Kanë kaluar thuajse dy javë që nga dita kur kryetari i PS Edi Rama propozoi një Pakt për Europën, në thelb të cilit qëndron nevoja për një sipërmarrje të përbashkët në disa fusha kyçe të procesit të shtet-ndërtimit dhe nga ana e kryeministrit Sali Berisha nuk ka një përgjigje të esëllt, nëse qeveria e tij e do paktin me opozitën. Nuk ka asnjë qëndrim në lidhje me brendinë e paktit apo elementë të tjerë që i duhen shtuar atij, në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimit europian, duke shpalosur njëherazi edhe mungesën e vizionit të kësaj qeverie për t’u përfshirë me opozitën dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm në një proces të shëndetshëm demokratik.
Ç’është më e keqja, nuk ndjehet asnjë shqetësim në radhët e kësaj qeverie, e as teknologëve politik pranë saj, për humbjen e shansit historik për së dyti, për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe perspektivën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE. I vetmi merak që i ka kapluar prej kohësh është sesi ta përbaltin sa më shumë opozitën dhe ta portretizojnë atë si shkaktare të dështimeve të qeverisjes, a thua se në këtë vend ka dy palë që qeverisin.
Analizat paraprake, tregojnë se vendet më të përparuara në procesin e integrimit europian janë Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, për shkak të përmbushjes së reformave. Ndaj, Komisioni Europian do të angazhohet – duke kapitalizuar edhe mbi suksesin e Kroacisë – që t’i mundësojë këtyre vendeve kalimin në fazën tjetër të procesit (akordimi i statusit të vendit kandidat për Serbinë; fillimi i bisedimeve për aderim me Malin e Zi; dhe gatishmëria për të filluar bisedimet për aderim me Maqedoninë, sapo të gjendet një zgjidhje e pranueshme me Greqinë për çështjen e emrit). Autoritetet kosovare pritet të marrin udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, çka do t’i mundësojë atyre, përqendrimin e energjive në një proces të mirë strukturuar e rigoroz për përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes në hapësirën Shengen.
Ndërkaq, për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën “diagnoza” dhe “receta” nuk pritet të ndryshojnë nga vjet duke u shoqëruar me dhënien e një mesazhi të qartë në favor të perspektivës europiane. E duke inkurajuar kështu, ndërmarrjen e reformave të duhura që do ta bënte perspektivën europiane edhe më të prekshme. Afërmendsh, janë humbur dy vjet dhe ende nuk duket në horizont një proces reflektimi e nxjerrje përgjegjësish.
Deri në ciklin e vjeshtës së vitit 2012 para nesh janë dy stacione të rëndësishme të cilat nuk duhen humbur. Stacioni i parë, 12 tetori, ditë kur Komisioni Europian do të publikojë Progres Raportin për Shqipërinë. Është pak por e sigurte të pohohet se, ky stacion po ri humbet me vetëdije, pasi asnjë prej 12 përparësive kryesore të listuara nga BE-ja nuk është adresuar nga Shqipëria. Shembulli më elokuent janë zgjedhjet vendore pa standarde të 8 majit, dhe farsa e Tiranës, që sipas BE-së ishin “jo të mira”. Përpos kësaj, qeveria vijon kokëfortësish rrugën e dominimit politik, duke çimentuar pushtetin e çmontuar shtetin. E duke i bërë këto dy “entitete” praktikisht të padallueshëm. Nuk ka asnjë reflektim në këtë drejtim e as në krijimin e një klime më bashkëpunuese në Kuvend.
Stacioni i dytë, muaji dhjetor, kur Vendet Anëtare të BE-së do të miratojnë konkluzionet për ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë udhërrëfyesi më i mirë i institucioneve të BE-së. Në rast se Shqipëria hedh disa hapa vendimtar duke i dhënë një dinamikë procesit të integrimit europian, ka shanse që në këtë takim, Vendet Anëtare të BE-së të njohin progresin e Shqipërisë, e t’i kërkojnë Komisionit Europian një vlerësim, pa pritur vjeshtën e vitit 2012. Sipas këtij skenari hipotetik, Komisioni mund të kryente vlerësimin në pranverën e ardhshme dhe mund të rekomandonte akordimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, në rast të përmbushjes së përparësive të identifikuara. Vendet Anëtare mund t’i akordonin Shqipërisë statusin e vendit kandidat në fund të pranverës apo fillim të verës së vitit 2012. Për hir të së vërtetës, ky skenar është aplikuar rrallë. Për shembull, në rastin e Kroacisë, kur BE-ja i dha dritën e gjelbër fillimit të bisedimeve për aderim, porsa gjeneral Gotovina u dorëzua në Tribunalin e Hagës, pa pritur ciklin e vlerësimit vjetor që kryhet në periudhën e vjeshtës.
A është e mundshme që Shqipëria të ri takojë fatin e saj Europian e të kremtojë 100 vjetorin e saj si vend kandidat për në BE? Përgjigja e pyetjes duhet ta ketë gjenezën tek sensi i përgjegjshmërisë që duhet ushtruar nga të gjithë, kur në udhëkryq ndodhet interesi kombëtar. Një gjë e tillë është plotësisht e mundshme dhe në përputhje të plotë me aspiratën e mbi 93% të shqiptarëve që e duan Shqipërinë një orë e më parë pjesë të mozaikut të vlerave të familjes Europiane, duke i dhënë peshën e duhur procesit të shtet-ndërtimit, e çliruar atë nga pushtet mbajtja.
Pra, për të kapur fillimisht stacionin e dhjetorit të këtij viti, Pakti për Europën i propozuar nga PS, në përmbushje të 12 përparësive të identifikuara nga BE-ja, shërben si një truall nga mund të lëshojë rrënjë një proces i shëndetshëm demokratik, i cili duhet të shtrihet deri në pranverën e vitit të ardhshëm në funksion të realizimit të reformës zgjedhore, reformës parlamentare, reformës në fushën e medias dhe ndërtimit të një procesi legjislativ për modernizimin e shtetit dhe fuqizimin e institucioneve kushtetuese e demokratike, të cilat nuk mund të njësohen me pushtetin, por veçse me qytetarin.
Aristoteli thoshte një herë e një kohë se shteti është një entitet moral. Në këtë kuptim, transformimi i tij demokratik ka nevojë për një lidership moral me vizion për të ardhmen dhe i gatshëm për të sakrifikuar pushtet. Procesi i integrimit europian nuk përfshin vetëm një fushë të zhvillimit të vendit, por në formën e një spiraleje ngjitëse prek pak nga pak të gjitha fushat e jetës së vendit duke depërtuar në zemër të konceptit të shtet-ndërtimit dhe qeverisjes. Në mënyrë që të funksionojë siç duhet spiralja ngjitëse, pra, e përqasjes dhe harmonizimit të sistemit shqiptar me atë të BE-së, lipset një angazhim kapilar, për t’i mundësuar Shqipërisë fatin e saj Europian.