Sulmuesi malazez, Mirko Vuçiniç, është prezantuar gjatë ditës së sotme si lojtari më i ri i bardhezinjve të Juventusit. Malazezi është shprehur entuziast për kalimin e tij tek Juventusi, duke thënë se ka kaluar tek bardhezinjtë për të fituar.
“Tek Raoma përfundova një cikël dhe për këtë arsye vendosa që të largohem. Zgjodha Juventusin, sepse është ekipi më i njohur dhe më i dashur në Itali”, kanë qenë fjalët e para të malazezit.
Më pas ai ka vijuar, duke thënë se, “nuk më rëndon fakti që nuk do të luaj në Ligën e Kampioneve. Skuadra është e fortë, është ndërtuar për të fituar dhe ne do të përpiqemi që të fitojmë sa më shumë ndeshje”, është shprehur Vuçiniç.
Malazezi konsiderohet si blerja më e rëndësishme për Juventusin këtë sezon, së bashku me Pirlon dhe Vidal. Ai i ka kushtuar Juventusit 15 milionë euro, ndërkohë që ka nënshkruar një kontratë katër vjeçare, nga e cila do të përfitojë 3.5 milionë euro në sezon.