë në të shkuarën, është në paranojën e ‘fryrjes së kosit’. Emërimi i tij mbetet mbijetesë për të ndaj gjasat janë që përballë thellimit të krizës politike, ajo të mos lëshojë pe, minimalisht deri në atë moment, ndaj çdo kërkese të opozitës apo komunitetit ndërkombëtar për zgjidhje politike, zgjedhje të parakohshme përfshirë.
Surprizat e pritshme
Me manovra si ajo me Kushtetuesen, mazhoranca nuk surprizon kërrkënd dhe surprizon gjithkënd. Përtej abuzimit haptazi apo të tërthortë të denoncuar prej opozitës e medias së pavarur, ajo, edhe brenda kontureve dhe rregullave të lojës demokratike, gjithnjë ka demonstruar, larg sensit të panikut, zhdërvjelltësi strategjike dhe taktike duke qenë përgjithësisht një hap përpara aksionit opozitar, mendimit të analistëve dhe opinionit publik. Efekt ky jo vetëm i intuitës e vizionit të lidershipit por dhe i kompensimit efektiv të çdo vakuumi si rrjedhojë e kapërcimit të viteve apo dinamikës së marketingut politik, prej ekipit efikas të këshilltarëve rrotull. Me këtë qasje proaktive, mazhoranca ka arritur shpesh të dominojë dhe orientojë dinamikën e titujve dhe komenteve në media sikurse të parashikojë, çorientojë dhe devijojë jo rrallë ‘adrenalinën’ opozitare direkt apo indirekt përmes ‘delfinëve’ të saj, që në të kundërt, ka surprizuar veçse rrallë skenën politike me aksionin e saj – rasti i grevës së urisë apo ankimimi në Kushtetuese i kufirit detar, duke u reduktuar kryesisht drejt sfumimit të efekteve të veprimeve të mazhorancës sesa parandalim të tyre.
Mazhoranca gjithnjë e ka patur një ‘As’ nën mëngë. Rrallëherë e zënë ngushtë, me serinë e ‘shashkave’ – Piramida, Kopshti Botanik, masakra e Tivarit, puçi i 21 janarit, centrale bërthamore, privatizime hidrocentralesh, heqje mandatesh deputetësh etj, ka arritur të ndikojë aksionin opozitar, reagimin publik dhe atë institucional për një mori çështjesh delikate dhe flagrante të demokracisë – Gërdeci, marrëveshja e ujërave, akuza për klientelizëm, përfolje rreth korrupsionit deri lidhje me mafian të ministrave të caktuar, 21 janarin, mostransparenca financiare e rrugës së Kombit, shembja e Zogut të Zi, bllokimi transparencës zgjedhore 2009 apo intimidimi i procesit elektoral të 8 majit.
Ndërsa është normale për politikën të shfrytëzojë zonat ‘gri’ që sistemi demokratik ofron si për të konsoliduar pushtetin apo për ta marrë atë, përtej filtrit ligjor, kodi etikës politike kërkon dhe domosdon për një vend të NATO dhe aspirant për në BE, që pushteti në veçanti, të dëshmojë ndjeshmëri perëndimore në mosabuzimin me të drejtat dhe shmangien ndaj përgjegjësive. Politikat e majta apo të djathta në vend mbeten luks për sa kohë korrektësia dhe përgjegjshmëria në qeverisje mbeten në pikëpyetje me vetë institucionin e dorëheqjes ende makth për të.
Sfida e normalitetit
Ndonëse në NATO, ne nuk jemi demokraci e konsoliduar për të pasur luksin e cenimit në vijimësi të tabuve të votës së lirë, pronës legale, përgjegjshmërisë në qeverisje, institucioneve të pavarura, medias dhe opinionistëve objektivë dhe ligjit të barabartë për të gjithë. Zanafilla e rrëmujës demokratike mbetet cenimi votës. Pa garantuar imunitetin e saj, tranzicioni zor se mbaron. Sepse ka përdhosur votën, politika sot nuk ka frikë nga ligji apo votimi i radhës duke inspiruar kështu një model që përhapet deri poshtë tek qytetarët e thjeshtë për të cilët vlerat e antivlerat tjetërsohen përditë.
Normaliteti nuk përse të jetë luks për një vend të NATO duke filluar nga e përditshmja e ushqimit që konsumojmë, ujit që pimë prej çezmës, vijave të bardha në rrugë, ndotja përtej pragut të derës, konsideratës ndaj të tretëve, deri në vlerat demokratike të votës së lirë dhe përgjegjshmërisë në qeverisje. Shoqëria shqiptare nuk ka nevojë për etiketa por për qasje politike perëndimore. Ndryshe, edhe nëse në BE, njëlloj siç sot paradoksi NATO konfirmon, qytetari shqiptar nuk do të ndjehet qytetar i BE dhe e përditshmja do të jetë larg prej standardeve që ai presupozon.
Luksi i ‘prekjes’ së votës
Normaliteti demokratik nuk mund të lidhet me fatin apo vullnetin e të tretëve ndaj nesh. Miqtë anglo-saksonë dhe partnerët perëndimorë nuk mund të ndihmojnë progresin demokratik kur ai cenohet në thelbin e tij të votës së lirë. Këtë gjuhë ata nuk e kuptojnë dhe nuk kanë çfarë të thonë. Perëndimi mbetet inspirues, pasqyrë ku verifikojmë vetveten dhe projektojmë të ardhmen ndërkohë që pritshmëritë ndaj tij duhet të jenë reale për të shmangur zhgënjime apo përjetime mirazhesh të panevojshme që ndikojnë në komunikimin me të.
Përtej fatalitetit të asaj që është ‘shkruar’ në kancelaritë perëndimore, normaliteti demokratik duhet merituar. Normaliteti fillon me vetveten si qytetarë dhe votues për t’u përcjellur më pas në frymën e politikës dhe shtetit kudo. ‘Tulla’ e parë drejt normalitetit mbetet vota duke filluar me atë të 8 majit. Më 14 maj patëm një fitues dhe një fitore që u zhbënë nga ‘alkimia’ elektorale e pushtetit dhe sot Kolegji Zgjedhor është i zgjedhuri për të ngjizur trashëgiminë e drejtësisë e respektit për votën si gjeneza e demokracisë. Nervi demokratik i shoqërisë nuk duhet të tolerojë shpërfilljen e saj dhe pas Tiranës, sfida e radhës mbeten zgjedhjet e parakohshme. Fillon nga vetja, fillon nga vota. Me votën e çliruar, të tjerat vijnë lehtë.