Javën që vjen, saktësisht më 12 tetor, Komisioni Evropian do të nxjerrë raportet vjetore të progresit për vendet kandidate dhe kandidatët potencialë, përfshirë edhe Kosovën. Si zakonisht, në mënyrë objektive kryesisht do të jepet një pasqyrë e situatës në Kosovë, e performancës së institucioneve të saja dhe shërbimeve publike, si edhe sfidat që duhen adresuar. Edhe ky raport do të nxjerrë një pasqyrë mjaft të zymtë të realitetit kosovar, me plot korrupsion dhe krim të organizuar, pa liri të mjaftueshme të shprehjes së lirë, probleme në shumë fusha, si prokurimi publik dhe fusha tjera. Por ky raport nuk do të prekë punën e vet misioneve të ndryshme të BE-së në Kosovë, përveç në rastet kur do t’i ftojë të gjithë që të bashkëpunojnë me to. Janë natyrisht institucionet e Kosovës ato që kanë përgjegjësinë kryesore për situatën. Sidoqoftë, duke pasur parasysh se Kosova nuk është shtet me pavarësi të plotë, dhe është një lloj projektshteti i përbashkët me bashkësinë ndërkombëtare, me praninë e BE-së, që ka edhe fuqi ekzekutive në fushën e rendit dhe ligjit, ajo ndan në një masë përgjegjësinë për situatën e sotme. Komisioni Evropian nuk bën dhe nuk mund të bëjë raporte progresi për punën e pranisë së BE-së në Kosovë. Por nëse do të përdorej metodologjia e Komisionit Evropian për vlerësimin e vendeve kandidate dhe në bazë të tyre të bëhej një Raport progresi për misionet e BE-së në Kosovë, ai nuk do të dilte shumë pozitiv.
Pota „rrotullojmë“ qasjen dhe të bëjmë një raport progresi për BE-në në Kosovë, me fjalorin e Raportit të progresit të Komisionit Evropian, kështu do të mund të dukej ai raport për punën e BE-së:
“Bashkimi Evropian ka vazhduar të deklarojë përkushtimin e vet politik për të ndihmuar zhvillimin e një Kosove multietnike dhe demokratike. Ky përkushtim është përsëritur nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian. Por dallimet në qëndrimet rreth statusit, zvarritja e procedurave për të caktuar shefin e Zyrës Ndërlidhëse të BE-së dhe interesat politike të shteteve anëtare kanë ndikuar që realizimi i detyrave të pranisë së BE-së në Kosovë të jetë me mangësi“.
“Në aspektin politik BE-ja vazhdon të jetë e mbyllur për marrëdhënie kontraktuale me Kosovën dhe nuk ka nisur ende as dialogun e vizave. Problem paraqet edhe mosvazhdimi i preferencave asimetrike tregtare të BE-së për plasimin e mallrave kosovare në tregun evropian. Kjo është në gjë për shqetësim serioz nga ana e Kosovës, e cila kërkon nga BE-ja që të adresojë me seriozitet këto çështje“
“Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë ka arritur një lloj progresi. Ka zëvendësuar ata persona që u ka kaluar mandati me staf të ri të rekrutuar nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm sipas Traktatit të Lisbonës. Megjithatë, është për shqetësim serioz fakti se nga Brukseli për shumë muaj nuk është zgjedhur shefi i kësaj zyre“.
“BE-ja ka vendosur që të heqë kompetencat e Peter Feithit si i dërguar i posaçëm i BE-së, duke e ndarë këtë post nga ai i përfaqësuesit të lartë civil. Kjo ka bërë që në Kosovë më të mos ketë asnjë autoritet ndërkombëtar, i cili do të mund të flasë qartë në emër të bashkësisë ndërkombëtare ose edhe të BE-së. BE-ja në anën tjetër nuk ka fare marrëveshje që të bashkojë postin e shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian me atë të përfaqësuesit të lartë të BE-së. Kështu posti më i lartë politik i BE-së në territorin e Kosovës vazhdon të kryhet nga një i dërguar i përkohshëm i posaçëm, Fernando Xhentilini. Ai nuk ka arritur të krijojë në Kosovë një autoritet politik dhe shumë rrallë flet. Pra BE-ja në vend që të qartësojë praninë e saj në Kosovë në periudhën raportuese e ka komplikuar atë edhe më shumë.Potë mos ishte angazhimi personal ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mungesa e një qëndrimi të qartë të BE-së në Kosovë ka kërcënuar të lejojë një anarki totale politike në Kosovë“.
“Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, nën lehtësimin e BE-së, ka nisur dhe ka dhënë rezultatet e para. BE-ja ka luajtur këtu një rol pozitiv. Megjithatë nuk është bërë sa duhet në zbatimin e marrëveshjeve të arritura. BE-së i ka munguar një autoritet për të bindur palët, sidomos Beogradin, që të zbatojë të arriturat. Dy runde të dialogut janë anuluar për shkak të mosgatishmërisë së Beogradit që të marrë pjesë në to. Duke pasur parasysh se BE-ja ka investuar pothuajse të gjitha energjitë e saj në këtë dialog, kanë munguar prioritetet tjera në raportet BE-Kosovë“
“BE-ja në Kosovë ka arritur një lloj përparimi në raporte me media. Në disa raste ka identifikuar si problem mungesën e lirisë së shprehjes, ndërhyrjen politike në mediat kosovare dhe kërcënimet ndaj gazetarëve. Kjo është për t’u përshëndetur dhe BE-ja inkurajohet që të vazhdojë të punojë në ndërtimin e përparimit të arritur në këtë fushë. Por është shqetësuese mungesa e gatishmërisë së përfaqësuesve të BE-së që të jenë më të hapur në komunikim me mediat kosovare. Në këtë aspekt zyrtarët e misioneve të ndryshme të BE-së në Kosovë janë në rrugë të mirë për t’iu afruar standardeve të institucioneve vendore“.
„ Është posaçërisht shqetësuese mungesa e transparencës së Bashkimit Evropian sa i përket dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. BE-ja si lehtësuese e dialogut ka dështuar që të sqarojë gjërat kur Prishtina dhe Beogradi për të njëjtën çështje japin interpretime të kundërta. Kjo ka rezultuar në një mosbesim të madh të opinionit Kosovarë, opozitës dhe shoqërisë civile ndaj këtij dialogu“.
“Në fushën e rendit dhe ligjit ka një përparim të vogël në punën e EULEX-it. Stafi është rritur, janë larguar disa nëpunës të EULEX-it që kanë keqpërdorur detyrën, ndërkohë që është rritur edhe numri i lëndëve të cilat EULEX-i i ka zgjedhur e të cilat i kishte trashëguar nga administrata e UNMIK-ut. Është themeluar edhe një Task Force, e cila do të shqyrtojë akuzat për trafikim organesh që në raportin e tij i kishte nxjerrë raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty.Poashtu EULEX-i ka akuzuar për krime lufte një ish-ministër të Kosovës dhe deputet të Parlamentit të Kosovës. Janë ngritur edhe akuzat për rastin „Medicus“, ku disa mjekët dyshohen të kenë qenë përfshirë në veprime ilegale të transplantimit të palejueshëm të organeve njerëzore për përfitime financiare“.
“Megjithatë kjo që ka bërë deri më tash EULEX-i në procesimin e krimeve serioze është vetëm maja e akullit. Shumë mbetet për t’u bërë“.
“Situata është keqësuar në fushën e mbrojtjeve të dëshmitarëve. Ky fenomen në Kosovë ishte identifikuar si njëri ndër pengesat më të mëdha në punën e organeve të drejtësisë. Por EULEX-i, sikundër dhe autoritetet e Kosovës, jo vetëm se nuk kanë bërë sa duhet për të përmirësuar situatën në këtë fushë, por e kanë keqësuar edhe më shumë këtë. Kjo është për shqetësim serioz, sepse mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen“.
“Nuk ka përparim në punën e EULEX-it në procesimin e rasteve të korrupsionit në nivel të lartë. Pritjet që EULEX-i do të jetë efikas në luftimin e kësaj dukurie nuk janë realizuar dhe kjo ka shkaktuar një zhgënjim serioz në opinionin kosovar. EULEX-i inkurajohet që me seriozitet më të madh të hetojë dhe procesojë rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë dhe për këtë të ketë rezultate të matshme përfshirë edhe përmes vendimeve të gjykatave“.
“EULEX-i ka arritur një përparim të zgjerimin e pranisë së vet në tërë territorin e Kosovës. Por problem serioz mbetet prania e EULEX-it në veri të Kosovës. Pengesat politike kanë bërë që veriu i Kosovës të mbetet një zonë ku vazhdon të jetë dominant krimi i organizuar. EULEX-i nuk ka bashkëpunuar sa duhet me autoritetet kosovare. EULEX-i inkurajohet që të koordinojë edhe më shumë punën e vet në veri të Kosovës me misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja si dhe me Policinë e Kosovës“.
“Shtetet anëtare të BE-së i kanë shprehur mbështetje të parezervë EULEX-it. Por kontributi i tyre për të realizuar në praktikë këtë mbështetje, duke dërguar staf profesional, nuk ka qenë aq i kënaqshëm“.
“Si konkluzion, ftohet prania e BE-së në Kosovë që përkushtimin politik të deklaruar publikisht ta pasojë me rezultate konkrete në punën në terren. Puna e tyre ka një rëndësi të veçantë për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve të Kosovës“.
Sqarim: Ky tekst është shkruar në bazë të disa të dhënave, bisedave me diplomatë, materialeve të lexuara në mediat kosovare dhe ato ndërkombëtare, dhe janë vlerësime të vetë autorit. Ky nuk është ndonjë raport zyrtar i progresit për punën e BE-së në Kosovë.
Hahaha, i madh