Drejtuesit e 12 skuadrave të elitës së futbollit spanjoll janë takuar të enjten për të luftuar për më shumë para nga të drejtat televizive. Krerët kërkojnë që t’i japin fund ndarjes, sipas tyre, të padrejtë të fitimeve nga të drejtat televizive, ku pjesën më të madhe e marrin gjigantët Barcelona e Real Madridi.
Presidenti i Sevillas, Jose Maria del Nido, ka udhëhequr këtë “sulm” ndaj dy gjigantëve spanjollë, duke thirrur të gjitha skuadrat me përjashtim të Barcelonës dhe Real Madridit në stadiumin e skuadrës së tij “Ramon Sanchez Pizjuan”.
“Skuadrat do të luftojnë kundër sistemit fyes, të pabarabartë dhe jokorrekt të ndarjes së parave që vijnë nga të drejtat televizive, që është rast unik për ligat e mëdha evropiane. Çdo vit ky sistem po i favorizon Realin e Barcelonën dhe kjo po rezulton që të rritet vazhdimisht diferenca në performancën sportive. Me më shumë të ardhura nga të drejtat televizive ato po mund të blejnë lojtarë më të fortë, që do të thotë se edhe po fitojnë sponsorë më të mirë”, ka thënë Del Nido.
Real Madridi dhe Barcelona fitojnë nga rreth 140 milionë euro çdo vit nga të drejtat televizive, derisa tjera të elitës si Levante, Malaga apo Real Sociedadi fitojnë nga 12 milionë euro. Dy gjigantët fitojnë gati gjysmën e të gjitha të ardhurave nga të drejtat televizive.
Presidenti i Sevillas, Del Nido, kishte akuzuar rëndë krerët e ligës spanjolle.
“Kjo është ligë e Botës së Tretë ku dy klube marrin të gjitha të hyrat nga të drejtat televizive”, kishte thënë Del Nido ditë më parë.
Pos Sevillas në mbledhjen e së enjtes ishin prezent edhe krerët e skuadrave si Athletic Bilbao, Atletico Madrid, Real Betis, Espanyol, Granada, Malaga, Osasuna, Santandar, Valencia, Villarreal e Zaragoza. Edhe skuadrat tjera si Sociedad, Getafe, Vallecano, Gijon që nuk ishin në mbledhje, janë pajtuar që t’i bashkohen fushatës së Del Nidos. Mallorca e Levante nuk janë deklaruar ende për këtë nismë.