Shteti duhet të ketë prioritet kthimin e pronës tek i zoti

2 Nëntor 2011, 11:31Blog TEMA

Nga Njazi Muka

 

Së pari falenderoj mediat që më japin mundësinë të shpreh publikisht kritikën publike për anarkinë postkomuniste të pronës dhe apelin për tejkalimin e kësaj situate shkatërrimtare për popullin shqiptar. Shkaktarët janë politikanët shqiptarë dhe oportunizmi dëmprurës i ndërkombëtarëve.

E gjithë Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në krahasim me situatën e mjeruar të para vitit 1991 dhe kjo i dedikohet disa elementeve të çrregullt të veprimtarisë private dhe tregut të lirë.

Unë jam një nga ata shumë pronarë të ligjshëm që prej 20 vjetësh jemi në pritje që Qeveria demokratike të më kthejë pronat që më ka grabitur qeveria sllavo-komuniste. Por çfarë kërkojmë ne pronarët e shpronësuar nga politikanët Sali Berisha, Edi Rama, nga ambasadori i BE  zoti Ettore Sequi dhe ambasadorët e tjerë.

Më pëlqeu deklarimi i z. Edi Rama se PS do zgjidhë përfundimisht problemin e pronave, por le të ndalemi tek faktet dhe mos mashtrohemi me premtime.

Sllavo-komunizmi filloi me Enver Hoxhën dhe në 1991 u duk sikur u mbyll me Ramiz Alinë, kur  por e keqja ka ndryshuar emrin, por nuk është çrrënjosur. Në 1991 u përmbys ‘busti’, u vendos pluralizmi politik, por themelet e shtetit kapitalist dhe të demokracisë mungojnë.

Ndërsa Evropa dhe SHBA qenë të suksesshëm në shumicën e vendeve të ish kampit socialist në Shqipëri, ata dështuan. Asnjë politikan vendas apo i huaj nuk ka të drejtë të thotë se në Shqipëri është vendosur dhe po zhvillohet kapitalizmi, se po respektohen të drejtat e njeriut dhe demokracia po funksionon. Fakti se kanë kaluar 20 vjet dhe prona nuk po kthehet tek i zoti, qëndrimi i heshtur për pronën i dy partive politike kryesore, por  dhe i ambasadorëve të BE, OSBE FMN,  Bankës Botërore tregon rrugën e tyre të gabuar. Mos veprimi efektiv për kthimin e pronës tek i zoti mohon misionin për të cilin partitë politike janë krijuar si dhe misionin për të cilin përfaqësitë e institucioneve ndërkombëtare kanë ardhur në Shqipëri. Në Shqipëri luftën e ftohtë e ka fituar sllavo-komunizmi.

Eshtë i pajustifikueshëm fakti se kanë kaluar 20 vjet dhe pronat e nacionalizuara nga komunizmi jo vetëm që nuk janë kthyer tek i zoti. Prej shumë vjetësh dëgjojmë demagogjinë e kompensimit dhe të legalizimit ndërsa pronat e pronarëve po shfrytëzohen nga politikanët dhe nga klanet e tyre. Si politikanët kleptokratë shqiptarë dhe përfaqësuesit e BE që na quajnë me emrin ish-pronarë, dhe flasin për gjëra të përgjithshme, tamam  ashtu siç ju intereson politikanëve që spekulojnë me pronat tona. Me këtë qëndrim ambasadorët po shkelin parimet e Kartës së Kopenhagenit dhe të shtetit kapitalist. Si kudo në botë një pronë ka vetëm një pronar. Zgjidhja e qëndrueshme e problemit të pronës bëhet nëpërmjet kthimit dhe jo nëpërmjet kompensimit dhe legalizimeve siç rekomandojnë specialistët e Bankës Botërore, konkluzione që janë turp dhe njollosin emrin e këtij institucioni. Këta rekomandime janë mbështetje për politikanët shqiptarë që pas vitit 1991, në shkelje të kushtetutës dhe të drejtës së pronësisë, miratuan ligje me të cilat përvetësuan pronat tona. Premtimet e politikanëve për një shtet kapitalist, shtet të së drejtës, rend demokratik etj, pas vitit 1991 e në vazhdim kanë qenë të shumta dhe të bukura, por ato kanë mbetur demagogji dhe gënjeshtra për vetë faktin se pronat akoma nuk janë kthyer.

Zgjidhja definitive e problemit të pronës është paraqitur në mënyrë të detajuar disa herë nëpër artikuj nga shoqata “Pronësi me Drejtësi “ por këto kërkesa kanë rënë në veshin e shurdhër të kleptokratëve të politikës shqiptare dhe të mbështetësve të tyre perëndimorë.

Shkelja e të drejtës së pronës nuk është një gabim i thjeshtë për një krim me pasoja sociale dhe kombëtare ku janë të implikuar:

1-Drejtuesit e politikës shqiptare prej vitit 1991 e deri sot ku rolin kryesor e ka pasur dhe e ka z. Sali Berisha.

2-Të gjithë deputetët e pas vitit 1991 që kanë miratuar ligje gjysmake që kanë justifikuar transferimin e paligjshëm të pronave në interes të oligarkisë politike dhe klaneve të tyre.

3-Zbatimi i gabuar i këtyre ligjeve gjysmake nga administrata shtetërore, që ka nxitur zhvillimin e korrupsionit në administratën shtetërore dhe në sistemin e drejtësisë.

4-Ambasadorët dhe përfaqësuesit e institucioneve demokratike që megjithëse kanë marrë informacion të bollshëm për mosrespektimin e të drejtës së pronës dhe i kanë transmetuar me kabllogramet përkatëse këto informacione për vjedhjen e pronave nga oligarkia politike dhe numrin në rritje të vrasjeve për probleme të pronës dhe flasin sa për të kaluar radhën duke përmendur dhe rëndësinë e pronë dhe të titujve të qartë të pronësisë.

Bindjet e mija politike janë të djathta dhe morali im nuk pajtohet me moskthimin tek i zoti të pronës që pas vitit 1945 shteti sllavo-komunist ju ka grabitur qytetarëve. Gjithashtu kam bindjen se edhe morali i të majtëve ose i socialistëve, por duhet theksuar i atyre që janë të ndershëm dhe patriotë, nuk përputhet me vjedhjen nuk përputhet me përvetësimin e pronës së dikujt tjetër. Deri sot në asnjë kongres apo program  të PS, nuk kam dëgjuar të të kritikohet Sali Berisha dhe të flitet për pronën tek i zoti. Deri sot drejtuesit e PS, nuk kanë përfaqësuar elektoratin e majtë, por transformimin e komunizmit në hajdutëri, që ka infektuar drejtuesit e të djathtës dhe një pjesë të ambasadorëve. E përshëndes faktin se në platformën e kongresit që do të zhvillojë PS tani në nëntor u deklarua zgjidhja përfundimtare e problemit të pronës. Por si do bëhet kjo zgjidhje . Theksoj se kryesia e kësaj force politike nuk ka marrë asnjë kontakt me shoqatën “Pronësi me Drejtësi” dhe nuk është sqaruar asnjë fjalë nëse PS do të kërkojë kthimin fizik të pronës konform nenit 181 dhe 41 të Kushtetutës apo çështja e pronës do të shfrytëzohet për demagogji siç kanë bërë të dy krahët e politikës në këto 20 vjet. Një gjë është shumë e qartë:  Anarkia postkomuniste e pronës po shkatërron Shqipërinë dhe gabimet duhet të korrigjohen duke filluar aty ku kanë nisur në vitin 1991, d.m.th. Shteti duhet të ketë prioritet kthimin e pronës tek i zoti. Shoqata e Pronarëve ka raportuar shumë herë se anarkia e titujve të pronësisë dhe kriza e pronave ka ardhur si rezultat i nenit 8 të ligjit famëkeq 7501, është raportuar se anarkia e pronës ka shkaktuar mbi 8000 krime dhe por kjo nuk ka tërhequr vëmendjen e ambasadorëve. Shkaku dhe pasoja janë shumë të qarta dhe mund të korrigjohen me një ndërhyrje të vetme ligjore dhe pa asnjë faturë financiare. Në mënyrë publike nga z. Aleksandër Arvizu, ambasador i SHBA është thënë se  duhet hetuar me themel për vrasjen e 4 qytetarëve në 21 Janar, por me siguri Ambasadori e ka të qartë se nuk ka kapitalizëm dhe demokraci pa kthyer pronën tek i zoti dhe se vrasjet për pronat dhe problemi i pronës është shumë më shqetësues, më madhor dhe shumë më parimor se konflikti PD-PS. Zgjidhja e pronës nuk mund të mbyllet me kompensime dhe legalizime, por me kthim fizik dhe shpallje NUL të çdo akti që bie ndesh me menin 41 dhe 181 të Kushtetutës.

Fatkeqësisht, Banka Botërore, FMN, ambasadorët e BE, OSBE USA dhe komuniteti ndërkombëtar po mbajnë qëndrim indiferent ndaj shkeljes së të drejtës së pronës.  Duke financuar programe dhe projekte, pa vënë si kusht pronën, ndërkombëtarët kanë favorizuar kleptokracinë postkomuniste,. Tentativat për regjistrim apo zgjidhje të problemit të pronës siç është dhe projekti aktual i OSBE për regjistrimin e pronave në disa zona kadastrale të bregdetit të jugut është shpenzim i kotë i fondeve. Nuk është e nevojshme të shpenzohen 1.5 milion Euro për të na treguar se pas vitit 1991 janë sajuar edhe 5 apo 6 pronarë për një pronë. Këto i dimë të gjithë. Por ambasadorët nëse duan të bëjnë punë të mirë e dinë shumë mirë se çdo pronë ka një pronar dhe se çfarë është prona dhe si fitohet prona e përcakton qartë neni 41 dhe 181 i Kushtetutës.  Projekti i BE dhe i OSBE për regjistrimin primar në jugë të Shqipërisë është i dështuar pasi ka filluar me rrugë të gabuar. Por drejtuesit e këtij projekti kanë bërë shumë mirë që e kanë ndërprerë zhvillimin e tij dhe do të ishte e mira që me paratë që kanë mbetur të shpenzohen për rregullimin dhe korrigjimin e legjislacionit në përputhje me nenin 181 të Kushtetutës.

Politikanët shqiptarë deri sot na kanë mashtruar. Ambasadorët janë në dijeni të plotë për anarkinë e pronës dhe për mundësinë e zgjidhjes përfundimtare konform kërkesave të Kushtetutës, që është paraqitur edhe publikisht nga Shoqata “Pronësi me Drejtësi” por ata vazhdimisht po anashkalojnë kërkesat për të detyruar Qeverinë Shqiptare për ta mbyllur këtë burim korrupsioni për pushtetarët. Sa më shumë të zgjasë ky qëndrim i ambasadorëve, aq më tepër rëndohet situata për popullin

Dhëntë Zoti që me këtë shkrim të gjej mirëkuptimin e zotit Sali Berisha dhe Edi Rama që ata të reflektojnë ndaj këtij qëndrimi antipronar dhe anti kombëtar që vazhdimisht po merr jetë njerëzish po dëmton rëndë identitetin tonë kombëtar dhe po fut vendin në një krizë permanente shumë më të rendë se ajo që po kalon Greqia. Po ashtu lutem që nga ambasadorët të ketë mirëkuptim për vërejtjet publike që ju adresoj dhe veprim konkret për ti kërkuar qeverisë dhe shtetit Shqiptar për të respektuar normat themelore të shtetit kapitalist dhe të drejtave të njeriut.

 

*Anëtar i Kryesisë së Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”.

 

6 komente në “Shteti duhet të ketë prioritet kthimin e pronës tek i zoti”

  1. F.Selfo says:

    Pronen, duke bere lemsh DRJTESINE,po e vjedhin politikanet pa prone.
    Ky fakt mbjell katrauren ne gjithe Shqiperine,epiqendra eshte tirana.
    F.Selfo

  2. Selam says:

    Sali Berisha, sapo mori pushtetin, zbatoi me nxitim, me enthusiazem te papermbajtur porosite e diktatorit Alia dhe komunistit Gorbacov: “Prona eshte jona, pronareve do tu japim nje cope leter, te sorollaten ne dyert e gjykatave!” Kjo ishte motua e veprimit per “disidentin e diktatures”, per “demokratin e zjarrte” qe doli aq papritmas ne skene. Berisha grabiti pronen e pronareve te ligjshem, pengoi investimet e te huajve qe erdhen me vrap te investojne ne Shqiperi, grabitja e prones solli me vete e i dha nxitje korrupsionin masiv, qe ka kapur nga fyti Shqiperine. Berisha Shkaterroi bujqesine qe jepte shumicen e te ardhurave, tani nuk jep asgje. Komunisti i pandreqshem, Berisha, nuk i pranoi ligjet e demokracise, por solli perseri ligjet e diktatures. Berisha orvatet tmerresisht, mashtron me te gjitha menyrat, fshehtas e haptas, te paraqitet si demokrat qe i djeg zemra per demokracine, faktet, per fat te keq te tij, tregojne krejtesisht te kunderten. Pervc grabitjes se prones, jane 20 vite qe genjen e mashtron, torturon ish te vuajturit e diktatures, shumica e te cileve nuk ka masrre as kestin e pare te demshperblimit.

  3. Leone-53 says:

    Shtylla kryesore e rendit kapitalist eshte PRONA PRIVATE. Pa vajtur prona tek pronari legjitim nuk ka shoqeri kapitaliste ne Shqiperi. Sali Berisha la qene dhe ngelet nje nga comunistet me “fanatik” ne Shqiperi. Eshte kjo arsyeja qe vendi yne po iken ne ruge te gabuar. Pas 20 vjetesh “demokraci” nga mbi 33000 meter katror truall te sekiestruar me ’46 deri tani asgje nuk me ka dhene “demokracia” e PD se S.Berishes. Me dy fjale zbatim i perpikt i “perestrojkes” se Ramiz Alise e nentorit ’89!… Te lumte PD por mos harro se jemi akoma gjalle e nuk i harrojme te gjitha keto!?… Milano

  4. tourkofagos says:

    Njazi Muka,pronar/trashgimtar i pronave te falura nga sulltani,per bashkepunim/tradheti te gjysherve te tu,ndaj popullit shqiptar!!!!!!!
    prone e pa blere,por e grabitur nen hijen turke,,,,,,asnje ndryshim nga grabitesit e sotem te PD!

  5. tomori beratit says:

    Z Njazi.Komplimente per shkrimin por kam nje diçka qe me duhet te shtoj por edhe te kerkoj mendimin tend.Me siguri ti ke lexuar se si turqia ndau tapit e para per shqipetaret,e ke lexuar edhe t z.Njazi jo ne nji por ne dhjetra libra te botuar.Sipas dokumentave origjinale qe disponohen sot turku u jepte tapi vetem atyre qe zbatonin ligjet e dovletit dhe kushti numer nji i turkut ishte.Kthimi nga i krishtere ne musliman,ky ishte kushti primar i Turqis.Mijra njerz nuk e pranuan oferten dhe nuk pranuan qe nga Nasi te ktheheshin ne Njazi pra keta Naset qe nuk pranuan te nderojne besimin e tyre ngelen si i thone -ruar e qethur-pa gje dhe prona e Nasit ju dha Njaziut keshtu Njazirat u bene pronare te shum tokave dhe i kerkojne keto toka duke thene se jane te mijat mi ka dhene turku.Nje pyetje z NJAZI e pres nje pergjigje te sinqert nga ana juaj.Cili eshte mendimi juaj per sa me siper u tha dhe a ka nje zgjidhje me te drejte per PRONARET E VERTETE?

  6. sena says:

    tomori i beratit.
    mos je ndoshta nje nga individet, qe ke perfituar token e dikujt tjeter,dhe prandaj fol me kete gjuhe.
    Persa i perket konvertimit te krishtere ne myslimane nepermjet asaj qe ju thoni, atehere une besoj qe gjithe Shqiperia sot nuk do te kishte asnje kristian dhe orthodoks sepse, ne e kemi vertetuar gjithmone qe, e shesim veten per shume me pak, dhe jo me, te beheshim pronare tokash, po kjo qe ju thoni per konvertimin, eshte nje absurditet nga ana juaj.
    Lexoni historine e konvertimit nga historiane perendimore, dhe aty do te gjeni te verteten.
    Persa i perket autorit te shkrimit, gykoj se eshte shume i vonuar, megjithate i uroj qe kjo ceshtje e drejte te marre nje zgjidhje perfundimtare, zgjidhje qe mund te vije jonga shoqata pronesi me drejtesi, se ato as zyren qe kane nuk eshte e denje per te ju perfaqesuar.
    Nese te gjithe ato qe jane te demtuar nga moskthimi i pronave,zbatimi i ligjit shkaterrues per pronen 7501 vetem ne nje pjese te territorit dhe jo ne te gjithe vendin, pra rishikimi i zbatimit te tij, nese te gjithe keto individe do te bashkoheshin, jo duke pritur nga shkaktarit e ketij poroblemi zgjidhjen e tij, duke patur besim ne fuqite e veta, dhe te mos shpresojne sshume edhe tek nderkombetaret, te cilet, e kane kthyer vendin tone ne nje parcele eksperimentale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje