Për tragjedinë e Gërdecit ç’nuk pamë e dëgjuam këto tre vite e ca, ndaj kam frikë ç’na pret akoma. Tani na duhet të dëgjojmë edhe zotin ambasador të OSBE tek i mban iso…një Kreshnik Spahiu (Ballkan Web 16.6.2011)
E thënë shqip, sipas të nderuarit ambasador, drejtësia shqiptare është zero përderisa sa nuk u a mbledh këtyre avoketëve që e bënë han gjykatën shqiptare .
Vërtetë për avoketët ka vënd për të thënë shumë gjëra ndër to edhe për procesin e Gërdecit por si i nderuari ambasador ashtu edhe shumë i nderuari nënkryetar kam frikë se ngatërrojnë pasojën me shkakun.Kjo sepse ata të dy bashkë duket se nuk e njohin realitetin e procesit gjyqësore shqiptar. Ambasadori them se ka shkelur një ndër parimet themelore të njohjes përgjithësisht e posaçërisht të diplomacisë , investimin pas njohjes dhe analizës se plotë e objektive të gjërave, ndërsa nënkryetari ynë i nderuar, meqënëse nuk kam bazë të them se nuk do ,nga ana profesionale dyshoj të jetë në gjëndje të bëjë analiza.
Natën e ngjarjes , kur pashë Edi Ramën tek i hodhi dorën në shpatulla Saliut , një drithmë ngashërimi e shprese më mbërtheu nga ai veprim tejet njerzor e shqiptar i mirfilltë : Epo – thashë me vehte – mbase na prin për së mbari kjo gjëmë e merremi vesh ! Ra ky mort e u pamë ! – do thosh Kadareja .
Por të nesërmen që pa gdhirë akoma u llahtarisa nga ca “të ditur e parimorë“që nuk lanë fjalë pa i thënë edhe duke e përçmuar për atë “sentimentalizëm të pakuptimtë “ ndaj një personi që sipas tyre ish fajtor për gjithë atë kasaphanë.Më e bukura është se tani kur ky Edi Ramë , krijoi bindjen e fajsisë së Salës,sipas tij, për çdo gjë, e sulmojnë për ekstremizëm pra në të kundërtën.
Mirpo unë arsyetoja ndryshe dhe them me të drejtë : Në gjëmë e menjëherë pas saj njeriu mendon për gjëmën e jo për dënime. Me shqipe , në gjëmë të vjen edhe hasmi e nuk e nget njeri. Në gjëmë janë ata që nuk janë më, ndaj të gjallët kujtohen më pas. Për shkakun e fajin e gjëmës gjithnjë pritet të ftohen gjakrat sepse duhen dëgjuar njerzit , duhen parë e duhen matur gjërat. për të vënë pastaj gishtin. A nuk kemi anatemuar Enver Hoxhën tek bënte prognonzat sinoptike pa filluar gjyqet akoma ?
Por komentet për gjestin e Ramës , ishin të ”ultat “,për të mos thënë të “ndyrat “e para të kësaj historie. Mbani shënim: Nuk them rastësisht e as mund të akuzohem në përdorimin e kësaj fjale në këtë rast, jo vetëm për shkak të një koecidence (1)por edhe sepse do dilnin të tjera “ndyrësira” më pas sikur e kam ndjerë që në atë kohë kur kam deklaruar publikisht në shkrimin “Shteti Ligjor,dy standartet dhe mjerimi…juridik “ , ku lidhur me marifetet proceduriale në çështjen Basha kam shënuar :
-“ Në të tilla klauzola të shtetit ligjor ka përfunduar dhimbshëm kjo çështje gjyqsore më e madhja e këtyre viteve të fundit dhe ndër më të mëdhatë pas atyre të Piramidave.Mos o zot të përfundojë kështu edhe çështja e Gërdecit. ! “(SHQIP 16 prill 2009 fq 29 )
(1) – Gërditet -i vjen të ndotë, nga sllavishtja,Çabej ”Studime etimologjike “,vol 4
– Gërdec – sifilis . përdoret si mallkim : Të rëntë gërdeci ! “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe “ Tiranë 1980
Nuk është e drejtë të shprehem për Gërdecin si ngjarje në vetvehte, çfarë ndodhi e pse ndodhi . Këto pyetje me ca të tjera si ku, kur ,kush , përse etj , përbëjnë axhendën e hetimit e gjykimit që nuk kanë përfunduar akoma. Është kjo axhendë që duhet të nxjerrë të vërtetën , ndaj them se flasin kuturru , duke i parë përciptaz a shkëputur gjërat.
Unë njoh tabllonë e plotë të prokurorisë në këtë çështje, me pikë e presje, e megjithatë nuk çmoj se është koha për folur sepse axhenda e se vërtetës është me dy puntata, ndër të cilat e Gjykatës është e dyta por nga vlera e para.
Pastaj… kushdi çfarë asi mban nën mëngë kjo gjykatë e jona kaq e qetë në punët e saj .Ndaj do flas vetëm për një Gërdec tjetër …
Procesi i Gërdecit u nis me aq bujë e tërsëllëmë helikopterësh me 29 të akuzuar , pothuaj një për viktimë. Hajde thuaj pastaj se nuk godet kjo prokurori e jona .
Por që nga hetimi e deri sot në gjykim, pas më shumë se tre vjetësh e gjysëm , thonë veç kokë turku ka. Jo !, Unë nuk them se nuk janë zënë fajtorë e se janë edhe të tjerë, se këta janë këmbë e dhisë e se janë lënë bajlozërit. Ndonse e njoh shumë mirë dosjen hetimore unë nuk hyj kësaj ane jo vetëm sepse nuk më përket por edhe sepse ajo çdo gjë mund të jetë por dosje hetimore jo. Nisur nga shumë e shumë çështje të dështuara mund të them se Prokuroria e jonë nuk kërkon të vërtetën kriminale por realizimin e objektivit më absurd në sy të së drejtës: nisjen e bitisjen e hetimit me një akuzë çfarëdo për aspekte qoftë edhe dytësore që ndeshen pothuaj në çdo çështje, vetëm e vetëm për të larë duart, si Ponc Pillati .
Kjo është filozofija e kokës së turkut në Drejtësinë tonë.Është një filozofi tragjike që më kujton rastin e ilacit tek romani Çitadela i Kroninit. Kur pacientja priste ilaçin, bashkëshortja e mjekut nuk po e gjente dhe vonesa rrezikonte të humbisnin jo vetëm lekët e vizitës por edhe “klienten” e pasur e tekanjoze, ahere mjeku i thotë: “Bjer një ilaç çfardo !”
Tek ne, me këtë filozofi, të zunë me bazuk dënohesh vetëm për armëmbajtje pa leje , u kape drogë dënohesh vetëm ti si korier…
Të shikosh dosjen hetimore edhe profan të jesh çuditesh.Nëndë të dhjetat e saj janë dokumente, dhe procese të marrjes së tyre , shumica dërmuese konfirmojnë veprime të ndryshme që vërtetë lidhen por duke mos mbartur gjurmë të veprës penale nuk ka pse futen në dosje faqe të tëra kur mjafton procesi i kqyrjes për pjesët që paraqesin vlerë provuese për çështjen. E bukur është se për të vërtetuar se është bërë një telegram a është nisur një shkresë merret e i serviret gjykatës si pjesë e dosjes gjithë blloku i postës apo i gjithë libri i protokollit qindra faqesh, në vënd të një faqeje në fotokopje të vërtetuar apo të procesit të kqyrjes. Gjykata në do, të kërkojë origjinalet e t’ia shpien. Këto që them janë aspekte formale , standarte për çdo proces gjyqësor e jo më në të tillë. Furgonet që transportuan dosjen Gërdeci në gjykatë , ishin domethënës , parathënës për babiloninë e këtij gjyqi që mund ta quaj “gërdec “i Drejtësisë. Ditë të tëra të procesit i u kushtuan vetëm administrimit të provave shkresore kur mund të ne vojitej vetëm një ditë. Gabime të tilla nuk janë thjeshtë teknike.
Kushdo të jetë e humbet mendjen në atë mal letrash të paraqitura kaba.Kjo sepse ”E vërteta kriminale” nuk ekziston “neto” por “bruto”, rrethuar me fakte , rrethana, detaje e elementë të shumtë shoqërues por që nuk thonë gjë .
Për të zbuluar të vërtetën kriminale ,si për të vërtetat e çdo fushe , duhet qilisur realiteti bruto, të njihen e fiksohen aspektet që kanë vlerë provuese , të zgjidhen kundërtitë dhe nga analiza në tërësinë e tyre , konturohet e vërteta e veprës penale dhe provat që lidhen me të.
Këta miqtë tanë të prokurorisë them se nuk kanë parasysh se dallimi mes hetimit dhe gjykimit është i njëjtë me dallimin mes gjeollogjisë e minierës. Gjeollogjia bën mijra metra çpime nga ku merr qindra kampione, bën analizat laboratorike për gjithë kampionet për të përcaktuar rezervën gjeollogjike dhe brenda saj rezervën industriale. Jo më të dhënat për kampionet pa vlerë por as të dhënat për rezervat gjeollogjike nuk i dërgohen minierës por vetëm rezervat industriale. Sepse vetëm këto i shërbejnë minierës për nxjerrjen e mineralit. Prokuroria e jonë e ka ndryshe. Ajo i kalon gjykatës çdo të dhënë që i del ne hetim, pa seleksion pra me vlerë e pa vlerë. 400 dëshmitarë pyeti , 400 dërgoi në gjykatë ,mija dokumenta mblodhi e të gjitha i a la në derë gjykatës .
Unë përjashtoj që prokurorët tanë nuk duan të zbulojnë të vërtetën, përjashtoj edhe të mos dijnë këtë dallim gjeollogji –minierë , alias prokurori- gjykatë , ndaj më mbetet të them se pa një veshje të tillë të dosjes , pa bruton , paaftësia profesionale do dilte lakuriq .
Ky konfondim i pozicionit procedurial të prokurorisë ndaj gjykatës nuk bëhet vetëm nga Prokuroria. A nuk ishte gjykata që i pyeti pothuaj gjithë ata 400 dëshmitarë, që në të shumtën përsërisnin të njëjtën gjë ? A nuk ishte gjykata që fiksoi një për një gjithë ato shkresurina që në të shumtën ishin flete hyrje e dalje, korrespondenca apo të dhëna për qarkullimin e municionit, kur mjaftonin pak faqe proces kqyrjeje apo akt ekspertimi kontabël ? Por ç’them ! A nuk duhej që gjykata që me studimin e dosjes të vlerësonte një situatë të tillë dhe të urdhëronte kthimin e dosjes për të zbazur ujrat që kish, në mos po të rendiste aktet që duhej të administroheshin lidhur me akuzat dhe palët pastaj po të kishin rezerva a pretendime të kërkonin të tjera ? A nuk thotë neni 149 i K.Pr.Penale se “Provat jane njoftimet dhe faktet që lidhen me veprën penale ….dhe që shërbejnë për të vërtetuar kryerjen ose jo të veprës…” ? Po neni 357 sipas të cilit “.. Gjykata mund të revokojë me vendim marrjen e provave që dalin të panevojëshme ..” ?
Konfondimin“ gjeollogji- minierë” e shoh më lart akoma deri në Presidencë e Kuvënd me rastin e emërimit të Zonjës Rama si Prokurore e Përgjithëshme. Kam pasë bindje të plotë, se ish një juriste e shkëlqyer e padyshim ndër juristët më të ndershëm e të pakorruptueshëm sikurse vazhdoj ta vlerësoj edhe sot megjithë dështimet e shumta e gafat profesionale të prokurorisë. Kjo sepse ajo ishte gjyqtare e shkëlqyer pra inxhinjere miniere e si e tillë nuk njeh gjeollogjinë e Drejtësisë , Prokurorinë. Si gjyqtare është e përsosur me provat në tavolinë por është tjetër gjë të kërkojë e të zbulojë provat.
Atyre që mund ta quajnë pa vënd apo të tepruar nofkën , “gërdec i Drejtësisë ”,u rendis disa detaje “jo formale” të hetimit të kësaj çështjeje :
– Në hetim të pandehurit me ndonjë përjashtim janë pyetur vetëm një here pra nuk u janë bërë të njohura provat e administruara më pas për tu kërkuar sqarime gjë që nuk mund e as duhet spostuar nga njohja “me korespondencë” , studim i dosjes nga avoketët , a në përfundim të hetimit
– Ka të arrestuar që janë pyetur vetëm me rastin e arrestimit ,duke konfonduar detyrimin kushtetues e procedurial me hetimin
– Ndër 29 të pandehurit nuk është bërë asnjë ballafaqim mes tyre ose mes tyre dhe 400 dëshmitarëve të pyetur ndonse, sidomos mes të pandehurve, kontradiktat e mospërputhjet janë të shumta e thelbësore. çka rëndoi hetimin gjyqësor.
– Më tej akoma : Mbasi u bë hetimi mbi një vit e vetëm pas muajsh gjykimi na del se paska pasur një saldatriçe në mos brënda ,“në afërsi domethënëse” të punishtes së demontimit ,një tregues “domethënës “ i madhështisë prej Sherlok Holmsi të prokurorëve tanë etj etj .
Cili është realiteti mes kësaj zallahije provash nuk ka asnjë rëndësi për akuzën e cila nuk ka kohë të merret me ligjësitë e njohjes të së vërtetës se cilës nuk mund ti vihet gishti pa sheshuar kundërtitë mes provave ,pa të kaluar këto përrenj e moçale hetimore.
Kopili, me falni për shprehjen , i mbeti në derë gjykatës. Ndërkohë gjykata e hëngri këtë lesh arapi , alla Dritëro,duke u dhënë mundësi avoketërve të livadhisin, sepse ata duhet të livadhisin “ ligjërisht” në hanin hetimor e gjyqësor në mbrojtje të të drejtave të njeriut . Është tjetër dhe për mua më pak ndikuese në “degjenerimin “ e procesit tonë hetimor e gjyqësor, livadhisja “ jo ligjore “ e disa avoketëve , eksese që as duhet e as mund të errësojnë punën e korrektesën e të shumtëve prej tyre .
Nga të gjitha sa përmënda del se deklarimet e Kreshnik Spahiut e ambasadorit i OSBE janë të njëanëshme e të përcipta në kuptimin që injorojne faktorët kryesorë të këtyre zvarritjeve .
Vërtetë avoketërit shkaktuan zvarritje të procesit, por jo pak zvaritje shkaktuan edhe antarë të trupit gjykues e prokurorët me mungesat e tyre ose nga veprime te parregullta organizative .
Por thelbësorja është se çelsi i zvarritjeve avokateske të procesit në shumicën e rasteve nuk është pasojë e mungesës së ndërgjegjës e cipës profesionale veç në një pjesë prej tyre.
Kam një detal parasysh. Sipas medias, një nga avoketët në justifikim të mungesës njoftoi se ish i sëmurë ndërkohë u vërtetua pjesmarrja e tij në një gjykim tjetër.Duke pranuar se është një qëndrim i parregullt e i gabuar , nën dritën e procesit “madhështor “ gërdecian unë …e justifikoj atë . Le të bëjmë një llogari të thjeshtë. Janë 3 vjet e tetë muaj hetim e gjykim gjithsej 44 muaj.Mund të ketë avokat ndër ta që ka marrë edhe 100 a 200 mije euro por mezatarisht nuk janë paguar gjatë kësaj periudhe më shumë se 30 mije euro e kur thua mezatare një pjesë e tyre ka marrë më pak . Del se u ka takuar mesatarisht 600 – 700 euro në muaj duke e vënë në vështirësi ekonomike sepse veç detyrimeve familiare e nevojave personale janë edhe shpenzimet profesionale si makina, celulari ,internet, literature, mjete pune , qeraja e lokalit, tatimi etj. Në këto rrethana , avokatëve u ka ardhur në majë të hundës ky proces sikurse u vjen edhe në shumicën e proceseve që zgjasin me dhjetra séanca ndaj i bëjnë bisht a kërkojnë çështje paralele, gjë që shkakton përplasje datash .
Në fushë të Drejtësisë themi se po shkojmë në Europë , në Europën e shekullit 21, të furqisur nga të dhëna vërtetë reale por që me aspektet sipërfaqsore, të jashtme, mbulojnë një realitet të hidhur: Kaq dhjetra universitete , kaq qindra juristë , kaq “mijra” doktorë shkencash e profesorë e kaq “miliona” master që më ringjallin maksimën e dialektikës marksiste -leniniste “ sasia sjell cilësi” , kemi pastaj dhjetra prokurori e gjykata të reja e të digitalizuar e ç’nuk kemi pastaj të tjera , të gjitha fushat pothuaj me Kode , kaq herë janë ndryshuar për tu përsosur ligjet etj etj.
Llustra të tilla me lajle e lule janë si kostumet e fustanet “ firmato “ të çiftit të famshëm të O Henrisë që vishnin një javë në vit duke fshehur mjerimin gjithvjetor me brekë e çorape të grisura dhe barkun bosh .
Se në çfarë nivelesh është Drejtësia jonë nuk bëj krahasime me të sotmen por me Europën e 66 vjetëve më parë të sapo dalë nga lufta .
Në Nuremberg ,Gjykata për krimet e luftës nga nazizmi u krijua nga fuqitë aleate me 8 gusht 1945, më 18 tetor u paraqit akuza dhe me 20 nëndor filloi gjykimi ndaj 19 të pandehurve.Paraqitja e provave vazhdoi deri me 31 gusht 1946 dhe vendimi u dha në 1 tetor 1946, gjithsej hetim e gjykim rreth 390 ditë kalendarike,duke u zhvilluar 403 seanca gjyqësore, mezatarisht afro 1,2 seanca, çdo ditë duke pranuar se nuk kanë bërë asnjë ditë pushim (”Gërdecarët” tanë nuk ngurruan të bëjnë një muaj pushim në plazhe ndërkohë që rreth 200 seancave të tyre u del një mesatare ,një seancë në mbi tre ditë .)
Në Nuremberg akuza paraqiti kundër të pandehurve 33 dëshmitarë, mbrojtja paraqiti 61 dëshmi tarë e 143 me shkrim.
Për organizatat kriminale ,Gjykata ngarkoi përfaqesues të saj të cilët pyeten ose u muarën shpe gime me shkrim rreth 1910 personave ,
Ndërkohë në hetim u muar dëshmia e 155 mijë personave por i u paraqitën gjyqit përmbledhtas në 6 raporte nga të cilët gjykata pyeti drejtpërdrejtë vetëm 22 veta. për organizatat krimimale .
Nga dokumentet e paraqitura si prova u përjashtuan disa mijëra duke lënë mënjanë provat para lele ose për gjëra anësore .
Kujtojmë se objekt hetimi e gjykimi ishin mijra Gërdece në tre kontinente , në një interval kohor prej mbi 10 vjetësh e me miliona të vrarë , të torturuar e të mbyllur në kampet e përqëndrimit me dëme qindra e mijra miliardash dollarë .Kjo ishte bota e qytetëruar para tre cerek shekulli e merret me mënd ku është sot.
Fitrim Hoxhati
nuk vendoset drejtesia me gjykates – ;hajdaria-