Ajo pritja që zakonisht rrin pezull se “kush do jetë fituesi” këtë vit në Panairin më të madh dhe më të moçëm të Librit në botë- nuk ndjehej. Ishte Akademia në Stockholm ajo që u përkujdes që Nobeli të ndahej rrafsh një javë para se të niste defilimi i botuesve dhe shkrimtarëve më në zë, më të suksesshëm të globit. Do të ishte sidomos fitore për botuesin (e madh) gjerman “Hanser” i cili ka dy vjet që feston dy nobelistë: vitin e kaluar Hertha Müller dhe sivjet Tomas Tranströmer.
Krejt kjo mungesë tensioni pra po mungon në Frankfurtin e këtij viti. Dhe ndoshta, e përsëris, ndoshta bash pse nuk ishte ky tension i pritjes së ndarjes së Nobelit, ky Frankfurt i sivjetshëm është më ‘leger’- më i relaksuar.
Duke iu falënderuar edhe një dielli çuditërisht të ngrohtë për këtë stinë viti- diell ky që u jep frymë shumë njerëzve të dalin në të, të pinë duhan, kafe apo birrë në ishullin magjik në të cilin është vendosur një Mega Makinë/librari reklamuese e prodhuesit të makinave të tipit “Audi” përballë ndërtesave të labirinthit gjigand të sallave e korridoreve, stendave e librave ku masa të pafundme të njerëzve që si lumenj vërshues vrapojnë me librin apo për të.
E të kesh punë sot me librin nuk është që atë duhet vetëm ta prekësh dhe shfletosh. Sepse është një mekanizëm i tërë, një rrugëtim gadi se mistik, që katapultohet nga shkruarja deri te prodhimi i një libri ai që e bën kaq magjik këtë event. Botëra të tëra që ndahen nga njëra tjetra përgjatë këtij rrugëtimi.
Panairi i Librit në Frankfurt është sidomos për ata që e shkruajnë librin gjëja më e vështirë. Sepse amalgimi i botës së agjentëve që shesin e blejnë, botuesve që ankohen e festojnë dhe lexuesve që vetëm kërkojnë e kërkojnë… secilin autor që e bën librin- në çfarëdo forme, e stërlodhin dhe e dërmojnë!
Edhe kur autorët duhet të dalin para televizori, apo publiku por edhe kur përzihen me të gjithë të sipërpërmendurit ngapak. Për të folur apo shkruar për Frankfurtin dhe Panairin e Librit është e pamundshme. Pa e parë vetë kuptohet. Sepse çdo rrëfim e histori, legjendë e thashetheme mund të ketë diçka që e hedh në erën e dyshimit apo vërtetimit… të asaj që… sërish shkruhet a thuhet.
Nordikët (europianët nordikë) sivjet kanë pse të jenë të lumtur dhe nuk e fshehin fare. Sepse, ata, pos Nobelit i cili mbeti në shtëpi, në Frankfurt janë duke e festuar edhe një prani të posaçme dhe fascinuese. Islanda, me (vetëm) 318.236 banorë është mysafire nderi e këtij panairi. Vendi më nordik i Evropës, ishulli me më së shumti shkrimtarë në botë për kokë banori dhe me më së shumti nobelistë po për kokë banori.
Dhe nuk janë vetëm sagat klasike islandeze ato që e bëjnë këtë vend të jetë atraktiv, i botuar dhe i botueshëm edhe në gjuhët gjigante si një gjermanishte e anglishte, frëngjishte e italishte por janë edhe autorët aktualë, modern islandezë ata
që nuk kanë të ndalur as në këtë panair. Dhe është kjo modesti e thjeshtësi me të cilën njeriu, sidomos ne po të vegjlit, do të duhej të mbusheshim mend.
Kur e dëgjonim Halldor Guomunssonin, drejtorin e “Islandës” së sivjetshme në panair, duke thënë: vetë fakti që nderohemi duke qenë mysafirët e vitit të këtij panairi- për neve islandezët paraqet më tepër se një sukses!… Ne shqiptarët sivjet jemi të pranishëm në këtë panair. Dhe për çudi, sivjet, më mirë se asnjëherë. Edhe Kosova edhe Shqipëria.
Derisa Kosova ka një stendë të mrekullueshme- ndoshta më të mirën prejse prezantohemi këtu- me posterë dhe reklamë impresive për vendin e vogël dhe shtetin e ri, Shqipëria duket që më në fund e ka thyer akullin dhe pos “Botimpex-it” në panair është edhe “Onufri”.
E meqë sivjet edhe ashtu “Botimpex”-i dhe “Onufri” janë ballë për ballë me Shoqatën e Botuesve nga Kosova-kemi edhe të arriturat dhe botimet të cilat janë nga Ismail Kadare e Martin Camaj në njërën anë përmes Rexhep Qosjes a Ramiz Kelmendit në anën tjetër… Pa lënë anash shumicën e botuesve tjerë nga Kosova- “Koha”, “Akademia e Arteve”, “Buzuku”, “Zëri” etj.
E dëshirueshme (sidomos për Shqipërinë) do të ishte që viteve tjera të përkujdesen për hapësirë dhe prezantim edhe më serioz. Në këtë drejtim- vërtetë, dhe për çudi, do të duhej të mësonin nga Kosova! Sidoqoftë, festa është festë- dhe këtij viti, pjesë e saj janë edhe shqiptarët…