Disa ide, parime e vlera për ripërtëritjen e së djathtës shqiptare

2 Nëntor 2011, 21:13Blog TEMA

Nga Arian Galdini

(pjesa e parë)

Pas 21 vitesh tranzicion rraskapitës dhe protodemokraci langaraqe në Shqipëri, neve qytetarëve shqiptarë na bie mbi shpinë barra e rëndë për tu bërë edhe njëherë autorë, aktorë dhe faktorë të ndryshimit për të sjellë transformimet e domosdoshme që në këtë vendin tonë të mos lulëzojnë më lulet e dhunës dhe arbitraritetit. Pikëpamja mbi të cilën ne dëshirojmë të hedhim këto ide këtu në këto rradhë vjen sigurisht bazuar fortësisht në përvojën e drejtpërdrejtë dhe ndjeshmerinë e sinqertë tonën si aktivistë politikë në Partinë Demokratike për gati 20 vite, por edhe si besues e ndjekës të natyrshëm të doktrinës, parimeve dhe vlerave të qendrës së djathtë. Do të kujdesemi këtu që të tokmbledhim edhe përvojat tona si aktivistë civilë e patjetër edhe dijenitë tona të buruara prej shkollimit, leximeve dhe studimeve të përthelluara. Qëllimi është të hapim një debat publik mbi këto ide e vlera të paraqitura më poshtë për mënyrën sesi duhet të jetë, sesi duhet ndjerë, kuptuar dhe ndërtuar e djathta shqiptare e cila ka domosdoshmërisht lipsjen e madhe për tu ripërtërirë. Në një seri përsiatjesh që jemi duke përgatitur për ti bërë publike në vijimësi, do të parashtrojmë edhe qëndrime konkrete mbi gjendjen, strukturën dhe funksionimin e derisotëm të së djathtës në vendin tonë, por edhe mbi objektiva dhe  sidomos synime qëndrimore, strukturore dhe organizative për mënyrën sesi duhet ripërtërirë e djathta shqiptare. Por kësaj rradhe ngase në Shqipëri ka vobektësi debatesh ideore, vlerore dhe programore brenda së djathtës dhe sigurisht edhe mes partive politike të të gjithë spektrit të majtë e të djathtë, neve do të mjaftohemi vetëm me shpalosjen e ideve tona bruto në formën e një manifesti apo karte vlerash për një të djathtë ndryshe. Neve që kemi qenë kahhera të angazhuar si aktivistë të sinqertë të qendrës së djathtë shqiptare ndihemi natyrshëm si të lindur nga liria, në liri dhe për lirinë, dhe po krejt natyrshëm duam që Shqipëria të bëhet një vend më modern, më i lirë, më i drejtë, më i përparuar dhe autentikisht solidar. Ne, të rinj dhe të reja, burra dhe gra të Shqipërisë jemi krenarë që jemi qytetarë të këtij vendi që ndonëse mes shumë sakrificash e vuajtjesh historike ka ditur të gjejë forcat dhe energjinë pozitive për tu ringritur. Jemi krenarë që i përkasim një qytetërimi mijëravjeçar, një qytetërim i cili i ka dhënë njerëzimit kontribute e vlera të çmuara kulturore dhe historike. Ndaj edhe dëshirojmë e synojmë që Shqipëria të përparojë në vazhdën e traditës së saj, vendosmërisht europiane dhe perëndimore. Rrënjët vlerore të Europës dhe trashëgimia e saj e përbashkët kulturore klasike dhe humanistike, së bashku me pjesën më të mirë të iluminizmit e të prurjeve e ndërshkëmbimeve të mëdha kulturale për shkak të historisë sonë specifike, janë themelet e vizionit tonë për shoqërinë. Vlerat në të cilat ne gjejmë vetveten janë posaçërisht ato vlera të cilat bashkëndahen nga familja e madhe politike e Partisë Popullore Europiane: dinjiteti i personit, liria dhe përgjegjshmëria, barazia, drejtësia, ligjshmëria, solidariteti dhe subsidiariteti. Këto janë vlerat e përbashkëta të demokracive të mëdha perëndimore, të themeluara mbi pluralizmin demokratik, mbi shtetin e së drejtës, mbi jodiskriminimin, mbi tolerancën, mbi pronën private dhe mbi ekonominë sociale të tregut të lirë. Ne mendojmë se ka një dallim ndërmjet politikanëve që jetojnë për politikën dhe atyre që jetojnë prej politikës.

Në rastin e parë, politikanët bëjnë një ideal çështje të jetës së tyre dhe përpiqen që ta vënë në jetë. Ky tip politikani është hasur rrallë në histori. Por, tipi më i keq i politikanit është ai që jeton prej politikës. Ky është tipi më i keq i politikanit, sepse ai do ta shesë drejtësinë e pozicionit të tij për hir të pasurimit ekonomik të tij. Tashmë, çdo njeri, cdo qytetar shqiptar është i bindur se deri sot kemi parë vetëm tipin e dytë të politikanit. Por, a duhet të tërhiqemi para një situate të tillë? A duhet që ta braktisim lirinë e sapo fituar dhe të qahemi për drejtuesit? Sigurisht që jo. Prapa kemi një përvojë mjaft të hidhur. Edhe pse e tashmja është e hidhur dhe askush nuk guxon të premtojë, nuk duhet të ketë tërheqje prapa. E vetmja rrugë për të dalë nga ky impas historik është që të ecim përpara duke shpejtuar hapin për të kombinuar lirinë me drejtësinë. Në qoftë se shoqëria do të rrijë e mbërthyer vetëm në një vlerë, shpirtin e përfitimit, atëherë demokracia mbetet e kërcënuar. Ka periudha historike, si kjo që po jetojmë, kur normat, vlerat dhe bindjet e mëparshme janë tronditur thellë dhe kur shoqëria ende nuk e gjen dot orientimin etiko – moral, në një kohë kur kjo shoqëri po ndryshon me ritme të shpejta. Në periudha të tilla njerëzit ndodhen përballë dilemash të shumta. Ata nuk po e identifikojnë veten me institucionet e krijuara. Ata nuk kanë besim tek to. Kur shteti mund t’i shkelë angazhimet që merr, atëherë kujt mund t’i zihet besë? Në qoftë se ligjet kanë një frymë moderne dhe tërheqëse, por që nuk gjejnë zbatim, atëherë kujt mund t’i drejtohemi për të patur, në mos sigurinë e plotë, të paktën ndjenjën e sigurisë dhe të paqes sociale? Në një kohë kur korrupsioni, gënjeshtra, lakmia, egoizmi, mashtrimi, hipokrizia, cinizmi si dhe klima e ankthit dhe e pasigurisë u ka zënë frymën virtyteve morale, kërkohet një ringritje shpirtërore për të dalë nga kjo gjendje. Të tilla vese si dhe manipulimi me termat e militantizmit dhe të meritokracisë kanë krijuar një gjendje irritimi, lodhjeje dhe indiferentizmi të përgjithshëm. Askush nuk flet për vlerat morale. Politika dhe etja për pushtet dhe përfitim ka pushtuar jetën politike dhe sociale, prandaj ne ndeshemi me dobësimin dhe çarjen e të drejtës dhe të moralit, me egërsinë dhe rritjen e injorancës.

Në të tilla momente, rreziku më i madh është humbja e shpresës dhe braktisja e lirisë për shkak të varfërisë ekonomike. Ajo që ne kemi nevojë është që të ushqehemi me artin e lirisë dhe arti i lirisë dhe demokracisë është shumë i vështirë. Ai duhet mësuar. U takon më së pari gjeneratave të reja, na takon neve, së bashku edhe me aktorë të tjerë shoqërorë që t’ua mësojmë njerëzve këtë art me qëllim që ta përdorin demokracinë në funksion të dinjitetit të tyre. A nuk shihet kudo se atmosfera e korrupsionit po moleps çdo gjë, madje kërkon të ngjitet deri edhe në shkatërrimin e dinjitetit të njeriut? A nuk po shikojmë individë të caktuar, që manipulojnë shuma të mëdha në duar, duke kujtuar se janë në gjendje të bëjnë qiellin dhe tokën, kërkojnë të tallen me varfërinë e njerëzve dhe përpiqen që vesin ta shesin për virtyt? A nuk po shikojmë se nga të gjitha anët flitet për korrupsion dhe ai mbetet impersonal? Në një situatë të tillë mund të ndodhë që ajo ç’ka mbetet nga liria e porsafituar të bëhet e padurueshme dhe arbitrarizmi të na shpjerë drejt autoritarizmit. Prandaj edhe burrat e grate, djemtë dhe vajzat që ndihen si dalëzotsa të lindur nga liria, kanë një përgjegjësi të madhe për të ngjallur shpresën dhe për të shpëtuar lirinë. Ne mendojmë se politika duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, e jo qytetarët në shërbim të politikës. Ne mendojmë e besojmë se politika duhet të jetë e themeluar dhe ngritur më shumë mbi vlerat sesa mbi interesat. Ne besojmë se personi – me vlerat e tij/saj, me moralin e tij/saj, dhe me arsyen dhe të drejtën e tij për të ekzistuar dhe përmirësuar- duhet të jetë fillimi dhe mbarimi, parimi dhe qëllimi i çdo komuniteti politik, e domosdoshmërisht i vetmi burim legjitimiteti për të. Ndaj edhe mos mundshin të ekzistojnë një drejtësi autentike dhe një solidaritet autentik, nëse liria e cilitdo personi të vetëm nuk arrin të njihet si kusht thelbësor nga Shteti. Koncepti ynë për personin përjashton e refuzon me bindje çdo formë të kolektivizmit po aq sa edhe individualizmin egoistik. Cdo person i përket një komuniteti dhe duhet tia nënshtrojë interesin personal përkatës, autoritetit legjitim të komunitetit përkatës, duke pranuar kufizimet që janë të nevojshme dhe domosdoshme për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve. Pa ligj dhe rend nuk mund të ketë liri. Ne besojmë se liria e vërtetë nënkupton autonominë përbashkuar me përgjegjshmërinë, por kurrësesi pavarësinë e papërgjegjshme. Liria e vërtetë e bën çdo person të përgjegjshëm për aktet dhe veprimet invidividuale në mirëkuptim me ndërgjegjen e tij/saj, përballë komunitetit të cilit i përket dhe përballë brezave të ardhshëm. Ne mendojmë se brezat e ardhshëm duhet të vendosen në kushte për të jetuar në harmoni me ambjentin natyral. Cdo qenie njerëzore është e thirrur që të administrojë të mirat natyrore me mençuri dhe urtësi e jo mbi bazën e interesave të saj specifike.  Personat, familjet, grupet sociale, komunitetet, popujt, kombet dhe shtetet duhet kësisoj të japin llogari për aktet dhe veprimet e tyre përpara çdo qenieje të vetme njerëzore, të së sotmes dhe së nesërmes. Ne besojmë se shoqëria dhe Shteti duhet ti shërbejnë personit dhe të mirës së përbashkët. Personat dhe komunitetet duhet të kenë të drejtën për të realizuar gjithçka munden faleminderit nismës dhe aftësive të tyre. Atë që organizatat/organizimet e dimensioneve të vogla nuk janë në gjendje ta realizojnë, duhet tu besohet organizatave/organizimeve të nivelit më të lartë: Qeverive dhe Administratave apo Enteve Lokale, Rajonale, Shtetit, Organizatave Ndërkombëtare. Subsidiariteti –(ndihma dhe mbështetja e shtetit ndaj individit, shoqërisë civile, biznesit, më të dobtëve dhe shtresave në nevojë)-, duhet të jetë formula bazë e decentralizimit dhe integrimit europian. Cdo aktivitet social ka si natyrë të vetën dhe për qëllim subsidiaritetin. Ne besojmë se politika ka për detyrë të mbështesë jetën dhe aktivitetin e personave, familjeve, të komuniteteve të ndërmjetme, e kurrësesi ti shkatërrojë apo absorbojë ato. Ne besojmë se koha në të cilën jetojmë imponon një ndryshim kursi. Nëse nuk ndryshojmë, madje nëse nuk ndryshojmë me shpejtësi, do të jetë në fakt realiteti ai që do të na ndryshojë për keq. Ne ndihemi pranë forcës më të madhe politike Europiane, Partia Popullore Europiane dhe me të bashkëndajmë një ide shpirtërore për Europën, idenë e etërve themelues, qe është në vetë origjinën e Europës. Kemi një rrugë të gjatë përpara nesh. Një rrugë të angazhimit civil, në të cilën të drejtat dhe detyrat bashkëpuqen si faqet e të njëjtës monedhë. Kërkojmë mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, e të gjithë të rinjve e të rejave, burrave dhe grave, të cilët e duan lirinë dhe dëshirojnë të jenë të lirë. Kërkojmë bashkëveprimin, bashkëautorësimin dhe bashkëfaktorizimin e tyre për të mbrojtur dhe garantuar këto vlera dhe për të realizuar këto ide dhe vlera tonat që këtu po i bëjmë pronësi të qytetarëve shqiptarë. Ne duam një shoqëri që të kujdeset realisht për të varfërit dhe për më të dobëtit. Ne nuk duam një shoqëri të ndarë mes të pasurish dhe të varfërish, mes të fortësh dhe të dobëtish. Ne duam një shoqëri në të cilën të gjithë të kenë mundësi të gëzojnë një nivel jete të denjë dhe të përshtatshëm. Ne besojmë se personat kanë detyrën për të siguruar mirëqenie për veten e tyre sipas parimit moral të përgjegjshmërisë, por po sipas këtij parimi dhe mbi këtë bazë personat duhet të ndihmojnë dhe mbështesin tjetrin që është në vështirësi. Me këtë frymë ne besojmë se është detyrë themelore, si e shoqërisë ashtu edhe e Shtetit, për të ndihmuar ata të cilët nuk munden ta arrijnë këtë objektiv. Ne mendojmë veçanërisht se janë të nevojshme aksione të forta pozitive për të siguruar, rritjen aksesit të grave në arsim, punë dhe në postet më të larta të përgjegjësisë në botën publike dhe private. Një barazi më e madhe dhe më efektive mes burrit dhe gruas do ta bëjë vendin tonë jo vetëm më të drejtë, por edhe më të zhvilluar. Ne mendojmë se familja është bërthama themelore e shoqërisë sonë. Sot familjet dhe shoqëria janë gjithnjë e më të fragmentizuara. Ne mendojmë se është në fakt e domosdoshme njohja e qartë e rolit aktiv të familjes me ndërgjegjësimin e plotë se familja nuk mund të zëvendësohet nga figura të tjera sociale. Në një situatë të vështirë sikurse është kjo aktuale, familjet janë edhe një element i çmuar i stabilitetit social dhe ekonomik sepse i bëhen ndihmë strukturave publike duke kompensuar limitet e politikave sociale. Nuk mund të injorojmë sot faktin se shumë familje nuk ia dalin dot mbanë që të kenë “një jetë të qetë, të patrazuar dhe me dinjitet të plotë.”

Ndaj familja duhet mbrojtur edhe sepse është thelbësisht jetike për personat më të dobët, për të moshuarit, për të pamundurit fizikisht, për të rinjtë e papunë. E jo vetëm kaq. Ne besojmë se familja ka detyrën e pazëvendësueshme për të edukuar fëmijët dhe adoleshentët. Bazuar në këtë prespektivë ne mendojmë se mund të arrihen rezultate të mira duke ulur ngarkesën fiskale për familjet në raport me numrin e anëtarëve të familjes, duke filluar nga fëmijët.

(Vijon në numrin e nesërm…)

7 komente në “Disa ide, parime e vlera për ripërtëritjen e së djathtës shqiptare”

  1. geno says:

    O Arjan Galdini(Saliasi), ti dhe ata homot tuaj te FRPD keni qene qe na e keni paraqitur Saliun si hero kombetar si atdhetar dhe demokrat te shquar. Te kerkosh reformimin e PD, do te thote te besosh qe do behet muti bakllave. prandaj te propzoje te mos e avzhdosh pjesen e dyte te shkrimit se na krijon alergji

  2. Frani says:

    Pra , zoti Arian ju jeni krejtesisht i pakenaqur nga ato qe shoqeria shqiptare nen drejtimin e politikes paskomuniste , ka bere ne keto 20 vite paskomunizem . Edhe une jam po aq i pakenaqur . Ju jepni pershtypjen se jeni nje grupim qe doni ta ndryshoni Shqiperine ne drejtimin e duhur , qe e meriton . Po , kush jeni ju qe ne duhet t’u besojme ? Pra , se pari do te ishte mire qe te prezantoheni pasi keshtu do te mund te ngjallnit edhe interesimin , e me vone besimin , per te cilin keni nevoje . Per nje gje po ju paralajmeroj zoti Arian : ne se ju , fillimisht , nuk shpjegoni realisht dhe bindshem arsyete serioze perse ne jemi ne kete gjendje , ju nuk mund te ngjallni asnje besim , dhe nuk mund te siguroni asnje sukses ne synimet tuaja qe deklaroni . Ne se ju nuk e beni kete gje , nuk do te keni ndonje ndryshim nga grupimet e meparshme qe jane angazhuar ne te dilla ndryshime , por qe kane deshtuar ! Frani

  3. Xha Temja says:

    Perendi, kjo eshte e pashembullt.Kurre nuk me ka ndodhur te vihem perballe nje lumi te pambarimte fjalesh ku te thuhen aq pak, per te mos thene aspak gjera me vlere. Por ajo qe te mahnit eshte pozicioni i ketij djaloshi, kur me prepotence vendos vehten dhe disa nga shoket e tij me te cilet luan dokrra, ne pozicionin e mesuesit te popullit, kur thote: “.. na takon neve, se bashku me aktore te tjere shoqerore qe tua mesojme njerzve kete art me qellim qe ta perdorin demokracine ne funksion te dinjitetit te tyre..”. Idete, parimet dhe vlerat te cilat parashtron zotria ne fjale dhe per te cilat eshte perfundimisht i bindur se deri tani ato paskan munguar dhe veshet e gjithkujt i degjojne per here te pare, jane thene dhe sterthene gjate ketyre 5000 vjeteve te fundit nga cdo stallier pasi ka nxjerre lopet nga stalla per ti kullotur. Si qytetar i thjesht, i lutem Zotit te na ruaj nga njerez qe shpallin vehten te zgjuar, gjejne nje vend per shkallen e zgjuaresise se tyre (zakonisht deputet apo minister) dhe per ta merituar jane gati te shkarkojne nje mal me brockulla duke i paraqitur ato si xhevahire te kulluara.

  4. Respekte Autorit says:

    Ore po c’lidhje ka kjo fabula idiote e aktivizmit te Arian Saliaj Galdinit me FRPD? Ariani ka qene themelues i FRPDSH dhe Kryetar i FRPD dega Vlore ne vitet 1991 – 1994. Me pas Arian Saliaj Galdini nuk ka pasur asnje rol, pozicion apo karriere ne strukturat e PD. Pas vitit 1994 Arian Saliaj Galdini ka qene vetem anetar dhe aktivist i thjeshte i PD deri ne vitin 2009. Ariani me shume ka qene aktiv dhe eshte bere i njohur si aktivist i spikatur i levizjeve studentore, shoqerise civile dhe publicistike. Fakti qe Arian Saliaj Galdini nuk ka bere kurre karriere ne PD tregon qe Sali Berisha dhe drejtuesit e PD nuk e kane dashur kurre. Per me teper ia vlen te lexoni artikullin e Aida Dakes te botuar tek Tirana Observer.

  5. Aida Daka per Autorin e shkrimit says:

    Pse unë besoj tek Dërgata e Dalëzotsave për Paqen?

    Nga Aida Daka (botuar tek Gazeta Tirana Observer, dt 13 shkurt 2011)

    Më së pari po e nis me arsyetimin se përse unë besoj tek Arian Galdini, e më pas po shpjegoj edhe përse unë energjikisht besoj tek misioni dhe vizioni i Dërgatës së Dalëzotsave për Paqen. Pse unë besoj tek Galdini? Unë besoj tek Arian Galdini sepse ai ka 20 vite që jep kontribute të jashtëzakonshme politike dhe civile në Shqipëri, dhe pushtetet politike, partitë politike të majta e të djathta, asnjëherë nuk e kanë mbështetur apo inkurajuar. Përkundërazi kanë qenë të gjithë si në një marrëveshje të folur apo të pa folur, për të mos e lënë Galdinin të rritet. E kanë bllokuar, penguar, shpërfillur, injoruar, dhe mbuluar me baltë, e shpifje, e mashtrime. Edhe pse në 20 vite, që në moshën 16 vjeçare kur themelohej PD, dhe më vonë FRPD, Arian Galdini ka qenë ndër njerëzit më të sinqertë dhe më aktivë së bashku me Azem Hajdarin, Arben Likën, Eduard Selamin, Ilir Dizdarin, Bardhyl Ukcamën, Myftar Gjanën, Ridvan Peshkëpinë, Arben Meçen, Romeo Karajn, Xheni Taninin, Arben Imamin, Edi Palokën, Afrim Krasniqin etj, si vëllai më i vogël i këtyre protagonistëve dhe heronjve të dhjetorit 90, këtij djaloshi asnjëherë nuk iu njoh asnjë meritë nga PD zyrtare. Madje e mohuan, rrëzuan, goditën, përbaltën dhe mbushën me helm të gjithë ambjentin politik, social dhe mediatik kundër tij. Por Arian Galdini nuk u tërhoq kurrë, nuk u ankua kurrë, nuk u dorëzua kurrë. Ky djalosh i vogël u rrit dalëngadalë në moshë mes vështirësive dhe eksperiencave të panumërta me pafundësi sfidash, pengesash, vështirësishë, humbjesh dhe fitoresh, dijeje, formimi akademik dhe përvoje. Arian Galdini për asnjë ditë nuk u largua nga PD edhe pse ndërsa Ariani rritej në moshë, PD zyrtare dhe Drejtuesit e PD-së kurrë nuk e lanë të rritej politikisht. Madje të gjithë bashkë si për çudi flisnin negativisht, e shanin, fyenin, përbuznin, përbaltnin. Nuk e donin dhe nuk e lejonin që emri i tij të merrte vlerat e merituara. Oborri i PD-së gëlonte nga shpifje pafund për vite e vite me rradhë. Njerëzit pranë oborreve dhe oborrtarëve të PD-së vetëm e shanin, e villnin vrer kundër Arian Galdinit. Kurrë nuk e deshën, kurrë nuk e mbështetën, kurrë nuk e lejuan që të rritet. Por ai vazhdoi i qetë, i paimplikuar, i pastër, i qëndrueshëm dhe besimplote ne idealet dhe vlerat per te cilat kishte vendosur të angazhohej aq i ri në politikë. Arian Galdini në vitin 1997 shkoi në Vlorën e rrebelimit komunist dhe kandidoi në moshën 23 vjeçare për deputet nën siglën e Koalicionit të djathtë të quajtur atëherë Bashkimi për Demokraci. Ariani kandidonte në Vlorën e pushtuar nga banda e Zani Caushit për të djathtën që në atë kohë konsiderohej si flama dhe e keqja e kohës. Ariani i qëndroi PD-së në krah në ato ditë të vështira kur shumë ministra, e drejtues të PD-së u larguan me avionë e tragete. Ariani erdhi gjysëm i vdekur në Tiranë në 6 qershorin e vitit 1997 ngase kandidimin për deputet në Vlorën e bandave, desh e pagoi shtrenjtë. Ndërkohë Ariani përveçse qëndrestari i PD-së, nga shkurti deri në majin 1997 kishte dhënë kontribute të jashtëzakonshme si paqebërës dhe pajtues kur kishte marrë nismën për të themeluar Komitetin Studentor për Pajtim Kombëtar, me pjesëmarrjen e studentëve të PD dhe PS së bashku, dhe duke shëtitur qytet më qytet, e duke bërë thirrje në TV, si Ambasadorë të Vullnetit të Mirë që politika, pushtetet, dhe qytetarët të linin armët dhe të fillonin përpjekjet për paqe dhe pajtim. Më tutje Arian Galdini u bë ideatori, nismëtari i lëvizjes studentore të dhjetorit 98. Përsëri PD zyrtare dhe drejtuesit e saj nuk e lejuan Arianin që të ishte drejtuesi zyrtar i lëvizjes që ai vetë me aq shumë kurajo, dlirësi, mençuri e pasion ideoi, nismoi, por e spostuan duke e vendosur vetëm dhe thjesht si një ndër drejtuesit. U bënë shumë përpjekje për ta spostuar, zbehur, dhe mundësisht asgjësuar figurën dhe veprimtarinë e Arianit gjatë asaj lëvizjeje studentore të dhjetorit 98, por nuk ia dolën dot mbanë sepse në zemrat dhe mendjet e demokratëve të thjeshtë dhe qytetarëve shqiptarë Ariani ishte imazhi dhe lideri i vërtetë i asaj lëvizjeje. E pashlyeshme nga kujtesa e çdo demokrati është ajo çfarë ndodhi në ditën e dytë të grevës së urisë të 120 studentëve në dhjetorin 98. Mbrëmjen e vonë të 10 dhjetorit, që ishte edhe dita kur këta studentë vendosën të ngujoheshin në grevë urie për ideale e qëllime të mëdha patriotike, liridashëse, demokraci-dashëse, paqedashëse, akademike dhe qytetare, gazetari i mirënjohur i asaj kohe Alfons Zeneli ndërsa drejtonte një emision me telefonata në Radio Kontakt duke komentuar grevën e studentëve, deklaron pas mesnate se njëri prej grevistëve, që ishte edhe miku i tij i vjetër që në themelim të PD-së dhe FRPD-së, Arian Galdini në ditën e dytë të grevës së urisë, në date 11 dhjetor kishte ditëlindjen dhe mbushte 24 vjeç. Alfons Zeneli ka mbetur pa fjalë kur në emisionin e tij kanë vërshuar me qindra e qindra telefonata demokratësh dhe qytetarësh të thjeshtë e të ndershëm të cilët i uronin ditëlindjen Arian Galdinit. Vetë gazetari Alfons Zeneli por edhe drejtuesit e PD-së e kuptuan atë natë të gjatë dhjetori se një lider i ri kishte lindur në gjirin e demokratëve dhe ky lider ishte totalisht i vetëbërë, i pastër, i paimplikuar, dhe emri i tij ishte Ariani Galdini. Por më befasuese ka qenë dita e 11 dhjetorit 1998 kur mbasdite mbi 10 mijë demokratë dhe qytetarë të Tiranës kishin ardhur në Qytetin Studenti, përballë Kinoteatrit ku ishin ngujuar në grevë urie 120 studentë dhe me qirinj e lule në duar këndonin të gjithë së bashku: Shumë urime për Arianin. Janë të paharrueshme ato momente, sepse mediat e asaj kohe e kanë fiksuar këtë urim popullor të mbi 10 mijë demokratëve, por edhe përlotjen e Sali Berishës që këndonte në korr së bashku me demokratët që uronin liderin e ri të porsalindur Arian Galdinin. Sidoqoftë, përtej këngës së urimit në korr, përtej përlotjes së Sali Berishës, brenda në ambjentet e grevës së urisë filloi të luhej një dramë e shëmtuar, pasi dikush kishte dhënë urdhër që Arianit të mos i lejohej mikrofoni për të përshëndetur qytetarët që kishin ardhur me qirinj e lule në duar dhe këndonin duke i uruar gëzuar ditëlindjen. Më tutje Ariani gjatë të gjitha viteve të vështira të sakrificës dhe rezistencës së PD, ishte një ndër njerëzit më aktivë me nisma konkrete, me ide, projekte, aktivitete në krye të punëve duke kontribuar për ringritjen e PD-së në Opozitë. Por përsëri asnjë mirënjohje asnjë vlerësim, asnjë mbështetje, asnjë konsideratë nga PD zyrtare. Përkundërazi akoma më shumë helm, akoma më shumë baltë, akoma më shumë pengesa, mbyllje dhe bllokime ekranesh, çensurime, mbyllje faqesh të gazetave, telefonata gazetarëve për të mos e lejuar Arianin të rritet si imazh publik dhe të mos mundë të bëhet dot sipas meritës dhe zotësisë së tij. Në vitin 2005 Arian Galdini nuk u pa më në asnjë listë të PD-së. Nga viti 2005 – 2009, pra në vitet e pushtetit të PD-së, Arian Galdini u harrua fare. U mohua, u asgjësua nga kujtesa politike e PD-së. Nuk ekzistonte më politikisht për kujtesën dhe projektet e PD-së një njeri me emrin Arian Galdini. Por ndërkohë Ariani asnjëherë nuk u lodh, asnjëherë nuk u tërhoq, asnjëherë nuk u dorëzua. Ariani qëndronte i palëkundur anëtar i thjeshtë i PD-së duke dhënë kontributet e tija për PD-në nga pozicioni dhe mundësitë e një anëtari të thjeshtë partie. Por paralelisht Ariani me shumë sukses kishte krijuar, vazhdonte të krijonte dhe të ndërmerrte nisma shumë të mirënjohura në fushën e aktivizmit politiko-civil. Në vitet 1999 – 2001, Ariani krijoi UDSSH – Unionin Demokratik Studentor Shqiptar. U përpoq ta përafronte me PD-në këtë organizatë, por nuk e pranuan, e mohuan dhe e linçuan. Më vonë në qershor 2002, Ariani krijoi së bashku me një grup miqsh nga parti të ndryshme politike PD, PS, etj, një grup tepër të suksesshëm dhe shumë të përfolur në rrathët e politikës dhe elitave shqiptare. Grupi quhej informalisht ADT – Albanian Dream Team . Grupi kishte një mbështetje të jashtëzakonshme ndërkombëtare nga qendrat më të larta e më të rëndësishme të pushtetit duke filluar nga Kongresi Amerikan, tek Parlamenti Britanik, KE dhe PE në Bruksel. Më tutje së bashku me djemtë e ADT, Ariani ideoi, krijoi dhe drejtoi në vitin 2002 deri në vitin 2008 organizatën e suksesshme të njohur si FLSH – Forumi i Lirë Shqiptar. FLSH ka njohje të gjerë për sukseset e arritura për paqen, pajtimin dhe uljen në tryeza të përbashkëta të të gjithë faktorëve politike në Shqipëri. Në vitin 2007 Ariani, për shkak të njohjes së tij personale me z.Ylli Pango, pati mundësinë për të punuar në pozicionin e Shefit të Kabinetit të Ministrit të Turizmit,Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ariani qëndroi në këtë pozicion vetëm për 2 muaj e pak, dmth mars -maj 2007. Ariani me shumë dinjitet dhe integritet dha dorëheqjen nga ky pozicion i lartë shtetëror për arsye të papërputhshmërisë morale dhe parimore me Drejtuesit e Ministrisë. Koha dëshmoi se Ariani me moralin e tij triumfoi. Drejtësia e aktit të Arianit u vlerësua nga koha. Ariani dhe vendimi i tij për dorëheqje u provua si i drejtë, ditën kur Kryeministri Berisha shkarkoi për 4 minuta, në 4 mars 2009, Ministrin Pango për Imoralitet dhe Amoralitet. E megjithatë, Ariani edhe pse në 5 vite pushteti të PD pati mundësinë të ketë një pozicion të lartë si Shef Kabineti i Ministrit të TKRS, kjo ndodhi jo në sajë të vlerësimit të aftësisë së tij, jo në sajë të përgatitjes e eksperiencës së tij, jo në sajë të kontributit të tij politik në PD që në moshën 16 vjeçare në fillimin e viteve 90, por vetëm në sajë të subjektivitetit të njohjes personale me Ylli Pangon. E përsëri Ariani asnjëherë nuk u ankua, asnjëherë nuk u dorëzua, asnjëherë nuk u thye, asnjëherë nuk u ligështua, asnjëherë nuk u tërhoq. Arian Galdini vazhdonte i qetë dhe i buzëqeshur aktivitetin e tij politik si anëtar i thjeshtë i PD-së, ndonëse profili i tij publik dhe politik ishte shumë i lartë. Ariani asnjëherë nuk u bë i famshëm, sepse asnjëherë nuk e lejuan të bëhet i famshëm. Por Ariani me durim, modesti, paqe, buzëqeshje dhe këmbëngulje ia kishte dalë mbanë te bëhej i njohur, mirënjohur dhe me sukses të pamohueshëm nëpërmjet nismave, projekteve e aktiviteteve të tija politiko – civile me ADT, FLSH, etj. Prej vitit 2004 e në vazhdim Ariani ideoi, nismoi, organizonte dhe drejtonte një takim të përmuajshëm të njohur si Leadership Forum ku mblidhte në të njëjtën sallë si askush dhe askund tjetër drejtuesit më të lartë politikë shqiptarë të majtë e të djathtë, intelektualët më të shquar, akademikë, gjykatës, prokurorë, studentë, të rinj, diplomatë të huaj, etj. Në takimet e përmuajshme Leadership Forum që organizonte Galdini kanë qenë folës drejtues të lartë të politikës shqiptare por edhe drejtues të lartë të politikës ndërkombëtare, Kongresmenë Amerikanë, Senatorë Amerikanë, Drejtues të Lartë të Parlamentit Europian, Anëtarë të Parlamentit Europian, përfaqësues të Komisionit Europian, madje edhe personalitete që sot kryejnë detyra të larta në Qeveri Mike në Perëndim, si psh: Ministri i Jashtëm Britanik që është njëkohësisht edhe Nën/Kryetari i Konservatorëve. Në takimet e Arianit kanë nderuar me pjesëmarrje: Ramush Haradinaj, Arbën Xhaferri, Ali Ahmeti, Imer Selmani, Murat Jashari, etj, etj, etj. Me gjithë këto suksese dhe arritje përsëri gazetat, televizionet dhe ‘mediat e lira’ kanë qenë shumë të mbyllura për Arianin. Kurrë nuk ia lejuan, kurrë nuk ia dhanë hapësirën e merituar. Madje nxitonin ta bllokonin, injoronin, shpërfillnin, moskonsideronin, çensuronin. Ka patur raste kur Kryeredaktorë apo Drejtues Televizionesh urdhëroheshin të mos transmetonin asgjë nga aktivitetet e Galdinit apo të organizatave që drejtonte Galdini. Nëse ndodhte rastësisht që Galdini të ftohej në ndonjë studio televizive apo nëse ndonjë gazetë botonte ndonjë gjë të Galdinit apo për Galdinin, atëherë menjëherë shperthenin telefonatat apo thirrjet për gazetarët ose drejtuesit e gazetarëve dhe u jepej urdher apo porosi e prerë që ky Galdini të injorohej, bllokohej, mostransmetohej më. Njëkohësisht funksiononin edhe gojët e liga në rrathët mediatike, ku gazetarë partie apo gazetarë miq politikanësh hidhnin nëpër tavolina, kafene, dreka, e darka të përbashkëta apo të vecuara, baltë e helm mbi Arian Galdinin duke e përshkruar plot negativitet si një njeri pa vlera, si një njeri kot, si një mashtrues ordiner, të lig, të poshtër, dështak, humbës, si ‘zar të Saliut’ për veshët e gazetarëve të majtë apo si spiun të së majtës për veshët e gazetarëve të djathtë, etj etj, çfarëdolloj shpifjeje, helmi e balte, mjafton që Arian Galdini ta kishte portën të mbyllur jo vetëm institucionalisht, jo vetëm politikisht, por edhe nga pikëpamja njerëzore dhe sociale tek mediat shqiptare dhe gazetarët shqiptarë. Por suksesi i FLSH-së, suksesi i Leadership Forumit edhe pse sfumohej, e bllokohej nga media, TV-të dhe gazetat, nuk mund të sfumohej dot në mendjet dhe diskutimet e elitave të qytetit të Tiranës. Njohja dhe mirënjohja e Arianit ishte e garantuar nga suksesi dhe aktivizmi i tij i parreshtur. E pra Ariani kurrë nuk u lejua të rritet si imazh mediatik, publik, por “Ata”, “Të Pushtetshmit”, “Të Fuqishmit” e majtë dhe të djathtë, nuk e ndaluan dot, nuk mundën ta ndalnin dot njohjen dhe mirënjohjen e Arian Galdinit, në bisedat dhe rrathët elitarë, intelektualë dhe rinorë të Tiranës. Ariani rritej dhe bëhej i njohur dhe i mirënjohur vetëm si rezultat i punës, talentit dhe kreativitetit të tij që i garantuan sukses të padiskutueshëm. Në vitin 2008, Arian Galdini ideoi, themeloi dhe drejtoi organizatën që i tejkaloi kufijtë e njohjes dhe u bë e famshme: FDE – Forumi për Demokraci dhe Etikë. FDE nuk u ndalua dot as nga urdhërat politikë, e as nga injorimi, shpërfillja dhe bllokimi mediatik. FDE gjatë viteve 2008 – 2009 shpërtheu si një nismë shumë e suksesshme duke bërë aktivitetet më me vlerë, më domethënëse, më thelbësore, me më shumë ide dhe vizion dhe plotësisht të lira në Shqipëri. FDE mbolli paqen, FDE punoi për paqen, FDE i bëri bashkë të gjithë. FDE organizoi Marshimin e Paqes në 17 Janar 2009, organizoi Mëngjesin e Parë Kombëtar të Lutjeve në Shqipëri, FDE ndërmori nismën e mrekullueshme në favor të Arsimit Shqip dhe Shqiptar të njohur si “Brain Stand – Qëndrimi, Vlerësimi dhe Lartësimi i Trurit Shqiptar”, FDE organizoi nisma kombëtare, qytetare, politike e kështu me rradhë. Urdhërat dhe porositë e politikës dhe bllokimi e shpërfillja e medias nuk e zbehën dot suksesin e FDE-së. E përsëri korridoret politike të PD-së e perçmonin, përbuznin, përbaltnin Arian Galdinin. Asnjëherë nuk e lane të qetë ne udhë e punë të tij, asnjëherë nuk e lejuan të rritej, gjithmonë e sulmuan, goditen, masakruan, biçakuan pas-shpine, përbalten, por edhe kur ai përtej pengesave dhe sulmeve që i bëheshin, rezistonte dhe vazhdonte i qetë të rritej vetë, me forcat e tija, talentin e tij, zotësinë, përvujtninë, modestinë, mençurinë, urtësinë, dinjitetin dhe kurajon e tij. Ata e godisnin që të mos rritej, ai duronte, rezistonte, buzëqeshte dhe ecte perpara në paqe. Nuk ankohej, nuk thyhej, nuk ligështohej, nuk tërhiqej, nuk dorëzohej. Pas zgjedhjeve të qershorit 2009, kur Arian Galdini kuptoi se e djathta po bënte matematikë pushteti dhe numrash dhe për hir të kësaj matematike pushteti dhe numrash ishte e gatshme të bënte koalicion qeverisës me të majtën pragmatiste të Ilir Metës, LSI-në dhe kësisoj ta ndante pushtetin dhe bashkëqeveriste me njerëzit kundër të cilëve Ariani me shumë qëndrestarë idealistë të PD-së kishin bërë beteja e sakrifica në 8 vite Opozitë, i bindur në këtë padrejtësi historike, politike dhe morale, Ariani vendosi të shkëputej i qetë, në paqe, nga e vetmja lidhje që i kishte mbetur me PD, pra nga anëtarësia e tij e thjeshtë në këtë parti. Ariani hoqi dorë nga anëtarësia e PD-së vetë vullnetarisht, sepse përsa i takon PD-së, Ariani kishte vite që nuk ekzistonte më, madje për një pjesë të madhe të oborrtarëve dhe drejtuesve të PD-së prej shumë vitesh Arian Galdini ishte një i lig, i poshtër, spiun, mashtrues, intrigant, përdorues njerëzish, e kështu me rradhë të gjitha llojet e helmit, shpifjeve, pavërtetësive, përbaltjes që mund të hidhen për ta mohuar, rrëzuar, thyer, ligështuar, përjashtuar, penguar, izoluar një njeri. Me kaq shumë helm e shpifje e fjalë kanë synuar me ngulm që Arian Galdini jo vetëm të izolohej politikisht, mediatikisht por edhe nga pikëpamja sociale. Kanë qenë aq të egër, të pamëshirshëm dhe të vendosur sa mund të flasim drejtpërdrejt dhe shkoqur për një arrestim politik, mediatik dhe social të Arian Galdinit. Me tu shkëputur nga anëtarësia e tij nga PD, Ariani dhe një grup miqsh filluan punën për krijimin e LDE-së – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë. Ariani dhe miqtë e tij, ia dolën mbanë ta krijonin LDE-në si një parti të lirë, të paporositur, por plotësisht të tyren. LDE u krijua si parti e shpirtrave të lirë. LDE nuk u krijua si parti mllefi, inati, zemëratash, pengjesh të vjetra apo të reja. LDE u krijua si parti e së nesërmes, si parti e lirë, si parti që ndërton, si parti që përfshin, si parti që po ngre në këmbë dalëngadalë plot paqe, durim e modesti, alternativën e re të ripërtëritjes morale në Shqipëri dhe të ripërtëritjes të së djathtës. LDE nuk është parti e lindur, apo porositur, as nga Ramiz Alia, as nga Sali Berisha, as nga Fatos Nano , as nga Ilir Meta, e as nga Edi Rama. LDE është parti e Arian Galdinit, Dr. Nebi Bardhoshit dhe disa djemve dhe vajzave të reja që janë plot modesti dalëzotsa dhe shpirtra të lirë. Madje LDE e konsideron ende të papërfunduar betejën kundër komunizmit. LDE deklaron se komunizmi vazhdon në formën e ramizoshncës me korrupsion, demagogji, banalitet, gangsterizëm, babëzi, lakmi, shpirt përfitimi, amoralitet, imoralitet, mashtrim, abuzim me pushtetet e shtetit, partitokraci, kryetarokraci, shpërbërje të dinjitetit të shtetit dhe qytetarit, tirani shpërfilljeje,etj, dhe se ramizoshentët shqiptarë që janë të gjithë të ‘Pushtetshmit’ dhe “Fuqishmit” e majtë dhe të djathtë, të politikës, dhe medias shqiptare janë e keqja dhe cikli që duhet përmbyllur sot. LDE deklaron se është parti shqiptarëdashëse dhe perëndimdashëse dhe kësisoj e ka si mision të sajin të japë shenjën e para me vetë krijimin e saj, se sapo ka nisur fillimi i fundit të ramizoshencës. LDE është e nesërmja. Ja pra pse besoj unë tek Arian Galdini. Sepse tek aktivizmi i tij politik dhe civil, i sinqerte, i pastër, i paporositur, i pakontrolluar dhe i paimplikuar, ka liri, ka demokraci, ka virtyte e ndershmëri, ka integritet e dinjitet, ka përvujtni e modesti, ka sakrifica të sinqerta, ka vështirësi e të panjohura të mëdha për udhën e mëtejshme ngase kjo është rruga e të pamundurës që të çon e s’të kthen, ka talent, ka vërtetësi. Tashmë, që prej ngjarjeve dramatike të 21 janarit 2011, kur 4 shqiptarë kanë humbur jetën, të gjithë ne e kemi parë Arian Galdinin që të zhvishet plotësisht nga angazhimi i tij politik dhe partiak, e së bashku me miqtë e tij të riaktivizohen si qytetarë të thjeshtë për paqen. Në 30 Janar 2011, përballë Monumentit të Nënë Terezës nisi jetën Karvani i Paqes. Po atë ditë, ata pak pjesëmarrës që ishin aty, rreth 40 – 50 intelektualë, akademikë, qytetarë të thjeshtë e të ndershëm, të rinj e të reja, studentë, autorizuan një grup prej 12 vetësh që të cojnë mesazhin dhe vullnetin qytetar për paqe mes palëve politike shqiptare, në zyrat e Presidentit të Republikës Bamir Topi, Kryeministrit Sali Berisha, Liderit Socialist të Opozitës Edi Rama, dhe të Partnerëve Ndërkombëtarë të Shqipërisë. Ky grup prej 12 vetësh u pagëzuan atë ditë si Dërgata e Dalëzotsave për Paqen. Vetëm 2 ditë më vonë, në dt 1 shkurt 2011, Dërgata e Dalëzotsave për Paqen u prit nga Presidenti i Republikës Bamir Topi. Ndërkohë në pritje të takimeve me Sali Berishën dhe Edi Ramën, Dërgata ka ndërmarrë një nismë të re: firmosjen nga ana e qytetarëve të nëj Promemorie ku i kërkohet klasës politike shqiptare që të gjejë gjuhën e dialogut, urtësisë, mirëkuptimit, mirëbesimit, bashkëveprimit dhe bashkëpunimit për hir të interesave kombëtare dhe publike. Firmosja e kësaj Promemorie ka filluar në dt 8 shkurt 2011 dhe pritet të përfundojë në dt 17 shkurt 2011. Qëllimi i kësaj Promemorie është që të dëshmohet dhe përforcohet zëri i shpërfillur dhe i dobët i neve qytetarëve të thjeshtë e të ndershëm shqiptarë, ndërsa të gjithë së bashku me anë të firmës sonë themi se ne qytetarët e Shqipërisë nuk biem dakort me mendimin e shprehur nga ndonjë Anëtar i Parlamentit Europian i cili thotë se në Shqipëri mungon drita në fund të tunelit, madje më keq akoma, nuk ka tunel fare. Ne qytetarët e Shqipërisë e refuzojmë këtë deklaratë, ashtu sikurse refuzojme të pranojmë strategjinë e një grushti politikanësh shqiptarë të majtë e të djathtë të cilët duan ta përfshijnë Shqipërinë në grupin e vendeve të Valës së Katërt të Demokratizimit. Shqipëria nuk është as Egjipti, as Tunizia, as Jordania, e as Jemeni. Jo, jo dhe jo. Shqipëria e ka fituar betejën me despotizmin në Dhjetorin e vitit 1990. Shqipëria është një vend që është e vërtetë se po përballet me vështirësi e tradhëti të mëdha në rrugën e demokratizimit nga një grusht politikanësh të papërgjegjshëm por gjithësesi nuk e ka humbur kurrë dëshirën popullore si edhe orientimin dhe qëllimin institucional demokratizues dhe perëndimizues. Ne qytetarët e Shqipërisë shprehim vullnetin tonë që të punojmë e përpiqemi fort që udha jonë e demokratizimit të ketë si destinacion të vetëm por edhe të shpejtë: perëndimizimin e Shqipërisë, lirinë e kombinuar me drejtësi dhe Anëtarësimin e merituar në Bashkimin Europian. Ne qytetarët e Shqipërisë deklarojmë se ne jemi tuneli dhe ky angazhim dhe vullnet i yni, kjo betejë e jona e saponisur për dinjitet është drita në fund të tunelit. Deklarojmë se ne e shohim Shqipërinë si Vend Anëtar i NATO, me vizat e Liberalizuara dhe me aspiratë të fortë për Anëtarësim në BE. Ne nuk e shohim Shqipërinë si Koloni apo Protektorat. Ne e mbështesim qëndrimin e BE dhe të SHBA për të mos ndërhyrë në problematikat e zgjidhjes së krizave shqiptare. Jemi ne shqiptarët ata që duhet ti zgjidhim vetë krizat tona politike. Jemi ne shqiptarët që duhet të dëshmojmë se jemi një komb i maturuar dhe perëndimor që e ka merituar plotësisht Anëtarësimin në NATO dhe Liberalizimin e Vizave. Ne qytetarët e Shqipërisë u kërkojmë gjithësesi Partnerëve tanë Ndërkombëtarë që të na ndihmojnë. Ju lutemi, të nderuar Partnerë Ndërkombëtarë, dëgjojeni, merreni në konsideratë seriozisht, jepini forcë dhe kredibilitet zërit tonë të lirë, të sinqertë, e të pafajshëm qytetar. Ne do të punojmë e përpiqemi sinqerisht dhe energjikisht që të detyrojmë Liderat tanë politikë që të bëjnë paqe, dialog, kompromis, zgjidhje transparente me dyer te hapura, parimore në funksion të interesit publik dhe dinjitetit qytetar. Ju lutemi, mos e braktisni Shqipërinë. Ju lutemi, mos dëgjoni më zërin e këtij grushti politikanësh që për 20 vite kanë prodhuar vetëm konflikte dhe marifete arbitrariteti për arsyet e përfitimit të pushtetit politik dhe pasurimit ekonomik personal dhe klanor. Ju lutemi, dëgjoni zërin e qytetarëve të lirë e të paimplikuar. Në legjendat tona të lashta shqiptare por edhe të shumë qytetërimeve perëndimore thuhet se duhet virgjëresha për të vrarë kuçedrën. Zëri i lirë i neve qytetarëve të Shqipërisë të thjeshtë, të ndershëm, të paimplikuar do të jetë zëri që do të fitojë përmbi ‘fuqinë’ e një grushti politikanësh arbitrarë. Ne ju kërkojmë që të mos e braktisni e as ndëshkoni vendin tonë për faj të një grushti liderash arbitrarë. Unë besoj.

    Aida DAKA

  6. lorida says:

    Shkrim shume i bukur. Plot thjeshtesi dhe mencuri. Ja pikerisht keto lloj debatesh duhen bere dhe inkurajuar ne gazetat dhe televizionet shqiptare. Galdini e thote vete se ky eshte thjesht nje material bruto i disa ideve e parimeve qe mund te perdoren si karte vlerash apo fillese programi per nje te djathte ndryshe, per nje te djathte te riperterire. Ia vlen qe ne Shqiperi nepermjet ideve te kuptojme se kush jane ata qe na keqpedrorin, zaptojne, vjedhin,vrasin e grabisin, dhe se kush jane ata qe kane ide, vizion, koncepte, mendje te hapur dhe fisnikeri per te drejtuar me shpirt te perunjur dhe sherbetor. Sinqerisht uroj nga zemra qe Arian Galdini ti bashkohet Bamir Topit. E djathta e re qe po lind do te jete e djathta e vertete. Mjaft me, me komuniste qe drejtojne te gjitha partite politike shqiptare. Ka ardhur koha e atyre qe nuk kane fare lidhje me komunizmin.

  7. Rebeka says:

    Shkrim fantastik. Ide te shkelqyera. Presim me kenaqesi te lexojme pjesen e dyte dhe vazhdimin e ketyre ideve dhe koncepteve. Ne fakt, ne kete shkrim njeriu kupton realisht se si mendon dhe si eshte nje i djathte i vertete bazuar ne ide dhe doktrine.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje