Më ndodhi si me atë njeriun që sa më shumë e shikonte zjarrin aq më shumë i hynte e ftohta. Në ditët e nxehta të qershorit që kaloi sa më shumë shtohej vala e atyre që ishin kundër prishjes së piramidës, aq më shumë më ndizej shpirti nga vendosmëria e palëkundur që kish mbërthyer të pamposhturin Berisha dhe trimëreshën Topalli për shembjen e Piramidës. Muajin shtator kur do fillonte prishja e Piramidës po e prisja siç pritet një pikë uji në shkretëtirë. Zemra më gufonte tek shihja që çdo ditë e re sillte një hap më përpara drejt shkatërrimit të piramidës. Kjo ma mbushte mendjen se e kishim të afërt atë ditë kur piramida do kthehej në gërmadhë. Gërmadhë shikoja në çdo hap që hidhja se nëpër korridoret e kryeministrisë qarkullonte shprehja e Berishës: “Veprimet e njerëzve janë interpretuesit më të mirë të mendimeve të tyre. E doni antikomunist Berishën, ja veprimi shkatërrues mbi simbolin e komunizmit.
E kam thënë që në agim të demokracisë se Berisha është antikomunisti më i shquar në mes të shqiptarëve. Atë çka mendon për komunizmin e shpalos nëpërmes veprimeve. Vetëm në rastin e prishjes së Piramidës e ka zënë një ngërç psikologjik. Gjithë ç ’na është mbështjellë rreth kësaj fale “Ngërç”. Shtatori iku e tetori është në fundin e tij dhe ankthi i shembjes së Piramidës ka filluar të më kthehet në një lëmsh në grykë. Pyes veten, çfarë po i tremb, çfarë u ndodhi të dyve, kryetrimit Berisha dhe sokoleshës Jozefina Topalli që nuk po e zënë më me gojë shembjen e Piramidës!!. Përse vallë po u vyshket ndjenja e antikomunizmit, çfarë po ua than urrejtjen antikomuniste Berishës e Topallit që nuk po e rrafshojnë Piramidën e komunizmit?
Gjithmonë kujtoj thëniet në nxitim e sipër të Berishës në kohën e mitingjeve kur u krijua PD-ja në lidhje me veprimin dhe kurajon për të dominuar mbi frikën: “Kur vepron, kurajo rritet, kur e vonon veprimin, rritet frika”. Kjo na bënte me krahë e fluturonim në ato muajt e parë ku na kërkonte Kryetrimi Berisha. Rri e vras mendjen se përse u ra vrulli shkatërrues i piramidës, kush ua futi këtë frikë kaq të madhe?
Disa më thonë se nuk është frikë ajo që ka mbërthyer Berishë e Topallin, është Lulëzim Basha që u ka ngecur si dopio gjashta në dorë. Bashën e kanë si ajo kocka në grykë, dhe Ilir Metën si litarin në qafë. Kjo puna e Lulëzim Bashës me Piramidën më sjell në mendje historinë e njohur të viteve 60-70 në Tiranë, historinë e Shaban Qoses, te hunda e të cilit donin të ngacmoheshin djemtë e mëhallës. Mirë e kishin Berisha me Topallin me këmbënguljen për shembjen e Piramidës dhe ndërtimin e Parlamentit të ri. Po tani që shkojnë njerëzia dhe e pyesin Bashën sesi do bëhet puna me Piramidën? Keq ashtu e keq kështu. Njëherë në Kuvend donte prishjen e Piramidës e njëherë gjatë fushatës për kryetar bashkie nuk e donte. Si Shaban Qosja që i mësuar me ngacmimet, mërzitej kur i largoheshin djemtë e mëhallës të frikësuar nga njerëzit e sigurimit. Nuk e kuptoj si e hëngri Berisha këtë kokërr ulliri me Bashën për prishjen e Piramidës kur e kishte të freskët në rrugët ku kalonte përditë në rininë e tij historinë e Shaban Qoses.
Le të thonë si të duan gojët e liga, por me një lëvizje mjaft të mençur iniciatorja e parlamentit të ri Jozefina Topalli e mënjanoi Lulëzim Bashën në ceremoninë e paraqitjes së maketit të parlamentit të ri në hollin e Kuvendit. Me një shkëlqim të rrallë, me fytyrën e mbingarkuar nga pudra që i mbulonte dhe sheshonte porozitet ashpërsuese të lëkurës, me duart e mëdha ku hija e rrudhave evidentohej nën dritën e projektorëve, ajo si një specialiste e vërtetë shpjegonte konceptin funksional të ndërtesës së Parlamentit të ri.
Një vepër arkitekturore si parlamenti i ri është tepër e rëndësishme për ta lënë në duart e arkitektëve. Bëri mirë që e mori vet në dorë Topalli e mbështetur fuqimisht nga Berisha. Ç’duhen arkitektët vendas?!! Megjithëse i kemi thënë disa herë Finës që të mos shfaqet afër në publik me Frrok Çupin, ajo e kishte prapa krahëve kur shpjegonte maketin e Parlamentit të ri. Frrok Çupin në mes kolegësh e në popull e kanë quajtur njeriu me dy fytyra. Një fytyrë është ajo që ka paraqitur në Vlorën e vitit 1997 dhe fytyra e dytë është kjo e tanishmja, e kundërta e asaj të Vlorës së revoltave kundër Berishës.
M’u dhimbs shumë Fina Topalli në ato momente sepse Frroku edhe qeshte herë pas here vesh më vesh dhe deformohej në shprehjen e fytyrës nga sikleti i lëvizjes së nofullës së sipërme, ndoshta nga ndonjë protezë e pa instaluar mirë. Zona nga ku është Frrok Cupi nuk dallohet për ndonjë folklor të pasur në këngë dhe valle në krahasim me krahinat e tjera. Nuk e di se nga na doli Frrok Cupi valltar politik kaq i zhdërvjellët në piruetat politike. Gazeta e Nikoll Lesit e Aleksandër Frangajt shumë vite më parë më 1997-1998 shkruante se Frrok Cupin e mbron populli i Vlorës nga Berisha kurse sot është Frrok Cupi që përpiqet me rrotullimet e tij të mbroj Berishën nga zemërimi i popullit.
Përpara asaj ceremonie më dukej një flluckë sapuni revolta e arkitektëve shqiptarë.
Kur mendoj se Berisha dhe Topalli janë trembur nga prishja e Piramidës më zë frika për gjërat që do të vijnë më pas. Mos e dhëntë i madhi Zot që të tolerojnë prishjen e piramidës. Jo vetëm kaq por edhe një arkitekt, ish i burgosur politik si Maksi Velo na ngrihet e na thotë që të mos prishet. Nuk e kuptoj, përse ka degjeneruar kështu kjo fara antikomuniste te ne!!. Sillet si një antikomunist i vërtetë një sekreatar byroje partie 25 vjeçar si Berisha dhe kërkon prishjen nga themelet të simbolit të komunizmit, ndërsa ish i burgosuri Maksi Velo tregohet tolerant, e pabesueshme për një të persekutuar antikomunist, tolerant me komunizmin në këtë rast. Këto gjëra në Shqipëri janë për së prapthi. Përse ta prishim, thotë arkitekti, ne e kemi gati atë ndërtesë për muzeun e antikomunizmit mu në mes të bulevardit qëndror të Tiranës. Gjë më simbolike, më tallëse e përçmuese nuk ka ku bëhet, sfida më therëse ndaj komunizmit, përsërit arkitekti, Maksi Velo me gjithë arkitektët e tjerë. Pale kur këtë Maksin e mbështeste edhe një arkitekt i vjetër në moshë, Faja i ndjerë që e mbante veten edhe për demokrat.
Nuk mund të mendohet një objekt arkitekture pa menduar për njerëzit, thotë një arkitekt i madh.
Në këtë këndvështrim, të epokës dhe të njerëzve Sali Berisha dhe Jozefina Topalli shfaqen në dy plane, me një vizion paneuropian. Ata te Piramida shikojnë njerëzit dhe kohën që e ndërtoi atë.
Ndërsa te parlamenti i ri ata mendojnë dhe shikojnë njerëzit që e kërkojnë dhe ata që do e përdorin atë.
Arkitektët deklarojnë se nuk e bën jetën parlamentare godina e parlamentit por njerëzit e zgjedhur parlamentarë. O, bo bo, parlamentarët tanë janë krejt më të veçantët që janë parë e dëgjuar në botë deri tani, shembull trimërie dhe gojëtarie, që nga kryeparlamentarja të cilën në Malajzi një sheik e quajti “ Kadaifi i marrë i Parlamentit” sipas traditës shkodrane të të thirrurit e deri te Kryeministri. Më kënaqet shpirti kur e dëgjoj Kryeministrin Berisha që u ulërin komunistave të PS-së njësoj si një kapobandë që jep e merr me prostituta në tregun e Italisë. Ata janë harbutër prandaj Berisha ka përshtatur mënyrat e harbutërisë me ata. Këtë e ka thënë edhe plaku i urtë Sabri Godo, që iu shtoftë ymri në të mirë të Sali Berishës e të familjes së tij princërore.
Kam një të dhënë se Berisha paska shkuar te një grua e vjetër me emrin Esmeralda në Brrakë, e cila i paska thënë mes të tjerash se fatin e Berishës e shikon të ngatërruar në një si rrjetë merimange në një kazan të madh të mbyllur nga të gjitha anët. Pastaj merimangës i shtohet edhe një akrep e aty bëhet katrahura.
Porsa e dëgjova më shkoi mendja te gjëja më e zakonshme e këtyre ditëve, kabllogramet e Wikileaks. Po sikur, thashë me vete, të na dalë ndonjë kabllogram për vrasjen e Kosta Trebickës? Ai rahmetliu mburrej edhe se kishte shumë miq në CIA. Sa i cekët në arsyetim. Mirë ia bënë Trebickës kafshët në gjueti. Mburrje që peshon, mburrje që të bën punë, është ajo që të kesh miq në shërbimin inteligjent të Berishës, shërbim që mbështetet në Kodin zakonor të Kanunit 500 vjeçar.
Janë këto kabllogramet që ia nxinë jetën Berishës dhe ekipit të tij. Kishte të drejtë Enver Hoxha që i urrente për vdekje këta imperialistët amerikanë. Këta ta plasin bombën atëherë kur nuk e pret. Nga personeli i shërbimit brenda familjes dalin fjalë njësoj si në kohën e Enver Hoxhës me Nexhmijen. Fjalët e personelit në familje thonë se që kur dolën kabllogramet Berisha ngrihet në mëngjes dhe e pyet Lirinë, të shoqen, nëse ka parë ëndërr apo është e vërtetë se ka dalë kabllogram i ri për ngjarjen e Shkëlzenit me Taçi oil.
Thonë se ka edhe një kabllogram ku Berisha është përshkruar si i mbërthyer në një centrifugë krimi, vrasjesh të bëra në vite të ndryshme. Ngado që e rrotullon centrifuga, një herë e përplas në vrasjet e 97-98-ës, një herë tjetër në vrasjet e Gërdecit, një herë tjetër në vrasjet e 21 janarit, pastaj në vrasjen përballë ndërtesës së PD-së e përsëri në një vrasje të bërë në gjueti. M’a këput shpirtin fare pastaj kur në këto përplasje i cfaqet një herë Shkëlzeni e njëherë Argita, një herë tjetër Fahri Balliu, e përsëri Majlinda Prudentino, Zana Guxholli e Tom Kola me Genc Rrulin. Po e bluajnë të ziun Sali në madhështinë e tij. Prandaj thonë se njerëzit e mëdhenj shkatërrohen nga të vegjlit, nga ata që mbajnë pranë. Të jetë vallë centrifuga e krimit ajo që i trëmb, revolta që ngjallin këto vrasje në popull!!
Mirëpo Berisha të mbush me optimizëm me kurajon dhe aftësinë e tij të jashtëzakonshme për të bërë shkëputje spektakolare drejt progresit. Vetëm njerëz të pajisur me dhunti të veçanta nga natyra mund të shkëputen aq shpejt si ai nga një e kaluar komuniste në demokrat dhe nga një malësor në një xhentëlmen sallonesh.
Eshtë me fat populli ynë që ka një lider të atillë si Berisha. Kish ndonjë që i thoshte në kulmin e luftës në vitin 1997 apo në datën 21 janar përpara fillimit të demonstratës: mos qëndro në zyrë në Kryeministri, pse ti do luftosh! Pse u shuan Ministri i Brendshëm, Garda e Policia e të mbeti ty barra që të mbrosh ndërtesën e Kryeministrisë?! Ka mënyra të tjera për të shtuar dozën e frikës mbi njerëzit, dhe unë këtë nga ai e kam dëgjuar.
Me siguri e ka dominuar psikologjia e malësorit, që edhe goditjen me gurë të hekurave rrethues të ndërtesës nuk e duronte dot. I dukej sikur ishte shkjau që po e dhunonte dhe jo njerëzit e racës së vet. Por ai si asnjë tjetër na mbushte me optimizëm e besim në fitore. Ka edhe një shpjegim tjetër sipas mendjes sime. Si Anteu me këmbët në tokë Berisha ndihet i fuqishëm, sidomos i pathyeshëm kur gjendet fizikisht në zyrë në situata të rrezikshme për pushtetin e tij.
Berisha na ngjall një respekt të veçantë ne miqve të tij kur na përsërit fjalët e një dijetari gjerman: “veprimet e njerëzve janë interpretuesit më të mirë të mendimeve të tyre”.
Në fund të gushtit një grup njerëzish që shkruajnë libra në Tiranë botuan një libër të madh në mbrojtje të Piramidës. Ata thonë në libër se “Arkitektura duhet të na bëj që të njohim dhe të kujtojmë se cilët jemi”.
Harrojeni ju shqiptarët e mi, na mjafton njohja që na bën Kryetrimi Sali Berisha e, aq më tepër kur ai na bën që të kujtojmë se cilët jemi.
Në libër ata tiranasit si ato mësueset në shkollë arrijnë e shkruajnë se nuk është funksion i qeverisë që të mbajë njerëzit larg nga gabimet, por është detyrë e njerëzve që të mos lejojnë që Qeveria të bjerë në gabime si në rastin e Piramidës.
Për çfarë gabimi qeverie dërdëllisni more socialistë, bajlozë të korrupsionit. Ju që merrni kurajon e thërrisni lart e poshtë: “Ç’të ka hije harbutëria Sal o kapedan, don të prishç Piramidën po pse bytha s’po ta mban”!
Prandaj i bëj thirrje trimit të malësisë, Kryeministrit Berisha e Kadaifit të Parlamentit, Jozefinës që jo vetëm të mos tremben e të prishin Piramidën, por të mos u lenë dhëmbë e dhëmballë pa shkulur (jo faqe botës, në bulevard si në 21 janar, centrifuga e vrasjeve) prapa malit me gropa socialistëve dhe të gjithëve atyre Perëndimorëve që i pëshpërisin në vesh për mosprishjen e Piramidës. Kur do vijë ajo ditë që në truallin me piramidën e rrafshuar të shikojmë të lartësohet shtatorja e kryetrimit Sali Berisha!!! Vetëm në këtë mënyrë mbyllet harmonia arkitekturore e bulevardit. Në atë bulevard kryetrimi Berisha vrau ca shqiptarë që organizuan puç kundër kryetrimit të malsisë dhe aty Sali Berisha meriton të ketë shtatoren e Jozefina Parlamentin e ri.
Shpresa jo m’u ngjall, por nga gëzimi fluturoj tani që pashë sheikët njëri pas tjetrit në zyrën e Sali Berishës. Me fytyrat babaxhane stolisur me çarçafët tradicionalë ata janë garancia e patundur financiare e prishjes dhe e ngritjes së parlamentit të ri në zemër të Tiranës.
Z.Astrit fm shume per shkrimin , i lexoj me kenaqesi shkrimet tuaja ,besoj se nuk do jeshe kusheriri i Albana VOkshit ,sa per shkrimin sala me xhosin nuk kane kohe te mendojne per piramiden se po e kuptojne qe po u vjene fundi nuk eshte e larget dita e tyre ,me shprese qe do perfundojne njesoj si Kadafi ,nuk kane per tja fale gjakun Gerdeci,te vraret e 21janarit,te vdekurit e minieres dhe shume te tjere, POSHTE SISTEMI I URYER I SALES ,RROFTE DEMOKRACIA.