Mario Baloteli është një nga lojtarët më të kritikuar për momentin, për shkak të papjekurisë së tij, si në fushën e lojës, ashtu edhe jashtë.
Rasti më i fundit ishte në ndeshjen miqësore kundër Los Anxhelos Galaksi, kur Baloteli përballë portierit, nuk gjuajti për të shënuar, por bëri një finte, çka e tërboi Mançinin, i cili e nxorri jashtë fushës së lojës.
Por, në mbrojtje të Balotelit ka dalë legjenda britanike, Dejvid Bekam, që ka thënë se sulmuesi italian është një lojtar i madh dhe ka mundësi për t’u përmirësuar, për shkak se është i ri.
“Baloteli është një lojar i madh prej kohësh, edhe pse është i ri. Dhe, ka mundësi për t’u përmirësuar akoma”, ka thënë Bekam, i cili megjithatë i ka dhënë edhe një këshillë sulmuesit të Mançester Sitit:
“Lojtarët në çdo ndeshje duhet të tregohen profesionistë, pasi ka shumë fëmijë që i ndjekin ndeshjet. Në rastin e Balotelit, ai duhet të kishte shënuar, pasi një profesionist i vërtetë duhet të veprojë në këtë mënyrë”.