Skënderbeu, Tirana, Flamurtari dhe më pas…., starton kampionati shqiptar

10 Shtator 2011, 13:07Sport TEMA

Tirana duket rivali i parë i kampionëve. Flamurtari dhe Kastrioti kanë lëvizur mjaft në merkato, por do të nisen nga radha e dytë. Mbrapa tyre vijnë Teuta dhe Vllaznia

Nga A e Ahmatajt te Xh e Xhihanit, alfabeti i merkatos së skuadrave të superligës ka këmbyer shumë emra, duke i modifikuar pozicionet e skuadrave para startit të kampionatit të ri. Disa orë para ngritjes së siparit të Kampionatit të 73-të Kombëtar të Futbollit, për superligën, po mundohemi të parashikojmë, jo të bëjmë “Kasandrën”, lidhur me pretendentët realë, që mund të rivalizojnë në luftën për titull.

Rivalë të cilët, referuar punës së bërë në merkato dhe përgatitoren e verës, mund t’i ndajmë në dy grupe. Ata të linjës së parë, ku përfshihet Skënderbeu, Tirana dhe Flamurtari, ndërsa në linjën e dytë po fusim Vllazninë, Kastriotin dhe Teutën.

Futbolli ka të papriturat e veta, ndaj edhe është kaq emocionues dhe i papritur, çka do të thotë se këto dy “nivele” pretenduesish mund të inteferojnë tek njëri-tjetri gjatë zhvillimit të kampionatit, ashtu sikurse mund të ketë edhe ndonjë “autsajder”, që mund të befasojë. Në këtë kuptim, edhe për këtë analizë tonën, në prag të startit të kampionatit të ri, ka vlerë thënia: ”S’ka rregull pa përjashtim”.

Skënderbeu Kuqebardhët korçarë kanë mbetur të njëjtët, në pretendime, me ata të sezonit të shkuar. Sigurisht, me valencat e kampionit në fuqi, ata do të kërkojnë ta mbrojë kurorën. Këtë e thotë logjika, edhe përforcimet që ka bërë, por e përgënjeshtruar në 90 minutat e Superkupës me Tiranën, kur u mund brenda në Korçë, në një ndeshje që i tejkaloi caqet e futbollit.

Sidoqoftë, një moment i tillë dobësie s’mund të eklipsojë një garë 9-mujore në vazhdim, ku kuqebardhët premtojnë të jenë në vijën e parë. Një parashikim që nuk ka lidhje vetëm me faktin se korçarët janë kampionë të Shqipërisë, sepse ka rëndësi më shumë mënyra se si e kanë ruajtur grupin e sezonit të shkuar, se si janë përforcuar, në krahasim me atë që kanë, ose nuk kanë bërë kundërshtarët e tyre.

Në një grup të bashkuar teknikisht dhe taktikisht është një vlerë e madhe e shtuar Daniel Xhafaj në sulm, veçanërisht, çka të bën të mendosh se është kuruar më së miri sëmundja e sezonit të shkuar, mosefikasiteti në repartin ofensiv.

Tirana dhe Flamurtari Janë dy skuadra me traditë në futbollin tonë, që kanë ndryshuar shumëçka nga sezoni i shkuar. Duke nisur nga trajnerët, moduli i lojës dhe lojtarët kyç. Spanjolli Hualin Rubio i bardhebluve ka në dispozicion një grup të riformatuar themelesh, i cili ka pësuar tkurrje së fundi, me largimin e Muçës dhe të riut Kërçiku.

Po kështu, Tirana e tij do të niset pa goleadorin e sezonit të shkuar, kroatin Pero Pejiç, një “lokomotivë” e 24 herë kampionëve të vendit në këtë periudhë kohore, për të cilën po flasim, por ndoshta me Balën e rilindur në kryeqytet. Me partner sulmi kamerunasin Etogo, por pse jo edhe me kenianin 19-vjeçar, Arita, i konsideruar talent dhe një “makineri golash” në vendin e tij, shkodrani premton të jetë “bekimi” i vërtetë i repartit ofensiv të bardhebluve.

Sa u takon reparteve të tjera të Tiranës, duke parë se alternativat janë të pakta në stol, pikëpyetjet për trajnerin iberik nuk kanë të mbaruar. Sidoqoftë, pritet të jetë e çmuar krenaria e luftëtarëve të afruar këtë verë, si Ahmataj dhe Pisha në repartin e pasmë, ku siguria më e madhe vjen, gjithsesi, nga portieri Ilion Lika.

Edhe Flamurtari ka qenë një “kantier” klasik ndërtimi, ku punimet ende vazhdojnë, me një avantazh të vetëm: pas vendit të dytë në kampionatin e fundit, ku është ndier i vjedhur, duhet të ketë egon labe për t’u përmirësuar e hakmarrë, njëkohësisht. Gjithsesi, kërkimi i ngutshëm për zëvendësuesit e mjaft të larguarve, me marrjen e Abrahamit, Shtubinës, Hysës, Droganovit dhe Rajoviçit, duhet parë nëse mjafton për të kompletuar një skuadër, së cilës i është larguar “shtylla kurrizore”, nga mbrojtja në sulm, me përjashtim të portierit Moçka.

Veçanërisht ky dyshim ekziston më shumë për sulmin, ku vendin e një goleadori race, siç është Daniel Xhafaj, duhet ta mbulojë dueti Hysa-Droganov. Me një alternativë për t’u dëshmuar e provuar, si i riu Shehaj, i cili, në fakt, në Kupat e Europës (ndaj Buduçnostit) dha shenja shumë pozitive. Në “timonin” e vlonjatëve ka ndodhur rokada Magani-Lutaj.

Rikthimi i këtij të fundit te Flamurtari, tashmë si trajner e jo futbollist, pas një eksperience të konsiderueshme në trajningun suedez, përbën një garanci më shumë se kuqezinjtë s’do ta “braktisin timonin e anijes” së kampionatit deri në fund. Me synimin madhor, fitimin e titullit.

Vllaznia dhe Kastrioti Të rifillosh me punën e bërë një sezon më parë, me të njëjtin trajner, është një avantazh i madh, që midis ekipeve të kuotuara në këtë shkrim për të rivalizuar sezonin e ri, e kanë vetëm Vllaznia dhe Kastrioti. Por, duke parë se Mirel Josa, pjesë e elitës së trajningut shqiptar për momentin, ka humbur mjaft nga skuadra e sezonit të shkuar, ai është ndoshta njeriu që s’i ka mjetet e duhura për të përmbysur parashikimet.

Rikthimi i Sinanit dhe mbajtja në skuadër e Vajushit, megjithatë japin shpresa se goli te Vllaznia nuk do të mungojë. Në mesfushë, pak lëvizje titullarësh kanë ndodhur, por mbetet të kompensohet veçanërisht ikja e kosovarit Ilir Nallbani. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për qendrën e mbrojtjes, aty ku i “qan më shumë zemra” Josës.

Largimi te Flamurtari i malazezit Rajoviç krijoi nevojën e ethshme për t’i gjetur pasuesin, i cili ka ardhur po nga Mali i Zi, quhet Gavriel Petroviç. Garanci më vete për kuqeblutë përbën portieri Vujadinoviç, më i miri i kampionatit shqiptar në sezonin e shkuar. Mbetet të shihet çfarë efekti do të ketë kalimi i skuadrës nga duart e një presidenti, Fushaj, tek ato zyrtare të bashkisë së qytetit, si poseduesja e 100 për qind të aksioneve të klubit kuqeblu, për momentin.

Raport i kundërt duket në kampin krutan, aty ku, nëse themi të vërtetën, ai që rrezikon më shumë është trajneri. Presidenca krutane ka blerë shumë lojtarë të spikatur. Në dispozicion të Ndreut janë thuajse dy skuadra, por problem mbetet “ngjizja’ e grupit, e filozofisë së lojës, e mentalitetit fitues të një skuadre, që ka luftuar gjithnjë për të mbijetuar në superligë. Mungesa e një performance bindëse në miqësioret e deritanishme, por edhe largimi i beftë dhe i shpejtë i dy-tre lojtarëve nga Kastrioti,

tregon se mungon ekuilibri i duhur. Probleme për të cilat duhet të kujdeset trajneri, ashtu sikurse është po ky person, i pari që duhet të paguajë mosjustifikimin e investimeve të mëdha të presidencës në merkato. Gjithsesi, Vllaznia dhe Kastrioti premtojnë për të qenë në radhën e dytë të luftës për titull, ndërkohë që në radhën e parë, veç kuqebardhëve, mund të përfshijmë edhe bardheblutë e kryeqytetit dhe kuqezinjtë e Vlorës.

Teuta Edhe skuadra durrsake është angazhuar fuqishëm në merkaton e kësaj vere, me trajner të ri, Hasan Likën, nën dirigjimin edhe të Starovës. Sidoqoftë, në pamje të parë, Teuta duket e panjohura më e madhe. Sa u takon skuadrave që mund të rivalizojnë për titullin, si pjesë e radhës së dytë.

Ruajtja e grupit të sezonit të shkuar, me disa elementë potencialë në sulm, afrimi i Osmanit në prapavijë, apo i Veliajt dhe Mancakut në mesfushë, veç të tjerëve, e kompletojnë më së miri skuadrën durrsake. Gërshetimi i elementit të ri me atë të eksperiencës përbën një veçori suksesi në futbollin e sotëm, çka mishërohet më mirë se askund tjetër te Teuta.

Shqetësim, deri më tani, ka qenë mungesa e mbështetjes së tifozërisë durrsake për skuadrën e saj të zemrës, sidomos kur “djemtë e detit” luajnë në shtëpi, çka e disavantazhon jo pak në raport me rivalët e cituar më sipër.

Gjithsesi, nëse Teuta do të dijë të performojë në nivelin e duhur, të definohet si një pretendente për kreun e renditjes. S’ka se si t’i mungojë edhe tifozëria. Ardhja e kësaj të fundit në stadium, si kudo në botë, varet nga cilësia dhe produkti i skuadrës përkatëse, ndaj ky raport reciprok ka gjasa të superohet pozitivisht në sezonin e ri./sportishqiptar/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje