Interesimi i vendeve të rajonit për tregun e Kosovës shqetëson Beogradin

25 Gusht 2011, 11:59Rajoni TEMA

Mosmarrëveshjet në mes Beogradit dhe Prishtinës rreth vulave doganore dhe bllokimi i futjes së mallit nga Serbia në Kosovë, ka bërë që disa vende të përpiqen ta shfrytëzojnë këtë situatë për të shitur sa më shumë produkte, shkruan agjencia serbe Tanjug.

“Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria dhe Turqia, por edhe disa vende tjera të regjionit tash bëjnë përpjekje të depërtojnë në terren të zbrazët, pasi Kosova medoemos duhet  të importojë shumë prodhime, të cilat më parë i ka siguruar nga Serbia. Bëhet fjalë para se gjithash për drithërat, miellin, sheqerin dhe prodhimet tjera ushqimore, pijet joalkoolike, çimenton dhe materialin tjetër ndërtimor”.

Që kur Qeveria e Kosovës, bllokoi mallrat serbe, sipas Tanjugut, në treg ka nisur të futet edhe Bullgaria.

“Javën e kaluar, krahinën e kanë vizituar disa qindra pronarë firmash të këtij vendi, të cilët gjatë bisedave me nikoqirët kanë shprehur gatishmërinë për rritjen e shkëmbimit tregtar”, shkruajnë mediet serbe, duke cituar edhe premtimin e ministrit të Bujqësisë në Qeverinë e Bullgarisë, Miroslav Najdenov, dhënë autoriteteve kosovare.

“Në rast të mungesës në treg, ne jemi të gatshëm t’i ofrojmë Kosovës miell, madje nëse është e nevojshme edhe nga rezervat shtetërore”, pati thënë ministri Najdenov gjatë qëndrimit në Prishtinë.

Prishtina nga ana e vet ka treguar vullnetin për të hequr të gjitha barrierat administrative dhe doganore për mallrat nga Bullgaria. Prishtina pret përparim në shkëmbimin tregtar edhe me Kroacinë. Ambasadori i Kosovës në Zagreb, Valdet Sadiku, me t’u vendosur për bllokimin e mallrave serbe, ka ftuar kompanitë kroate që me më shumë forcë të futen në tregun kosovar. Në Kosovë veç operojnë 120 firma kroate dhe se shkëmbimi tregtar ka arritur në 58 milionë dollarë.

Vizita e kryeministres Jadranka Kosor, të cilën e shoqërojnë edhe shumë afaristë, po ashtu është në funksion të tregut, vlerësojnë mediet në Beograd. Maqedonia thonë se veç e ka të zhvilluar shumë bashkëpunimin tregtar me Kosovën dhe se vlera e shkëmbimit vjetor ka arritur në 320 milionë dollarë. Ndërsa rritje bashkëpunimi pritet me Shqipërinë.

“Problemi, megjithatë është se Shqipëria si vendi më i varfër në Evropë përballet me mungesë të shumë prodhimeve e të cilat duhet t’i importojë vetë”.

Më shumë “brengosëse” për agjencitë serbe duket të jetë angazhimi i Turqisë.

“Turqia është vendi më aktiv dhe atë që nga dita kur e pranuan pavarësinë. Janë të pranishëm në Kosovë jo vetëm me tregti, por edhe me investime të mëdha”.

Shqetësimeve të zyrtarëve të Beogradit, të shprehura “pa dorëza” ditëve të fundit, i është bashkuar edhe kryetari i Odës Ekonomike, Milosh Bugarin. Ai ka deklaruar se për shkak të bllokadës së Prishtinës zyrtare, Serbia do të humbë 250 milionë dollarë deri në fund të vitit, ndërsa dëmi indirekt sipas tij është se malli serb së shpejti do të zëvendësohet me mallin e vendeve fqinje.

“Vendet e regjionit po bëjnë gara për tregun e Kosovës dhe atë po e bëjnë afaristët e Kroacisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë. Të gjithë duan të infiltrohen në tregun e Kosovës”, ka thënë Bugarin.

Pyetjes se çfarë mund të ndërmarrë Serbia në këtë drejtim, ai tha se janë të domosdoshme bisedimet dhe arritja e një marrëveshjeje të shpejtë që mundëson lëvizje të papenguar të mallrave dhe njerëzve në të dy drejtimet. /KD/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje