Shikim nga Brukseli

25 Tetor 2011, 21:29Blog TEMA

Nga Augustin Palokaj

Në vend që të merren me përmbajtjen e Raportit të Progresit, që ngel Shqipërinë përsëri në klasë, e Kosovën e qet edhe më keq, liderët politikë kanë nxitur debat bizar rreth gjuhës. Kur nuk na e thonë të vërtetën, s’ka rëndësi fare se cilin dialekt e thonë ose si e flasin gjuhën letrare. Populli do lajme të mira e jo lajme të këqija të thëna bukur me gjuhë letrare

 

Një fjalë e urtë popullore, nuk e di se e cilit popull, thotë: „Gjeli këndon bukur edhe kur i ka këmbët mbi pleh“. Populli shqiptar, në Shqipëri dhe në Kosovë, e edhe në Maqedoni, nuk i ka punët mirë. Shqipëria është duke ngecur në rrugën drejt integrimeve në BE, Kosova nuk është nisur fare në atë rrugë, ndërsa shqiptarët nga Maqedonia në numër të madh largohen nga vendlindja për të kërkuar një jetë më të mirë në vendet e Evropës nga kthehen duarthatë. Kur dëgjojmë liderët e shqiptarëve, në të tri këto shtete, fitohet përshtypja se liderët e tyre, sikurse gjeli në fjalën e urtë popullore, flasin bukur, edhe pse të gjithë e shohin se populli nuk u beson dhe fjalët e tyre duken të pasinqerta, të pabaza dhe të kota.

Pa dyshim se të gjithë do të duhej të mundoheshin ta flisnin sa më mirë, dhe sa më bukur, gjuhën e tyre, sidomos në një diskurs publik dhe zyrtar. Kjo vlen edhe për politikanët shqiptarë në të gjitha anët. Por mbi të gjitha gjuha ka për qëllim që njerëzit të kuptohen, të merren vesh. Prandaj politikanëve do t’u falet edhe ndonjë gabim gjuhësor, nëse një gjë e tillë nuk ka kurrfarë rëndësie për punën që kryen gjatë ushtrimit të një posti. Ata politikanë që kujdesen aq shumë për pastërtinë e gjuhës, humbin fokusin nga detyra primare. Për shembull: Bamir Topi duket të jetë një ndër presidentët në vendet e Ballkanit që nuk ka ndonjë pushtet praktik ose së paku nuk e ushtron. Ai nuk mbahet mend për ndonjë veprim, ndërsa, duke e marrë parasysh se ai është zgjedhur nga Kuvendi, i cili ka dalë nga zgjedhjet e manipuluara, edhe legjitimiteti i tij është i diskutueshëm. Fakti se ai nuk pajtohet me Sali Berishën dhe nuk është aq banal në deklaratat publike sikur kryeministri, nuk e amniston as Bamir Topin nga përgjegjësia për dështimet e Shqipërisë. Nëse nuk ka dashur të jetë vetëm një kukull, një president që flet bukur, por nuk thotë asgjë, e as nuk bën asgjë, atëherë ai është dashur të ndërmarrë masa me kompetencat e presidentit apo është dashur të japë dorëheqje. Si anëtar i PD-së ka mundur ta sfidojë edhe mënyrën totalitare me të cilin Berisha udhëheq partinë dhe Qeverinë. Kështu Topi ka pranuar rolin e një figure që flet bukur, duket i moderuar, por nuk bën asgjë konkrete për ta ndryshuar gjendjen në vend.

Për kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, nuk vlen të humbet shumë kohë. Ajo është vetëm një figurë e cirkut të Sali Berishës, që vërtet flet ashtu siç merren vesh në parti. Pak ka rëndësi cilin dialekt e flet, kur ajo nuk e thotë të vërtetën dhe nuk merret me problemin në thelb, por, sipas shkollës së mirë të propagandës politike, devijon debatet nga problemet kryesore.

Bamir Topi dhe Jozefina Topalli do të bënin mirë sikur të largoheshin nga postet që kanë dhe të merren me studime të gjuhës shqipe. Shteti shqiptar nuk ka pasur asnjë dobi prej tyre. Në vend që të  merren me përmbajtjen e Raportit të Progresit, që ngel Shqipërinë përsëri në klasë, e Kosovën e qet edhe më keq, ata kanë nxitur debat bajat rreth gjuhës. Kur nuk na e thonë të vërtetën s’ka rëndësi fare se cilin dialekt e flasin ose si e flasin gjuhën letrare. Populli do lajme të mira e jo lajme të këqija të thëna bukur me gjuhë letrare.

Të mos harrojmë se i tërë debati mbi gjuhën letrare, gegë ose toskë, është provokuar nga hiç më pak se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian. Ky raport është i njëjti sikur ai i vitit të kaluar. Ai rikonfirmon se Shqipëria nuk i ka përmbushur as kriteret minimale për të marrë statusin e kandidatit. Edhe vitin e kaluar u tha e njëjta gjuhë. Por makineria propagandistike e Qeverisë Berisha, pjesë e së cilës është edhe Jozefina Topalli, vitin e shkuar pati një ngjarje tjetër që erdhi paralelisht me opinionin negativ të Komisionit Evropian. Në këtë kohë para një viti u dha lajmi për heqjen e vizave. Dhe natyrisht të gjithë në Shqipëri flisnin për heqjen e vizave dhe u harrua opinioni negativ i Komisionit Evropian, që në fakt bëri Shqipërinë të vetmin vend të Ballkanit Perëndimor, i cili ka aplikuar për anëtarësim dhe nuk ka marrë rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian për status kandidati. Këtë vit nuk pati asnjë lajm, as më të voglin, të mirë për Shqipërinë. Ndërkohë Serbia mori rekomandimin për status kandidati, duke u vënë formalisht para Shqipërisë për herë të parë në rrugën e integrimeve në BE. Duke mos pasur ndonjë zhvillim tjetër për ta devijuar debatin Berisha, Topalli dhe argatët tjerë të PD-së filluan ta akuzojnë opozitën për dështimet e Qeverisë. Askujt nuk i pëlqen mënyra se si Partia Socialiste e ka bojkotuar  punën e Kuvendit, por nuk ndodh shpesh që Qeveria për dështime të saja ta fajësojë opozitën. E në këto fajësime të opozitës u dëgjuan edhe atribute si „antievropian“ për liderin e opozitës dhe për presidentin e shtetit, i cili, me sa dimë, është nga vetë PD-ja.

Reagimi i Bamir Topit ishte nën nivelin e një presidenti të vendit dhe i gabuar. Nga ai nuk dëgjuam ndonjë propozim se si të adresohen problemet e identifikuara nga Komisioni Evropian. Ai hyn në debat me kryetaren e Kuvendit, duke e quajtur me fjalën joshqipe „spikere“, për pastërtinë e gjuhës së saj. Dhe i tërë debati tash ka devijuar tërësisht ,duke bërë që të gjithë ta harrojnë thelbin, Raportin tejet negativ të Progresit të Komisionit Evropian.

Në Kosovë liderët politikë janë më pak të shkathët për nga gjuha. Kryeministri Thaçi nuk flet shumë, përdor fjali të shkurtra, që shpesh përfundojnë si të paqarta, ndërsa abstraksioni i fjalive është qëllimi i tij. Presidenten e Kosovës ndoshta është më mirë ta lëmë rehat, sepse ajo bën përpjekjet maksimale që të lexojë atë që i shkruajnë, duke mbajtur gishtin në fletë në rreshtin që lexon, e nganjëherë i ndodh që të mos e lexojë si duhet. Apo fajin e kanë këshilltarët të cilët i shkruajnë fjalë të konstruktuara në mënyrë tepër të komplikuar për të dhe nuk ka faj ajo.

Së paku presidentja e Kosovës, Jahjaga, është e zgjedhur sipas Kushtetutës, sepse Kushtetuta e Kosovës nuk e ndalon që presidenti të zgjidhet me propozimin e  ndonjë ambasadori. Të dy presidentët e Kosovës para Jahjagës na dolën të kenë qenë antikushtetues. Si profesor universitar, presidenti i mëhershëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e fliste gjuhën letrare për mrekulli, por ja se e shkelte Kushtetutën, duke ushtruar detyrën e presidentit të shtetit në të njëjtën kohë kur ushtronte edhe postin e kreut të partisë.

Në Kosovë së paku ka debat rreth Raportit të Progresit, sepse, për dallim nga Shqipëria, shoqëria civile është paksa më e zëshme dhe më e angazhuar. Është më pak e polarizuar dhe ajo vlen edhe për mediat. Në shqip, në anglisht, gjermanisht apo frëngjisht në Raportin e Progresit thuhet se në Kosovë janë manipuluar zgjedhjet, se nuk janë dënuar përgjegjësit për këto mashtrime në zgjedhje. Thuhet se ka rritje në trafikimin e femrave për qëllim të detyrimit në prostitucion, se Kosova vazhdon të jetë rrugë transiti i drogës e gjithnjë e më shumë edhe vend i konsumimit të drogave. Shumë të zeza thuhen për Kosovën në këtë Raport dhe s’ka aspak rëndësi se në cilin dialekt të shqipes do t’i përkthejmë ato.

7 komente në “Shikim nga Brukseli”

  1. tak fak says:

    Ashtu eshte Gusto, po si ti heqim ?

  2. FAHYVE says:

    VELLA I DASHUR AGUSTIN – ti si dhe nje pjese nga ne mrgimtaret i shikojme gafat dhe poshtersite e politikaneve shqiptare si ata te pranishmit ne nje loje shahu , kur veprohet gabim , si, dhe ku , ani se lojtareve te ashtuquajtur politikane ua tregojne por ata nuk pranojne u duket vetja te zgjuar e te pa zevendesushem ,kapriçon e poshter te tyre e paguan populli i shkrete .

  3. pisha flamur says:

    Gazetës Tema.Nuk po vinë përgjigjet. Shkruhet se duhet eimal i sakt, kur ai është me të cilin kam nisur komentet…

  4. Agostin ,ke ba nje shkrim te bukur,me nivel dhe shume aktual.E rendesishme ashte se kush e lexon sepse politikanet shqiptare kurre nuk lexojne shkrime qe i kritikojne sepse jua lexojne sekretaret personale,ndersa kur i kritikojne ne gjuhe te huaja, lexojne vetem rrjeshtat qe nuk i kritikojne.Ata interesohen vetem karriget qe te mos i humbasin.Fatkeqesia e popullit shqiptar ashte se bien kollaj prèh e politikes duke e keqperdorur per interesa te veta.Ne Shqiperi ne radhe te pare duhet te diskutohet per varferine qe ka pllakosur popullin e thjeshte e sidomos fshataret, siguria e jetes qe akoma njerzit i kane armet ne duar dhe nuk kane frike nga ligjet e shtetit, nga drejtesia qe nuk ekziston fare perveçse nje grup hajdutesh dhe te korruptuarish qe mendojne vetem te ndertojne vila e te blejne makina ter shtrejta.Kur te rrgullohen keto tri gjera themelore,atehere duhet te mendojme per te hyre ne Europe.Me Sali Berishen,Jozefina Topallin, Shqiperia ne Europe mund te futet vetem ne shekullin e ardhshem.Atyre nuk ju intereson sepse per vehten e tyre dhe per familjet e tyre kane hy ne Europe qysh se kane marre karriget qe kane.

  5. jeton says:

    Me pelqeu shkrimi sepse ishte i matur, me argumente dhe terheq verejtjen ne devijimin e debateve nga gjerat e rendesishme ne ato te parendesishme. I lexoj shkrimet e Augustinit edhe ne Koha ditore dhe me vjen mir se ato po ribotohen edhe nga Tema. Le te shohin edhe ne Shqiperi se ka edhe gazetar kosovare te cilet e kuptojne mir realitetin e Shqiperise. Ngan jeher ne medijat e Shqiperise dalin gazetar nga Kosova te cilet nuk ka ndonje nivel profesional dhe lejne nje pershtypje jo te mir per Kosoven. Ndodhe edhe e kunderta kur ne TV-te e Kosoves u ipet hapesir disa pseudo-analisteve nga Tirana. Mir qe doli interneti dhe beri nje lloj bashkimi kombetar te gazetarise.

  6. Verle says:

    It’s great to read something that’s both enjoaylbe and provides pragmatisdc solutions.

  7. Dillanger says:

    Hey, that’s the geraetst! So with ll this brain power AWHFY?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje